ATV

Author: G.O.

  • Thaçi i dërgon kurorë të atit: Në spital të thashë lamtumirë, babë – nga Haga të them, mirupafshim në parajsë

    Thaçi i dërgon kurorë të atit: Në spital të thashë lamtumirë, babë – nga Haga të them, mirupafshim në parajsë

    Aktualisht po mbahet ceremonia e varrimit të babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, Haxhi Thaçit.

    Ish-presidenti Thaçi ka dërguar një kurorë me lule në varreza për vdekjen e babait të tij.

    “Në spital të thashë lamtumirë, babë! Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë!”, shkruhet mbi kurorë.

    Avokati i Thaçit: Dje në orën 14:00 kemi dorëzuar kërkesë për pjesëmarrje në varrim

     

  • Avokati i Thaçit: Dje në orën 14:00 kemi dorëzuar kërkesë për pjesëmarrje në varrim

    Avokati i Thaçit: Dje në orën 14:00 kemi dorëzuar kërkesë për pjesëmarrje në varrim

    Luka Mishetiq, avokati i Hashim Thaçit ka bërë të ditur se kërkesa e ish-presidentit për të marrë pjesë në varrim është dorëzuar që dje para orës 14:00.

    Ai ka sqaruar se Thaçi nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e sotme dhe nuk ka dhënë më komente tjera mbi këtë çështje.

    “Kam marrë shumë pyetje mediatike sot në lidhje me një deklaratë të Dhomave të Specializuara sot në mëngjes duke sugjeruar që klienti im, Hashim Thaçi, nuk ka bërë asnjë kërkesë për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Për të korrigjuar regjistrimin: Z. Thaçi ka bërë kërkesë dje para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Zoti Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Nuk do të kem asnjë koment të mëtejshëm për momentin”, ka shkruar avokati i Thaçit në X.

  • Osmani në Berlin: Kosova sot është sinonim i demokracisë që po avancon vazhdimisht

    Osmani në Berlin: Kosova sot është sinonim i demokracisë që po avancon vazhdimisht

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Forumin Botëror të mbajtur në Berlin, ku theksoi rëndësinë e demokracisë për zhvillimin dhe stabilitetin e Kosovës.

    Në fjalimin e saj, Osmani e vlerësoi demokracinë si sistemin më të mirë të vlerave që njihet nga njerëzimi, duke e konsideruar atë si një sinonim të lirisë, paqes dhe sigurisë për vendin.

    Ajo theksoi se Kosova sot është një shembull i një shteti dhe populli që ka luftuar dhe sakrifikuar për shekuj për të arritur lirinë, pavarësinë dhe demokracinë që gëzon tani.

    “Sot në Berlin, në “The World Forum”, fola për Kosovën si shembull i një shteti dhe një populli që ka luftuar e sakrifikuar për shekuj me radhë, për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë që e gëzojmë sot”, tha Osmani.

    “Për Kosovën, demokracia nuk është vetëm sistemi më i mirë i vlerave që njeh njerëzimi, por është edhe vetë sinonimi i lirisë, paqes dhe sigurisë. Kosova sot është sinonim i demokracisë që po avancon vazhdimisht, sepse besimi në vlerat demokratike është themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti ynë”.

  • Pastrimi i parave e dëmton konkurrencën dhe i çon në falimentim bizneset e rregullta 

    Pastrimi i parave e dëmton konkurrencën dhe i çon në falimentim bizneset e rregullta 

    Shkruan: Arian Hajdaraj

    Shpëlarja e parave dëmton institucionet e sektorit financiar, të cilat janë thelbësore për rritjen ekonomike, duke nxitur krimin dhe korrupsionin që ngadalësojnë rritjen ekonomike dhe duke ulur efikasitetin në sektorin real të ekonomisë.

    Sipas “Basel Institute on Governance”, i cili renditë vendet ku tolerohet shpëlarja e parave, në krye të listës janë vendet si Mianmar, Haiti, Kongo, Çadi e Venezuela. Por sipas raportit të Bankës Botërore, këto vende nuk kanë përfituar ekonomikisht nga ky proces. Sipas Bankës Botërore, këto vende kanë nivelin më të ulët të investimeve të huaja direkte, të cilat janë në nivel prej 0.2% të GDP-së.

    I njëjti Institut i renditë vendet ku shpëlarja e parave është e vështirë.  Për shembull, Finlanda, Estonia e Islanda janë në fund të listës së hartuar nga “Basel Institute on Governance” ndërsa janë në krye të listës së Bankës Botërore për ambient për investime dhe zhvillim.

    “Askush nuk investon në një vend ku pastrimi i parave është i lartë”

    Nga Oda Ekonomike e Kosovës kanë deklaruar se pastrimi i parave ndikon negativisht në ambientin afarist dhe largon investitorët e huaj.

    “Ndikimi negativ është i jashtëzakonshëm dhe në shumë drejtime. Fillimisht, dëmton drejtpërdrejt bizneset e ndershme, një dukuri që dëmton imazhin e Kosovës si vend jo i sigurt për të bërë biznes, dhe ajo që është më e padëshirueshme: largimi i investitorëve të huaj. Askush nuk investon në një vend ku pastrimi i parasë është i lartë”, thuhet në përgjigjen e OEK.

    Sipas tyre, dukurinë e pastrimit të parave shteti duhet ta luftojë në çdo formë.

    Një nga sektorët që sipas Luan Hasanajt, pronar i kafenesë “Memories Lounge” në Prishtinë, ndjen drejtpërdrejt ndikimin e shpëlarjes së parave është ai i gastronomisë. Ai thotë se ky fenomen po dëmton bizneset e ndershme si i tij.

    “Unë mbaj një biznes familjar në sektorin e gastronomisë dhe shpeshherë kam vërejtur lokale të tjera që ofrojnë çmime nën nivelin e tregut. Kjo më bën të dyshoj se mund të ketë raste të shpëlarjes së parave. Lokale të caktuara ulin çmimet në mënyrë jo të zakonshme, gjë që dëmton bizneset si i joni që operojnë në mënyrë të ndershme”, deklaroi Hasanaj.

    Për të mbrojtur tregun e ndershëm, Hasanaj është shprehur se institucionet përkatëse duhet të rrisin monitorimin dhe të zbatojnë masa më të forta kundër këtyre praktikave.

    Kurse profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, thekson se shpëlarja e parave cenon konkurrencën e ndershme dhe ulë besimin e publikut në institucionet financiare.

    “Kjo praktikë e paligjshme u jep bizneseve të përfshira në aktivitete kriminale një avantazh të padrejtë ndaj bizneseve të ligjshme. Si rezultat, bizneset e vogla dhe të mesme mund të dështojnë, duke reduktuar diversitetin dhe konkurrencën në treg. Për më tepër, shpëlarja e parave dobëson institucionet financiare duke rritur rrezikun e krizave dhe duke ulur besimin e publikut në sistemin bankar”, vlerëson Qerimi.

    Nga Oda Ekonomike e Kosovës kanë thënë se janë angazhuar në rritjen e ndërgjegjësimit për shpëlarjen e parave.

    “Ne ofrojmë trajnime të vazhdueshme për bizneset, duke rritur ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë e tyre në respektimin e rregullave financiare. Sektori financiar dhe bankar në Kosovë ka bërë përparime të konsiderueshme, por ka ende hapësirë për zhvillim të mëtejshëm të programeve të dedikuara”, kanë potencuar nga OEK.

    Cili është roli i Bankës Qendrore të Kosovës?

    Mandati parësor për luftimin dhe parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimit të terrorizmit i përket Njësisë së Inteligjencës Financiare (NJIF) sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit.

    Ndërsa Banka Qendrore e Kosovës (BQK), bazuar në paragrafin 4, të nenit 34 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit, zbaton kompetencat mbikëqyrëse në institucionet financiare për sa i përket pajtueshmërisë me këtë ligj dhe me rregulloret përkatëse.

    Nga BQK thonë se kanë krijuar një kornizë rregullative kundër pastrimit të parave, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

    “Inspektimet në vend dhe jashtë vendit, monitorimi i transaksioneve dhe miratimi i një metodologjie mbikëqyrëse të bazuar në rrezik janë disa nga mekanizmat kryesorë që ne i kemi në funksion për ta luftuar pastrimin e parave”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

    Mekanizmat kryesorë që zbatohen ndaj institucioneve financiare sipas BQK-së përfshijnë kuadrin rregullativ, inspektimet në vend dhe jashtë vendit, monitorimin e transaksioneve, qasjen e bazuar në rrezik, teknologjinë dhe analizën e të dhënave dhe ngritjen e kapaciteteve.

    Megjithatë, njohës të fushës së drejtësisë paralajmërojnë se duhet ende punë për ta luftuar pastrimin e parave. Juristi Florim Shefqeti, i cili ka trajtuar raste të shpëlarjes së parave, thekson nevojën për një kornizë më të plotë ligjore.

    “Korniza ligjore është e pamjaftueshme. Ka mungesë të spektrit ligjor dhe nënligjor. Sfidat janë në mungesën e trajtimeve dhe trajnimeve profesionale, si dhe resurseve humane profesionale. Përmirësimi bëhet përmes mekanizmave profesionalë, plotësimit të kornizës ligjore dhe trajnimeve”, ka deklaruar Shefqeti.

    Ku mund të raportohen rastet e dyshimta për shpëlarjen e parave?

    Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) e përcakton shpëlarjen e parave si “përpunimi i të ardhurave të krimit për të maskuar origjinën e tyre të paligjshme (…) që i mundëson kriminelit t’i shijojë këto fitime pa rrezikuar burimin e tyre”.

    Ndërsa fazat e shpëlarjes së parave janë vendosja, shtresimi dhe integrimi, të cilat janë përshkruar në një raport të hartuar nga Njësia e Inteligjencës Financiare në vitin 2020.

    Në Kosovë, lufta kundër shpëlarjes së parave bëhet nga disa institucione dhe në mënyra të ndryshme. Këtu përfshihet Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF) që operon në kuadër të Ministrisë së Financave, Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Dogana e Kosovës dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK), që ndër të tjera bën rregullimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare në Kosovë.

    Njësia e Inteligjencës Financiare ka pranuar 960 raporte te transaksioneve/aktiviteteve të dyshimta në vitin 2022 ose mesatarisht 80 në muaj. Bankat përbëjnë numrin më të lartë të RTD-ve, apo 65% në krahasim me sektorët tjerë. Subjektet të cilat raportojnë transaksionet e dyshimta në NJIF janë bankat, agjencitë për transfer të parave, institucionet mikrofinanciare, kontabilistët, noterët, avokatët, etj.

  • Suspendohen tre zyrtarë policorë në Mitrovicë për keqpërdorim të pozitës dhe keqtrajtim gjatë detyrës

    Suspendohen tre zyrtarë policorë në Mitrovicë për keqpërdorim të pozitës dhe keqtrajtim gjatë detyrës

    Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për tre zyrtarë policorë në Mitrovicën e Jugut si të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

    Incidenti raportohet të ketë ndodhur në Mitrovicë pas mesnatës së datës 2 mars 2025 kur zyrtarët e dyshuar (jashtë detyrës zyrtare por me uniformë) me veturë private kishin ndaluar një automjet me arsyetimin për një kundërvajtje afër sheshit “Isa Boletini” në Mitrovicë duke arrestuar dhe pas kësaj kishin njoftuar një njësi policore në detyrë dhe kishin shoqëruar në stacion policor njërin nga pasagjerët e veturës së ndaluar.

    “Bazuar në hetimet fillestare, hetuesit e IPK-së dyshojnë se njëri nga zyrtarët policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast ka pasur probleme të natyrës personale me qytetarin e arrestuar.

    Veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit përderisa rasti trajtohet në procedurë të rregullt.

    Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave për këtë rast.” – ka njoftuar IPK.

  • Taravari: Të gjithë pacientët që po trajtohen në Selanik janë në gjendje stabile

    Taravari: Të gjithë pacientët që po trajtohen në Selanik janë në gjendje stabile

    Të pesë pacientët e shtruar në spitalet e Selanikut janë në gjendje stabile. Tre persona janë shtruar në spitalin Papanikolaou dhe dy të lënduar të tjerë janë shtruar në Spitalin Ushtarak, të gjithë me djegie të rënda.

    Të lënduarit u vizituan sot nga ministri i Shëndetësisë Arben Taravari dhe ai i Jashtëm Timço Mucunski.

    “Sot në orët e para të mëngjesit, së bashku me ministrin e Jashtëm Timço Mucunski dhe Dr. Ilir Vela, erdhëm në Selanik për a parë gjendjen e pacientëve të shtruar këtu. Sapo dolëm nga “Spitali i Përgjithshëm G. Papanikolaou” dhe nga Spitali Ushtarak në Selanik, të pesë pacientët e shtruar në këto spitale janë në gjendje stabile! Falenderoj kolegët tanë në Selanik, popullin dhe qeverinë greke për përkushtimin dhe ndihmën e tyre! Ne do t’ju mbajmë të informuar për pacientët e tjerë!”, shkroi Taravari në Facebook.

    Të paktën 59 persona vdiqën si pasojë e një zjarri që përfshiu një klub nate në Koçani të Maqedonisë së Veriut, ndërsa mbi 150 të tjerë u lënduan.

  • Spiropali: Burgosja e Hashim Thaçit, padrejtësi politike dhe morale

    Spiropali: Burgosja e Hashim Thaçit, padrejtësi politike dhe morale

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë mbledhjes komemorative për Haxhi Thaçin, theksoi se burgosja e Hashim dhe bashkëluftëtarëve të tij ka sjellë një padrejtësi politike, kombëtare dhe tani edhe njerëzore dhe morale, raporton Ekonomia Online.

    Ajo iu drejtua ish-presidentit Thaçi, duke shprehur se mungesa e tij është e ndjerë në këtë moment për nder të babait të tij.

    “Shumë i dashur Hashim që na mungon në këtë përcjellje të babait tënd, sepse padrejtësisë politike  e kombëtare të burgosjes tënde dhe luftarëve të tjerë sot iu shtua një padrejtësi njerëzore e morale”, ka thënë ajo.

  • Gruaja e Edi Ramës në Skenderaj: Në këtë ditë të trishtuar, jam këtu me ty nëna Hyrë

    Gruaja e Edi Ramës në Skenderaj: Në këtë ditë të trishtuar, jam këtu me ty nëna Hyrë

    Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen komemorative për Haxhi Thaçin tha se në këtë ditë të trishtuar është pranë nënës së Hashim Thaçit.

    Ajo u shpreh gjithashtu se është aty, për të qëndruar pranë gjithë familjes Thaçi.

    “Kjo është një ditë e trishtuar dhe në këtë ditë të trishtuar jam këtu me ty Nëna Hyrë, në radhë të parë sepse e di mirë se çfarë do të thotë të jesh prind i një politikani, e posaçërisht nëna e një politikani. E kam përjetuar pranë nënës së Edit dhe në këtë ditë të trishtuar jam këtu me të gjithë familjen tuaj, të cilës sot i mungojnë dy burra. E di dhe më mirë se çfarë do të thotë të jesh bashkëshortja e një politikani, aq më tepër e një udhëheqësi, aty ku fryjnë e nuk pushojnë erërat e forta, e përjetoi çdo ditë”.

  • Endrit Thaçi: Gjyshi na mësoi se bashkimi është çelësi i fitoreve, personifikimi i bashkimit janë krerët e UÇK-së

    Endrit Thaçi: Gjyshi na mësoi se bashkimi është çelësi i fitoreve, personifikimi i bashkimit janë krerët e UÇK-së

    Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi ka marrë fjalën në mbledhjen komemorative që po mbahet për nder të gjyshit të tij, Haxhi Thaçit, i cili ndërroi jetë më 16 mars.

    Endriti tha se gjyshi i tij i ndjerë i ka mësuar se bashkimi është çelësi i çdo fitoreje, duke shtuar se personifikimi i këtij bashkimi janë krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, babai i tij, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

    I emocionuar, Endriti mes tjerash tha se duhet të ndiqet shembulli i tyre që të bashkohemi për fitoren e radhës mbi padrejtësinë.

    “Për ne, gjyshi ishte kështjellë e pathyeshme e urtësisë dhe dashurisë. Ai na mësoi se bashkimi është çelësi i çdo fitoreje dhe personifikimi i këtij bashkimi janë krerët e UÇK-së në Hagë. Ta ndjekim shembullin e tyre për t’u bashkuar sërish për fitoren e radhës mbi padrejtësinë. Ju faleminderit të gjithëve që keni mbështetur familjen tonë, familjen e axhit Kadri, të bacit Jakup dhe axhit Rexhë dhe familjet e të gjithë atyre që po mbahen në Hagë”, tha ai.

    Ai ka ndarë kujtime nga ditët e fundit të gjyshit të tij, ku ndër të tjera tha se tri orët që Haxhi Thaci i kaloi me të birin të enjten në QKUK, ishin më të rëndësishmet e jetës së tij.

    “Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve, shpresa për të ritakuar babin, dhe bashëkëluftarët e tij në Hagë ishte më e madhe sesa dhimbja e sëmundjeve. Besimi në pafajësinë e tyre ishte më i hekurt sesa aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit, çdo orë e minutë priste që babi të hapte derën e spitalit. Nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa herë. Tre orë bashkëbisedim atë ditë, u bënë tri orët me të rëndësishme të jetës së tij. Një bisedë, babë e bir. Që të dy e kërkonin lirinë, çlirimin. Vdekjen e shpejtë të gjyshit e pash në fytyrën e babit kur doli nga spitali. Gjyshi i mbijetoi të gjithë vuajtjeve e dhimbjeve nëpër të cilat kaluam si popull, por këto katër vite nuk i mbijetoi vuajtjeve dhe dhimbjes nga padrejtësia”, tha Endrit Thaçi.

  • Djali i Kadri Veselit e nderon babain e Thaçit: “Burrë fisnik e i urtë, kurrë nuk e ndau babin nga bijtë e tij”

    Djali i Kadri Veselit e nderon babain e Thaçit: “Burrë fisnik e i urtë, kurrë nuk e ndau babin nga bijtë e tij”

    Familja e ish-kryeparlamentrit Kadri Veseli ka bërë homazhe pranë arkivolit të Haxhi Thaçit, babit të ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Përveç vëllezërve të Veselit, është parë edhe Klestor Veseli, djali i ish-kryeparlamentarit.

    Ai ka shkruar edhe në librin e zisë, ku e ka vlerësuar lartë figurën e babait të Thaçit.

    “Burrë fisnik e i urtë, ofroi strehë kur ushtarëve u duhej më së shumti, e kurrë nuk e ndau babin nga bijtë e tij.”