ATV

Author: G.O.

  • Ministria serbe anulon vendimin për subvencionimin e fermerëve të Luginës nga Qeveria e Kosovës

    Ministria serbe anulon vendimin për subvencionimin e fermerëve të Luginës nga Qeveria e Kosovës

    Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Dialog në Serbi ka anuluar vendimin për shpërndarjen e subvencioneve për fermerët e Luginës, subvencione këto që financohen nga Qeveria e Kosovës.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

    Rexhepi ka thënë se ky është një veprim tjetër i diskriminimit konstant që i ndodh shqiptarëve.

    “Ministria ka anuluar vendimin për shpërndarjen e subvencioneve për fermerët, të financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky është një veprim tjetër i diskriminimit konstant, në çdo sferë që i ndodh shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka shkruar Rexhepi.

    Ai ka theksuar se komunat e Preshevës dhe Bujanocit vazhdojnë të jenë ndër më të varfrat në Serbi.

    “Komunat e Preshevës e Bujanocit vazhdojnë të jenë ndër më të varfrat në Serbi, e Qeveria po vazhdon, lere që nuk ndërmerr asnjë hap drejt përmirësimit të situatës, ajo po bllokon edhe ato procese që po mundohemi të marrin bashkë me Qeverinë e Republikës së Kosovës e në mbështetjen e zhvillimit në Luginë”, ka theksuar tutje kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

    Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kanë dorëzuar një padi kundër këtij vendimi.

    “Rreth kësaj, kemi dorëzuar Padi kundër Vendimit në Gjykatën Administrative dhe presim një vendim të drejtë. Nëse në Serbi ka qoftë edhe pak drejtësi, ky vendim duhet të kthehet dhe fermerët tanë të përfitojnë nga kjo shumë. Lufta për të drejtat tona nuk ndalet!”, ka theksuar Rexhepi.

  • ShBA-ja po i shton masat ndëshkuese ndaj mashtruesve me viza

    ShBA-ja po i shton masat ndëshkuese ndaj mashtruesve me viza

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se po i përditësojnë ligjet për të luftuar mashtrimin dhe migrimin e paligjshëm.

    Sipas njoftimit të ambasadës amerikane në Kosovën, ata që shpallen fajtorë për mashtrim me viza do të përballen me ndalim të përhershëm për hyrje në SHBA.

    Ambasada ka shtuar se kufizimet e reja të vizave zbatohen për individë dhe qeveri “që lehtësojnë migrimin e paligjshëm”.

    “Qeveria e SHBA-së ka nisur një përpjekje të koordinuar ndërinstitucionale për të luftuar mashtrimin dhe për t’i dhënë fund migrimit të paligjshëm. Ata që shpallen fajtorë për mashtrim me viza do të përballen me ndalime të përhershme për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Politikat e reja të kufizimit të vizave zbatohen për individët dhe qeveritë e huaja që lehtësojnë migrimin e paligjshëm”, thuhet në njoftim.

  • Iu gjet arsenal armësh, ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarit në Leposaviq

    Iu gjet arsenal armësh, ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarit në Leposaviq

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega Leposaviq, kundër të pandehurit R.M për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Prokuroria njofton opinionin se i pandehuri R.M., më 31 tetor 2024, në fshatin Soqanicë të komunës Leposaviq, me dashje dhe në kundërshtim me ligjin ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armë pa leje të organit kompetent – pushkë të gjuetisë dhe 16 fishekë të armës së gjuetisë.

    Ndërsa, të pandehurit në shtëpi i janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë gjysmë-automatike, një pushkë automatike, një pushkë ajrore, një gaz maskë ushtarake, pesë thika të ndryshme, dy kapela të policisë serbe, 20 fishekë të vendosura në fotrolle ushtarake, 90 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një palë dylbi të pushkës, një bajonetë pushke, një shufër metalike të policisë, 87 të pushkës së gjuetisë dhe një radiolidhje.

    Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës, që të pandehurin ta shpallë fajtorë për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

  • Çrregullimet hormonale: Si ta kuptoni përmes simptomave të para që jep trupi

    Çrregullimet hormonale: Si ta kuptoni përmes simptomave të para që jep trupi

    Hormonet ndihmojnë në proceset kryesore të trupit, përfshi këtu metabolizmin dhe riprodhimin

    Kur vuani nga çrregullimet hormonale do të thotë se keni shumicë ose pakicë të një lloji të caktuar hormoni.

    Edhe ndryshimet më të vogla mund të shkaktojnë pasoja nga më të ndryshmet në trup. Mendojini ato si një recetë gatimi. Më shumë ose më pak nga një përbërës i caktuar do të ndikojë në produktin final.

    Si për çdo gjë tjetër edhe për çrregullimin hormonal, trupi jep shenjat e tij. Si ta kuptoni që hormonet tuaja janë në disbalancë?

    Jeni e lodhur

    Lodhja është një nga simptomat më acaruese për një mjek, pasi mund të ketë shumë shkaqe. Nëse jeni e lodhur pas një jave me provime ose pune me orar të zgjatur, atëherë jeni në rregull. Por nëse jeni vazhdimisht e lodhur, vini re shtim në peshë dhe luhatje oreksi, mund të vuani nga një aktivitet i ulur i tiroideve.

    Lodhja u ndodh të gjithëve, por nëse juaja është jashtë logjike, atëherë mirë do të ishte një vizitë tek mjeku.

    Ndryshime në lëkurë

    Ju kanë dalë sërish puçrra. Mund të jenë shkak i moslarjes së fytyrës para se të flini për disa netë rresht, por mund të tregojnë edhe diçka tjetër. Aknet te të rriturit tregojnë nivel të lartë të testosteroneve.

    Doktori do t’ju rekomandojë medikamentet për të rregulluar nivelet e hormoneve dhe për të pastruar fytyrën.

    Rritja e flokëve

    Po flasim për një rritje shumë të shpejtë. Nëse ju dalin qime te mjekra për një muaj ose nëse shihni qime të errëta në kraharor, krahë ose kurriz, ka diçka që nuk shkon me hormonet tuaja.

    Perioda të çrregullta

    Njëlloj si lodhja, ndryshimet në ciklin menstrual kanë shumë faktorë si: lodhja, nivele të ulëta estrogjeni ose sindroma policistike e vezoreve.

    Djersitje natën

    Nëse djersini natën (në një dhomë të freskët) mund të jetë shenjë e niveleve të ulëta të estrogjenit dhe ovulimit të rrallë, i quajtur ndryshe perimenopauzë. Ajo ndodh 10 vite para se të kaloni menopauzën.

    Nëse doni të dini a po kaloni një menopauzë të hershme (në moshën 40 vjeç), konsultohuni me mjekun. /Telegrafi/

  • Valë e re e sulmeve izraelite në Gaza, vriten 13 persona

    Valë e re e sulmeve izraelite në Gaza, vriten 13 persona

    Të paktën 13 persona raportohet se janë vrarë në sulmet ajrore në të gjithë Gazën gjatë natës, pasi Izraeli tha se po rifillonte operacionet luftarake në territorin palestinez.

    Dy civilë u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën kur një dron izraelit goditi një tendë pranë zonës humanitare al-Mawasi, raporton agjencia palestineze e lajmeve Wafa, duke cituar mjekët e Gjysmëhënës së Kuqe.

    Ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar atë që e quajti një vendndodhje ushtarake të Hamasit nga ku grupi po përgatitej të qëllonte në Izrael. Anijet e kontrolluara nga Hamasi u goditën gjithashtu, tha ushtria.

    Kjo vjen pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se luftimet do të rifillonin “me forcë të plotë”, duke shtuar: “Ky është vetëm fillimi”.

    Netanyahu e konsideroi rifillimin e luftimeve si një kthim në qëllimet kryesore të Izraelit – kthimin e pengjeve dhe “shpëtimin” e Hamasit – por familjet e pengjeve e kanë kritikuar vendimin, duke thënë se ai tregonte se qeveria kishte hequr dorë nga të dashurit e tyre.

    Izraeli thotë se Hamasi po mban ende 59 pengje, 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

  • Gjendet pa shenja jete një person në banesën e tij në Fushë Kosovë

    Gjendet pa shenja jete një person në banesën e tij në Fushë Kosovë

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në Fushë Kosovë, dje në mëngjes.

    Policia e Kosovës ka njoftuar, se ekipi i emergjencës dhe njësitë policore kanë dal në vendngjarje dhe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Trupi i pajetë i është lejuar familjarëve për ceremoni mortore.

    “F. Kosovë/ 18.03.2025-09:00. Është raportuar se viktima mashkull kosovar në banesën e tij dyshohet se ka ndërruar jetë. Ekipi i emergjencës dhe njësit përkatëse policore kanë dalur në vendin e ngjarjes ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me kërkesën e familjarëve dhe vendim të prokurorit trupi i pajetë i është lejuar për ceremoni mortore”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • Caktohet gjyqtari për ndeshjen Kosovë – Islandë

    Caktohet gjyqtari për ndeshjen Kosovë – Islandë

    UEFA e ka caktuar njeriun i cili do ta ndajë drejtësinë në “Fadil Vokrri”, ku të enjten më 20 mars me fillim nga ora 20:45, do të luhet ndeshja tejet e rëndësishme për Kosovën, e cila do të përballet me Islandën për “playoffin” e Ligës B të Kombeve.

    Ai është holandezi me origjinë turke, Serdar Gozubuyuk.

    39-vjeçari është një nga gjyqtarët më të njohur në skenën ndërkombëtare.

    Gozubuyuk ka ndarë drejtësi në të tre garat evropiane të UEFA-s: Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.

    Holandezi me origjinë turke, në tetor të vitit të kaluar, Gozubuyuk ishte gjyqtar kryesor i ndeshjes së Ligës së Kombeve ndërmjet Polonisë dhe Portugalisë, një ndeshje që u mbush me tension dhe emocione.

    Ndeshja kthyese ndërmjet Kosovës dhe Islandës do të luhet më 23 mars në Murcia të Spanjës.

  • BQK-ja parashikon inflacion prej 1.8% për vitin 2025

    BQK-ja parashikon inflacion prej 1.8% për vitin 2025

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), njofton se parashikimet e saj sugjerojnë se norma e përgjithshme e inflacionit pritet të jetë rreth 1.8% në vitin 2025.

    “Presionet inflacioniste në çmimet e ushqimit në tregun vendor mbeten një nga faktorët kryesorë përcaktues të ecurisë së inflacionit; megjithëse, rënia e parashikuar e çmimeve të ushqimeve në tregjet ndërkombëtare mund të ushtrojë presion për rishikim të inflacionit për poshtë”, thuhet në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë.

    Sipas raportit, përkundër kësaj, ecuria e inflacionit vazhdon të minohet kryesisht nga goditjet potenciale si pasojë e tensioneve gjeopolitike, kufizimeve tregtare dhe kushteve klimatike.

  • “Ikni sa më shpejt”, pamje tronditëse nga tragjedia në Koçan, të rinjtë shtyjnë njëri-tjetrin për t’i shpëtuar tmerrit

    “Ikni sa më shpejt”, pamje tronditëse nga tragjedia në Koçan, të rinjtë shtyjnë njëri-tjetrin për t’i shpëtuar tmerrit

    Të tjera pamje tronditëse nga tragjedia në diskotekën e Koçanit zbulojnë tmerrin që përjetuan të rinjtë, teksa nxitonin t’u shpëtonin flakëve.

    Nga lokali i natës, që atë natë ishte mbushur disa herë mbi kapacitetin, qytetarët duken teksa shtyjnë njëri-tjetrin, në përpjekje për të dalë jashtë, ndërkohë që vendi është mbuluar nga tymi i zjarrit.

    “Ikni sa më shpejt, sa më shpejt”, dëgjohen të bërtiturat e qytetarëve.

    Nga tragjedia, humbën jetën 59 persona. Nga zjarri, janë lënduar 196 persona, prej të cilëve 20 fëmijë. Tragjedia në diskotekën PULS në Koçan, nxori në pah shumë elementë që lidheshin me sigurinë dhe kushtet e funksionimit në diskotekë.

  • Arrestohet për korrupsion kryetari i bashkisë së Stambollit, kundërshtar i Erdogan

    Arrestohet për korrupsion kryetari i bashkisë së Stambollit, kundërshtar i Erdogan

    Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, u arrestua në shtëpinë e tij të mërkurën në mëngjes, sipas CNNTurk , një ditë pasi autoritetet turke ia hoqën diplomën e universitetit.

    Ky arrestim mund ta pengojë atë të sfidojë Rexhep Tajip Erdogan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

    Sipas transmetuesit, İmamoğlu u arrestua nën akuzat si drejtues i një organizate kriminale, ryshfet, manipulim tenderash dhe ndihmë për organizatë terroriste.

    Politikani 53-vjeçar socialdemokrat, në një mesazh zanor të ndarë nga ekipi i tij, tha se forcat e sigurisë bastisën shtëpinë e tij dhe akuzuan autoritetet për përdorimin e policisë për qëllime politike.

    İmamoğlu, një nga figurat më të shquara të opozitës turke, është parë si një pretendent kryesor për presidencën që kur mposhti kandidatin e zgjedhur nga Erdogan në garën e vitit të kaluar për kryebashkiak të Stambollit.

    Ai do të emërohej kandidati presidencial i opozitës kryesore, Partia Popullore Republikane të dielën.

    Arrestimi i tij pason një sërë hetimesh dhe padish, ku më e rënda mund të ketë një dënim të mundshëm prej më shumë se shtatë vjet burg dhe një ndalim politik.