ATV

Author: G.O.

  • Izraeli kryen sulme ajrore ndaj objektivave të Hezbollahut në Libanin jugor

    Izraeli kryen sulme ajrore ndaj objektivave të Hezbollahut në Libanin jugor

    Forcat ajrore izraelite kanë kryer sulme ajrore në objektivat e Hezbollahut në Libanin jugor, raporton CNN.

    Ky sulm do të thotë një ndezje të tensioneve pas mbarimit të armëpushimit.

    Izraeli dhe Hezbollahu luftuan për muaj të tërë në vazhdën e konfliktit të Gazës përpara se Izraeli të niste një fushatë intensive tokësore dhe ajrore, duke shkatërruar udhëheqjen e grupit militant të mbështetur nga Irani.

    Izraeli qëlloi me tanke dhe predha artilerie në fshatra në Libanin Juglindor, sipas raporteve nga media shtetërore libaneze.

    Sulmet pasuan njoftimin e Izraelit se kishte zbuluar pesë predha nga territori libanez dhe kishte kapur tre kalime në territorin izraelit.

  • KFOR-i italian patrullon kufirin me Serbinë në Istog

    KFOR-i italian patrullon kufirin me Serbinë në Istog

    Ushtarët italianë të KFOR-it, të caktuar në Komandën Rajonale në perëndim, kanë kryer patrulla përgjatë kufirit me Serbinë në veri të Istogut.

    Aktivitetet ditore të patrullimit kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në zonë, tha KFOR.

    KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si siguri.

  • Behrami: Gjykata Speciale dëshiron me çdo kusht dënimin e krerëve të UÇK-së

    Behrami: Gjykata Speciale dëshiron me çdo kusht dënimin e krerëve të UÇK-së

    Artan Behrami, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, njëherësh deputet i konfirmuar  nga radhët e PDK-së, ka komentuar vizitën dyditore të Thaçit, pas vdekjes së babit të tij, të dielën e 16 marsit.

    Behrami se tha Gjykata Speciale në Hagë shkeli të drejtat e njeriut, duke përmendur refuzimin e kësaj gjykate që ish-presidenti Thaçi të merrte pjesë në varrimin e babait të tij.

    Mes tjerash, Behrami tha se edhe qytetarët tashmë e kanë kuptuar se sa mizore është kjo Gjykatë, duke shtuar se të njëjtit në shumë raste nuk e kanë kuptuar drejtë zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, për shkak se siç tha ai, kjo Gjykatë vepron në mënyrë jo transparente.

    Tutje, ai tha se Gjykata Speciale në çdo formë kërkon dënimin e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Mendoj se mesazhi kryesor që kanë marrë qytetarët këto dy javët e fundit është që tash e 4 vite, qytetarët e Kosovës ballafaqohen me një proces gjyqësor jo transparent e që në shumicën e rasteve e kanë pasur të paqartë se çka po ndodh atje. Ata , madje nuk e kanë ditur kuptimin e thirrjeve tona që Gjykata Speciale po i shkel të drejtat e njeriut dhe tani në këto dy javët e fundit e kanë pa se sa e padrejtë është kjo Gjykatë, se sa çnjerëzore është dhe tani qytetarët janë të vetëdijshëm se ajo se çka po ndodh në Hagë është një padrejtësi e madhe, andaj jo qytetarët por institucionet e vendit duhet të veprojnë për ta parandaluar këtë padrejtësi, sepse tashmë gjithçka është e qartë se Gjykata Speciale me çdo kusht, në çdo formë kërkon dënimin e krerëve të UÇK-së”, deklaroi Behrami në emisionin Compass në ATV.

    Për më shumë klikoni në videot e mëposhtme:

  • UNICEF kërkon që talibanët të heqin ndalesën ndaj shkollimit të vajzave afgane

    UNICEF kërkon që talibanët të heqin ndalesën ndaj shkollimit të vajzave afgane

    Agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijë i ka bërë thirrje qeverisë në Afganistan, të udhëhequr nga talibanët, që menjëherë të heqë ndalesën e shkollimit të vajzave përtej shkollës fillore, duke thënë që nëse ndalesa vazhdon deri më 2030, më shumë se 4 milionë vajza do të privohen nga e drejta e tyre e shkollimit.

    Ndalesa e Afganistanit për shkollimin e vajzave në shkollën e mesme “vazhdon të dëmtojë të ardhmen e miliona vajzave afgane”, tha shefja ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, përmes një deklarate më 22 mars. “Pasojat për këto vajza – dhe për Afganistanin – janë katastrofike”.

    Apeli i UNICEF-it vjen teksa në Afganistan nis viti i ri shkollor, ku vajzave iu ndalohet të vazhdojnë shkollimin përtej klasës së gjashtë, duke i privuar nga e drejta e arsimimit, që kur talibanët u rikthyen në pushtet më 2021, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Talibanët e justifikojnë ndalesën duke thënë se shkollimi i vajzave përtej klasës së gjashtë nuk përkon me respektimin e interpretimit të tyre të Ligjit të Sheriatit.

    Russell kërkoi që të gjitha vajzat të lejohen të kthehen në shkollë.

    “Afganistani është vendi i vetëm në botë që ua ndalon femrave shkollimin e mesëm dhe të lartë”, tha Rusell përmes deklaratës, duke shtuar se nëse e drejta e vajzave të reja do të vazhdojë të mohohet, “pasojat do të zgjasin me gjenerata”.

    Ajo theksoi se ndalesa ndikon negativisht në sistemin shëndetësor, në ekonomi dhe të ardhmen e vendit.

    “Me më pak vajza që kanë arsimim, vajzat përballen me rrezik më të madh të martesave të hershme me pasoja negative për mirëqenien e tyre dhe shëndetin”, tha ajo.

    Pasojat e ndalesës do të prekin një numër të mjekeve dhe mamive, dhe kjo do të lërë më shumë vajza pa përkujdesje kritike shëndetësore.

    UNICEF-i parasheh 1.600 vdekje shtesë të nënave dhe mbi 3.500 vdekje të foshnjave për shkak të kësaj situate.

    Talibanët kanë lejuar përjashtime të kufizuara nga ndalesa në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, por këto punë vijnë me kufizime të rënda dhe numri i grave në fuqinë punëtore po vazhdon të bjerë, sipas OKB-së.

    Në janar, Pakistani organizoi një konferencë globale në të cilën laureatja e Çmimit Nober, Malala Yousafzai, dënoi gjendjen e të drejtave të vajzave dhe grave në Afganistan, duke e cilësuar si aparteid gjinor.

    Yousafzai u bëri thirrje udhëheqësve myslimanë të mos e “legjitimojnë” qeverinë e udhëhequr nga talibanët dhe “të ngrenë zërin dhe të përdorin fuqinë e tyre” kundër kufizimeve të vendosura nga grupi militant ndaj të drejtës të shkollimit të grave dhe vajzave.

    “Thënë thjesht, talibanët nuk i shohin gratë si qenie njerëzore. Ata i mbulojnë krimet e tyre me justifikime kulturore dhe fetare”, tha Yousafzai gjatë konferencës në Islamabad./REL

  • Qeveria zgjedh bordin e KEK-ut dhe Postës

    Qeveria zgjedh bordin e KEK-ut dhe Postës

    Në një mbledhje elektronike të mbajtur të premten, Qeveria e Kosovës ka zgjedhur bordin e drejtorëve të ndërmarrjeve publike, Korporatës Energjetike (KEK) dhe Postës.

    Sipas njoftimit dërguar mediave të shtunën, Valdrin Krasniqi do të jetë kryesues i bordit të drejtorëve të KEK-ut. Merita Kasapooli, Filloretë Gashi-Sadiku dhe Shpëtim Zharku do të jenë anëtarët e tjerë.

    Gëzim Paci do ta udhëheqë bordin e Postës. Safije Beseni, Sebahate Rexha dhe Visar Nura do të jenë anëtarë.

    Më poshtë krejt vendimet:

    1. Miratuar Rregulloren e Rezultateve në Punë në Sektorin e Shëndetësisë.

    2. Emëruar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata Energjetike e Kosovës/KEK Sh. A” me këtë përbërje:

    i. Valdrin Krasniqi, kryesue;

    ii. Merita Kasapolli, anëtare;

    iii. Filloretë Gashi-Sadiku, anëtare;

    iv. Shpetim Zharku, anëtar.

    3. Emëruar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Posta e Kosovës Sh.A” me këtë përbërje:

    i. Gëzim Paci, kryesues;

    ii. Safije Beseni, anëtare;

    iii. Sebahate Rexha, anëtare;

    iv. Visar Nura, anëtar.

    4. Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për bartje të së drejtës së shfrytëzimit të parcelës sipas Shtojcës 1. të këtij vendimi, me qëllim të ndërtimit të objektit për Degën e Farmacisë – Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

    5. Miratuar Dokumentin Strategjik dhe Planin e Veprimit për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme – NFH 2025-2030.

    6. Themeluar Ndërmarrjen Publike Lokale “Ekosistemi” Sh. A, Shtime. Kjo ndërmarrje themelohet me 100% aksione nga Komuna e Shtimes.

    7. Miratuar nismën për lidhjen e Memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut për zbatimin e marrëveshjes së tyre dypalëshe në lidhje me bashkëpunimin për zhvillim.

    8. Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë për shkëmbim dhe mbrojtje të ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.

    9. Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Hungarisë për shkëmbim dhe mbrojtje të ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.

    10. Themeluar komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim në Pozitën e lartë të Kategorisë Drejtuese: Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, me këtë përbërje:

    i. Anita Kalanderi, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, kryesuese;

    ii. Fadile Dyla, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtare;

    iii. Venera Çerkini, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtare;

    iv. Kaltrina Dauti-Bytyqi, u.d. Udhëheqëse e Divizionit të Burimeve Njerëzore në MFPT, anëtare;

    v. Valon Avdiu, ekspert i jashtëm, anëtar.

    11. Themeluar komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitat e larta të Kategorisë Drejtuese për pozitat si vijon: Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, me këtë përbërje:

    I. Afërdita Beka, Drejtore Ekzekutive e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, kryesuese;

    II. Fadile Dyla, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtare;

    III. Naim Gashi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, anëtar;

    IV. Ahmet Gashi, u.d. i Udhëheqësit të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, anëtar;

    V. Besnik Aliu, ekspert i jashtëm, anëtar.

    12. Themeluar komisionin Ad hoc për vlerësimin Profesional për Pranim në Pozitën e lartë të Kategorisë Drejtuese: Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me këtë përbërje:

    i. Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë, kryesues;

    ii. Anita Kalanderi, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, anëtare;

    iii. Ilir Muçaj, Sekretar i Përgjithshëm në Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtar;

    iv. Lindita Osaj, Udhëheqëse e Divizionit të Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, anëtare;

    v. Lulzim Aliu, ekspert i jashtëm, anëtar.

    13. Themeluar komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim në Pozitën e lartë të Kategorisë Drejtuese: Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Civil të Kosovës, me këtë përbërje:

    i. Jeton Qela, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, kryesues;

    ii. Anita Kalanderi, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë;

    iii. Ilir Muçaj, Sekretar i Përgjithshëm në Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtar;

    iv. Safete Selmani, Udhëheqëse e Divizionit të Burimeve Njerëzore në Autoritetin e Avicionit Civil të Kosovës, anëtare;

    v. Lulëzim Aliu, ekspert i jashtëm, anëtar.

    14. Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore “Mekanizmi” që menaxhohen dhe administrohen nga AKP, shpronësimi i të cilës është i nevojshëm për realizimin e projektit: Ndërtimi i ndërtesave të banimit të përballueshëm dhe social për Komunën e Podujevës.

    15. Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i Projektit: Qarkorja e Vjetër e Qytetit të Gjilanit.

    16. Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme “Pasuri shoqërore Kombinati i Drurit Ferizaj, Seksioni i Pyjeve Gjilan”, që menaxhohet dhe administrohet nga AKP, shpronësimi i të cilës është i nevojshëm për realizimin e projektit: “FLOËS” i financuar nga Banka Botërore dhe Ndërmarrja Rajonale për Ujësjellës “ Hidromorava” Sh.A.

    17. Miratuar projektet kapitale si projekte shumë-vjeçare, sipas Ligjit për Ndarjet Buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, si në vijim:

    I. Renovimin e Stadiumit të Qytetit në Gjakovë;

    II. Stadiumi i Qytetit në Suharekë;

    III. Renovimi i objekteve kulturore.

    18. Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 24/251 të datës 12 mars 2025.

    19. Ndarë 350,000 euro për realizimin e projekteve përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    20. Miratuar Kontributin Kombëtar të Përcaktuar të Kosovës.

  • Policia arreston dhjetë persona në Gjakovë, dyshohen për “bixhoz dhe skema piramidale”

    Policia arreston dhjetë persona në Gjakovë, dyshohen për “bixhoz dhe skema piramidale”

    Policia ka zhvilluar një aksion policor në Gjakovë, që kishte cak një lokal ku dyshohej se ushtrohej veprimtari e kundërligjshme e bixhozit dhe organizimit të skemave piramidale.

    Siç merr vesh Gazeta Sinjali aksioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit, të datës 22 mars, në një objekt banesor në Gjakovë.

    Si rezultat i këtij aksioni, Policia ka arrestuar 10 persona të dyshuar, të cilët, pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Tasti po hetohet në drejtim të veprave penale: “Organizimi i skemave piramidale apo bixhozit të paligjshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.

    Ndërsa, Policia gjatë operacionit ka gjetur dhe sekuestruar: Tre aparate të lojërave të fatit (APEX); rreth 6 mijë euro dhe disa qindra të tjera në valuta të ndryshme të vendeve të tjera; “qipa të pokerit” dhe letra bixhozi si dhe një pistoletë me një karikator.

  • Publikohet deklarata e plotë që u nënshkrua mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë – çka përmban?

    Publikohet deklarata e plotë që u nënshkrua mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë – çka përmban?

    Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka publikuar sot tekstin e plotë të nënshkruar më 18 mars nga Shqipëria, Kroacia dhe Kosova.

    Deklarata thekson marrëdhëniet e ngushta dhe të qëndrueshme mes këtyre tri shteteve, të cilat janë të bazuara në vlera të përbashkëta, orientime strategjike të njëjta dhe angazhime të përbashkëta për siguri dhe bashkëpunim rajonal.

    Shtetet e përfshira shprehin angazhimin e tyre për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me qëllim për të rritur stabilitetin dhe sigurinë në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian.

    Gjithashtu, deklarata thekson mbështetje të plotë për integrimin euroatlantik të shteteve të rajonit, duke përfshirë dhe angazhimin për perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe ofrimin e mbështetjes për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

    Sipas deklaratës, nuk krijohet asnjë detyrim të ri ligjor ndërkombëtar ose ndërqeveritar ndërmjet shteteve nënshkruese, dhe gjithashtu ajo nuk ka ndikim në detyrimet ekzistuese të këtyre shteteve ndaj vendeve të tjera.

    Vlen të cekët se kjo deklaratë u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, si dhe nga homologët e tij nga Kroacia e Shqipëria, Pirro Vengu dhe Ivan Anushiq.

    Deklarata e plotë:

    Deklarata e Përbashkët pas takimit ndërmjet ministrit të Mbrojtjes së Republikës të Shqipërisë dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës të Kroacisë dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës të Kosovës, mbajtur në Tiranë, Shqipëri, më 18 mars 2025:

    Duke njohur marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, të bazuara në vlerat e përbashkëta, orientimet strategjike dhe angazhimet reciproke drejt sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal,

    Duke riafirmuar synimin tonë për të forcuar bashkëpunimin trepalësh të sigurisë dhe mbrojtjes për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian,

    Duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar,

    Marrja e veprimeve të menjëhershme për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse duke pranuar ambiciet që rrjedhin nga Koncepti Strategjik i NATO-s dhe Busulla Strategjike e Bashkimit Evropian, të konceptuara për të rritur aftësinë tonë për të mbrojtur territoret dhe njerëzit tanë, si dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,

    Avancimi i hapave të përbashkët për të rritur bashkëpunimin dhe prodhimin industrial të mbrojtjes në përputhje me Zotimin e NATO-s për Zgjerimin Industrial dhe planin e Bashkimit Evropian për “Riarmatosjen e Evropës”,

    Ne jemi të vendosur për t’u siguruar që jemi të pozicionuar mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve aktuale dhe në zhvillim, si dhe për të arritur objektivat tona të mbrojtjes dhe sigurisë,

    Ne: Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, si dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, deklarojmë angazhimin tonë si më poshtë:

    1. Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse duke:

    – Eksploruar zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve të bashkëpunimit shumëkombësh për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake;
    – Identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes;
    – Rritur përpjekjet për të investuar në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes.

    2. Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve duke:

    – Ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në rekrutimin, zhvillimin dhe mbajtjen e personelit të kualifikuar, duke përfshirë shkëmbimin e koncepteve të forcave rezerviste, për të rritur kapacitetet tona parandaluese dhe mbrojtëse;
    – Rritur mundësitë e edukimit dhe trajnimit individual dhe kolektiv përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake përkatëse, me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta;
    – Forcuar stërvitjet dypalëshe dhe/ose trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, në përputhje me Politikat e NATO-s dhe BE-së për Trajnimet dhe Stërvitjet, për t’u siguruar që forcat të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.

    3. Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë duke:

    – Forcuar hapat e përbashkët për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale;
    – Shkëmbyer informacione dhe shërbime të inteligjencës për ndërgjegjësimin dhe koordinimin strategjik dhe operacional të situatës ndërmjet institucioneve të mbrojtjes për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet tona përkatëse;
    – Eksploruar opsione të reagimit që adresojnë një gamë të gjerë kërcënimesh të mundshme për infrastrukturën tonë kritike dhe rrjetet e komunikimit dhe që mbështesin kohezionin dhe ndihmën e ndërsjellë.

    4. Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik duke:

    – Përafruar politikat dhe pozicionet me institucionet dhe strukturat shumëpalëshe euroatlantike për sigurinë dhe mbrojtjen, për të çuar përpara interesat dhe objektivat tona kombëtare dhe të përbashkëta rajonale;
    – Treguar angazhim për bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë për integrimin e plotë të Kosovës në iniciativat rajonale për sigurinë mbrojtjen;
    – Mbështetur perspektivën euroatlantike të Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

    Kjo Deklaratë e Përbashkët është bërë në frymën e miqësisë, solidaritetit dhe besimit të ndërsjellë. Ajo pasqyron vizionet e përbashkëta strategjike të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës. Ajo nuk krijon asnjë detyrim të ri ligjor ndërkombëtar ose ndërqeveritar ndërmjet shteteve, as nuk ndikon në detyrimet ekzistuese me shtetet e tjera.

    Nënshkruar në Tiranë, më 18 mars 2025

    Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës të Shqipërisë
    Z. Pirro VENGU
    Ministër i Mbrojtjes

    Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës të Kroacisë
    Z. Ivan ANUŠIC
    Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes

    Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës të Kosovës
    Z. Ejup MAQEDONCI
    Ministër i Mbrojtjes

  • “Drejtësi, jo politikë” – protestë paqësore para EULEX-it për Hashim Thaçin

    “Drejtësi, jo politikë” – protestë paqësore para EULEX-it për Hashim Thaçin

    Një grup të rinjsh ka organizuar një protestë paqësore para selisë së EULEX-it në Fushë Kosovë, ku po qëndron ish-presidenti Hashim Thaçi.

    Protestuesit mbajnë pankarta me mesazhe si “Liri për çlirimtarët” dhe “Drejtësi, jo politikë”.

    Ndërkohë, tek selia e EULEX-it në Fushë Kosovë, Thaçi ka pritur vizita nga vëllezërit e tij, ndërsa aktualisht bashkëshortja e tij, Lumnie Thaçi, është brenda për të qëndruar me të.

    Ndërsa, Gjykata Speciale i dha dje leje ish-presidentit Hashim Thaçi të vizitojë varrin e babait të tij, i cili ndërroi jetë të dielën.

    Kjo vizitë e Thaçit vjen pasi atij njëherë nuk iu lejua të merrte pjesë në varrimin e babait të tij, që u varros të martën.

  • “Është mirë me shëndet”, përfundon vizita e vëllezërve të Thaçit

    “Është mirë me shëndet”, përfundon vizita e vëllezërve të Thaçit

    Vëllezërit e ish-presidentit Hashim Thaçi kanë përfunduar vizitën e tyre në hapësirat e EULEX-it, ku Thaçi kaloi natën.

    Pas daljes nga selia, njëri prej vëllezërve u shpreh shkurtimisht: “Është mirë me shëndet, s’kemi të drejtë me folë”.

    Aktualisht, gruaja e Thaçit, Lumnije Thaçi, po qëndron në EULEX për ta vizituar atë.

    Gjykata e Speciale lejoi Thaçin të qëndrojë në Kosovë për dy ditë, në mënyrë që familjarët e tij të mund të shkonin për ngushëllime dhe të qëndronin pranë tij gjatë këtyre momenteve të vështira.

  • Vdes në moshën 76-vjeçare legjenda e boksit, George Foreman

    Vdes në moshën 76-vjeçare legjenda e boksit, George Foreman

    George Foreman, dy herë kampioni i botës në peshat e rënda në boks dhe fituesi i medaljes së artë olimpike, rivaliteti legjendar i të cilit me Muhamed Ali kulmoi në meçin e famshëm të titullit “Rumble in the Jungle”, vdiq të premten sipas një llogarie të verifikuar në rrjetet sociale kushtuar Foreman.

    Ai ishte 76 vjeç, shkruan CNN.

    Në postimin në Instagram u tha: “Zemrat tona janë thyer. Me dhimbje të thellë, njoftojmë ndarjen nga jeta të të dashurit tonë George Edward Foreman Sr., i cili vdiq paqësisht më 21 mars 2025, i rrethuar nga njerëz të dashur. Një predikues i devotshëm, një bashkëshort i përkushtuar, një baba i dashur dhe një gjysh e stërgjysh krenar. Ai jetoi një jetë të karakterizuar nga besimi i palëkundur, përulësia dhe qëllimi”.

    I njohur si njëri me grushtin më të fuqishëm në historinë e boksit, Foreman fitoi medaljen e artë olimpike vetëm në luftën e tij të 25-të amatore, shkatërroi një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave në Joe Frazier dhe vazhdoi të ruajë dy herë titullin e peshave të rënda përpara luftës së tij tashmë ikonike të 1974-ës me Aliun në Kinshasha, Zaire – tani e njohur si Republika Demokratike e Kongos.

    Foreman gëzoi gjithashtu sukses të madh si sipërmarrës, me produktin e tij “George Foreman Lean Mean Fat-Reducing Grilling Machine” që debutoi në 1994 dhe vazhdoi të shiste më shumë se 100 milionë njësi në mbarë botën.

    Ai lindi më 10 janar 1949 në Texas të SHBA-së.