ATV

Author: G.O.

  • Vizita dyditore në Kosovë, vëllezërit  e Hashim Thaçit shkojnë në zyrat e EULEX-it

    Vizita dyditore në Kosovë, vëllezërit e Hashim Thaçit shkojnë në zyrat e EULEX-it

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas qëndrimit të djeshëm në vendlindjen e tij në Burojë të Skenderajt, ku ka bërë homazhe të varri i babait të tij, ai natën e ka kaluar në zyrat e EULEX-it në Kosovë.

    Ndërkaq sot pritet të takohet në po këto zyra me vëllezërit e tij.

    ATV-ja ka siguruar pamje kur Gani, Blerim dhe Idriz Thaçi janë futur në zyrat e EULEX-it për të parë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

  • Vrasje në tentativë në Podujevë, gjashtë persona e sulmuan fizikisht dhe me thikë një person

    Vrasje në tentativë në Podujevë, gjashtë persona e sulmuan fizikisht dhe me thikë një person

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vrasjes në tentativë që ka ndodhur të premten në Podujevë.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Nuhi Gashi dhe 19-Qershori” në ora 19:45.

    “ Raportohet se pas një mosmarrëveshje, gjashtë të dyshuar meshkuj kosovarë, kanë sulmuar fizikisht dhe me mjet të mprehtë (thikë) viktimën mashkull kosovar. Lëndime trupore ka pësuar viktima i cili gjendet nën tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë”, thuhet në raport.

    Policia njofton se janë arrestuar pesë persona të dyshuar, kurse personi i gjashtë i dyshuar gjendet në  arrati.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit tre nga të dyshuarit e arrestuar dërgohen në mbajtje, kurse dy të tjerë lirohen në procedurë të rregullt.

    Rasti po hetohet.

  • Rasti i Banjskës, raporti i DASh-it përmend aktakuzën ndaj Radoiçiqit dhe të tjerëve

    Rasti i Banjskës, raporti i DASh-it përmend aktakuzën ndaj Radoiçiqit dhe të tjerëve

    Departamenti i Shtetit i SHBA-ve ka publikuar raportin e vitit 2025 mbi Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve, i njohur si INCSR, i cili fokusohet në përpjekjet për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të aktiviteteve të paligjshme, përfshirë ato të lidhura me narkotikët.

    Ky raport është një nga instrumentet kryesore për vlerësimin e masave të marra nga shtetet për të adresuar kërcënimet globale të pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit.

    Në raportin e DASH-it për luftimin e krimit, përmendet ngritja e aktakuzës ndaj Milan Radojçiq dhe të tjerëve, të cilët ishin pjesëmarrës në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2024 në Banjskë.

    Raporti thekson se, duke shfrytëzuar aftësitë dhe mentorimin e ofruara nga Zyra Ndërkombëtare e Zhvillimit Prokurorial, Ndihmës dhe Trajnimit (OPDAT), një prokuror në Kosovë ngriti aktakuzën ndaj 45 të pandehurve, përfshirë Radojciq.

    “Në Kosovë, duke përdorur aftësitë dhe mentorimin e mësuar nga OPDAT, një prokuror ngriti një aktakuzë kundër 45 të pandehurve, përfshirë Milanin Radoiçiq, nënkryetar i partisë kryesore serbve të Kosovës, i sanksionuar nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC).”, thekson Departamenti i Shtetit.

    Raporti INCSR është një analizë vjetore që i jep shtetit të SHBA-së mundësinë të monitorojë dhe vlerësojë përpjekjet e shteteve të tjera në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të aktiviteteve të paligjshme.

  • DASh e “godet” Sali Berishën në raportin e fundit: Korrupsion për interesa të familjes së tij

    DASh e “godet” Sali Berishën në raportin e fundit: Korrupsion për interesa të familjes së tij

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar punën e Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave.

    Në raportin për vitin që lamë pas, DASH sjell në vëmendje masën ndaj Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, për dosjen “Partizani”, duke e quajtur korrupsion në veprime zyrtare për interesa të familjes së tij.

    “SPAK rriti numrin dhe kompleksitetin e hetimeve për pastrimin e parave dhe konfiskimet dhe kreu paralelisht hetime financiare dhe të aseteve kur dyshonte për asete të paligjshme; megjithatë, ndjekjet penale mbeten të ulëta. Në vitin 2023, SPAK sekuestroi asete me vlerë 43 milionë dollarë dhe, në vitin 2024, vazhdoi arrestimet dhe konfiskimin e aseteve të ish-zyrtarëve të lartë”.

    “Në shtator të vitit 2024, SPAK akuzoi ish-kryeministrin dhe të përcaktuar sipas “Aktit të Ndarjes Buxhetore të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Ndërlidhura, 2021” me 7031 (c) Sali Berisha për korrupsion për veprime zyrtare për veprime zyrtare në dobi të interesave të familjes së tij. SPAK akuzoi edhe dhëndrin e tij për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK sekuestroi pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe aksionet e dhëndrit në kompanitë e lidhura me korrupsionin”, theksohet në raport.

  • Mali i Zi thotë se nuk u ftua në nismën për bashkëpunim ushtarak Kosovë-Shqipëri-Kroaci

    Mali i Zi thotë se nuk u ftua në nismën për bashkëpunim ushtarak Kosovë-Shqipëri-Kroaci

    Mali i Zi nuk është ftuar që të bëhet pjesë e deklaratës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, e cila u nënshkrua më 18 mars në Tiranë nga ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

    Siç ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë (REL) Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi, ata “nuk janë në dijeni” që Malit të Zi i është ofruar të nënshkruajë këtë deklaratë.

    Deklarata ka të bëjë me forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje për ruajtjen e paqes, duke përfshirë industrinë e mbrojtjes, veprimet për luftimin e kërcënimeve hibride dhe mbështetjen për integrimet euroatlantike, sipas Ministrisë kroate të Mbrojtjes.

    Përveç se kufizohet me të tria vendet nënshkruese, Mali i Zi është anëtar i NATO-s, njësoj si Kroacia dhe Shqipëria.

    Nënshkruesit e deklaratës kanë theksuar se mbetet e hapur mundësia që kësaj nisme t’i bashkohen edhe vende të tjera.

    E pyetur nga REL nëse do t’i bashkohet deklaratës, Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë.

    Në përgjigje u theksua se do të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, duke promovuar vizionin euroatlantik për Ballkanin Perëndimor.

    “Si anëtar i NATO-s, theksojmë rolin e forcave të NATO-s në Kosovë [KFOR-it], si faktor i rëndësishëm që kontribuon në ruajtjen e një ambienti të qëndrueshëm dhe të sigurt, dhe ndaj mandatit të të cilit kontribuon edhe Mali i Zi, gjë që do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

    As Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë nuk ka komentuar për pyetjen nëse Mali i Zi do të mund t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje ushtarake. Po ashtu, as NATO-ja nuk komentoi.

    “Nuk ishte e pritshme që në këtë situatë, Kroacia të ftonte Malin e Zi të bashkohej me deklaratën, gjë që nuk do të thotë se kjo nuk mund të ndodhë nëse përmirësohen marrëdhëniet bilaterale”, tha për REL-in ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, Dragan Samarxhiq.

    Marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Malit të Zi u përkeqësuan pas miratimit të Rezolutës për Jasenovcin në Parlamentin malazez, në qershor të vitit 2024.

    Një muaj më vonë, Kroacia shpalli person të padëshirueshëm, Andrija Mandiqin, kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, Milan Knezheviqin, deputet, dhe Aleksa Beçiqin, zëvendëskryeministër, për shkak të asaj që u cilësua si “veprim i qëllimshëm për prishjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kroacinë”.

    Në dhjetor 2024, Kroacia bllokoi mbylljen e një kapitulli në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, që lidhej me politikën e jashtme të sigurisë dhe të mbrojtjes.

    Edhe nëse do të ishte ftuar të bashkohej me deklaratën për bashkëpunim të mbrojtjes, Samarxhiq mendon se Qeveria e Malit të Zi nuk do të kishte pasur fuqinë politike për të dhënë një përgjigje pozitive.

    “Qeveria aktuale e Malit të Zi po mban një balancë mes rrugës euroatlantike dhe përplasjeve të brendshme politike, gjë që mund të ndikojë në qëndrimin e saj ndaj nismave të tilla”, tha Samarxhiq.

    Në Qeverinë në Podgoricë ka dy zëvendëskryeministra dhe tre ministra nga ish-Fronti Demokratik prorus, i cili është shpërbërë kohët e fundit, parti e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

    Lideri i këtij fronti, Andrija Mandiq, është kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.

    Ata janë pjesë e shumicës qeverisëse që nga viti 2020, kur u rrëzua nga pushteti Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, gjatë qeverisjes të të cilit, Mali i Zi u pranua në NATO.

    A e ka shkelur deklarata marrëveshjen e vitit 1996?

    Ndryshe nga Mali i Zi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerësoi se me nënshkrimin e deklaratës në fushën e mbrojtjes, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armatimi në rajon dhe kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.

    Kjo marrëveshje, që ka të bëjë me kuotat e lejuara të armatimit, u nënshkrua në atë kohë nga të dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës, Federata dhe Republika Sërpska, Kroacia dhe Republika Federale e Jugosllavisë, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi.

    Samarxhiq, i cili ka marrë pjesë drejtpërdrejt në zbatimin e saj për shumë vite, vlerësoi se deklarata nuk ka shkelur asnjë nen të kësaj marrëveshjeje.

    “Gjatë zbatimit shumëvjeçar të kësaj marrëveshjeje nuk ka pasur raste të shkeljes. Po ashtu, Shqipëria dhe Kosova nuk janë pjesë e këtij dokumenti. Pra, nuk shoh ndonjë lidhje shkak-pasojë midis këtyre dy marrëveshjeve”, theksoi Samarxhiq.

    Në reagim ndaj deklaratave të Vuçiqit se deklarata ka hapur garë armatimi në rajon dhe se është i bindur që NATO-ja nuk është informuar për të, kanë reaguar zyrtarë nga Kroacia.

    Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, i hodhi poshtë vlerësimet e Vuçiqit, duke thënë se vendet nënshkruese e kanë ndërmarrë këtë hap mbi bazën e vendimeve të tyre, “për të cilat nuk duhet të kërkojnë leje nga askush, as nga Serbia dhe as nga NATO-ja”.

    Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe që nga viti 2011 negocion me Prishtinën për normalizim të raporteve, proces që ndërmjetësohet nga BE-ja.

    Matje forcash mes Kroacisë dhe Serbisë

    Që ky zhvillim dhe shumë të tjera në rajon lidhen me marrëdhëniet serbo-kroate dhe matjen e ndikimit të tyre, vlerëson për REL-in analisti ushtarak nga Beogradi, Aleksandar Radiq.

    Ai tha se veprimi i Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës është thelbësisht i drejtuar kundër interesave serbe:

    “Mendoj se në Zagreb, edhe pse askush nuk do ta pranojë zyrtarisht, e shohin faktorin shqiptar si një mjet presioni ndaj Serbisë”.

    Nga ana tjetër, shtoi Radiq, Vuçiq është në një krizë të thellë politike për shkak të protestave masive në Serbi:

    “Vuçiqit i duhet tani të krijojë përshtypjen se serbët janë të kërcënuar, se ai është ai që mbron çështjen serbe nga presioni ndërkombëtar. Dhe sigurisht që nga ai mund të dëgjojmë vetëm kritika për marrëveshjen”.

    Radiq gjithashtu tha se beson që deklarata nuk do të ketë pasoja të thella në fushën e mbrojtjes në rajon.

    Sipas tij, Kroacia, përmes saj, arriti bashkëpunim me popullin shqiptar në dy territore.

    Ai mendon se për Shqipërinë është më e rëndësishme bashkëpunimi me Turqinë, që do të ndikojë në rrugën e saj të mëtejshme.

    Deklarata, shton ai, për Kosovën është e rëndësishme si forcim i marrëdhënieve me vendet e NATO-s, derisa t’i ofrohet mundësia për t’u bërë pjesë e Programit për Partneritet për Paqe të aleancës.

    “Por, natyrisht që në Beograd nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë shihet si diçka provokuese dhe do të ketë pakënaqësi, por asgjë më shumë se kaq”, theksoi Radiq.

    Përveç Vuçiqit, reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, duke e cilësuar deklaratën si “provokim të hapur dhe injorim të rëndë të realitetit në terren”.

    Në përgjigje, ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anjushiq, tha se “ka kaluar koha kur Kroacia pyeste Beogradin se çfarë të bënte dhe si të vepronte”.

    Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) vlerësoi se kundërshtimi i Serbisë ndaj kësaj nisme është “shkelje e hapur e marrëveshjeve të Brukselit”.

    Sipas këtyre marrëveshjeve, tha MPJD, parashihet që Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të saj në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera.

  • Përveç Vetëvendosjes, në Gjykatë Supreme u ankua edhe një parti tjetër për rezultatin e 9 shkurtit

    Përveç Vetëvendosjes, në Gjykatë Supreme u ankua edhe një parti tjetër për rezultatin e 9 shkurtit

    Koalicioni mes Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim (PDAK-LPB) ka njoftuar se dje në afat ligjor ka dërguar një ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Të njëjtën ankesë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e kishte hedhur poshtë krahas edhe tri kërkesave tjera të dy subjekteve, LVV dhe PDK.

    Ky koalicion po e akuzon Partinë e Ashkalinjve për Integrim për orkestrim të votave të diasporës.

    “Koalicioni PDAK-LPB ka dërguar në afat ligjor ankesën në  Gjykatën Supreme, duke e dëshmuar me fakte e prova të pakontestueshme skemën kriminale të manipulimit me vota përmes postës nga subjekti politik PAI. Nga rezultatet nga QKN të qasshme në databazën e KQZ, PDAK-LPB kishte marrë gjithsejtë 1977 vota apo 0.23% krahas Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI) që kishte marrë 1821 vota apo 0.22%. Pra, një dallim votash prej 156 votash e bënte fitues Koalicionin PDAK-LPB. Mirëpo, orkestrimi i votave të diasporës e ka përmbys rezultatin dhe me këtë rezultatet komuniteti Ashkali përfaqësohet nga subjekti politik i PAI i udhëhequr kryetari z.Etem Arifi i cili kishte qenë i dënuar me burg efektiv”.

    PDAK-LPB thotë se me këtë rast është dëmtuar nga procesi i votimit me postë nga diaspora sepse “bazuar në provat e bashkëngjitura tregohet qartazi se këtu kemi të bëjmë me manipulim të votuesit të diasporës duke u marrë letërnjoftimet e tyre dhe duke i regjistruar në pajisjet e tyre, duke hapur email për ta (gjë që i ka bërë pronar dëftesash) dhe duke i votuar votat e tyre pa dijeninë e tyre. E kjo padyshim që nuk mund të quhet ndryshe përveç se orkestrim votash”.

    “Për të vërtetuar pretendimet e PDAK-LPB se kemi të bëjmë me manipulim të vullnetit të votuesit nga PAl, gjegjësisht faktit se këta votues nuk kanë votuar fare ose nuk kanë shprehur mendimin e tyre as për subjektin politik dhe as per kandidatët, kemi emrat dhe mbiemrat e disa prej tyre që jetojnë në diasporë me prejardhje nga Kosova të cilët janë manipuluar nga PAI dhe prokuroria ka filluar hetimet. Përveç kësaj si provë kemi audioincizimin dhe videon ku ata qartazi tregojnë se i kanë dërguar letërnjoftimet, apo ja kanë marrë letërnjoftimet, ju është hapur e-maili nga PAI dhe këta fare nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit pra të njëjtit nuk e kanë shprehur mendimin e tyre as për subjektin politik dhe as për kandidatët”.

    Ky koalicion po i kërkon Supremes që të anulojë 211 votat e partisë politike PAI të dërguara me postë ose të urdhërojë rinumërim, të anulojë 108 votat në komuna që fare nuk ka banorë të komunitetit ashkali dhe kërkon rinumërimin e votave në shkollën “Mihal Grameno”.

    Dje edhe partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, shfrytëzoi afatin kohor për të dërguar një ankesë në Supreme me pretendimin se LDK-ja ka manipuluar me votat e ardhura me postë.

    Gjykata Supreme ka pesë ditë që të shqyrtojë dhe të marrë vendim mbi këto ankesa.

  • Haradinaj: Në Ditën Botërore të Personave me Sindromën Down, le të reflektojmë me përgjegjësi

    Haradinaj: Në Ditën Botërore të Personave me Sindromën Down, le të reflektojmë me përgjegjësi

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se sot është një ditë e veçantë për të shprehur dashurinë dhe përkrahjen ndaj atyre që janë unikë në mënyrën e tyre, personat me Sindromën Down.

    Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se përkushtimi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe jo vetëm sot por çdo ditë.

    “Sot, në Ditën Botërore të Personave me Sindromën Down, le të reflektojmë me përgjegjësi për më shumë kujdes dhe mbështetje, ku secili ka mundësinë të zhvillojë potencialin e tij dhe të jetojë me dinjitet. Përkushtimi ynë duhet të jetë i vazhdueshëm, jo vetëm sot, por çdo ditë!”, ka thënë Haradinaj.

  • “Labentiné”, mënyrë unike e qasjes ndaj modës

    “Labentiné”, mënyrë unike e qasjes ndaj modës

    Është zë i freskët në botën e modës, që reflekton vizion të qartë për dizajnin.
    Krijimet e saj janë unike dhe të rralla, njësoj si dhe emri i saj, Labentinë.

    Labentinë, krijon veshje punime dore që janë autentike dhe moderne në të njëjtën kohë.

    Ajo beson se moda e vërtet është ajo që reflekton individualitetin dhe personalitetin e secilit.

    Për më shumë klikoni materialin e përgatitur nga ATV:

  • Ngritet aktakuzë ndaj dy serbëve dhe një boshnjaku për krime lufte në Pejë

    Ngritet aktakuzë ndaj dy serbëve dhe një boshnjaku për krime lufte në Pejë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë periudhës së luftës së Kosovës.

    Kjo aktakuzë është ngritur ndaj R.V. dhe M.V., të nacionalitetit serb, dhe A.Ç., i nacionalitetit boshnjak.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve R.V. dhe M.V. të nacionalitetit serb, dhe A.Ç. të nacionalitet boshnjak, për shkak të dyshimit të bazuar se e kanë kryer veprën penale” “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Bëhet e ditur se hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, gjatë luftës në Kosovë, si pjesëtarë të rezervë të policisë, kanë bashkëpunuar me forcat policore serbe, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës dhe në fshatrat përreth këtij rajoni, kanë kryer vrasje, dëbime, shkatërrime pasurie dhe keqtrajtime ndaj civilëve shqiptarë, ku si pasojë, 14 shqiptar humbën jetën.

    Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, konform dispozitave të KPPK-së, për shkak se të pandehurit gjenden në arrati.

  • Qeveria turke e paralajmëron opozitën të mos bëjë thirrje për protesta, pas arrestimit të Imamoglut

    Qeveria turke e paralajmëron opozitën të mos bëjë thirrje për protesta, pas arrestimit të Imamoglut

    Qeveria e Turqisë e ka paralajmëruar të premten partinë kryesore opozitare kundër thirrjeve “të jashtëligjshme” për protesta në rrugë, në lidhje me arrestimin e kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu.

    Mijëra njerëz protestuan në dy ditët e fundit në gjithë vendin.

    Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha se 53 njerëz janë arrestuar dhe 16 oficerë policorë janë lënduar në protestat që filluan në kampuse universitare, selinë qendrore të komunës së Stambollit dhe në pjesë të tjera të vendit të enjten.

    Imamoglu, rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan, u arrestua të mërkurën nën akuzat për korrupsion dhe mbështetje të një grupi terrorist.

    Partia kryesore opozitare e Imamoglut, Partia Popullore Republikane (CHP), ka thënë se arrestimi i tij është i nxitur politikisht dhe u ka bërë thirrje njerëzve të dalin për të protestuar ligjërisht.

    Arrestimi i Imamoglut është dënuar nga liderët evropianë.

    Yerlikaya dhe ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunc, i kritikuan thirrjet për veprim nga lideri i CHP-së, Özgür Özel, duke i quajtur “të papërgjegjshme”, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    “Grumbullimi dhe marshimi në protestë janë të drejta themelore. Por thirrja për të dalë në rrugë për një hetim të vazhdueshëm ligjor është e paligjshme dhe e papranueshme”, tha Tunc në X të premten.

    Tunc tha se gjykata është vendi për t’iu përgjigjur çdo procesi ligjor dhe bëri thirrje për qetësi, duke shtuar se “gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm” po vlerëson çështjen.

    Turqia i ndaloi protestat për katër ditë pas arrestimit të Imamoglut, i cili prin para Erdoganit në disa prej sondazheve në Turqi.

    Të enjten u zhvilluan demonstrata në Ankara, Izmir dhe Stamboll, si dhe në provinca të tjera në të gjithë vendin, derisa policia ngriti barrikada në disa rrugë kryesore.

    Erdogan i ka hedhur poshtë kritikat e opozitës duke i cilësuar “skena teatrale” dhe “slogane” që e largojnë vëmendjen nga gabimet e saj të brendshme.

    Duke folur në tubimin kryesor në Stamboll të enjten mbrëma, lideri i CHP-së, Özel, u përgjigj: “Hej Erdogan, gjëja që të trembë më shumë janë rrugët. Tani jemi në rrugë, në sheshe. Vazhdoni të keni frikë”.

    Që nga ndalimi i Imamoglut, shumë mbështetës kanë kërkuar veprime më konkrete dhe të organizuara nga CHP-ja.

    Imamoglut, 54 vjeç, u arrestua derisa CHP-ja po përgatitej për ta shpallur atë kandidat presidencial të dielën. Partia u ka kërkuar njerëzve jashtë partisë të votojnë për të në kutitë e votimit të vendosura në të gjithë vendin, si shenjë e rezistencës publike.

    Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi duhet të mbahen më 2028, por Erdogan, 71 vjeç, mund të shpallë zgjedhje të parakohshme për ta shmangur kufizimin dy-mandatesh nëse vendos të garojë përsëri./REL