ATV

Author: G.O.

  • Vdes një grua në Shtërpcë, zjarri kishte përfshirë shtëpinë e saj

    Vdes një grua në Shtërpcë, zjarri kishte përfshirë shtëpinë e saj

    Një grua ka humbur jetën në Shtërpcë, pasi zjarri kishte përfshirë shtëpinë e saj.

    Rasti tragjik ka ndodhur ditën e hënë.

    “Raportohet se është përfshirë nga zjarri një shtëpi. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa ekipi zjarrfikës ka lokalizuar dhe fikur zjarrin. Gjatë kontrollit të shtëpisë së përfshirë nga zjarri është gjetur pa shenja jete viktima femër kosovare, vdekjen e të cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Nexhmie Haradini – gruaja e 59-të e vrarë në Kosovë prej vitit 2010

    Nexhmie Haradini – gruaja e 59-të e vrarë në Kosovë prej vitit 2010

    Vrasja e dyfishtë pasditen e së hënës në Vushtrri tronditi vendin. Gruaja e vrarë Nexhmie Haradini është bërë gruaja e 59-të e vrarë në Kosovë prej vitit 2010.

    Sipas një infografike të publikuar nga REL, bazuar në të dhënat e Policisë, vjet në Kosovë janë vrarë tri gra.

    Katër gra janë vrarë në vitin 2023, katër tjera në vitin 2022, tri në vitin 2021, shtatë në vitin 2020, pesë në vitin 2019, shtatë në vitin 20218, dy në vitin 2017, dy në vitin 2016, tri në vitin 2015, tri në vitin 2014, një në vitin 2013, tri në vitin 2012, pesë në vitin 2011 dhe gjashtë në 2010.

    Gruaja që u vra dje u gjet në një nënkalim në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. I dyshuar për vrasjen është një 58-vjeçar Arsim Morina, i cili më pas ka qëlluar edhe veten.

    Dorasi është pronari i një furre buke, ku e ndjera kishte punuar më parë.

    Zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti, ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë.

    “Rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten. Me urdhër të Prokurorit, dy trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë hetimet për veprat penale ” Vrasje e rëndë ‘ dhe ” Vetëvrasje””, ka thënë Zahiti.

    Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

    “Si pasojë e te shtënave dy persona kanë mbetur të vdekur në fshatin Stanoc të Vushtrrisë. Dyshohet se një burrë fillimisht e ka privuar nga jeta një grua, dhe pastaj ka bërë vetëvrasje. Në vendngjarje ka dalur prokurori kujdestar i PTH Mitrovicë. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, kanë deklaruar nga Prokuroria.

  • Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sot do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Në seancën e së hënës në Hagë ka dëshmuar dëshmitari i 124-të i Prokurorisë, Naim Maloku, i cili pos tjerash, u pyet edhe për pozitën Jakup Krasniqi gjatë luftës.

    Dëshmitari tha se Krasniqi ushtroi për të paktën dy muaj pozitën e zëvendëskomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët”, këtë javë pritet të mbahen vetëm dy seanca gjyqësore.

  • Stagnimi në dialog: Pas vizitës në Kosovë, i dërguari i BE-së shkon në Serbi

    Stagnimi në dialog: Pas vizitës në Kosovë, i dërguari i BE-së shkon në Serbi

    18 muaj pa një takim të nivelit të lartë – dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vendnumëro. Vizita e parë e Peter Sorensenit në Prishtinë, si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, erdhi në një moment kur ky proces nuk duket se është në agjendën e dikujt. Për këtë çështje, ai ka shkuar dje edhe në Serbi.

    Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, ka thënë se Sorensen po zhvillon vizitën e parë në Beograd dhe do të jetë atje deri nesër.

    “Ne po vazhdojmë angazhimin. Emisari i BE-së për dialogu Peter Sorensen po bën vizitën e parë në Beograd. Do të jetë deri të mërkurën në Beograd. Kur bëhet fjalë për dialogun, ne jemi të përkushtuar që të shohim që rruga drejt BE-së për të dyja palët të shkojë nëpërmjet dialogu të lehtësuar. Këtu jemi në këtë fazë”, tha Hipper.

    E pyetur për bashkëpunimin mes BE-së dhe SHBA-së për çështjen e Ballkanit Perëndimor dhe për dialogun, Hipper ka thënë se “BE-ja bashkëpunon me gjithë partnerët, përfshirë SHBA-në”.

    Ajo ka thënë se ka kontakt me administratën e re amerikane, por nuk ka dashur të hyjë në detaje.

  • Deponia ilegale në Runjevë të Kaçanikut

    Deponia ilegale në Runjevë të Kaçanikut

    Një deponi ilegale është aktive në hyrje të fshatit Runjevë të Kaçanikut. Banorët ankohen për të, derisa thonë se komuna nuk intervenoi kurrë për ta asgjësuar.

    Ndërkaq, nga qeverisja lokale në Kaçanik theksojnë se këtë vit planifikohet të asgjësohet kjo deponi.

    Drejtori për Shërbime Publike në Kaçanik, Ramadush Osmani, tregon se në atë zonë ka intervenuar vetëm kompania që punoi në hekurudha, derisa sipas Osmanit, komuna do ta asgjësojë deponinë ilegale, këtë vit.

    Komuna shpejt synon ta funksionalizojë një lokacion për hedhjen e mbeturinave inerte, në periferi të qytezës.

    Agjencioni për Mbrotjen e Mjedisit, në verën e vitit 2023 ka regjistruar 14 deponi ilegale në Kaçanik.

     

  • Ish-presidenti kroat: Vuçiq s’ka pse shqetësohet, marrëveshja me Kosovën e Shqipërinë është për mbrojtje

    Ish-presidenti kroat: Vuçiq s’ka pse shqetësohet, marrëveshja me Kosovën e Shqipërinë është për mbrojtje

    Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ka thënë se marrëveshja në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes është një marrëveshje e mirë, derisa ka shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, s’ka pse shqetësohet meqë marrëveshja në mes të këtyre tri shteteve është për mbrojtje.

    Marrëveshja e arritur në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes ka marrë shumë vëmendje dhe ka nxitur reagime të shumta, sidomos në Serbinë e Aleksandër Vuçiqit.

    Ka qenë vetë kreu i shtetit serb që i ka dhanë dramë gjithë ngjarjes. Duke folur në Bruksel pas takimit me Sekretarin e NATO-s, Vuçiq kishte bërë përpjekje për ta paraqitur marrëveshjen si një zhvillim kundër Serbisë. Ndëkrohë që Ministria e Puënve të Jashtme e Serbisë kishte thënë se do t’iu kërkonte llogari Kroacisë dhe Shqipërisë për këtë marrëveshje me Kosovën.

    “Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, ka deklaruar Vuçiq për gazetarët në Bruksel më 19 mars.

    Megjithatë ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, s’ka pse të shqetësohet meqë marrëveshja mes tri shteteve ka të bëjë me aspekte të mbrojtjes.

    “Nuk ka asnjë arsye që presidenti i Serbisë të shqetësohet, sepse bëhet fjalë për një marrëveshje mbrojtjeje”, ka thënë ish-presidenti Mesiç për Express.

    Marrëveshjen në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë e ka cilësuar si një marrëveshje të mirë, me mundësi që t’i bashkohen edhe shtete të tjera.

    “Marrëveshja e mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është e mirë, me mundësinë që edhe vende të tjera të bashkohen”, ka përfunduar ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç.

    Ndaj reagimeve të Serbisë për marrëveshjen kanë reaguar edhe krerët e shtetit kroat. Kryeministri Andrej Plenkovic ka thënë se për bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë nuk e pyesin Serbinë.

    “Para se të flasin, do të ishte mirë që ta marrin mundin për pesë minuta dhe ta lexojnë atë marrëveshje. Ai memorandum është një memorandum për bashkëpunim. Aty nuk ka asnjë karakter armiqësor, kështu që e kuptoj se tash duhet kërkuar probleme diku tjetër, por në këtë tekst nuk mund të gjejnë”, ka thënë Plenkovic, duke folur para gazetarëve në Bruksel më 20 mars 2025.

    Më herët edhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, i ishte përgjigjur Serbisë në reagim, duke thënë se “ka kaluar koha kur Zagrebi është dashur ta pyesë Beogradin se çfarë mund të bëjë e çfarë jo” dhe ka shtuar se “kjo kohë më nuk do të kthehet kurrë”.

    Edhe kreu i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, Ejup Maqedonci, ka thënë se Aleanca me Shqipërinë e Kroacinë s’ka për synim të kërcënojë asnjë shtet dhe se është një mesazh për paqe.

    “Ne nuk synojmë të kërcënojmë askënd, as në Ballkanin Perëndimor, as kudo tjetër. Dëshirojmë të dërgojmë mesazh për stabilitet dhe siguri, por edhe mesazh për të gjithë ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë në Ballkanin Perëndimor, territorin dhe jetën e qytetarëve të vendeve tona,” ka deklaruar Maqedonci më 20 mars.

    Sot ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vëngu, duke publikuar marrëveshjen e plotë mes tri shteteve. Ministri shqiptar thotë se Serbia ka injoruar prej dy vitesh iniciativat rajonale dhe në këtë mënyrë ia ka pamundësuar vetes mundësinë për të nxitur apo për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe.

    Vëngu ka thënë pezullimi i një qëndrimi të tillë injorues të Serbisë është në dorën e Beogradit zyrtar që të lihet anash, dhe kjo gjë e bën të kotë çdo narrative viktimizuese që vjen nga Serbia.

  • Konfirmohet data, Parashqevi Simaku do të mbajë koncert në Tiranë

    Konfirmohet data, Parashqevi Simaku do të mbajë koncert në Tiranë

    Që prej muajt dhjetor të vitit të shkuar, jeta e Parashqevi Simakut ka pësuar ndryshime të mëdha. Pasi u rikuperua nga ana shëndetësore, tashmë diva e viteve 80 është rikthyer në muzikë.

    Pas lançimit të këngës në anglisht, duket se këngëtarja do të vijë dhe në Tiranë.

    “Panorama”, zbuloi që në javët e para të vitit, se grupi që po punon me të është duke përgatitur rikthimin e saj në skenën shqiptare.

    Duket se tashmë gjithçka është vendosur dhe Parashqevi Simaku do të mbajë koncert në Tiranë në muajin shtator. Ka qenë pikërisht, Elton Ilirjani që e ka konfirmuar një fakt të tillë, duke pranuar kështu se gjithçka po përgatitet për koncertin e saj në Tiranë.

    Biznesmeni Elton Ilirjani, ka rrëfyer së fundmi në një intervistë arsyen pse këngëtarja e mirënjohur, Parashqevi Simaku, e cila para pak muajsh u gjet e pastrehë dhe në gjende jo të mirë shëndetësore, dështoi në karrierë pasi shkoi të jetonte në SHBA. Iliriani rrëfen se ëndrrat e ikonës së muzikës shqiptare për Hollywood-in ishin të mëdha por ato u shuan pasi ajo nuk zgjodhi të ishte një punonjëse seksi.

    “Ajo dështoi sepse ajo nuk zgjodhi që të ishte një “punonjëse seksi” siç janë shumë artistë të tjerë dhe në skandalet që keni parë në SHBA. Parashqevi Simaku është një person shumë i pastër, shumë i dashur, që ka besim të madh te Zoti. Ajo e rrezaton këtë. Kur ka shkuar në Holliwood, jo vetëm që nuk ka pasur mbështetjen e askujt nga shqiptarët, por edhe është goditur. Është goditur që në hapat e saj në Hollywood,” u shpreh biznesmeni në “Opionion”.

    Sipas Ilirjanit, Simaku ka qenë një divë dhe ky status ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta. Ai mohoi thashethemet se Simaku ka përdorur drogë apo se ka qenë e alkoolizuar.

    “Ka pasur të mirat ky status, por ka pasur dhe të këqijat që është goditja e madhe që i është dhënë vetë nga bashkatdhetarët e saj në fushën e artit. Parashqevi Simaku ëndërronte të ishte yll në Hollivud dhe i kishte të gjitha kriteret. Problemi që ka hasur ajo ka qenë që është person që vjen nga një familje e varfër me norma dhe rregulla. Është folur shumë për jetën e saj private sikur bënte drogë, sikur është e alkoolizuar. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë”, tha ai.

    Ndër të tjera Elton theksoi se di shumë gjëra për Parashqevinë, por sipas tij, jo të gjitha thuhen.

    “Unë di shumë gjëra për Parashqevi Simakun. Jo të gjitha thuhen. Nuk thuhen për arsye se ka persona publikë në Shqipëri që janë përpjekur t’i shkatërrojnë karrierën dhe e kanë përndjekur atë dhe në jetën private me familjen e saj”,u shpreh ai.

  • Disa lagje në Prishtinë mbesin pa ujë, shkak defekti në rrjet

    Disa lagje në Prishtinë mbesin pa ujë, shkak defekti në rrjet

    Disa lagje në Prishtinë kanë mbetur pa ujë të pijes që gati dy ditë. Për këtë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të një defekti në rrjet.

    Rrugët që kanë mbetur pa ujë janë: “Muharrem Fejza”, “Holger Petersen”, Rruga “B”, “Ukshin Kovaqica”, “Jakov Xoxa”, “Ahmet Gashi”, “Muhamet Qami” edhe rrugët përreth Mati-1.

    Në një njoftim në rrjetin social ‘Facebook’, KRU “Prishtina” theksoi se ekipet janë duke u marrë me izolimin e defektit e më pas në rregullimin e tij.

  • Familja Thaçi pas përfundimit të pames: Mirënjohës për mbështetjen e madhe që na dhatë

    Familja Thaçi pas përfundimit të pames: Mirënjohës për mbështetjen e madhe që na dhatë

    Pas përfundimit të pames për kryefamiljarin e tyre të ndjerë, Haxhi Thaçin, familja e ish-presidentit Hashim Thaçi përmes një komunikate dërguar mediave i ka falënderuar të gjithë qytetarët që ishin për ngushëllime në familjen e tyre, si dhe institucionet e liderët politikë për telegramet dhe thirrjet e tyre për ngushëllime.

    “Jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e madhe që morëm nga mijëra qytetarë anekënd Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës dhe diasporës shqiptare, nga fjalët e mira dhe mirësia e tyre”, thuhet ndër të tjera në falënderimin e familjes Thaçi.

    Po ashtu, në njoftim familja Thaçi se la pa falënderuar Komunën e Skenderajt, dhe kryetarin e saj, Fadil Nura, për mbështetjen në organizimin për ceremoninë së varrimit dhe aktiviteteve të përkujtimit.

    “Institucionet e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe përfaqësitë diplomatike të shteteve mike i falënderojmë për telegramet e tyre të ngushëllimit, ndërsa liderët politikë shqiptarë i falënderojmë për thirrjet e tyre telefonike”, thuhet në njoftim.

    Tutje, familja Thaçi thekson se mirësia e të tjerëve do të mbetet përherë me na dhe do jenë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen dhe forcën që u dhanë gjatë këtyre ditëve të pikëllimit.

    Haxhi Thaçi ka vdekur të dielën më 16 mars, dhe është varrosur më 18 mars të kësaj jave. Në varrimin e tij ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ishte lejuar të marrë pjesë nga Dhomat e Specializuara në Hagë, por këta të fundit i dhanë leje ish-komandantit të UÇK-së të vijë në Kosovë të premten dhe të qëndrojë edhe sot.

  • Mit apo e vërtetë – Shumë vajza shqiptare janë të lidhura me Sheik-a? Kjo është përgjigja e Mimi Amidit

    Mit apo e vërtetë – Shumë vajza shqiptare janë të lidhura me Sheik-a? Kjo është përgjigja e Mimi Amidit

    Mimi Amidi, një vajzë mjaftë e zonja dhe e apasionuar pas punës së saj, me një eksperiencë mjaftë të pasur në fushën e shitjeve dhe menaxhimit, e cila ndihmon klientët për të gjetur zgjidhjet që ju duhen, ishte e ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku përveç historisë së saj të suksesit në Zvicër, foli edhe për suksesin e saj edhe në Dubai.

    Në mes tjerash, Mimi u pyet nëse është mit apo e vërtetë se shumë vajza shqiptare në Dubai janë të lidhura me Sheik-a. Ajo u përgjigj se lidhur me këtë çështje bëhen shumë paragjykime ndaj femrave në Dubai, derisa shtoi se vet ajo ishte pjesë e paragjykimeve.

    “Është një paragjykim I madh ndaj femrave në Dubai. Pra, bëjnë paragjykime që i përfshijnë të gjitha, unë nuk po them që gjithsesi që është mit, sepse nuk e di për të gjithë se me siguri ka edhe prej atyre që lidhën me sheika, por di të them që më shumë bëjnë paragjykime. Madje edhe vet jam paragjykuar. Sepse shumica e njerëzve nuk e dinë as se atje ka njerëz që punojnë edhe si kameriere, punojnë në patundshmëri, ka femra që janë binesmenka dhe ky paragjykim është totalisht gabim”, tha ajo.