ATV

Author: G.O.

  • ‘’Nuk i perzihem, janë çështje personale’’ – Eman Rrahmani flet për gruan dhe diskutimin për mbulesë

    ‘’Nuk i perzihem, janë çështje personale’’ – Eman Rrahmani flet për gruan dhe diskutimin për mbulesë

    Në një intervistë në emisionin STUDIO A në ATV, ish-deputeti Eman Rrahmani ndau mendimin e tij për çështjen e mbulesës, duke thënë se çdo individ duhet të ketë të drejtën të zgjedhë vetë rrugën që dëshiron të ndjekë.

    Sipas tij, askush nuk duhet të detyrohet apo të paragjykohet për bindjet personale, dhe çdo grua meriton lirinë për të jetuar sipas vullnetit të saj.

    “Janë çështje personale të individit se a dëshiron të praktikoj fenë, apo jo. Ne nuk kemi të drejtë të obligojmë e ndikojmë askënd me këto çështje, por duhet t’i ofrojmë secilit të drejtën që të jetoj jetën ashtu siç dëshiron dhe dua të them që angazhimi im është që secilit duhet t’i jepet e drejta që e kërkon, sepse nuk mundemi me diskriminu askënd për shkak të dukjes ndryshe, apo praktikimit të ndonjërit rit ndryshe. Dhe them se angazhimi im nuk ishte mbi këto bindje të mija por mendoj se është një vlerë që duhet t’i garantohet secilit – gruas e cila dëshiron të jetoj në atë mënyrë, apo secilës grua qoftë me mbulesë apo pa të, duhet t’i lejohet mënyra e jetesës siç dëshiron kjo sepse kjo e drejtë i garantohet edhe me ligj e kushtetutë, andaj edhe problemi im ka qenë me ata të cilët i kanë shkel këto sepse nuk duhet me qenë të tolerueshme në shoqëri e aq ma tepër ne që jemi të angazhuar direkt me politikën”, deklaroi Rrahmani.
    Për më shumë, shikoni intervistën e tij në videon më poshtë:

    Për të ndjekur intervistën e plotë, klikoni në videon e mëposhtme:

     

  • Paralajmërohet protestë më 5 prill kundër shtrenjtimit të rrymës

    Paralajmërohet protestë më 5 prill kundër shtrenjtimit të rrymës

    Një protestë qytetare është paralajmëruar të mbahet të shtunën e 5 prillit në Prishtinë kundër rritjes së çmimit të rrymës.

    Grupi “Asnjë cent ma shumë” ka njoftuar se kjo protestë do të nisë nga ora 15:00 në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë.

    Në njoftim thuhet se po protestohet kundër rritjes së tarifave për 15 për qind, kundër varfërisë energjetike, për zë qytetar dhe transparencë, si dhe për tarifa të drejta dhe jetë me dinjitet.

     

  • Përlotet këngëtarja kur kujton momentin kur me vëllain i bënë dhuratë prindërve shtëpinë e re

    Përlotet këngëtarja kur kujton momentin kur me vëllain i bënë dhuratë prindërve shtëpinë e re

    Blerona Bytyqi, një nga këngëtaret e reja më të ndjekura në rrjetet sociale, ka hyrë shumë shpejt në zemrat e publikut me zërin e saj dhe këngët që gjithmonë kanë tematika që janë aktuale dhe shumë emocionale.

    E ftuar në emisionin “Studio A”, Blerona përveç se ndau rrugëtimin e saj muzikor, suksesin dhe sfidat me të cilat është përballur, ndër tjera ajo rrëfeu edhe një moment emocionues kur arriti të realizonte një ëndërr të kahershme që e kishte për prindërit e saj.

    Blerona, përlotet teksa flet për kohën kur familja e saj u bë me shtëpi të re.

    “Unë bashkë me vëllai kishim një ëndërr të përbashkët, e që ishte ndërtimi i një shtëpie të re. Normale që ne i kemi pasë të gjitha kushtet, por kjo ishte një dëshirë e imja e kahershme. Babi për një kohë nuk ka punuar për shkak të disa problemeve me shtyllë kurrizore, ndërsa nana për një kohë është përballur me tumor, dhe dëshira ime ishte që unë t’ia plotësoj atyre të gjitha kushtet dhe arrita që shtëpia e re të përfundonte brenda dy vitesh, sepse në fillim të karrierë sime thash që çdo gjë do ta bëjë veç për familjen time dhe jo për vete”, deklaroi ajo.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Delegacionet ukrainase dhe amerikane nisin bisedime të reja

    Delegacionet ukrainase dhe amerikane nisin bisedime të reja

    Në një zhvillim të papritur, delegacionet e Ukrainës dhe SHBA-së janë duke zhvilluar një rund të ri bisedimesh në Riad të Arabisë Saudite.

    Këto bisedime nuk ishin paralajmëruar më parë.

    Një anëtar i delegacionit ukrainas ka deklaruar për mediat se “Ne po vazhdojmë të punojmë me amerikanët”, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm për të avancuar në procesin diplomatik.

    Ky takim vjen pas një periudhe tensioni, ndërsa ende pritet publikimi i një deklarate të përbashkët midis delegacionit amerikan dhe atij rus, që është parashikuar për t’u lëshuar në orën 9:00.

    Takimi i fundit mes delegacionit amerikan dhe atij ukrainas, gjithashtu në Arabinë Saudite, kishte çuar në një dakordim për një armëpushim të përkohshëm 30 ditor.

  • Prishtina bëhet me shoqatë të vullnetarëve për zjarrfikje dhe shpëtim

    Prishtina bëhet me shoqatë të vullnetarëve për zjarrfikje dhe shpëtim

    Prishtina është bërë me shoqatë të vullnetarëve për zjarrfikje dhe shpëtim e cila do të ndihmojë në përballje me fatkeqësitë natyrore.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se po vendosen “themelet e një force të re për mbrojtjen e jetëve dhe pasurive të qytetarëve”.

    Kjo shoqatë, është e para e këtij lloji në Kosovë.

    “Me themelimin e shoqatës së vullnetarëve për zjarrfikje dhe shpëtim të kryeqytetit po vendosim themelet e një force të re për mbrojtjen e jetëve, mbrojtjen e pasurive të qytetarëve tanë, Prishtina është në rritje të vazhdueshme, e krahas me rritje vinë edhe sfida të reja, prej rritjes së popullsisë e deri te zgjerimi i infrastrukturës, kërkohet që të jemi në gatishmëri të përhershme edhe për situata emergjente. Andaj këtë shoqatë e shoh si tejet të rëndësishme e mbështetëse për Prishtinën tonë që do të ndihmojë të përballemi me lloje të ndryshme të fatkeqësive qofshin ato natyrore a po të shkarkuara nga njeriu”, potencoi Rama.

    Ndërsa drejtori për siguri dhe emergjenca Lulzim Fushtica tha se ky është një hap i rëndësishëm në forcimin e sigurisë publike.

    Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes më të gjerë dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.

    “[Themelimi i shoqatës]Shënon një hap të madh përpara në forcimin e sigurisë publike dhe përmasimin e reagimeve ndaj emergjencave, siç e dimë siguria dhe menaxhimi i emergjencave nuk janë vetëm përgjegjësi e institucioneve shtetërore, ato kërkojnë një përfshirje të gjerë dhe një bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe qytetarëve”, tha ai.

    Mal Gashi nga zjarrfikësit, tha se kjo nuk është vetëm një detyrë por “është një mision ku duhet të tregojmë gatishmëri”.

    Tutje ai theksoi se kjo do t’i ndihmojë jo vetëm në fikje të zjarreve por edhe ballafaqim me fatkeqësitë e tjera natyrore.

    “Shoqata e vullnetarëve dhe zjarrfikësve do të jenë vullnetarë, nuk është vetëm një detyrë, por është një mision i gjerë, të cilët duhet të tregojnë gatishmëri, guxim për t’i realizuar të gjitha detyrat që i kanë para vetes. Dhe kjo do të jetë një komponent e brigadës profesionale për zjarrfikje dhe shpëtim që do të na ofrojë mundësi jo vetëm në fikje të zjarreve po për tu ballafaquar me fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera”, tha ai

  • Opozita në Turqi thotë se protestat do të mbarojnë të martën

    Opozita në Turqi thotë se protestat do të mbarojnë të martën

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka fajësuar partitë opozitare për provokimin e një “lëvizje dhune” ndërsa protestat në vend vazhduan për natën e gjashtë, raporton BBC.

    Protestat nisën kur Kryetari i Stambollit, Ekrem Imamoglu – rivali politik kryesor i Erdoganit – u ndalua për akuza korrupsioni. Erdogan e ka mohuar se akuzat ndaj Imamoglu janë të motivuara politikisht. Partia kryesore e opozitës, CHP, ka thënë se protestat do të përfundojnë të martën, por pa specifikuar hapat e mëtejshëm. Erdogan i ka quajtur demonstratat “të liga” dhe ka akuzuar opozitën për “provokime” që dëmtojnë paqen e qytetarëve, përcjell KosovaPress.

    Protestuesit, shumica prej të cilëve të rinj, janë mbledhur kundër qeverisë, por gjithashtu kritikojnë opozitën. Deri tani, 1,133 persona janë arrestuar që nga nisja e protestave. Imamoglu është ende kandidati i CHP për zgjedhjet presidenciale të 2028-s, edhe pse është në burg. Arrestimi i tij ka ngritur zemërimin e protestuesve, që kërkojnë demokraci dhe kthimin e tij në post. Protestat janë më të mëdha që nga ato në Gezi në 2013.

  • Osmani kujton masakrat e Celinës, Fortesës dhe Brestocit: Dhimbja mbetet, drejtësia mungon, por e vërteta nuk zhbëhet

    Osmani kujton masakrat e Celinës, Fortesës dhe Brestocit: Dhimbja mbetet, drejtësia mungon, por e vërteta nuk zhbëhet

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrat e Celinës, Fortesës dhe Brestocit.

    Osmani ka thënë se më 25 mars 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, kryen masakra të përgjakshme në fshatrat e Rahovecit, në të cilat vranë 75 civilë në Celinë, 69 në Fortesë, 49 në Brestoc.

    “Në mbrojtje të popullsisë, ranë heroikisht edhe pesë luftëtarë të UÇK-së. Ata u vranë vetëm sepse ishin shqiptarë, vetëm sepse donin liri”, ka deklaruar Osmani.

    Presidentja ka shtuar tutje se “Dhimbja mbetet, drejtësia mungon, por e vërteta nuk zhbëhet”.

    “Kujtojmë martirët, nderojmë heronjtë e UÇK-së dhe nuk do të ndalemi asnjëherë në kërkim të drejtësisë”.

  • “I mbaj me krenari plagët e lirisë” – Rrëfimi i Bujar Haradinajt për betejën e Gllogjanit

    “I mbaj me krenari plagët e lirisë” – Rrëfimi i Bujar Haradinajt për betejën e Gllogjanit

    Njëri nga protagonistët e betejës së Gllogjanit, ish-ushtar i UÇK-së e vëllai i dëshmorit Himë Haradinaj, Bujar Haradinaj, në një intervistë në emisionin “Compass” në ATV ka rrëfyer për sulmin ndaj familjes Haradinaj, përballjen e tyre ndaj forcave serbe, përgatitjet e strategjitë e përdoruara për të bërë rezistencë, përjetimin e tij të datës 24 mars 1998 dhe jo vetëm.

    Haradinaj tha se pas masakrës ndaj familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt, familja Haradinaj po e priste një sulm të ngjashëm ndaj tyre nga forcat serbe, andaj edhe kishin filluar të përgatiteshin.

    Mes tjerash, ai tha se fillet e lirisë së Kosovës u nisën e në Prekaz e në Gllogjan, sepse siç u shpreh Haradinaj, rasti në Gllogjan ishte një shtytje e madhe për UÇK-në.

    Tutje, Haradinaj rrëfeu për plagët e tij që numëron 18 sosh, gjersa thotë se i mban me krenari.

    “Unë jam krenar që më është dhënë mundësia që të kontribuojë për vendim tim në një kohë të caktuar, jam një ndër djemtë e parë gati të UCK-së prej vitit 1995, kam 18 plagë gjatë periudhave të të ndryshme të luftës dhe të gjitha këto i mbaj me krenari sepse e di se pse i kam marrë”, tha ai.

    Për të ndjekur intervistën e tij të plotë klikoni në videon e mëposhtme: 

  • Gjenerali Clark: Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe bashkëpunimi ekonomik do të jetë i pashmangshëm

    Gjenerali Clark: Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe bashkëpunimi ekonomik do të jetë i pashmangshëm

    Gjatë një diskutimi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në shënim të 26-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë, gjenerali Wesley Clark, ka theksuar se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve do të bëhet i pashmangshëm.

    Në këtë diskutim, Clark foli për përmirësimin e klimës së biznesit në Kosovë dhe inkurajoi vendin që të përqafojë bashkëpunimin rajonal me fqinjët si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe madje edhe Serbia.

    Ai theksoi se pavarësisht sfidave, “Serbia do të duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve do të jetë i pashmangshëm”.

    Clark ka bërë thirrje për investime në infrastrukturë dhe energji, duke vënë në dukje rezervat e bollshme të linjitit të Kosovës, si dhe ka avokuar për transformimin digjital të vendit, përmirësimin e sistemeve tatimore, lidhjen në brezin e gjerë të internetit dhe sigurinë kibernetike për të luftuar dezinformimin dhe përmbysjen e jashtme.

    Tutje, ai u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës që të ndjekin qeverisjen e pastër, unitetin politik dhe të mbajnë një baraspeshë të fortë ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat.

  • Vuçiq në takim me Sorensenin: Asociacioni parakusht për fillimin e normalizimit të raporteve

    Vuçiq në takim me Sorensenin: Asociacioni parakusht për fillimin e normalizimit të raporteve

    Peter Sorensen, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, është takuar sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

    Pas takimit, Vuçiqi përmes një shkrimi takimin e konsideroi si të hapur dhe të drejtë.

    Ai tha se Sorensenit ia ka shprehur “shqetësimet për situatën e serbëve në Kosovë”.

    Tutje, ai theksoi se formimi i Asociacionit është parakusht për fillimin e normalizimit thelbësor të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.

    “E njoftova me problemet me të cilat ballafaqohet “populli ynë” në Kosovë. Shpreha shqetësimin e veçantë për pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë për shkak të veprimeve të shumta të përshkallëzuara, të njëanshme dhe të dhunshme nga Prishtina. Theksova gjithashtu pengesat e vazhdueshme që po kryen Prishtina në procesin e dialogut dhe ritheksova se formimi i Asociacionit është parakusht për fillimin e normalizimit thelbësor të marrëdhënieve”, ka shkruar Vuçiqi në Instagram.

    “Theksova pritjen se BE-ja do të rrisë angazhimin e saj dhe do të mbajë një rol të paanshëm në këtë proces. Përsërita qëndrimin e Serbisë se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet kompromisi mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar Vuçiqi.

    Vizita e Sorensenit në Serbi ka ardhur pas vizitës së tij në Kosovë javën e kaluar, por deri tani, nuk janë bërë publike qëndrimet e tij.