ATV

Author: G.O.

  • JD Vance s’e përjashton mundësinë e marrjes me forcë të Grenlandës

    JD Vance s’e përjashton mundësinë e marrjes me forcë të Grenlandës

    Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance dhe gruaja e tij Usha kanë zbarkuar në bazën hapësinore ushtarake Pituffik në Grenlandën veriperëndimore.

    Sapo kanë mbërritur në Grenlandë, ata kanë hipur në një automjet të blinduar të SHBA-së.

    Ndërsa gjatë vizitës në bazë, Vance tha se “shumë amerikanë e pyesin pse Grenlanda ka kaq shumë rëndësi”.

    “Nëse një raketë do të lëshohej nga një vend armik në SHBA, janë njerëzit këtu përpara nesh ata që do të njoftonin burrat dhe gratë e guximshme më në jug në SHBA për t’i njoftuar se çfarë po ndodhte”, tha zëvendëspresidenti.

    Gjithashtu, ai njoftoi se Rusia dhe Kina po interesohen për kalimet e Arktikut.

    “Ne duhet të sigurohemi që Amerika të udhëheqë në Arktik”, shton ai.

  • Nesër Fitër Bajrami, Tërnava sot del para mediave

    Nesër Fitër Bajrami, Tërnava sot del para mediave

    Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në prag të festës së Fitër Bajramit sot do të mbajë konferencë për media.

    Konferenca do të nisë nga ora 11:00 në Sallën e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.

    Pas një muaji agjërimi, myslimanët nesër në Kosovë festojnë Bajramin.

  • Kërkohet paraburgim për punëtorin e bufesë që u arrestua për ngacmimin seksual ndaj nxënëses në Gjakovë

    Kërkohet paraburgim për punëtorin e bufesë që u arrestua për ngacmimin seksual ndaj nxënëses në Gjakovë

    Një rast alarmant i ngacmimit seksual është raportuar në shkollën “Mazllum Këpuska” në Gjakovë, ku një punëtor i bufesë dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur. Sinjali raportoi të enjten për këtë incident të rëndë, ndërsa tashmë është zbuluar emri i të dyshuarit.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    “Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet D.Ll., ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet D.Ll., me datë 26.03.2025 në Gjakovë, saktësisht në Shkollën Fillore të Ulët “M.K.”, e ngacmon seksualisht personin tjetër, e cila është e ndjeshme për shkak të moshës, duke u përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale ndaj të dëmtuarës/e mitur, veprime këto me të cilat të dëmtuarës/e mitur, i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis objektivisht frikësues, degradues dhe poshtërues“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Rasti është raportuar më 26 mars nga prindi i viktimës, i cili ka njoftuar policinë për ngjarjen dhe si rezultat, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka siguruar prezencën e të dyshuarit.

     

  • Pas tërmetit të fuqishëm 7.7 ballë, Mianmari shpall gjendjen e jashtëzakonshme

    Pas tërmetit të fuqishëm 7.7 ballë, Mianmari shpall gjendjen e jashtëzakonshme

    Mianmari ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë, i cili goditi mëngjesin e sotëm, duke shkaktuar dëme të mëdha.

    Epiqendra e tërmetit ishte 16 kilometra në veri-perëndim të qytetit të Sagaing, ndërsa lëkundjet u ndjenë deri në Kinën jugperëndimore dhe Tajlandë.

    Raportohet se të paktën 43 punëtorë ndërtimi janë zhdukur pas shembjes së një ndërtese në Bangkok, ndërsa numri i viktimave në Mianmar mbetet ende i paqartë.

    Pas goditjes fillestare, një tjetër tërmet me magnitudë 6.4 ballë u regjistrua në afërsi të Mandalay. Situata komplikohet edhe më tej nga trazirat politike në Mianmar, që prej grushtit të shtetit ushtarak në vitin 2021, si dhe nga kufizimet në qasjen në internet, duke vështirësuar marrjen e informacionit mbi pasojat e tërmetit.

  • Osmani takon Shefen e Operacioneve në NATO, flasin për angazhimin për paqe, stabilitet e siguri në rajon

    Osmani takon Shefen e Operacioneve në NATO, flasin për angazhimin për paqe, stabilitet e siguri në rajon

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefen e Operacioneve Aktuale në Selinë e NATO-s, Ariella Viehe, drejtorin në largim të NALT-it, Gjeneral Brigade Christian Nawrat dhe Drejtorin e ri, Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange.

    Në takim, Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të NALT-it në zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera të sigurisë, në përputhje me standardet e NATO-s dhe të shteteve anëtare e partnere të saj.

    “Duke iu referuar vizitës së fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e angazhimit të NATO-s për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e globale dhe e vlerësoi lartë mesazhin e tij në mbështetje të Kosovës.”

    Osmani po ashtu vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Gjeneral Nawrat gjatë mandatit të tij, në një periudhë të ndjeshme për sigurinë e vendit dhe rajonit.

    Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për bashkëpunimin e tij të ngushtë me institucionet e Kosovës, Osmani i ndau Gjeneral Nawrat-it Medaljen Presidenciale Ushtarake.

    Ndërsa, për Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange, Presidentja shprehu besimin e plotë se ai do të vazhdojë me sukses zbatimin e objektivave dhe projekteve të rëndësishme të NALT-it për avancimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n.

  • Tentim vrasje në Gjakovë: Theret me thikë disa herë një i mitur, të dyshuarit arratisen

    Tentim vrasje në Gjakovë: Theret me thikë disa herë një i mitur, të dyshuarit arratisen

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnate në rrugën “Skënderbeu” në Gjakovë, ku u ther me thikë një i mitur. Viktima u qëllua me thikë nga dy persona të panjohur dhe për pasojë përfundoi në spital, ndërsa të dyshuarit janë arratisur,.

    Gazeta Sinjali mëson se viktima që u ther me thikë disa herë në gjoks dhe në bark është E.K., 16 vjeçar.

    Bazuar në informacionet e para, viktima ndodhet jashtë rrezikut për jetë, por është transferuar nga Spitali në Gjakovë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Dy persona dyshohen të jenë përfshirë në incident, të cilët menjëherë pas veprës janë larguar me shpejtësi me një veturë me targa të Shqipërisë.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa njësitë policore kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

  • Vetëm dy ditë pas raportimit të ATV-së për asfaltin 3.5 centimetra, fillon rregullimi i rrugës në magjistralen Gjilan-Ferizaj

    Vetëm dy ditë pas raportimit të ATV-së për asfaltin 3.5 centimetra, fillon rregullimi i rrugës në magjistralen Gjilan-Ferizaj

    Vetëm dy ditë pas raportimit të ATV-së për asfaltin 3.5 centimetra në magjistralen Gjilan-Ferizaj, i cili kishte filluar të dëmtohej seriozisht fare pak muaj pasi u shtrua, autoritete përkatëse kanë ndërmarr veprime për të rikthyer infrastrukturën në gjendje të mirë.

    Banorët e fshatit Livoq, në një prononcim për ATV-në, kishin paralajmëruar masa, me bllokim rruge, nëse nuk do të ndërhyhej.

    Veç kësaj, zëvendësministri i Infrastrukturës, deklaroi se ndaj kompanisë përgjegjëse nuk do të kryhen pagesat, derisa të vërtetohet cilësia e punimeve.

  • Begaj: Shpresojmë në mbështetjen e Sllovakisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

    Begaj: Shpresojmë në mbështetjen e Sllovakisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

    Në një takim të zhvilluar në Tiranë, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka pritur homologun e tij nga Sllovakia, Peter Pellegrini, ku gjatë një konference për media, ai ka theksuar se një nga temat kryesore të bisedës ka qenë edhe Kosova, duke shprehur shpresën se Sllovakia do të mbështesë përpjekjet e Kosovës për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, raporton Gazeta Sinjali.

    Sllovakia vazhdon të jetë një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

    “Një nga temat që diskutuam ishte Kosova. Shqipëria ka luajtur gjithmonë një rol kyç në promovimin e stabilitetit rajonal dhe e mbështet pa rezerva rrugën e Kosovës drejt integrimit ndërkombëtar. Për ne, Kosova është një demokraci e qëndrueshme dhe një faktor i rëndësishëm stabiliteti për rajonin”, tha Begaj.

    Ai gjithashtu e falënderoi Presidentin Pellegrini për njohjen e pasaportës së Kosovës nga Sllovakia, një hap që ka ndodhur që nga viti 2012.

    “Shqipëria shpreson se Sllovakia do të mbështesë Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe do të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Republikës së Kosovës”, përfundoi Begaj.

     

  • LVV-ja thotë se asamblistët Berat Lahu dhe Edmond Azemi janë përjashtuar nga partia

    LVV-ja thotë se asamblistët Berat Lahu dhe Edmond Azemi janë përjashtuar nga partia

    Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka njoftuar zyrtarisht se asamblistët Berat Lahu dhe Edmond Azemi nuk janë më pjesë e kësaj partie.

    Në njoftim është bërë me dije set Lahu dhe Azemi janë përjashtuar nga VV-ja me vendim të komisionit disiplinor, i cili është marrë më 10 mars.

    “Dy anëtarë të grupit parlamentar të Kuvendit Komunal në Prishtinë janë përjashtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Berat Lahu dhe Edmond Azemi nuk janë më pjesë e Lëvizjes VETEVENDOSJE!, me vendim të komisionit disiplinor të Lëvizjes. Vendimi i parë është marrë me datën 10.03.2025. Votimi dhe prezenca në seanca në të cilat dëmtohet interesi publik dhe tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve për interesa të ngushta, janë arsyet e këtij përjashtimi. Rruga jonë është gjatë dhe vështirë, ata që për interese personale tjetërsojnë këtë rrugëtim nuk kanë vend në Lëvizje!”, është thënë në njoftimin e VV-së.

    Reagimi vjen pasi dy asamblistët në Kuvendin komunal të Prishtinës, Berat Lahu dhe Edmond Azemi janë tërhequr nga grupi i asamblistëve të VV-së.

    Para seancës së sotme të Kuvendit Komunal, Lahu dhe Azemi janë pozicionuar si të pavarur.

    Të dy asamblistët të cilët fituan ulëse në Asamblenë Komunale duke garuar me Lëvizjen Vetëvendosje, ishin përballur me presion direkt nga Gëzim Sveçla, shefi i asamblistëve të LVV-së, në fund të vitit të kaluar kur vendosën të votojnë buxhetin për vitin 2025.

    Në një video që u publikua nga debati mes tyre, përmendej emri i Albin Kurtit, hajnia, pronat në Badovc e deri te akuzat e ndryshme.

  • Vdes një person në vendin e tij të punës në Veternik të Prishtinës, ra nga lartësia e një objekti

    Vdes një person në vendin e tij të punës në Veternik të Prishtinës, ra nga lartësia e një objekti

    Një person rreth 50 vjeç ka humbur jetën sot rreth orës 11:00 në vendin e tij të punës pasi ka rënë nga lartësia e një objekti në lagjen Veternik.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Sipas Ahmetit, vdekja e tij është konstatuar nga ekipi i mjekëve emergjent në vendin e ngjarjes.

    “Rreth orës 11:00 është marrë informata se një person, rreth 50 vjeç, ka rënë nga një lartësi deri sa ka qenë duke punuar në një objekt në lagjen Veternik. Si pasojë e lëndimeve, personi, mashkull (shtetas i huaj), ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi i mjekëve emergjent në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

    Lidhur me rastin, Policia në koordinim me inspektorët e punës dhe prokurorinë kanë nisur hetimin e rrethanave që karakterizojnë rastin.