Natën mes të shtunës dhe të dielës, 30 mars 2025 akrepat e orës shkojnë 60 minuta para duke shënuar zyrtarisht rivendosjen e orës diellore. Në orën 02:00 të mëngjesit të së dielës akrepat zhvendosen 1 orë përpara në 03:00.
Tani mund të shijojmë një orë më shumë dritë, por humbasim gjashtëdhjetë minuta gjumë, gjë që mund ta ndjejmë në ditët e para. Kompjuterët dhe pajisjet e lidhura me internetin përditësohen automatikisht, ndërkohë që është e nevojshme të korrigjoni manualisht kohën e treguar nga orët analoge.
Ora verore do të qëndrojë në fuqi deri në fundjavën e fundit të tetorit ku akrepat do të ndryshojnë sërish 60 minuta.
Ndryshimi i orës për disa sjell shqetësime ndaj ekspertët, si çdo vit, ofrojnë disa këshilla të ngjashme me ato që përdoren për të përballuar shqetësimet e vogla që lidhen me ndryshimin e stinës.
Mos i jepni shumë rëndësi disa problemeve të vogla të shëndetit. Pak dhimbje koke, përgjumje, mungesë përqendrimi dhe pak nervozizëm nuk duhet t’ju shqetësojnë: këto janë bezdi të cilat zhduken brenda pak ditësh.
Qeveria e ardhshme duhet të ketë agjendë të qartë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, thotë eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.
Kjo çështje, sipas tij, duhet të jetë prioritet për ekzekutivin dhe legjislativin e ri, pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
Teksa flet për takimet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, ai shprehet se “është e rëndësishme që të vësh vet diçka në tryezën e bisedimeve”.
“Mendoj se është gjithmonë e rëndësishme në një proces të tillë dialogu, në një negociatë të ardhshme ndoshta, që të vendoset diçka në tryezë nga secila palë. Pra, nëse vë diçka në tryezë, do të kesh mundësinë të kesh një fjalë në agjendë për atë që po flitet. Pra, është e rëndësishme jo vetëm të presësh se çfarë do të vënë në tryezë përfaqësuesit e BE-së, nëse ka diçka fare”.
“Nuk është vetëm e rëndësishme të presësh se çfarë do të mund të vënë në tryezë pala tjetër përkatëse, por është e rëndësishme të vësh diçka vetë në tryezë. Kjo duhet të trajtohet si një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme, të parlamentit të ri në Republikën e Kosovës, që të ketë një agjendë të qartë, të qartë se si të zgjidhen problemet, se si të adresohen çështjet e hapura të pazgjidhura. Kjo do të ishte qasja që mund t’ua rekomandoj të gjithëve në Kosovë, pa marrë parasysh nëse janë në opozitë, në pozitë, pa marrë parasysh kush do të krijojë një qeveri të re”, deklaron ai.
Pas organizimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Mandl pret nga institucionet vendore që të ndërmerren reforma në Kosovë.
“Mund të them vetëm se çdo qeveri do të duhet të ndërtojë ura kudo në botë dhe do të duhet të ndërmarrë reforma brenda vendit për të mirën e përbashkët, për të mirën e popullit. Gjithashtu, mendoj se në çdo parti politike në Kosovë ka njerëz të besueshëm dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka deputetë të sapo-zgjedhur që janë të besueshëm dhe të aftë dhe ata do të gjejnë zgjidhje të shkëlqyera për të ardhmen. Ky është besimi im në këtë shtet të ri të Evropës dhe në popullin e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike”, shton ai.
Anëtari i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl është optimist se përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Kaja Kallas do të angazhohet për dialog pozitiv mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se Komisioni i ri për Marrëdhënie të Jashtme dhe përfaqësuesja e Lartë për Marrëdhënie të Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka ndërmarrë hapa shumë pozitiv drejt një dialogu më të mirë. Ajo e merr shumë seriozisht këtë çështje. E kuptoj që ajo kupton se ka një fushë të barabartë, nuk është një shtet më i rëndësishëm se tjetri”.
“Diçka që mund të keni përshtypjen se ka qenë rasti për ish-përfaqësuesit e BE-së që ishin aktivë këtu në rajon, veçanërisht në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, kam shpresë që Komisioni i ri Evropian do të jetë më i mirë në menaxhimin e këtij dialogu dhe ata mund të inkurajojnë çdo palë, palën kosovare dhe palën serbe, që të angazhohen vërtet në një dialog pozitiv për mirëqenien e qytetarëve të tyre, për të ardhmen e qytetarëve të tyre në Bashkimin Evropian.
“Kjo duhet të jetë e ardhmja për secilin në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, po ashtu për Kosovën dhe Serbinë. Dhe për këtë arsye, përfaqësuesit politikë të të dyja vendeve duhet të bëjnë një dialog të duhur dhe të ndërmarrin një dialog të duhur me një ritëm më të shpejtë”, shprehet Mandl për KosovaPress.
Optimist është edhe për heqjen e masave të Bashkimit Evropian kundër Kosovës të vendosura në qershor të vitit 2023.
“Që nga fillimi kam qenë kundër këtyre masave, kundër Republikës së Kosovës, shtetit më të ri të Evropës. Kam parasysh gjithë situatën, duke pasur parasysh formën e Republikës së Kosovës, vuajtjet e popullit në të kaluarën, procesin i gjatë i integrimit evropian që duket se është ngujuar herë pas here, është pa kuptim në mendimin tim të vendosen masa kundër Republikës së Kosovës”.
“Kjo është arsyeja pse unë parlamentarisht jam kundër, por mendoj se gjithnjë e më shumë në Komisionin Evropian dhe veçanërisht në Parlamentin Evropian janë shumë më në favor të heqjes së këtyre sanksioneve, këtyre masave”, përfundon ai.
Të paktën 1,000 persona kanë vdekur dhe 2,376 të tjerë kanë pësuar lëndime si pasojë e tërmetit 7.7 shkallësh Rihter që ka goditur Birmaninë të premten, ka bërë të ditur televizioni shtetëror i vendit.
Në ndërkohë, tërmeti ka lënë të vdekur edhe 9 persona në Tajlandë, si dhe mbi 30 të tjerë të bllokuar nën rrënoja.
Regjimi ushtarak që udhëheq me Birmaninë ka bërë kërkesë për ndihmë humanitare nga bashkësia ndërkombëtare dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në gjashtë rajone të vendit.
Disa shtete kanë dërguar ekipet e tyre të shpëtimit si përpjekje për të lehtësuar situatën pas dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore. Lëkundjet kanë shkaktuar dëme edhe në Bangladesh dhe Kinë, ndërsa janë ndier deri në Vietnam.
Epiqendra e tërmetit ishte 17 kilometra larg qytetit me popullatë 1.2 milionëshe të Mandalait. Vetëm 12 minuta pas tërmetit të parë, një tjetër tërmet me magnitudë 6.4 shkallë kishte goditur Birmaninë.
Epiqendra e tërmetit të dytë ishte 18 kilometra në jug të qytetit të Sagaingut.
26 vjet më parë, forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në Beleg të Deçanit vranë dhe masakruan 49 shqiptarë.
Kjo është njëra prej masakrave më të mëdha të kryera nga forcat paramilitare serbe, të cilët më 1999 filluan një ofensivë të egër ndaj popullatës së Isniqit dhe Belegut, një ditë pasi ata pësuan humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Edhe sot e kësaj ditë fati i 33 të pagjeturve të këtij fshati si dhe fshatrave të tjera të Deçanit mbetet i pazgjidhur.
Ndonëse ekipe të hetuesisë, së pari nga UNMIK, pastaj edhe EULEX, ishin marrë me rastin, duke mbledhur dëshmi të shumta, deklarata të dëshmitarëve të drejtpërdrejt të prezantuara edhe në Tribunalin e Hagës, por edhe autopsinë e bërë të kufomave të krimit, deri më tash askush nuk është arrestuar.
Një shtetas turk është arrestuar në Prishtinë të premten, pasi tek ai është gjetur një sasi e materialit që përdoret në mjekësi (botoks).
Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një sasi tjetër e materialit të njëjtë që është sekuestruar nga Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Vlera totale e materialit të sekuestruar sipas çmimit në treg sillet rreth 150 mijë euro.
Në cilësi të provave materiale nga i dyshuari janë sekuestruar edhe 11 mijë e 160 euro para kesh.
Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Paralajmërimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike, do t’i rrezikojë bizneset vendëse dhe do t’i detyrojë ato të largohen në vende të tjera, thonë njohës të çështjeve ekonomike.
Krahas mundësisë së largimit të bizneseve nga Kosova, ekonomistët thonë se shtrenjtimi i rrymës mund të krijojë edhe çrregullim të tregut dhe nxitje të një inflacioni.
Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, e quan paralajmërimin e ZRrE-së si befasues, andaj kërkon që akterët relevantë t’i shohin rezervat e brendshme dhe të evitojnë një shtrenjtim të tillë.
Konsideron se një shtrenjtim i tillë mund të ketë pasoja të rënda në ekonominë vendëse.
“T’u them të drejtën paralajmërimi është befasues, unë nuk kam pritë që do të ketë një ngritje të tillë, 15 për qind është tepër e lartë, duke marrë parasysh edhe ecuritë në përgjithësi që janë në tregun botëror por edhe faktin se energjia që shitet pjesën më dërmuese mbi 80 për qind vjen prej prodhimit vendor ku çmimet janë shumë të volitshme dhe i japin një bazë edhe distribucionit edhe furnizimit që të mbesim me çmime racionale. Unë frikohem se me këto çmime do të ketë një çrregullim dhe një nxitje të një inflacioni dhe ma merr mendja se ka një hapësirë të madhe që ZRrE bashkë me akterë tjerë në zinxhirin që krijojnë në krijimin e energjisë që t’i shohin rezervat e brendshme dhe të evitojnë një shtrenjtim të tillë”, thotë Mustafa, teksa mohon pretendimet e qeveritarëve se “rryma në Kosovë është më e lira në rajon”.
“Sigurisht se ata që vijnë çdo investitorë e sheh sa është çmimi i energjisë. Edhe pse themi se jemi me çmimin më të lirë në rajon, kjo nuk është e saktë, edhe nëse jemi më të lirë është për shkak se KEK-u e shet shumë lirë, energjinë ia shet shumë lirë KEDS-it edhe KESCO-s. Me këtë tarifën e lartë ne krahasohemi edhe me vendet evropiane jo veç me rajonin, por derisa nuk u ke sigurua njerëzve, nuk iu ke sigurua infrastrukturën, ti po e dënon një pjesë të popullatës që patjetër duhet ta përdorin rrymën për ngrohje, po e dënon me çmime të larta të energjisë dhe po ia rrezikon standardin”, u shpreh Mustafa.
Se shtrenjtimi i energjisë mund të sjellë pasoja tek bizneset kosovare, e thotë edhe profesori universitar, Artan Nimani, sidomos për shkak të deficitit të lartë tregtar.
“Kohë më parë kemi ngritë shqetësimin për heshtjen e Qeverisë në raport me kërkesat e operatorëve ekonomik për shtrenjtimin energjisë elektrike në emër të rregullimit të të hyrave vjetore dhe kjo padyshim që do të shkaktojë një varg të shqetësimeve jo vetëm të konsumatorëve individual por edhe të bizneset dhe në plan të parë te bizneset prodhuese të cilat edhe ashtu jemi në disbalancë tregtarë dhe kjo mund të ndikojë negativisht deri te marrja e një vendimi që thjeshtë edhe të mos operojnë në Kosovë dhe të largohen në një ambient më të përshtatshëm ku është klima e të bërit biznes”, thotë Nimani.
“Vet fakti i kërkesave të vazhdueshme për rritje të çmimit të energjisë elektrike për afër katër vite, kemi një ngritje mbi 130 për qind të lartësisë së çmimit të energjisë elektrike, vërtetë është e papërballueshme, është shqetësuese dhe madje impaktet e saj do të jenë jashtëzakonisht negative, jo vetëm në familje por edhe në tërë sistemin ekonomik të vendit”, thotë tutje Nimani.
Nimani thotë se nga shtrenjtimi i energjisë, bizneset në Kosovë do të largohen në vendet e rajonit.
“Ky është problemi. Qeveria duhet të krijojë kushte të favorshme për të bërit biznes dhe jo të dekurajojë kompanitë që të largohen nga vendi. Kemi me dhjetëra raste që kompanitë nga Kosova janë shpërngulur në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, pikërisht për shkak të klimës së të bërit biznes. Unë njoh me dhjetëra njerëz të biznesit të cilët janë duke shqyrtuar mundësinë që të dalin jashtë territorit të Kosovës për të bërë biznes me aktivitete të veta. Kjo ka pasoja direkte”, u shpreh Nimani.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë. ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 Mars të vitit pasues.
Ndryshe që nga viti 2021, Kosova ka blerë energji elektrike mbi 500 milionë euro, ndërkohë që qytetarët stepur nga faturat e larta dhe të papërballueshme të energjisë elektrike edhe para se operatorët energjetikë të publikonin kërkesat për shtrenjtim të energjisë elektrike deri në 35 për qind.
Ministria e Financave, ka reaguar në lidhje me mospagesat e orëve shtesë për policëve.
Ministria ka deklaruar se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave dhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.
‘‘U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë’’, thuhet mes tjerash në reagimin e ministrisë.
Tutje, nga kjo ministri është thënë se tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.
‘‘Sqarim në lidhje me çështjen e ekzekutimit të pagave dhe shtesave tjera
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përderisa shpreh mirëkuptimin e saj për shqetësimet e ngritura në lidhje me ekzekutimin e pagave dhe shtesave, e sheh të nevojshme të sqarojë se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.
MFPT, përkatësisht Thesari, vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale.
U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.
MFPT, konkretisht Thesari, ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore që të sigurohen se janë brenda buxhetit.
MFPT edhe njëherë shpreh gatishmërinë që të ofrojë mbështetje për të gjitha organizatat buxhetore që ato të bëjnë planifikimet e duhura dhe të sakta, çdoherë në pajtim me legjislacionin në fuqi, ashtu që të tejkalohet kjo situatë për muajt në vijim dhe mundi e puna të kompenzohet përkitazi për të gjithë ata që kanë punuar’’, thuhet në reagimin e ministrisë.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj për vonesat në pagesën e ndërrimeve të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë.
Sipas Sindikatës, nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje.
‘‘Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe ka krijuar pasiguri në lidhje me realizimin e angazhimeve të përditshme. Pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje’’, thuhet mes tjerash në reagim.
Sindikata i bën thirrje Ministrisë së Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura dhe të sigurojë kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë.
“Sindikata e Policisë së Kosovës do të ndjekë këtë çështje nga afër dhe nuk do të hesht derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Kreu i bllokut parlamentar të Hezbollahut, Mohammed Raad, ka bërë thirrje për unitet më të fortë kombëtar dhe një qëndrim më të fortë përballë “agresionit” izraelit dhe i bëri thirrje qeverisë libaneze të ndërmarrë “hapa praktikë” për të ndaluar sulmet ndaj vendit.
Komentet e tij erdhën pasi forcat izraelite goditën Bejrutin më herët sot, pavarësisht nga një armëpushim i brishtë që hyri në fuqi vitin e kaluar pas 13 muajsh lufte midis Izraelit dhe grupit libanez.
Raad tha se Hezbollahu nuk e ka shkelur armëpushimin dhe se shteti “duhet të përmbushë detyrën e tij për të penguar armikun”.
Qeveria nuk ka “autoritet ekskluziv” mbi vendimet në lidhje me luftën, tha ai, duke shtuar se është e paaftë të mbrojë Libanin më vete.
“Kushdo që mendon se rezistenca i përket të shkuarës, gabon,” tha ai.
Autoritetet turke kanë arrestuar avokatin e rivalit kryesor politik të presidentit të Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, Ekrem Imamoglu, ka njoftuar të premten një deputet nga radhët e partisë më të madhe opozitare, CHP.
Mehmet Pehlivan, avokati që e ka mbrojtur kryetarin e bashkisë së Stambollit, në hetimet e fundit, është arrestuar mbi “akuza të fabrikuara”, ka shkruar deputeti i CHP-së, Taskin Ozer, në rrjetin social X pa dhënë detaje të tjera.
Imamoglu, u arrestua të mërkurën e javës së kaluar nën akuzat për korrupsion dhe lidhje me organizata terroriste. Arrestimi i tij ka nxitur protesta masive anti-qeveritare në mbarë vendin. Si rezultat i protestave janë arrestuar me mijëra persona.
E kundër arrestimit të avokatit, ka reaguar edhe vetë Imamoglu i cili përmes një postimi në X ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.
“Si të mos mjaftonte grusht-shteti kundër demokracisë, ata nuk mund ta durojnë faktin që viktimat e këtij grusht-shteti po mundohen të mbrohen”, ka thënë Imamoglu.