ATV

Author: G.O.

  • Spahiu: Na mungon lobimi në ShBA, diplomacia serbe është shumë aktive

    Spahiu: Na mungon lobimi në ShBA, diplomacia serbe është shumë aktive

    Ish-ambasadori i Kosovës në ShBA, Avni Spahiu, në një intervistë në emisionin ‘Compass’ në ATV, tha se Kosovës i mungon një agjenci lobuese në ShBA.

    Ai tha se Kosovës i mungon aktualisht një grup i miqve në Kongresin amerikan që do të mbronte interesat e saj, pasi shumica e atyre që e kanë mbështetur dikur janë tërhequr nga skena politike.

    “Neve tani na mungon një grup i miqve në kongresin amerikan të çështjes shqiptare siç ka qenë në të kaluarën dhe i cili nuk ekziston më për shkak se një pjesë e kongresmenëve, të senatorëve, etj. ose janë pensionuar ose nuk janë më në shërbim në kongres, andaj ky grup duhet të ripërtërihet, në mënyrë që ata do të artikulonin kërkesat tonë që kemi si shtet”, tha Spahiu.

    Ai tha se në këtë fazë të ndjeshme për diplomacinë kosovare, është thelbësore të angazhohet një kompani lobimi në Uashington, për të artikuluar interesat e Kosovës përballë diplomacisë agresive të Serbisë.

    “Prandaj, kërkohet që të kemi një kompani lobimi në Uashington sepse ka shumë të tilla atje, mbi 300 me aq sa di unë dhe ne duhet ta kemi një të tillë, pikërisht në këtë moment kur diplomacia serbe është shumë aktive dhe ne kemi shumë nevojë për të, tani kur presim qëndrimin e administratës së re të ShBA-së për Kosovën dhe në këtë mënyrë duhet të jemi aty që të artikulojmë pikëpamjet tona përmes kompanive lobuese, nëse duam që gjërat të shkojnë ashtu siç duhet në ketë aspekt”, tha Spahiu.

    Për më shumë klikoni në videon e mëposhtme:

  • “Prej qytetarëve e ke” – Aktivistët ia zënë udhën kryetarit të ZRrE-së me tortën 15%

    “Prej qytetarëve e ke” – Aktivistët ia zënë udhën kryetarit të ZRrE-së me tortën 15%

    Kryetari i Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, është gjuajtur me një tortë ‘dhuratë’, nga aktivistët e nismës “Asnjëcentmëshumë”, mesditën e sotme në një parking.

    Ishte aktivisti Dibran Hoxha i cili ia hodhi tortën kryetarit të ZRrE-së, sapo ai hyri brenda në veturë, pasi që i ky i fundit nuk e pranoi këtë ‘dhuratë’.

    “Prej qytetarëve e ke këtë dhuratë “, dëgjohet duke thënë aktivisti Hoxha.

    Kujtojmë se ZRrE-ja ka propozuar shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind duke filluar nga muaji prill. Për të kundërshtuar propozimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, tashmë ka filluar një fushatë  #ascnjecentmeshume.

    VIDEO:

  • ​Gjykata e Bosnjës kërkon që INTERPOL-i të lëshojë fletarrestime për Dodikun dhe Stevandiqin

    ​Gjykata e Bosnjës kërkon që INTERPOL-i të lëshojë fletarrestime për Dodikun dhe Stevandiqin

    Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës ka kërkuar që të lëshohen fletarrestime ndërkombëtare, përmes INTEPOL-it, për presidentin e Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, dhe kryetarin e Kuvendit Popullor të këtij entiteti serb, Nenad Stevandiq.

    “Shpallja e fletarrestimit është në kompetencë të Zyrës Qendrore Kombëtare të INTERPOL-it”, u konfirmua për Radion Evropa e Lirë më 27 mars nga Gjykata e Bosnjës.

    Në një përgjigje të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, për një rast tjetër, INTERPOL-i tha se nuk lëshon fletarrestime, por “me kërkesë të shteteve anëtare dhe pas kontrolleve të përputhshmërisë, INTERPOL-i lëshon njoftime ndërkombëtare për të kërkuarit që njihej si ‘njoftime të kuqe’”.

    “Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.

    Nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës është bërë e ditur se fletarrestimet ndërkombëtare janë kërkuar më 26 mars nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës, e cila i ngarkon Dodikun dhe Stevandiqin, bashkë me kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq, dhe “persona të tjerë”, për sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës.

    Si bazë për lëshimin e fletarrestimeve, Prokuroria e Bosnjës ka deklaruar se Dodik dhe Stevandiq, “duke shfrytëzuar pozitat e tyre të larta në entitetin Republika Sërpska, duke shmangur procedurat ligjore të kontrollit kufitar, kanë kaluar kufirin shtetëror dhe kanë lëshuar territorin e Bosnjë e Hercegovinës”.

    Gjykata e Bosnje e Hercegovinës ka deklaruar se Dodik aktualisht ndodhet në Izrael, ndërsa i Stevandiq, duke shmangur kontrollet ligjore, është kthyer nga Serbia në Bosnje më 18 mars.

    “Të gjitha rrethanat tregojnë se ka gjasa që Dodik dhe Stevandiq në çdo moment të ndodhen jashtë vendit”, është thënë nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës.

    Dodik, Vishkoviq dhe Stevandiq janë të dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues dhe ndaj tyre janë lëshuar fletarrestime qendrore brenda Bosnje e Hercegovinës, siç është konfirmuar për REL-in më 17 mars. Çdo agjenci policore, nga 16 sa janë në Bosnjë e Hercegovinë, duhet t’i arrestojë ata.

  • KQZ-ja sot certifikon rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit

    KQZ-ja sot certifikon rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit

    Pas vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me dy ankesat për rezultatin e zgjedhjeve, është hapur rruga për certifikimin e tyre. Kësisoj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka caktuar mbledhjen për këtë çështje, që do të mbahet sot, raporton Gazeta Sinjali.

    Mbledhja do të fillojë në ora 16:00 dhe rendi i ditës është publikuar.

    Fillimisht do të bëhet zëvendësimi i të zgjedhurve që kanë hequr dorë nga pozita e deputetit dhe më pas do të certifikohen rezultatet përfundimtare.

    Ndryshe, Supremja rrëzoi të mërkurën si të pathemelta ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, të një kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Ashkalinjëve (PDAK) – LPB, të cilat kundërshtonin vendimet e Panelit për Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP).

    LVV-ja u ankua në Supreme ndaj vendimit të PZAP-it, i cili nuk e kishte pranuar kërkesën e saj për anulimin e votave me postë që ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe shkuarjen në rivotim me postë.

    Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me procesin e votimit me postë, pas pretendimeve të LVV-së se ka pasur manipulime nga LDK-ja.

  • Pas njohjes, Kurti flet në telefon me presidentin e Kenias: Pres me padurim të thellojmë bashkëpunimin

    Pas njohjes, Kurti flet në telefon me presidentin e Kenias: Pres me padurim të thellojmë bashkëpunimin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Kenias, William Ruto, pasi ky shtet njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

    Ai ka bërë të ditur se gjatë bisedës me Presidentin Ruto, të dy liderët kanë shkëmbyer ftesa për vizita zyrtare dhe janë dakorduar për hapat e ardhshëm drejt vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

    “Sot është një ditë historike për Kosovën, pasi Kenia ka njohur zyrtarisht republikën tonë. Pata kënaqësinë të bisedoj me Presidentin William Ruto pas këtij momenti të rëndësishëm. Ne ftuam njëri-tjetrin për vizita zyrtare dhe u dakorduam që hapi i radhës të jetë vendosja e marrëdhënieve diplomatike.

    Krenar dhe i nderuar nga kjo arritje, i bëra ftesë Kenias që të hapë një ambasadë në Prishtinë. Dy vendet tona ndajnë një histori sakrifice të madhe për lirinë dhe pavarësinë. Pres me padurim të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushat e kulturës, tregtisë dhe investimeve”, ka shkruar Kurti në “X”.

  • Arrestohen dy të dyshuar për fajde në Prizren

    Arrestohen dy të dyshuar për fajde në Prizren

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për fajde në Prizren pas një operacioni të mërkurën në mëngjes.

    Gjatë këtij aksioni është arrestuar i dyshuari F.K, viti i lindjes 1996, dhe B.K, viti i lindjes 1974.

    Gjatë operacionit policor në automjetin e njërit nga të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri pistoletë e llojit PIETRO BERETTA GARDONE dhe 13 fishekë.

    Po ashtu janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet e tjera përcjellëse e të dyshuarve në dy lokacione të ndryshme në Prizren, me ç ‘rast janë gjetur dhe sekuestruar dhe një pushkë ajrore e model N-01 S, 42 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe një fishekë i kalibrit të panjohur si dhe dy automjete që dyshohet të kenë lidhje me rastin.

    Ndaj të dyshuarve pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

  • Kenia e njeh zyrtarisht Kosovën, ndërsa akti i njohjes i dorëzohet ish-presidentit Behgjet Pacolli

    Kenia e njeh zyrtarisht Kosovën, ndërsa akti i njohjes i dorëzohet ish-presidentit Behgjet Pacolli

    Behgjet Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se që nga 26 marsi Republika e Kenias e ka njohur zyrtarisht Kosovën, si shtet të pavarur e sovran.

    “Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të”, ka shkruar Pacolli.

    Tutje, ai ka shtuar se kjo ka ardhur si rezultat i një pune të gjatë, të palodhshme e me shumë përkushtim.

    “Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”.

    “Presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016. Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia”, ka shkruar mes tjerash Pacolli.

  • Haxhiu: 88 noterë të rinj do ta nisin detyrën nga 7 prilli

    Haxhiu: 88 noterë të rinj do ta nisin detyrën nga 7 prilli

    88 noterë do të fillojnë ushtrimin e detyrës që nga 7 prilli i këtij viti.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se pas trajnimeve 6-mujore sot ka nënshkruar vendimet për fillimin e ushtrimit të detyrës për 88 noterët.

    “E falënderoj Odën dhe trajnerët për bashkëpunimin dhe të gjithë noterëve ju uroj punë të mbarë duke kërkuar zbatim të kompetencave në përputhje me legjislacionin në fuqi”, shkroi ajo.

  • Të premten hapet ekspozita për historikun e suksesit të xhudos së Kosovës

    Të premten hapet ekspozita për historikun e suksesit të xhudos së Kosovës

    Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK) ka njoftuar se të premten, më 28 prill 2025, do të organizojë ekspozitën “Përpjekja e artë – rrugëtimi i xhudos në lartësimin e Kosovës”.

    Ekspozita hapet në ora 19:00 dhe mbahet në galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë.

    Sipas njoftimit, kjo ekspozitë është një udhëtim në historinë e lavdishme të xhudos, të ndërtuar mbi përpjekjet e përditshme shumëvjeçare, me mund dhe dashuri për xhudon dhe Kosovën.

    “Ajo është thurje e dimensioneve historike dhe të tanishme; nga përvojat personale te sukseset kolektive, të cilat paraqiten në një përmbledhje imazhesh vizuale. Ekspozita zbulon copëza të një jete kushtuar xhudos, një rrugë të ndërtuar me sakrifica drejt triumfeve të mëdha. Sukseset historike të xhudos bartin emra individualë, dhe nga medaljet e tyre u lartësua Kosova”- thuhet në njoftimin e FXHK-së.

    Ekspozita “Përpjekja e artë – rrugëtimi i xhudos në lartësimin e Kosovës” është kuruar nga Berat Bajrami.

  • Serbia ia ndalon ministrit Çeku vizitën në Preshevë

    Serbia ia ndalon ministrit Çeku vizitën në Preshevë

    Serbia ia ka ndaluar vizitën në Preshevë ministrit të Kulturës, Hajrulla Çekut.

    Kështu ka njoftuar kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila thotë se po vazhdon diskriminimi ndaj shqiptarëve.

    “Për herë të dytë, pushteti i Vuçiqit ndalon Ministrin Hajrulla Çeku të vizitojë Preshevën! Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve. Fatkeqësisht, ky regjim vazhdon të përkëdhelet nga Perëndimi për arsye gjeostrategjike, ndërsa shqiptarët e Luginës përballen me diskriminim dhe izolim. Por ne nuk ndalemi”.

    Ajo thotë se përpjekjet për t’i penguar vetëm sa i bëjnë më të fortë.

    “Presheva është e vendosur të mbajë lidhjet me të gjitha vendbanimet shqiptare dhe të forcojë bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë. Përpjekjet për të na penguar vetëm na bëjnë më të fortë”, thotë ajo.