ATV

Author: G.O.

  • Vërshime në veri të Bosnjës, gjendje e jashtëzakonshme në disa komuna

    Vërshime në veri të Bosnjës, gjendje e jashtëzakonshme në disa komuna

    Dy persona janë zhdukur në qytetin e Tuzllës në Bosnje e Hercegovinë si pasojë e reshjeve të mëdha që kanë shkaktuar rritjen e nivelit të ujit në lumenjtë e këtij vendi.

    Bëhet fjalë për një polic dhe një person që në orët e paradites së 27 marsit ka ikur nga policia dhe është futur në shtratin e lumit Jala.

    Për shkak të reshjeve që po vazhdojnë për ditën e të tretë me radhë, në pjesën më të madhe të Bosnje e Hercegovinës lumenjtë kanë dalë nga shtrati.

    Gjendje më e rënduar raportohet në pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit, ku janë mbyllur disa rrugë kryesore.

    Në Laktash, afër Banjallukës, janë përmbytur rreth 100 shtëpi. Lumi Bukovica ka çarë kanalin rreth orës katër të mëngjesit dhe ka përmbytur një lagje të tërë.

    Sipas Institutit Federal Hidrometeorologjik, reshje intensive priten deri më 29 mars, ndërsa më pas parashikohet stabilizim gradual i motit dhe ndërprerje e reshjeve deri më 3 prill.

    Në fund të vitit të kaluar, Bosnja u përballë më vërshime vdekjeprurëse, kur 27 njerëz humbën jetën nga përmbytjet dhe rreshqitjet e dheut më 4 tetor.

    Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e fuqishme goditën pjesë të Bosnjës jugore dhe qendrore më 4 tetor, duke shkatërruar shtëpi, rrugë dhe duke ndërprerë rrymën dhe bllokuar qasjen në disa fshatra./REL

  • Alban Zogaj dorëzon padi për shpifje ndaj Dejona Mihalit

    Alban Zogaj dorëzon padi për shpifje ndaj Dejona Mihalit

    Ish-nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës padi për shpifje ndaj Dejona Mihalit.

    Në një postim n Facebook, Zogaj thotë se ky veprim erdhi pas akuzave të rënda dhe të pabaza që Mihalit ka bërë kundër tij, në lidhje me manipulim të votave të diasporës.

    “Sot kam dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës padinë për shpifje ndaj Dejona Mihalit, aktiviste e VV, pas akuzave të rënda dhe të pabaza që ajo ka bërë kundër meje, ndër tjera. Ajo më ka akuzuar padrejtësisht për manipulim të votave të diasporës, një shpifje e pastër që synon të dëmtojë integritetin tim dhe besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor”, ka shkruar Zogaj.

    “Unë besoj në ndershmërinë e procesit demokratik dhe nuk do të lejoj që askush të përhapë shpifje për qëllime politike. Prandaj, përmes kësaj padie, po mbroj jo vetëm dinjitetin tim, por edhe parimin se zgjedhjet duhet të jenë të pastra dhe të drejta, të mbrojtura nga çdo tentativë për manipulim apo diskreditim përmes shpifjeve. Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj dhe e vërteta duhet të mbizotërojë mbi shpifjet!”, ka shkruar Zogaj.

  • Hamza: Jam i gatshëm për formimin e Qeverisë së re nëse LVV nuk mundet

    Hamza: Jam i gatshëm për formimin e Qeverisë së re nëse LVV nuk mundet

    Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, ka deklaruar se është i gatshëm për formimin e Qeverisë së re, nëse partia e parë Lëvizja Vetëvendosje nuk arrin formimin e saj.

    Hamza, në një konferencë për media, theksoi se Kosova nuk e ka komoditetin që të ketë vakum institucional.

    “Bazuar në situatën gjeopolitike dhe ekonomike, në të cilën ndodhet vendi, Kosova ka nevojë për institucione. Në rast se partia e parë nuk arrin brenda afateve ligjore dhe kushtetuese unë jam i gatshëm si kandidat për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës t’i marr përgjegjësitë për krijimin e Qeverisë. Jam në komunikim me partitë opozitare, që ne ta krijojmë qeverinë dhe t’ia japim institucionet vendit”, është shprehur Hamza.

    Hamza ka njoftuar se është tërhequr nga mandati i deputetit.

    “Unë, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet, dje kam hequr dorë nga pozita e të qenit deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse unë jam kryetar i Komunës së Mitrovicës. Komuna do të shkonte në zgjedhje. Do të ishte e padrejtë që brenda një periudhë të shkurtë, ndoshta më pak se 6 muaj, komuna të shkojë dy herë në zgjedhje. Do të ishte pengesë për zhvillimin e projekteve, por edhe barrë për buxhetin e Republikës së Kosovës dhe maltretim i qytetarëve të Mitrovicës”, ka thënë ai.

    Hamza ka shprehur shqetësimin për stërzgjatjen e shpalljes dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit./Telegrafi/

     

  • Një tërmet i fuqishëm godet Azinë Juglindore

    Një tërmet i fuqishëm godet Azinë Juglindore

    Një tërmet i fuqishëm ka goditur Azinë Juglindore, duke shembur ndërtesa të larta që ishin duke u ndërtuar në Bangkok, dhe duke rrëzuar objekte në Mianmar.

    Të paktën një person është mbytur dhe dhjetëra punëtorë janë nxjerrë nga rrënojat e një rrokaqielli, tha Instituti Kombëtar për Emergjenca Mjekësore në Tajlandë.

    Dëshmitarët në Bangkok thanë se njerëzit dolën në rrugë në panik pas dridhjeve të fuqishme të tokës.

    Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti ishte 7.7 ballë i Rihterit, me një thellësi prej 10 kilometrash. Po ashtu u regjistruan pasgoditje të fuqishme.

    Epiqendra e tërmetit ishte 17.2 kilometra nga qyteti Mandalaj në Mianmar, qytet që ka një popullsi prej 1.5 milion banorësh, shkruan Radio Evropa e lirë.

    Autoritetet në Mianmar ende nuk kanë njoftuar për dëme apo viktima.

    “Kemi nisur kërkimet përreth Jangonit, për të shikuar nëse ka viktima dhe dëme. Deri më tani nuk kemi informacione”, tha për Reuters një zyrtar nga Departamenti i Zjarrfikësve në Mianmar.

    Në mediat sociale janë publikuar pamje nga Mandalaja, duke shfaqur shembje të ndërtesave. Këto imazhe nuk ka qenë e mundur që menjëherë të verifikohen në mënyrë të pavarur.

    Agjencia Xinhua e Kinës raportoi se dridhje të fuqishme të tokës janë ndier në provincën Junan, në jugperëndim të Kinës, që gjendet në kufi me Mianmarin. Por, autoritetet kineze nuk kanë raportuar për viktima./REL

  • Seanca konstituive e Kuvendit të ri, Osmani: Do të thirret brenda afatit kushtetues

    Seanca konstituive e Kuvendit të ri, Osmani: Do të thirret brenda afatit kushtetues

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar sot se ka pranuar shkresën zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), e cila përmban rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe mënyrën se si ndahen ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Në një deklaratë për mediat, Osmani tha se tashmë ka një afat ligjor prej 30 ditësh për thirrjen e seancës konstituive, duke shtuar se ky afat është parashikuar nga Kushtetuta e Kosovës.

    “Për momentin ekipi ime ligjor është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për përgatitje të kësaj seance në mënyrë që kur të thirret mos të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës”, tha Osmani.

    Sipas saj, gjithçka do të bëhet brenda afatit kohor kushtetues.

    “Për momentin nuk mund të japë një datë sepse dua të jem e saktë, mirëpo shumë shpejt do ta kemi edhe datën”, tha ajo.

  • Osmani: FSK-ja është dëshmi e sakrificës dhe garanci për paqen

    Osmani: FSK-ja është dëshmi e sakrificës dhe garanci për paqen

    Sot është mbajtur ceremonia e certifikimit të gjeneratës së parë të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për vitin 2025, raporton Gazeta Sinjali.

    Gjatë kësaj ceremonie, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se FSK është dëshmi e sakrificës dhe se Ushtria e Kosovës nuk është thjesht një forcë e armatosur, por një angazhim i përjetshëm ndaj atdheut.

    “Sot është një ditë e veçantë për ju dhe për Kosovën, ku 344 djem dhe vajza i bashkohen FSK-së. Të dashur ushtarë, ju keni kaluar shumë sfida me përkushtim. FSK është më shumë se një forcë, është simbol i përkushtimit dhe sakrificës, dhe dëshmi e forcës së shtetit tonë,” tha Osmani.

    Osmani theksoi se Kosova është e lirë falë sakrificës së dëshmorëve dhe martirëve.

    “Ushtria nuk është thjesht një forcë e armatosur; ushtria jonë është një betim i përhershëm për atdheun tonë, është një përkushtim ndaj sigurisë dhe një garanci për paqen,” shtoi Osmani.

    “Me punën dhe përkushtimin tuaj, do të vazhdoni ta mbani shtetin tonë. FSK po marshon fuqishëm përpara, e mirëpajisur. Ju jeni pasardhës të drejtë të UÇK-së, të cilët sakrifikuan gjithçka për atdheun në momentet historike të vendit tonë. Të kujtojmë dëshmorët, heronjtë dhe martirët. Edhe sot, shprehim falënderimin për aleatët tanë, përfshirë SHBA-të,” tha Osmani.

  • Njohja e Kosovës nga Kenia, Rohde: Reagimi i Serbisë shkelje e rëndë e marrëveshjeve të Brukselit

    Njohja e Kosovës nga Kenia, Rohde: Reagimi i Serbisë shkelje e rëndë e marrëveshjeve të Brukselit

    Dy ditë më parë, Republika e Kenias ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, një hap që ka sjellë reagime të forta nga Serbia, e cila e ka cilësuar këtë veprim si një “akt armiqësor”.

    Serbia ka paralajmëruar se do të marrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike” ndaj këtij vendimi.

    Nga ana tjetër, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka komentuar reagimin e Serbisë, duke e quajtur një shkelje të rëndë të nenit të katërt të marrëveshjeve të Brukselit, i cili ndalon bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

    Rohde ka shprehur mbështetje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Kenias dhe ka shprehur shpresën se shumë shtete të tjera do të ndjekin shembullin e saj, ashtu siç Gjermania e bëri 16 vjet më parë.

    “Së pari, jam plotësisht dakord me ju. Është vërtet e mirëseardhur që Kenia e njeh Kosovën. Shpresoj që shumë vende të tjera të ndjekin këtë shembull, si Gjermania para gjashtëmbëdhjetë vitesh. Janë më shumë se njëqind shtete që e kanë njohur Kosovën. Reagimi i Serbisë, siç e përmendët, është shkelje e rëndë e nenit të katërt të marrëveshjeve të Brukselit për të mos e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ky është një veprim i pavend, që ruan status quo-në e kaluar, por në të njëjtën kohë, Kosova duhet t’i përmbushë detyrat e saj për Asociacionin,” tha ai në një intervistë për KTV.

  • Sot mbahet ceremonia e certifikimit të rekrutëve e rinj të FSK-së

    Sot mbahet ceremonia e certifikimit të rekrutëve e rinj të FSK-së

    Sot do të mbahet ceremonia e certifikimit të gjeneratës së parë për vitin 2025 të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Kjo ceremoni do të zhvillohet në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.

    Po ashtu, në këtë ceremoni të certifikimit do të marrin pjesë udhëheqës të lartë shtetërorë, oficerë e nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, mysafirë e familjarë të rekrutëve.

  • Mbreti Charles III shtrohet në spital

    Mbreti Charles III shtrohet në spital

    Mbreti Charles III u dërgua në spital të enjten për trajtimin e tij të kancerit dhe, si pasojë, ishte i detyruar të shtyjë me “keqardhje” aktivitetet e tij të së premtes, njoftoi Pallati Buckingham.

    Një zëdhënës i Pallatit Buckingham konfirmoi se Mbreti ishte kthyer në Clarence House, rezidencën e tij në Londër, pas vizitës në spital.

    “Pas trajtimit të planifikuar dhe të vazhdueshëm mjekësor për kancerin këtë mëngjes, Mbreti ka përjetuar efekte anësore të përkohshme që kërkonin një periudhë të shkurtër vëzhgimi në spital. Për këtë arsye, angazhimet e pasdites së Madhërisë së Tij u shtynë. Ai tani është kthyer në Clarence House dhe, si masë paraprake, duke vepruar sipas këshillave mjekësore, programi i axhendës për ditën e nesërme do të riplanifikohet. Madhëria e tij dëshiron t’u kërkojë falje të gjithëve që mund të jenë shqetësuar ose zhgënjyer nga ky vendim,” tha zëdhënësi i pallatit mbretëror.

  • Macron: Trump do ndihet i “tradhtuar” nëse Rusia nuk “flet qartë” për armëpushimin

    Macron: Trump do ndihet i “tradhtuar” nëse Rusia nuk “flet qartë” për armëpushimin

    Udhëheqësit nga afro 30 vende dhe shefat e NATO-s dhe BE-së u takuan në kryeqytetin francez për të diskutuar forcimin e ndihmës për Kievin dhe vendosjen e trupave evropiane për të siguruar paqen afatgjatë.

    Presidenti francez Emmanuel Macron tha se presidenti amerikan Donald Trump do të ndihet i “mashtruar” dhe “i tradhtuar” nëse Rusia nuk jep një “përgjigje të qartë” në lidhje me një armëpushim të propozuar në Ukrainë.

    “Nëse Rusia nuk jep një përgjigje të qartë, atëherë, me të drejtë, Presidenti Trump do të ndihet i mashtruar dhe i tradhtuar dhe do të duhet të reagojë”, tha Macron në një konferencë për shtyp pas Samitit të BE-së në Paris.

    Macron gjithashtu i kërkoi presidentit kinez Xi Jinping të luajë “një rol plotësisht aktiv” në nxitjen e paqes, duke përmendur lidhjet diplomatike të Kinës me Rusinë dhe përpjekjet e mëparshme për paqe me Brazilin.

    “Shpresoj se presidenti Xi mund të na ndihmojë të ndërtojmë një paqe të qëndrueshme”, tha Macron, duke theksuar pozicionin e Kinës si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Për të përforcuar aleatët e Ukrainës, Macron njoftoi se ai dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer do të udhëheqin së bashku përpjekjet për të koordinuar mbështetjen ndërkombëtare për Kievin.

    Të dy udhëheqësit synojnë të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Ukrainës dhe mbështetjen diplomatike mes agresionit të vazhdueshëm rus.