ATV

Author: G.O.

  • Von der Leyen: BE-ja është duke e përgatitur përgjigjen për tarifat e SHBA-së

    Von der Leyen: BE-ja është duke e përgatitur përgjigjen për tarifat e SHBA-së

    Tarifat e vendosura nga presidenti Trump janë një goditje e madhe për ekonominë botërore dhe Bashkimi është duke përgatitur masa kundërpërgjigjëse që do të zbatohen nëse negociatat dështojnë, ka deklaruar presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

    “Ne tashmë po e finalizojmë paketën e parë të masave kundërpërgjigjëse në përgjigje të tarifave mbi çelikun”, tha ajo në një deklaratë të lexuar në Uzbekistan, përpara një samiti të partneritetit BE-Azi Qendrore, raporton The Guardian.

    “Dhe tani po përgatitemi për masa të mëtejshme kundërpërgjigjëse për t’i mbrojtur interesat dhe bizneset tona nëse negociatat dështojnë”.

    Presidenti amerikan ka shpallur një tarifë minimale 10% për shumicën e mallrave të importuara në SHBA, me një normë më të lartë prej 20% për Bashkimin Europian.

    Von der Leyen tha se pasojat e tarifave amerikane do të jenë “të jashtëzakonshme”.

    “Ekonomia globale do të vuajë në mënyrë masive, pasiguria do të rritet dhe do të shkaktojë një përhapje të mëtejshme të proteksionizmit”.

    “Pasojat do të jenë të rënda për miliona njerëz në mbarë botën, përfshirë edhe vendet më të cenueshme, të cilat tani po përballen me disa nga tarifat më të larta të vendosura nga SHBA”, tha ajo.

  • Qeveria i ndan 75 mijë euro për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, shkak promovimi i vendit

    Qeveria i ndan 75 mijë euro për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, shkak promovimi i vendit

    Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim në mbledhjen e saj të mbrëmshme, duke miratuar ndarjen e shumës prej 75 mijë eurosh për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan.

    Qëllimi i këtij vendimi është promovimi i vendit në arenën ndërkombëtare, përmes veprimtarive që do të organizohen nga ky fondacion.

    Po ashtu, në të njëjtën mbledhje, u miratua edhe mbështetja për procesin që ka nisur Mbretëria e Bashkuar, në bashkëpunim me Francën, për luftimin e përhapjes dhe përdorimit të pa kontrolluar të aftësive komerciale të ndërhyrjes kibernetike, i njohur si Procesi Pall Mall.

    Ky proces ka si objektiv adresimin e rreziqeve të mundshme që vijnë nga ky lloj i aktiviteteve, duke garantuar një mjedis më të sigurt kibernetik.

  • Duda Balje deklarohet pas takimit me Kurtin: S’pati asgjë konkrete, jemi në diskutime

    Duda Balje deklarohet pas takimit me Kurtin: S’pati asgjë konkrete, jemi në diskutime

    Kryetarja e Partisë së Unionit Social Demokrat, Duda Balje, ka deklaruar se gjatë takimit të parë me kryeministrin Kurti për formimin e qeverisë së re, ia paraqiti disa kërkesa të boshnjakëve.

    Ajo theksoi se nuk ka pasur asnjë përparim konkret nga ana e kryeministrit apo nga ajo vetë, duke shtuar se procesi është ende në fazën e bisedimeve.

    Balje tha se kërkesat e boshnjakëve janë të qarta, por ende nuk janë vendosur detaje të tjera.

    “Nuk pati asgjë konkrete nga të dyja palët, ne jemi në fazën e diskutimeve. Nuk kemi caktuar një takim të dytë, por jemi të angazhuar si pjesë e Kuvendit dhe kemi të drejtë të diskutojmë me çdo parti”, u shpreh ajo.

    Sipas Baljes, diskutimet do të vazhdojnë gjatë periudhës së ardhshme, ndërsa rezultatet do të varen nga zhvillimet e bisedimeve që priten në 15 ditët e ardhshme.

  • Tarifat e ShBA-së nxisin reagime në botë

    Tarifat e ShBA-së nxisin reagime në botë

    Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të vendosur tarifa reciproke ndaj të gjitha vendeve, ka nxitur reagime në mbarë botën, teksa shtetet kanë shprehur frikën për rritjen e çmimeve, teksa disa vende kanë paralajmëruar për kundërmasa.

    SHBA-ja vendosi një tarifë bazë prej 10 për qind për importet ndaj të gjitha vendeve të botës, përfshirë nga Kosova, si dhe tarifa më të larta për dhjetëra vende që kanë suficit tregtar me SHBA-në.

    Bashkimi Evropian reagoi ndaj vendimit të Trumpit, duke thënë se është i gatshëm të përgjigjet ndaj tarifave të reja amerikane.

    Por, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i bëri thirrje presidentit amerikan që t’i adresojë shqetësimet e tij përmes dialogut.

    “Më vjen keq për këtë zgjedhje”, tha von der Leyen. “Duket se nuk ka asnjë rregull në këtë kaos. Asnjë rrugë e qartë përmes kompleksitetit dhe kaosit që po krijohet, teksa të gjithë partnerët tregtarë të SHBA-së po goditen”.

    Ajo shtoi se BE-ja është “e gatshme të përgjigjet”.

    “Ne tani po përgatitemi për kundërmasa të mëtejme për të mbrojtur interesat tona dhe bizneset tona nëse negociatat dështojnë”, tha ajo.

    BE-ja u godit me 20 për qind tarifa nga SHBA-ja. Paraprakisht, Trump kishte vendosur tarifa ndaj importeve të çelikut dhe aluminit të BE-së, por edhe automjeteve dhe pjesëve për automjete.

    Blloku, megjithatë, ka kërkuar që të zgjidhë shqetësimet tregtare të Trumpit përmes dialogut dhe von der Leyen sërish më 3 prill e la të hapur derën e dialogut.

    “Ka një rrugë alternative. Nuk është vonë për të adresuar këto shqetësime përmes negociatave”, tha ajo.

    Sipas zyrtares së lartë evropiane, tarifat e reja do të prekin konsumatorët në mbarë botën.

    “Do të ndihet menjëherë. Miliona qytetarë do të përballen me çmime më të larta të produkteve ushqimore. Ilaçet do të kushtojnë më shumë, sikurse edhe transporti. Inflacioni do të rritet”, paralajmëroi ajo.

    Për shkak të vendimit të Trumpit, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të takohet të enjten me përfaqësuesit e sektorëve francezë “të prekur nga tarifat” amerikane, bëri të ditur Pallati Elize.

    Tarifat kanë prekur edhe Mbretërinë e Bashkuar, aleatin e Uashingtonit. Londra tha se shpreson që të arrijë një marrëveshje tregtare me Uashingtonin. Por, sekretari për biznes i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Reynolds, paralajmëroi shteti i tij ka “një sërë mjetesh në dispozicion dhe ne nuk do të hezitojmë të veprojmë”.

    Italia, ndërkaq, kritikoi vendimin amerikan për tarifa, duke i kërkuar BE-së që të arrijnë një marrëveshje, pasi tha se një luftë tregtare “do ta dobësonte Perëndimin”.

    “Vendosja e tarifave nga SHBA-ja ndaj BE-së është një masë që unë e vlerësoj të gabuar dhe nuk është në interesin e asnjërës palë”, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

    Shoqata gjermane e Industrisë së Automobilave, po ashtu ka kritikuar tarifat duke thënë se do të krijojnë “vetëm humbje”. Ndërkaq, industria gjermane e kimikateve, që e ka SHBA-në tregun më të madh të eksporteve, kërkoi qetësi, duke theksuar se “një përshkallëzim vetëm se do të përkeqësonte dëmin”.

    Kina po ashtu u zotua për “kundërshtim të fuqishëm” të tarifave amerikane ndaj eksporteve të saj dhe tha se do të ndërmarrë “kundërmasa për të ruajtur të drejtat dhe interesat tona”.

    Ministria kineze e Tregtisë tha se tarifat e reja amerikane “nuk janë në përputhje me rregullat ndërkombëtare të tregtisë dhe seriozisht dëmtojnë të drejtat legjitime dhe interesat e palëve të rëndësishme”.

    Pekini, që u godit me një tarifë prej 34 për qind, i bëri thirrje Uashingtonit “të shfuqizojë menjëherë” vendimin për tarifat, duke paralajmëruar se ato “vënë në rrezik zhvillimin ekonomik global” dhe dëmtojnë interesat amerikane dhe zinxhirët ndërkombëtar të furnizimeve.

    Kanadaja, shtet fqinj i SHBA-së, tha se tarifat amerikane do të “ndryshojnë krejtësisht sistemin tregtar botëror”.

    “Ne do t’iu kundërvihemi këtyre tarifave me kundërmasa. Ne do të mbrojmë punëtorët tanë”, tha kryeministri Mark Carney, i cili edhe më herët është zotuar se do t’i përgjigjet SHBA-së ndaj tarifave të mëhershme nga Uashingtoni.

    Japonia, ndërkaq, tha se vendimi i Trumpit “është për keqardhje”, duke shtuar se tarifat e reja mund të zhbëjnë marrëveshjen tregtare që kanë dy shtetet.

    Firmat japoneze janë investitorët më të mëdhenj në SHBA, por Tokio ka dështuar që të përjashtohet nga vendimi i Trumpit për tarifa, teksa Japonia u godit me 24 për qind tarifë.

    “E kam përcjell mesazhin se tarifat e vendosura nga SHBA-ja janë për keqardhje, dhe sërish i bëj thirrje Uashingtonit që të mos i aplikojë këto masa ndaj Japonisë”, tha ministri për Tregti dhe Industri i Japonisë, Yoji Muto.

    Ai shtoi se ka folur me sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, para se Trump të vendoste tarifa ndaj shteteve, përfshirë edhe ndaj shtetit aleat, Japonisë.

    Ministri japonez tha se i ka shpjeguar Lutnickut se si tarifat amerikane do të ndikojnë në ekonominë e SHBA-së “duke minuar kapacitetin e kompanive japoneze për të investuar”. Ndërkaq, një zëdhënës i Qeverisë japoneze tha se masat e SHBA-së mund të mos jenë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.

    Tajvani, ndërkaq, i ka cilësuar si “të paarsyeshme” tarifat e SHBA-së, duke thënë se Qeveria në Taipei synon që të zhvillojë negociata me Uashingtonin.

    Ishulli vetëqeverisës i Tajvanit, përveç me tarifën bazë, është goditur me 32 për qind tarifë.

    Çipat gjysmëpërçues, sektor ku Tajvani donimon dhe që kanë qenë burim tensionesh mes Uashingtonit dhe Taipeit, janë përjashtuar nga tarifat. Megjithatë, analistët kanë paralajmëruar se tarifat ndaj komponentëve të tjerë do të kenë ndikim edhe në industrinë e çipave.

    Tajvani më 2024 kishte suficit tregtar me SHBA-në në vlerë prej 73.9 miliardë dollarësh, duke e bërë atë vendin e shtatë me suficitin më të lartë tregtar.

    Për t’u mbrojtur nga ndikimi i tarifave amerikane, Tajlanda, ndërkaq tha se ka “një plan të fuqishëm”, por nga Qeveria tajlandeze thanë se shpresojnë që të negociojnë me Uashingtonin për uljen e tarifave.

    Shtetet në Azinë Juglindore kanë nivel të lartë të suficitit tregtar me SHBA-në dhe janë goditur me tarifa të larta nga Uashingtoni.

    Më 2 prill, presidenti amerikan, Donald Trump, shpalli emergjencë ekonomike kombëtare për t’i zbatuar tarifat, të cilat pritet të prodhojnë qindra miliarda dollarë të ardhura vjetore.

    Ai ka premtuar se vendet e punës në fabrika do të kthehen në SHBA si rrjedhojë e këtyre tarifave, por politikat e tij rrezikojnë ngadalësim të papritur ekonomik pasi konsumatorët dhe bizneset mund të përballen me rritje të mëdha të çmimeve për automjetet, rrobat dhe mallra të tjera./REL

  • Arti shqiptar në zi: Vdes në moshën 91 vjeçare artistja e madhe Margarita Xhepa, dje festoi ditëlindjen

    Arti shqiptar në zi: Vdes në moshën 91 vjeçare artistja e madhe Margarita Xhepa, dje festoi ditëlindjen

    Margarita Xhepa, një nga figurat më të shquara të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare.

    Lajmi i trishtë vjen një ditë pas ditëlindjes së saj, pasi më 2 prill ajo kishte ditëlindjen, të cilën kësaj here e priti e sëmurë në një spital privat edhe ku ndërroi edhe jetë.

    Gjatë karrierës së saj të shquar, Xhepa ka interpretuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi, duke lënë një trashëgimi të pasur dhe të paharrueshme për artin shqiptar.

    Ajo është konsideruar një nga “Zonjat e Mëdha” të teatrit dhe filmit shqiptar, e cila ka shkëlqyer që nga vitet ’60 e tutje.

    Nëpërmjet interpretimit të roleve të paharrueshme, Margarita Xhepa ka lënë një shenjë të thellë në kinematografinë shqiptare.

    Disa nga rolet më të njohura të saj përfshijnë Zyrakën në “Vitet e para” (1965), Shanon në “Dimri i fundit” (1976), pianistën në “Koncert në vitin 1936” (1978), dhe Lenën në “Tokë e përgjakur” (1976).

    Ajo ka interpretuar gjithashtu edhe role të mëdha në dramaturgjinë botërore, si Ofelia në “Hamleti”, vajza e dytë në “Mbreti Lir”, dadoja në “Romeo e Zhuljeta”, dhe mbretëresha Margaret në “Rikardi III”.

    Margarita Xhepa është nderuar me çmime të shumta gjatë karrierës së saj, përfshirë “Çmimin e Karrierës” në vitin 2007, për rolin e saj në monodramën “Kënga e mjellmës”.

    Po ashtu, ajo ka marrë titullin e nderuar “Artiste e Popullit” për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në art.

    Ikona e teatrit dhe kinematografisë shqiptare do të kujtohet gjithmonë për angazhimin e saj të palodhur dhe pasionin e jashtëzakonshëm për artin.

  • IHMK-ja paralajmëron rrezik nga vërshimet në disa pjesë të Kosovës

    IHMK-ja paralajmëron rrezik nga vërshimet në disa pjesë të Kosovës

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se reshjet e shiut që kanë rënë ditët e fundit kanë shkaktuar rritje të niveleve të lumenjve, duke rritur rrezikun e vërshimeve në disa zona të vendit.

    Zonat më të rrezikuara, sipas IHMK-së janë disa vendbanime në Hani i Elezit, Kaçanik, Dragash, Pejë, Deçan dhe pellgu i Moravës së Binçës.

    “Duke pasur parasysh situatën e përgjithshme meteorologjike, sidomos ditëve të fundit, e përcjellë me reshje shiu, të cilat në disa zona të vendit kanë qenë me intensitet nga i ulët deri mesatar dhe me kohëzgjatje relativisht të gjatë, kanë shkaktuar ngritje të niveleve nëpër disa lumenj, sidomos atyre me karakter malor.

    Kështu situata më e rënduar është në pellgun e Lepencit, Morava e Binçës, Bistrica e Pejës, Bistrica e Prizrenit, Bistrica e Deçanit, ku nivelet aktualisht janë në ngritje të cilat mund të shkaktojnë vërshime gjegjësisht përmbytje”, thuhet në njoftim.

    IHMK ka paralajmëruar se në disa pjesë të vendit reshjet mund të jenë me intensitet mesatar deri të lartë, duke shkaktuar vërshime të shpejta.

    “Kërkohet vëmendje e shtuar, sidomos në zonat/komunat e lartcekura. Edhe gjatë ditëve në vijim pritet të ketë reshje shiu, në disa pjesë të vendit me intensitet nga mesatar deri të lartë, të cilat mund të krijojnë vërshime të shpejta”, thuhet në njoftim.

  • Detaje të reja për vrasjen e rreshterit Lika: Të dyshuarit u larguan nga vendi i ngjarjes në këmbë

    Detaje të reja për vrasjen e rreshterit Lika: Të dyshuarit u larguan nga vendi i ngjarjes në këmbë

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.

    Sipas tij, dy të dyshuarit janë larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes dhe deri më tani nuk ka informacione që viktima kishte pasur ndonjë problem me dikë.

    Në një konferencë për media, Çerkini ka thënë se bazuar në provat e mbledhura, autorët e dyshuar janë parë duke u larguar nga banesa ku ndodhi vrasja.

    “Nga ajo që shihet deri më tani, ata kanë ikur në këmbë. Nuk kemi të dhëna që kanë shfrytëzuar ndonjë veturë apo ndonjë mjet tjetër për t’u larguar nga vendi i ngjarjes”, tha ai.

    Sa i përket mundësisë që rreshteri Lika mund të ketë pasur ndonjë konflikt, kryeprokurori ka theksuar se nuk ka asnjë informacion që ai kishte pasur probleme, as në aspektin profesional e as atë personal.

    “Rreshteri Muhamed Lika njihej si një person tejet profesional dhe nuk kemi asnjë indikacion, qoftë më të voglin, që gjatë punës ai ka pasur ndonjë problem me ndokënd, qoftë për shkak të procedurave policore apo ndonjë çështje personale që do të na ndihmonte të zbardhim motivin e kësaj vrasjeje”, shtoi Çerkini.

    Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërsa organet e drejtësisë janë ende në përpjekje për të kuptuar motivin që qëndron pas kësaj vrasjeje të rëndë, raporton Gazeta Sinjali.

  • “Ishte një shok për neve, sepse s’kishim informacion” – Nëna flet për sfidat e të qenit prind i fëmijës me autizëm

    “Ishte një shok për neve, sepse s’kishim informacion” – Nëna flet për sfidat e të qenit prind i fëmijës me autizëm

    Me rastin e shënimit të 2 Prillit, Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizëm, e ftuar në emisionin ‘Alarm’ në ATV ishte Valbona Shala- Thaçi, e cila foli për përgjegjësitë dhe sfidat e të qenit prind i fëmijës me autizëm.

    Ajo tha se fëmija i saj ishte rreth 3-vjeç kur kuptuan se i përket skeptrit autik dhe se për shkak të mungesës së informacionit të saktë, ajo e kishte të vështirë ta pranonte.

    Tutje, ajo tha se mbështetja dhe përkujdesi për këta fëmijë duhet të jetë maksimal si nga ana prindërore, ashtu edhe nga ajo institucionale.

    “Nuk kishim informacion të zgjeruar për autizmin dhe fëmija im ishte rreth 3-vjeç kur është diagnostikua me autizëm. Fillimisht ishte një shok për neve, diçka jo e pritshme dhe e papranueshme për neve si prindër, por me kalimin e kohës e kemi pranuar dhe dua të them se pjesa e akceptimit të kësaj, është pjesa më e rëndësishme për një familje ose për vetë prindërit, pra pranimi i fëmijës me autizëm ashtu siç, e pastaj është pjesa kur duhesh ta përkrahësh. Fatkeqësisht në Kosovë nuk kemi një vetëdijesim të përgjithshëm për autizmin dhe po ashtu nuk kemi mjaftueshëm përkrahje institucionale, andaj edhe konsideroj se duhet të mbështetemi maksimalisht”, deklaroi ajo.

    Për të ndjekur intervistën e saj të plotë, klikoni në videon e mëposhtme:

  • Çfarë është sindroma e Kasandrës? Si ta identifikoni e ta kapërceni atë?

    Çfarë është sindroma e Kasandrës? Si ta identifikoni e ta kapërceni atë?

    Sindroma e Kasandrës është një term i përdorur për të përshkruar një situatë ku një person, shpesh një grua, i cili parashikon diçka të keqe ose i tregon të tjerëve për rreziqe të mundshme, nuk merret seriozisht dhe mendimet e tij/sa injorohen, edhe pse më vonë, ajo që ai/ajo parashikoi ndodh. Kjo çon në një ndjenjë të izoluar dhe shpesh të pasvlerësuar, pasi personi që kishte paralajmëruar nuk merr mbështetje dhe shpesh është akuzuar për të qenë “pessimist” ose “panikues”.

    Ky term rrjedh nga miti i Kasandrës në mitologjinë greke, ku ajo ishte një princë e Trojës që u mallkua nga Apolloni. Ajo ishte në gjendje të parashikonte të ardhmen, por për shkak të një mallkimi, askush nuk e besonte atë, pavarësisht se parashikimet e saj ishin të sakta.
    Njësoj si çdo sindromë tjetër, sindroma e Kasandrës ka një sërë simptomash nëpërmjet të cilave mund të manifestohet dhe, për rrjedhojë, të njihet.

    Gjithashtu ky grup karakteristikash ose simptomash mund të shkaktojë njëfarë shqetësimi tek personi që e përjeton, por nuk konsiderohet një çrregullim klinik në vetvete. Ndër manifestimet më të zakonshme përfshihen:

    Një nga tiparet kryesore të personave me sindromën e Kasandrës është frika, ndjenja e vazhdueshme e alarmit, duke parashikuar se diçka e keqe ose negative do të ndodhë. Kjo frikë parashikuese mund të ketë dy shkaqe kryesore: e para, është vetëdija për aspektet negative që perceptojnë rreth tyre, dhe e dyta, është frika se nuk do të kuptohen ose frika nga mungesa e besueshmërisë tek të tjerët.

    Gjendja e dobët emocionale. Mos të ndierit e dëgjuar apo e kuptuar nga të tjerët bën që ata që vuajnë nga kjo sindromë të kenë një humor të ulët dhe një ndjenjë të thellë trishtimi. Kjo gjendje zakonisht shkaktohet nga ndjenja e moskuptimit dhe zhgënjimit që lind nga fakti që intuita e tyre nuk merret në konsideratë.

  • “Prind nuk është ai që të lindë, por ai që të rritë” – Zana Islami me rrëfim prekës për historinë e saj si vajzë e adoptuar

    “Prind nuk është ai që të lindë, por ai që të rritë” – Zana Islami me rrëfim prekës për historinë e saj si vajzë e adoptuar

    Prind nuk është ai që të lindë, por ai që të rritë. Kështu thotë një vajzë 19-vjeçare nga Mitrovica, e cila ka gjetur forcën të ndajë rrëfimin e saj si një vajzë e adoptuar.
    Zana Islami e ftuar në emisionin ‘Studio A’ në ATV, ka folur gjerë e gjatë për jetën e saj.

    Ajo rrëfeu për historinë e saj si vajzë e adoptuar, si dhe dëshirën e kërkesën e saj që të takojë prindërit biologjik.

    Përveç kësaj, ajo për moshën që ka është e përfshirë në disa fusha të cilat i ka pasion, më në veçanti si pjesë e një nga serialet tona vendore si aktore.

    ‘Isha 14- vjeçe kur kuptova të vërtetën se isha e adoptuar, në ato momente isha konfuze sepse dashuria e madhe e e sinqertë, përkushtimi i saj dhe babit ndaj meje ishin bekim për mua për të qenë pjesë e asaj familje dhe për atë arsye pata ndjenja të miksuara dhe pas kësaj isha e interesuar të kuptoja të vërtetën, se kush ishin prindërit e mi biologjik dhe cila ishte arsyeja se pse isha braktisur, dhe i vetmi informacion që kemi ishte emri i nënës sime biologjik… Unë tash e 3 vite e kërkoj një takim me nënën time biologjike sepse tashmë e di se kush është por akoma nuk ka pranuar që të më takoj dhe s’dua që ta paragjykojë atë sepse tashmë ajo ka krijuar familje, ka fëmijë të tjerë por përveç kësaj nga ajo dua të dijë se kush është babai im”, tha ajo.

    Për të kuptuar më shumë rreth historisë së saj, klikoni në videon e mëposhtme: