ATV

Author: G.O.

  • Maqedonci: Serbia e ka obligim ndërkombëtar t’i dorëzojë terroristët në Kosovë, rreziku për destabilizim ekziston

    Maqedonci: Serbia e ka obligim ndërkombëtar t’i dorëzojë terroristët në Kosovë, rreziku për destabilizim ekziston

    Ministri në detyrë, Ejup Maqedonci, ka theksuar se grupi terrorist përgjegjës për sulmin në Banjskë në shtatorin e vitit 2023, që kishte për qëllim aneksimin e një pjese të Kosovës, vazhdon të mbetet i lirë dhe i mbështetur nga Serbia, duke paraqitur një rrezik të madh për stabilitetin e Kosovës.

    Në një intervistë për RTK, Maqedonci theksoi se është e papranueshme që ky grup terrorist të jetë ende i lirë dhe të mbështetet nga struktura të sigurisë serbe.

    “Ky grup terrorist po vazhdon të jetë i mbrojtur dhe i mbështetur nga strukturat e sigurisë në Serbi, shpesh duke u vendosur jo larg kufirit me Kosovën, dhe ka lidhje të vazhdueshme me individë dhe grupe në veri të vendit tonë. Ky është një rrezik i vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore,” tha Maqedonci.

    Maqedonci gjithashtu theksoi se Serbia ka një obligim ndërkombëtar që t’i dorëzojë terroristët në Kosovë, ku është kryer krimi.

    Ai theksoi se përpjekjet e Serbisë për të vazhduar politikën hegjemoniste ndaj Kosovës, duke mohuar ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe duke kontribuar në destabilizimin e rajonit, janë të papranueshme.

    “Përmes luftës hibride dhe mbështetjes për grupe të armatosura, Serbia po kontribuon në destabilizimin e Kosovës dhe të shteteve të tjera fqinje. Ky është një veprim i vazhdueshëm që po minon sigurinë dhe stabilitetin në rajon,” përfundoi Maqedonci.

  • Sot protestohet kundër dhunës dhe vrasjeve në Kosovë

    Sot protestohet kundër dhunës dhe vrasjeve në Kosovë

    Rritja e rasteve të dhunshme dhe mungesa e sigurisë po shqetësojnë gjithnjë e më shumë opinionin publik në Kosovë. Pas vrasjeve të fundit, përfshirë edhe atë të një zyrtari policor në Kaçanik, qytetarët janë duke u mobilizuar për të kërkuar ndryshim.

    Shoqata “Roja e Kohës” ka njoftuar se do të organizojë një protestë paqësore sot, e cila do të fillojë në ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me marshim drejt sheshit “Skënderbeu”.

    Pritet që në këtë tubim të marrin pjesë qytetarë nga e gjithë Kosova, organizata të shoqërisë civile, sindikata, aktivistë dhe të rinj, të cilët do të kërkojnë veprime konkrete për përmirësimin e sigurisë dhe uljen e dhunës në vend.

    Sipas organizatorëve, protesta mbahet si reagim ndaj ngjarjeve të fundit që kanë tronditur vendin dhe kanë vënë në pikëpyetje sigurinë publike në Kosovë.

    “Ftojmë të gjitha mediat që të jenë të pranishme dhe të përcjellin këtë protestë qytetare, të organizuar në mënyrë të qetë dhe demokratike, në mbështetje të kërkesave për: Rritje të sigurisë publike, ashpërsim të ligjeve për armë, investime në shëndetin mendor dhe masa konkrete institucionale për parandalimin e dhunës”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

  • Gjykata shkarkon presidentin e Koresë së Jugut

    Gjykata shkarkon presidentin e Koresë së Jugut

    Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut në mënyrë unanime mbajti në fuqi vendimin për shkarkimin e presidentit Yoon Suk Yeol për shkak të shpalljes së gjendjes së luftës, duke e larguar atë nga posti dhe duke i hapur rrugë mbajtjeve të zgjedhjeve të reja pas muajsh të trazirave politike.

    Yoon, 64 vjeç, u shkarkua nga ligjvënësit për përpjekjen e tij më 3 dhjetor të vitit të kaluar për të përmbysur sundimin civil, duke dislokuar ushtarë të armatosur në parlament. Ndërkaq, në një çështje të ndarë penale, ai po ashtu është arrestuar nën akuza për kryengritje.

    Miliona qytetarë në Korenë e Jugut shikuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese që u transmetua drejtpërdrejt nga mediat.

    “Duke pasur parasysh ndikimin negativ dhe pasojat e mëdha të shkeljeve kushtetuese nga ana e të paditurit… Ne e shkarkojmë presidentin Yoon Suk Yeol”, tha ushtruesi i detyrës të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Moon Hyung-bae, teksa lexoi vendimin.

    Pas vendimit, Yoon kërkoi falje.

    “Vërtet më vjen keq që nuk munda të përmbush pritjet tuaja”, tha ai përmes një deklarate të shkurtër të publikuar pas vendimit të gjykatës.

    Gjykata e argumentoi vendimin e saj, duke thënë se me veprimet e tij, Yoon “shkeli parimet themelore të sundimit të ligjit dhe qeverisjes demokratike”.

    Duke dërguar ushtarë në parlament në përpjekje për të ndaluar ligjvënësit që të hedhin poshtë dekretin e tij për shpalljen e gjendjes së luftës, ai “shkeli neutralitetin politik të forcave të armatosura”. Gjykatësit thanë se Yoon i dërgoi ushtarët në parlament “për qëllime politike”.

    “Në fund, veprimet e paligjshme dhe jokushtetuese të tij janë tradhti ndaj besimit të popullit dhe përbëjnë shkelje serioze të ligjit që nuk mund të tolerohet”, u tha në vendim, raporton REL.

    Ligjvënësit opozitarë e mirëpritën vendimin, duke e cilësuar si “historik”.

    Yoon është presidenti i dytë koreanojugor që gjykata largon nga pushteti, pasi Park Geun-hye ishte shkarkuar më 2017.

    Të premten, policia rriti praninë në Korenë e Jugut, për shkak se para gjykatës u mblodhën një numër i protestuesve kundër Yoonit.

    Yoon, i cili ka mbrojtur vendimin e tij për të përmbysur sundimin civil duke argumentuar se ishte i nevojshëm për të çrrënjosur “forcat antishtetërore”, ende ka mbështetës të flaktë.

    Jashtë shtëpisë së Yoonit u mblodhën mbështetësit e tij që shpërthyen në lot kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese u lexua.

    Vendimi i dhjetorit i Yoonit shkaktoi trazira politike në Korenë e Jugut, duke nxitur një valë protestash. Të paktën dy persona, mbështetës të tij, kanë vdekur gjatë protestave këtë vit.

    Yoon po ashtu përballet me një gjykim tjetër penal lidhur me akuza për kryengritje që janë të lidhura me përpjekjet e tij për shpalljen e gjendjes së luftës.

    Largimi i Yoonit nga posti i presidentit, që hyn në fuqi menjëherë, i hap rrugë zgjedhjeve të reja presidenciale, të cilat duhet të mbahen brenda 60 ditësh. Autoritetet thanë se në ditët në vijim do të njoftojnë për datën e zgjedhjeve të reja.

    Deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, Han Duck-soo do të vazhdojë të mbajë postin e ushtruesit së detyrës rë presidentit.

  • ZRrE-ja sot nis takimet bilaterale për tarifat e energjisë

    ZRrE-ja sot nis takimet bilaterale për tarifat e energjisë

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se nga sot e deri më 10 prill do të zhvillojë takime bilaterale me të gjitha palët e interesit që kanë dorëzuar komente në kuadër të procesit konsultativ për tarifat e energjisë elektrike, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në njoftimin zyrtar thuhet se në secilin takim do të marrë pjesë nga një përfaqësues i palëve që kanë ofruar komente me ftesë të ZRRE-së.

    Përmbyllja e këtij procesi pritet të bëhet më 11 prill, kur ZRRE do të japë edhe përgjigjet zyrtare ndaj komenteve të pranuara.

    Deri më tani, komente kanë dorëzuar 396 qytetarë, tetë organizata të shoqërisë civile, katër biznese, katër operatorë të sektorit energjetik, një deputet i Kuvendit të Kosovës, Ministria e Ekonomisë dhe Zyra e Presidentes.

    Pikërisht Zyra e Presidentes së Kosovës ka qenë ndër kundërshtuesit më të zëshëm të propozimit për rritjen e tarifës së energjisë elektrike për 15 për qind.

    Në komentet e dërguara në ditën e fundit të afatit, Presidenca ka propozuar edhe largimin e TVSH-së prej 8 për qind nga faturat e energjisë, si mënyrë për të zbutur barrën financiare për qytetarët.

  • Rubio në Bruksel: Duam që NATO-ja të jetë më e fortë

    Rubio në Bruksel: Duam që NATO-ja të jetë më e fortë

    Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, udhëtoi të enjten drejt Brukselit për Samitin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, mes shqetësimeve të mëdha për qasjen e administratës Trump ndaj Evropës, përfshirë luftën në Ukrainë, marrëdhëniet me Rusinë dhe luftën tregtare në rritje të Presidentit Trump me kontinentin.

    Vizita e Rubio në selinë e aleancës vjen në një kohë kur marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës janë përkeqësuar ndjeshëm, duke kaluar nga bashkëpunimi i ngushtë gjatë epokës së Biden-it në mosbesim dhe përçarje nën administratën e Trump-it.

    Megjithatë, zyrtarët e NATO-s mund ta mirëpresin mundësinë për të biseduar me Rubio, i cili konsiderohet nga shumë si anëtari më pro-NATO i ekipit të sigurisë kombëtare të Trump-it.

    “Ne duam që NATO të jetë më e fortë, ne duam që NATO të jetë më e dukshme dhe e vetmja mënyrë që NATO-ja mund të bëhet më e fortë, më e dukshme është nëse partnerët tanë, shtetet kombëtare që përbëjnë këtë aleancë të rëndësishme, kanë më shumë aftësi”, ka thënë Rubio shkruajnë mediat ndërkombëtare, përcjell KosovaPress.

    Kjo u bë e qartë për zyrtarët evropianë nga një bisedë midis zyrtarëve të lartë të administratës Trump muajin e kaluar në aplikacionin Signal, e cila pa dashje përfshinte një gazetar, Jeffrey Goldberg nga revista The Atlantic. Gjatë bisedës me tekst, rreth një plani të SHBA për të bombarduar militantët Houthi në Jemen, nënpresidenti JD Vance u ankua se Amerika do të duhej “përsëri” të “shpëtonte” Evropën duke ndërmarrë veprime të njëanshme për të mbrojtur rrugët ndërkombëtare të transportit detar që janë sulmuar nga Houthit.

    Vetë Donald Trump ka paralajmëruar se mund të mos vijë në mbrojtje të vendeve të NATO-s që ai mendon se nuk po shpenzojnë mjaftueshëm për ushtrinë e tyre, pavarësisht angazhimit të aleancës për mbrojtje të ndërsjellë. “Nëse nuk paguajnë, unë nuk do t’i mbroj”, u tha presidenti gazetarëve muajin e kaluar.

    Një tjetër pikë tensioni është vendosmëria e Trump për të blerë ishullin e Grenlandës, i cili është një territor autonom i Danimarkës, një vend anëtar i NATO-s. Ai ka tronditur zyrtarët nga Danimarka dhe vende të tjera të NATO-s duke mos përjashtuar mundësinë e marrjes së Grenlandës me forcë, edhe pse JD Vance tha gjatë një vizite të fundit në ishull se veprimi ushtarak nuk ishte në shqyrtim.

  • ​Zhvillimet në Kosovë, Orav takohet me Kurtin

    ​Zhvillimet në Kosovë, Orav takohet me Kurtin

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është takuar sot me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

    Orav ka shkruar në rrjetin social X se ka diskutuar rreth zhvillimeve në Kosovë, Bashkimin Evropian dhe në botë.

    “Një këmbim i mirë me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, rreth zhvillimeve në Kosovë, BE dhe në botë”, ka shkruar ai.

  • Aplikacioni “Waze” që po shpëton vozitësit nga gjobat, disa qytetarë nuk janë pro përdorimit të tij

    Aplikacioni “Waze” që po shpëton vozitësit nga gjobat, disa qytetarë nuk janë pro përdorimit të tij

    Një aplikacion i ri që identifikon vendndodhjen e patrullave policore në kohë reale, po përdoret në masë të madhe nga qytetarët.

    E pikërisht mbi përdorimin e këtij aplikacioni nga qytetarët e Kosovës, gazetarja e ATV-së ka marr mendimet e tyre.

    Disa qytetarë janë shprehur se nuk janë pro përdorimit të këtij aplikacioni, derisa thonë se përdorimi i tij nga shumica po përdoret për t’iu shmangur gjobave në trafik.

    Për të kuptuar përgjigjet e tyre, klikoni në videon e mëposhtme:

  • “Janë munu me ma bo bajat, pse ti çikë me u marr me sport”, 17-vjeçarja thyen rekord me 4,57metra tek kërcimet për së larti

    “Janë munu me ma bo bajat, pse ti çikë me u marr me sport”, 17-vjeçarja thyen rekord me 4,57metra tek kërcimet për së larti

    E njohur për pasionin e përkushtimin e saj në sport, Enilda Zeqiri, një atlete 17-vjeçe, në një intervistë për ATV-në flet për rrugëtimin e saj në këtë sport.

    Ajo tregoi se ka arritur të shënojë rezultate të shkëlqyeshme në garat e atletikes, duke treguar aftësitë e saj në disiplina të ndryshme.

    Enilda tha se fillimisht ishte paragjykuar, gjersa shtoi se tashmë ka arritur të thyej rekord me 4,57metra, tek kërcimet për së larti.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

     

     

     

  • (VIDEO) Momenti kur kryeministri australian rrëzohet nga skena derisa po fotografohej

    (VIDEO) Momenti kur kryeministri australian rrëzohet nga skena derisa po fotografohej

    Kryeministri australian Anthony Albanese po përpiqej të pozonte për një foto pasi iu dha një çmim për arritje të jetës në një konferencë të Unionit të Minierave dhe Energjisë në Lovedale, në Luginën Hunter të enjten pasdite, kur u rrëzua në pjesën e pasme të një skene një metër të lartë.

    Ai u ngrit në këmbë me ndihmën e tre personave – por jo përpara se rrëshqitja të mund të kapej nga mediat në pritje, përcjell Insajderi.

    Udhëheqësi laburist ishte i gjithë buzëqeshur sapo u kthye në skenë, duke ngritur të dyja duart për t’i sinjalizuar audiencës brohoritëse për të treguar se ai ishte në rregull. Për fat të mirë nuk kishte pësuar lëndime.

    Në një intervistë të mëvonshme me ABC Newcastle, Albanese u përpoq të pretendonte se në fakt nuk kishte rënë nga skena.

    ‘Unë u tërhoqa një hap prapa. Nuk rashë nga skena”, tha ai.

    Gazetari i tha se dukej sikur kishte rënë.

    “Vetëm një këmbë përfundoi poshtë”, shtoi kryeministri australian.

  • Pse janë unike shenjat e gishtave?

    Pse janë unike shenjat e gishtave?

    Shenjat e gishtave janë karakteristika unike të çdo individi, të formuara gjatë zhvillimit fetal. Këto gjurmë specifike krijohen rreth javës së 10të të shtatzënisë, duke u finalizuar plotësisht deri në javën e 17-të.

    Ky proces zhvillohet në mitër, para lindjes së fëmijës, dhe ato janë të përhershme gjatë gjithë jetës, duke mbetur të pandryshueshme. Funksioni i shenjave të gishtave tejkalon vetëm identifikimin personal, ato luajnë një rol kyç në shqisën tonë prekëse. Hulumtimet kanë treguar se majat e gishtave rrisin ndjeshmërinë tonë ndaj stimujve të jashtëm.

    Sipas një studimi të botuar në “Journal of Neuroscience”, gjurmët e gishtave kanë fusha receptive të akorduara mirë që ndihmojnë në shpjegimin e ndjeshmërisë dhe prekjes njerëzore, duke e bërë këtë sistem shumë të zhvilluar dhe të ndjeshëm ndaj detajeve të vogla.

    Një aspekt interesant është se disa individë lindin pa gjurmë gishtash, një gjendje e njohur si adermatoglifia. Ky çrregullim gjenetik është jashtëzakonisht i rrallë dhe shkakton dështimin e formacioneve të shenjave të gishtave para lindjes.

    Megjithatë, edhe këta individë janë të aftë të funksionojnë normalisht në jetën e përditshme, megjithëse i mungon ky tipar unikal që përdoret për identifikim.

    Përveç kësaj, gjurmët e gishtave kanë ngjashmëri të theksuara me ato të disa kafshëve. Majmunët dhe koalat kanë gjurmë gishtash që funksionojnë njësoj si tek njerëzit dhe shkenca ka vërtetuar me fakte se këto kafshë kanë ngjashmëri të forta me njeriun. Për shembull, studimet kanë treguar se majmunët si chimpanzetë dhe gorillat kanë gjurmë gishtash të formuara në mënyra që mund të krahasohen me ato të njerëzve, duke treguar një zhvillim të përbashkët evolutiv dhe një rol të ngjashëm të këtyre strukturave biologjike.

    Nëpërmjet këtyre karakteristikave, shenjat e gishtave janë përdorur që nga lashtësia për të identifikuar individët dhe për të ndihmuar në proceset e hetimit dhe të sigurimit të rendit.

    Gjurmët e gishtave janë gjithashtu të rëndësishme në identifikimin e veprimeve kriminale, pasi ato përdoren për të ndihmuar në zbardhjen e rasteve dhe identifikimin e personave të përfshirë në aktivitete të paligjshme. Teknologjitë moderne si skanimi dhe analizimi i shenjave të gishtave janë të fuqishme dhe mund të identifikojnë individët me një saktësi shumë të lartë. Sistemet e avancuara të identifikimit biometrik, për shembull, përdorin këtë metodë për të siguruar një nivel më të lartë sigurie dhe për të parandaluar falsifikimin e identiteteve.

    Gjithashtu, këto gjurmë janë përdorur edhe në disa aspekte të tjerë të jetës, siç është aplikimi i teknologjisë në sporte dhe ushtrime, ku shenja e gishtave mund të përdoret për të ndihmuar në analizën e performancave të sportistëve. Ky përdorim i shenjave të gishtave ka shkaktuar gjithashtu zhvillime të reja në fushat e biologjisë dhe teknikës për të kuptuar më mirë zhvillimin e trupit dhe proceset gjenetike që ndikojnë në këto struktura.

    Shenjat e gishtave përfaqësojnë një pjesë të thellë dhe të rëndësishme të identitetit njerëzor, dhe vazhdojnë të mbeten një fushë studimi e pasur dhe e rëndësishme për shkencën dhe teknologjinë.