ATV

Author: G.O.

  • Kurti takon ambasadorin suedez, diskutojnë për koalicionin pas zgjedhjeve dhe formimin e Qeverisë së re

    Kurti takon ambasadorin suedez, diskutojnë për koalicionin pas zgjedhjeve dhe formimin e Qeverisë së re

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, për një takim ku kanë diskutuar mbi mënyrat e thellimit dhe fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

    Gjatë bisedës, fokus i diskutimit ka qenë bashkëpunimi me Odën Ekonomike Nordike dhe mundësitë për tërheqjen e investimeve suedeze në Kosovë.

    Kryeministri Kurti theksoi potencialin që ofron vendi për investitorët e huaj dhe mundësitë që Kosova i ofron për zhvillimin e biznesit.

    Pjesë e diskutimeve ka qenë edhe aktualiteti politik në vend, ku kryeministri Kurti ka njoftuar ambasadorin Westerlund për fillimin e konsultimeve me partitë e komuniteteve joshumicë për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Në fund të takimit, Kurti ka falënderuar ambasadorin suedez për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës dhe për marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes dy vendeve.

  • Oda Ekonomike Amerikane kërkon që Kosova ta heqë tarifën për mallrat nga SHBA-ja

    Oda Ekonomike Amerikane kërkon që Kosova ta heqë tarifën për mallrat nga SHBA-ja

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të tërheqë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Kjo kërkesë vjen pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e një tarife bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

    Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se vendosja e tarifës nga SHBA-ja do të afektojë aftësinë e eksportuesve kosovarë dhe do të ulë përparësinë konkurruese të produkteve të Kosovës në tregun amerikan.

    “Po që se Kosova lëviz përpara në mënyrë të njëanshme me ndërmarrjen e një mase preferenciale tregtare, duke tërhequr në tërësi tarifën doganore për produktet amerikane, mund të shpresojmë që i njëjti hap do të pasohet dhe do të hiqet nga administrata amerikane”, tha Zeka për REL-in.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur Zyrën e kryeministrit të Kosovës dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se a do shqyrtohet kjo kërkesë dhe cilat janë mundësitë për tërheqjen e kësaj tarife, por nga këto institucione ende nuk kanë kthyer përgjigje.

    Ndërkaq, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka pritur me shqetësim vendimin e presidentit amerikan për vendosjen e tarifës bazë prej 10 për qind.

    “Ky vendim pritet ta godasë edhe më shumë eksportin, i cili nga Kosova drejt SHBA-së ka pasur ulje përgjatë muajve të fundit”, u tha në njoftimin për media të kësaj dhome.

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’iu dalë në ndihmë bizneseve që preken nga ky vendim.

    Organizatat ekonomike në Kosovë thonë se nga viti 2019 ka nisur rritja e eksporteve të përgjithshme të Kosovës në SHBA./REL

     

  • Koalicioni Vakat shprehu gatishmëri për bashkëpunim me Kurtin për formimin e qeverisë së re

    Koalicioni Vakat shprehu gatishmëri për bashkëpunim me Kurtin për formimin e qeverisë së re

    Koalicioni Vakat ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në procesin e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.

    Pas një takimi me Kurtin, përfaqësuesi i këtij koalicioni, Rasim Demiri, tha se bashkëpunimi me Vetëvendosjen ka ekzistuar edhe në të kaluarën dhe se një partneritet i tillë mund të vazhdojë edhe në qeverinë e ardhshme.

    “Më herët, edhe kur ka qenë Qeveria Kurti I edhe Qeveria Kurti II, ne kemi pasur bashkëpunim me kryeministrin. Shpresoj që edhe tash do të kemi bashkëpunim. Sot kemi pasur një takim të rëndësishëm, kemi biseduar shumë gjëra. Edhe kryeministri ka gatishmëri, edhe ne kemi gatishmëri për formimin e institucioneve dhe Qeverinë e Kosovës”, tha Demiri.

    Sipas tij, takimi u fokusua kryesisht në çështje që prekin komunitetin boshnjak, përfshirë themelimin e Komunës së Reçanit.

    Ai theksoi se për këtë çështje vendimmarrës duhet të jenë përfaqësuesit e komunitetit boshnjak dhe se ai vetë mund të jetë kandidat për kryetar të kësaj komune.

    “Më shumë sot bisedimet kanë qenë për më tutje për bashkëpunim. Kemi folur më shumë për disa gjëra që janë shumë të rëndësishme për komunitetin boshnjak. Për shembull, kur është në pyetje Komuna e Boshnjakëve. Ata që duhet të flasim për Komunën e Reçanit jemi ne dhe nëse do të bëhet komuna, unë jam ai që mund të jem edhe kandidat për kryetar për këtë komunë”, deklaroi Demiri.

  • Trump vendos tarifa për mallrat që hyjnë në ShBA, paralajmërohet rëndimi i ekonomisë së Kosovës

    Trump vendos tarifa për mallrat që hyjnë në ShBA, paralajmërohet rëndimi i ekonomisë së Kosovës

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar të mërkurën se SHBA-ja do të vendosë një tarifë bazë prej 10% për të gjitha importet nga vendet e botës, përfshirë këtu edhe Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

    Ky vendim pritet të ketë pasoja të mëdha për eksportet kosovare, duke pasur parasysh që vitet e fundit ka pasur një rënie të ndjeshme të tregtisë mes dy vendeve.

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vendimin e presidentit Trump, ku thuhet se ky vendim pritet të dëmtojë edhe më shumë sektorin e eksportit, i cili tashmë ka pësuar një ulje të dukshme.

    Dhoma e Tregtisë ka theksuar se ky është një problem që ka qenë parashikuar prej kohësh, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të përdorin kanalet diplomatike për të parandaluar këtë vendim.

    Ata kanë apeluar që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa të shpejta për të mbrojtur interesat e biznesve kosovare, të cilat mund të përballen me vështirësi të mëdha në rast se ky vendim mbetet në fuqi.

    Gjithashtu, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të ofrojë mbështetje për bizneset që do të preken nga kjo tarifë e re, duke u siguruar që ato të kenë mundësi të adaptohen dhe të minimizojnë ndikimet negative të kësaj situate.

    “Taksa e SHBA-ve ndaj Kosovës, do ta rëndoj edhe më shumë ekonominë tonë. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka pritur me shqetësim vendimin e presidentit amerikan Donald Trump që t’i vendos eksporteve nga Kosova taksën prej 10%.DhTIK, ka kohë që ka alarmuar për një vendim të tillë dhe ka kërkuar nga institucionet që të shfrytëzojnë kanalet diplomatike për të mos ndodhur ky vendim.

    Gjithashtu, DhTIK i bënë thirrje qeverisë që t’u dalë në ndihmë bizneseve që atakohen nga ky vendim sepse nga ky hap do të rrezikohen qindra vende të punës. Vendimi i marr nga administrata Trump, pritet ta godas edhe më shumë eksportin, i cili nga Kosova drejtë SHBA-ve ka pasur ulje përgjatë muajve të fundit.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në dhjetor 2024, eksportet tona ishin 3.5%, përderisa në muajin janar dhe shkurt 2025, ato ranë në 2.8, përkatësisht 2.5% në muajin shkurt të këtij viti“, thuhet në reagim.

    Vendimi i presidentit amerikan Trump për të vendosur një tarifë 10% për importet nga Kosova është pjesë e një politike më të gjerë të Shteteve të Bashkuara, e cila synon të mbrojë industrinë amerikane nga konkurrenca e jashtme dhe të reduktojë deficitin tregtar.

    Ky hap ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset dhe autoritetet kosovare, të cilët kërkojnë ndërhyrjen e shpejtë të institucioneve për të ruajtur marrëdhëniet tregtare dhe për të mbrojtur interesat ekonomike të Kosovës.

    Në këtë kontekst, është e qartë se Kosova do të duhet të angazhohet më shumë në diplomaci dhe të forcojë marrëdhëniet e saj me shtetet e tjera, për të ulur pasojat që mund të vijnë nga ky vendim i Shteteve të Bashkuara.

  • Kryediplomatit britanik me mesazhe të qarta: Normalizim me Serbinë, anëtarësim në KiE e përparim në dialog

    Kryediplomatit britanik me mesazhe të qarta: Normalizim me Serbinë, anëtarësim në KiE e përparim në dialog

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka dhënë një përmbledhje të mesazheve që i la kryediplomati britanik, David Lammy, gjatë vizitës së tij në Kosovë. Hargreaves ka theksuar se Lammy pati një reflektim mbi qëllimin e ish-kryeministrit britanik Tony Blair, i cili kishte synuar që Kosova të kishte mundësinë të formësonte të ardhmen e saj, të bashkëjetonte në mënyrë paqësore me fqinjët dhe të mbrojë diversitetin e qytetarëve të saj.

    Hargreaves shtoi se ky mbetet edhe synimi i Mbretërisë së Bashkuar, që është angazhuar për një normalizim të qëndrueshëm dhe paqësor të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ambasadori britanik theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë për të siguruar përparim në dialogun Kosovë-Serbi.

    “Sekretari i Jashtëm britanik shfaqi shpresën se qeveria e ardhshme e Kosovës do të adresojë të gjitha nevojat e qytetarëve, përfshirë integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne do të punojmë së bashku me BE-në për të siguruar një përparim të vërtetë që funksionon për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, tha Hargreaves.

    Ambasadori britanik po ashtu theksoi mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe shprehu shpresën se Kosova do të përmbushë shpejt kërkesat për të bërë këtë hap të rëndësishëm.

    “Ne jemi jashtëzakonisht krenarë për kontributin tonë të rëndësishëm në KFOR, një element thelbësor i sigurisë së Kosovës. Sekretari i Jashtëm dhe Presidentja Osmani diskutuan gjithashtu për zhvillimin e një marrëdhënieje më të thellë dhe më të strukturuar mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës në muajt në vijim”, theksoi ambasadori.

    Ai poashtu potencoi se ishte një kënaqësi e madhe që Dame Karen Pierce, e dërguara e re speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, iu bashkua Sekretarit të Jashtëm gjatë vizitës.

    “Mezi presim ta mirëpresim sërish në Kosovë së shpejti dhe udhëheqjen e saj në Samitin e Procesit të Berlinit, të cilin Mbretëria e Bashkuar do ta mirëpresë këtë vjeshtë”, tha Hargreaves.

  • Caktohet data për konferencën mbi ecurinë e çështjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Caktohet data për konferencën mbi ecurinë e çështjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë caktuar 23 prillin 2025 si datë për mbajtjen e konferencës për ecurinë e çështjes në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Konferenca pritet të fillojë nga ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kjo konferencë është e para pasi Prokuroria ka përfunduar dëshmitarët e saj në këtë rast.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Lufta kundër terrorizimit dhe radikalizmit – Osmani udhëton drejt Bullgarisë për Samitin Aqaba

    Lufta kundër terrorizimit dhe radikalizmit – Osmani udhëton drejt Bullgarisë për Samitin Aqaba

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Mbretit të Jordanisë, Abdullah II dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, ka udhëtuar për në Bullgari, për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës krahas liderëve të tjerë në Takimin e nivelit të lartë të Procesit Aqaba për Ballkanin III, i cili do të mbahet në Sofje.

    Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se në kuadër të vizitës në Sofje, Osmani do të mbajë fjalim në hapje të Samitit si dhe do zhvillojë takime të ndara bilaterale me disa nga liderët pjesëmarrëse.

    “Gjatë këtyre takimeve, do të diskutohet thellimi i marrëdhënieve bilaterale, avancimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe forcimi i përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftimin për media.

    Tutje bëhet e ditur se ky takim organizohet nën patronazhin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë dhe synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

    “Procesi Aqaba, i iniciuar nga Mbreti Abdullah II i Jordanisë në vitin 2015, ka luajtur një rol kyç në koordinimin e përpjekjeve globale kundër terrorizmit dhe adresimin e sfidave të sigurisë”, thuhet në njoftim.

    Osmani do të theksojë angazhimin e suksesshëm të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe partnerët strategjikë.

    “Në këtë kuadër, ajo do të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për sigurinë rajonale dhe për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të saj të sigurisë në përputhje me standardet euroatlantike”, u tha tutje në njoftim. /Telegrafi/

     

  • Haradinaj përkujton masakrën e Kralanit dhe dëshmorët e 3 prillit 1999: Liria u fitua me gjak e sakrificë

    Haradinaj përkujton masakrën e Kralanit dhe dëshmorët e 3 prillit 1999: Liria u fitua me gjak e sakrificë

    Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot njërën nga ditët më të dhimbshme dhe heroike të historisë së Kosovës, 3 prillin e vitit 1999, kur forcat kriminale serbe kryen masakrën e Kralanit dhe në vijën e frontit ranë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në këtë masakër, në Kralan të Gjakovës, u vranë mizorisht 86 civilë shqiptarë – burra, gra dhe fëmijë, ndërsa edhe pas 25 vitesh, përgjegjësit e këtij krimi nuk janë vënë para drejtësisë.

    Po atë ditë, në betejë për liri, ra heroikisht Arton Mehmetaj, i treti dëshmor nga familja e lavdishme Mehmetaj e Gllogjanit. Përkrah tij, deri në frymën e fundit, luftuan dhe ranë edhe Halit Coka nga Kukësi, Mustafë Çekaj, Visar Myftari, Fehmi Shala, Kujtim Qallakaj, Ilir Hoxha dhe shumë të tjerë që me jetën e tyre shkruan historinë e lirisë.

    “Liria nuk na erdhi vetë, ajo u fitua me gjak e sakrificë ndër breza. Sot dhe përherë mbetet detyra jonë ta mbrojmë këtë liri dhe ta çojmë përpara Kosovën, ashtu siç ëndërruan ata që dhanë jetën për të,” ka deklaruar Haradinaj.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimin e një të dyshuari për vjedhje

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimin e një të dyshuari për vjedhje

    Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve për të identifikuar dhe kapur një person, i cili dyshohet për veprën “vjedhje e rëndë”.

    Siç njoftoi Policia, ai dyshohet se me datën 02.02.2025, rreth orës 17:00, në xhaminë e fshatit Korishë në Prizren, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme para nga kasa e xhamisë dhe është larguar nga aty.

    Postimi i plotë:

    Kërkohet një i dyshuar për vjedhje të rëndë

    Prizren, 03. Prill 2025

    Sektori i Hetimeve të Stacionit të Policisë në Prizren –Veri është duke zhvilluar hetime lidhur me veprën “Vjedhje e rëndë ”, konkretisht dyshohet se me datën 02.02.2025, rreth orës 17:00, në xhaminë e fshatit Korishë në Prizren, një person i dyshuar , deri më tani i panjohur , ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme para nga kasa e xhamisë dhe është larguar nga aty.

    Në video regjistrim shihet i dyshuari duke hyrë në objektin e xhamisë.

    Nga video regjistrimet nga kamerat e sigurisë është siguruar fotografi të dyshuarit, mirëpo deri më tani nuk është rezultuar në identifikim i tij.

    Me qëllim të ndriçimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prizren, kemi marr Autorizimin në pajtim dispozitave të nenit 76 prag 2 të KPPRK-së, për publikimin e fotografive të dyshuarit në mediume televizive dhe media sociale, ku kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të na ndihmonin në identifikim dhe arrestimin e të dyshuarit.

    Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kane çfarëdo informate apo din diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Prizren në numrin 192, në rrjetet sociale, në faqen zyrtare të Facebook-ut të policisë apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë.

  • Pavarësisht fletarrestimit nga GjNP-ja, Netanyahu viziton Hungarinë

    Pavarësisht fletarrestimit nga GjNP-ja, Netanyahu viziton Hungarinë

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka arritur në Hungari më 3 prill, në udhëtimin e tij të parë në Evropë që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi fletarrestim ndaj tij lidhur me krimet e pretenduara të luftës në Gazë.

    Ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristof Szalay-Bobrovniczky, u takua me Netanyahun në aeroportin e Budapestit rreth orës 02:30 dhe më pas, përmes një postimi në Facebook, njoftoi se udhëheqësi izraelit kishte arritur për vizitë në shtetin e tij.

    “Mirë se erdhët në Budabest, Benjamin Netanyahu”, shkroi Szalay-Bobrovniczky, duke publikuar edhe fotografi me udhëheqësin izraelit gjatë takimit të tyre në aeroport.

    Pavarësisht fletarrestimit, Netanyahu është i sigurt se nuk do të arrestohet gjatë vizitës së tij katërditore.

    Si nënshkruese për gjykatën në Hagë, Hungaria e ka për obligim që ta arrestojë atë, por situata e brendshme ligjore e Budapestit është e ndërlikuar dhe kjo i ka dhënë hapësirë të mjaftueshme Qeverisë që ta mirëpresë kryeministrin izraelit.

    Kryeministri hungarez, Viktor Orban, publikisht e ka ftuar Netanyahun për vizitë në nëntor, pak pasi GJNP-ja lëshoi fletarrestimin.

    “I garantoj atij, nëse vjen, se vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari”, deklaroi Orban.

    Burimet diplomatike brenda Hungarisë i kanë thënë REL-it se shteti ka vendosur që të tërhiqet nga GJNP-ja, edhe pse një vendim i tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

    Orban është rreshtuar afër me Netanyahun dhe me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili po ashtu ka kritikuar vendimin për lëshimin e fletarrestimit.

    Trump ka vendosur sanksione ndaj GJNP-së muajin e kaluar, duke e kritikuar si “të pabazë” fletarrestimin për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

    Në aktakuzë thuhet se Netanyahu “pretendohet se është përgjegjës për krimin e luftës, përkatësisht të përdorimit të urisë si metodë lufte dhe qëllimshëm ka drejtuar një sulm kundër popullatës civile dhe për krime lufte të vrasjes, përndjekjes dhe akteve të tjera çnjerëzore që nga 8 tetori 2023 e deri më 20 maj 2024”.

    GJNP-ja nuk mund të arrestojë askënd, por varet nga shtetet që e kanë nënshkruar traktatin për krijimin e gjykatës – Statutin e Romës – që të zbatojnë fletarrestimet.

    “Nuk u takon shteteve të përcaktojnë në mënyrë të njëanshme aspektin ligjor të vendimeve të gjykatës”, tha zëdhënësi i GJNP-së, Fadi El-Abdallah për REL.

    Sipas tij, shtetet kanë obligim ligjor që të zbatojnë vendimet e gjykatës.

    Ky qëndrim është mbështetur edhe nga dy avokatë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë.