ATV

Author: G.O.

  • Arrestohet edhe një nga personat që sulmoi pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan

    Arrestohet edhe një nga personat që sulmoi pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan

    Xhelal Sveçla ka njoftuar se është arrestuar personi që i sulmoi pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, disa prej të cilëve mbetën me pasoja të përjetshme.

    “Asnjë kriminel e terrorist nuk do ta ndjejë lirinë për aq kohë sa ka cenuar rendin tonë kushtetues, punën e institucioneve tona, detyrën e zyrtarëve tanë e personelit ndërkombëtar”, ka shkruar Sveçla.

    “Mbi ta do të veprohet pa asnjë kompromis siç presim që edhe drejtësia të veprojë në linjë të tillë. Republika jonë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë zonë e rehatisë për kriminelë e terroristë”.

  • Nisma e Fatmir Limajt ia dha mbështetjen e parë Albin Kurtit, Duda Balje dhe Veton Berisha jo

    Nisma e Fatmir Limajt ia dha mbështetjen e parë Albin Kurtit, Duda Balje dhe Veton Berisha jo

    Në votimin e raportit të komisionit për verifikimin e mandatave, u pa faza e parë e marrëveshjes së VV-së me Fatmir Limajn.

    Kjo pasi Limaj me dy deputetët e tij, e votuan këtë raport.

    Kurse, opozita votoi kundër.

    Në votim nuk morën pjesë Veton Berisha e Duda Balje.

    Lexoni edhe:

    Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit

  • Gruri dhe dashuria për tokën, rrëfimi i Bledar Krasniqit nga Ratkoci

    Gruri dhe dashuria për tokën, rrëfimi i Bledar Krasniqit nga Ratkoci

    Bledar Krasniqi nga Rahoveci njihet si ekspert i mbrojtjes së bimëve, i cili me përkushtimin e një fermeri ka mbjellë një parcelë me grurë.

    Ai në “E Jona Tokë” tregoi me pasion për përgatitjen e tokës, ndikimin e kushteve klimatike dhe rëndësinë jetike të trajtimit të duhur të bimëve për të pasur një korrje të bollshme.

    Me njohuritë dhe përvojën e tij të gjatë, Bledari është shembulli i një bujku modern që i qëndron afër shkencës dhe praktikës.

    Materialin e plotë nga ATV mund ta shihni duke klikuar në linkun më poshtë:

    https://www.youtube.com/watch?v=3sbcqJhJHVI

  • LDK thotë se nuk do të votojë për propozimin e LVV-së për kryeparlamentarin

    LDK thotë se nuk do të votojë për propozimin e LVV-së për kryeparlamentarin

    Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’i votojë Vetëvendosjes propozimin për kryetar të kuvendit, tha nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, pak para nisjes së seancës konstitutive.

    “Nuk kemi asnjë marrëveshje me deputetët Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka ndryshuar asnjë qëndrim. Ne konsiderojmë se në qoftë se LVV-ja ka propozim për emrin e kryetarit të Kuvendit, atëherë duhet t’i kenë edhe votat për të votuar atë”, u përgjigj shkurt nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

    Për më shumë rreth Konstituimit të Kuvendit ndiqni Studion e Hapur në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/watch?v=2VGwfNlX5RY
  • Veton Berisha thotë se do të votojë për kryeparlamentarin

    Veton Berisha thotë se do të votojë për kryeparlamentarin

    Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, tha se do të mbështesë secilin kandidat që do ta propozojë Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentar.

    Sa i përket mbështetjes së Qeverisë nga LVV-ja, Berisha tha se “ende nuk kemi marrëveshje”.

    “Ne jemi për të ndërtuar institucionet e Kosovës, pastaj shohim se si do të veprojmë”, tha ai duke iu referuar mbështetjes për ekzekutivin e ri.

    Për më shumë rreth Konstituimit të Kuvendit ndiqni Studion e Hapur në linkun e mëposhtëm:

  • Deputetët arrijnë në Kuvend për seancën konstituive

    Deputetët arrijnë në Kuvend për seancën konstituive

    Deputetët tashmë po arrijnë në Kuvend, për të mbajtur seancën konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Në pamjet e siguruara nga ATV shihet se deputetet e Vetëvendosjes janë ndër të parët që hyjnë në kuvend.

    Në këtë seancë të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët dhe po ashtu deputetët të bëjnë betimin.

    Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, duhet të propozojë emrin për kryeparlamentarin e ri, për zgjedhjen e të cilit duhen 61 vota. Deri më tani nuk dihet se kë do të propozojë LVV-ja për këtë post.

    Konstituimi i Kuvendit i hap rrugën formimit të Qeverisë. Por, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ende nuk ka njoftuar se i ka siguruar votat për ekzekutivin.

  • Si ndikojnë ëndrrat në cilësinë e gjumit?

    Si ndikojnë ëndrrat në cilësinë e gjumit?

    Ëndrrat janë një pjesë natyrale e gjumit dhe ndikojnë në mënyrën se si njeriu ndihet pas zgjimit. Ato shfaqen më së shumti gjatë fazës REM të gjumit, një periudhë ku truri është shumë aktiv dhe përjetimi i ëndrrave bëhet më i theksuar. Nëse dikush zgjohet gjatë kësaj faze, ndihet sikur ka fjetur më mirë, ndryshe nga zgjimi gjatë një faze më të lehtë, ku trupi dhe mendja nuk janë aq të relaksuara.

    Përmbajtja e ëndrrave ndikohet drejtpërdrejt nga përjetimet dhe emocionet që njeriu kalon gjatë ditës. Nëse një person përjeton stres të lartë në punë, ka një debat me dikë të afërt apo përballet me situata të papritura, këto emocione nguliten në nënvetëdije dhe dalin në sipërfaqe gjatë gjumit përmes ëndrrave. Jo rrallëherë, ngjarjet stresuese shndërrohen në skenarë të turbullt ose shqetësues, duke krijuar ëndrra të parehatshme apo makthe. Ngarkesa emocionale, si pikëllimi, ndjenja e fajit apo frika, gjithashtu e ushqen këtë proces.

    Edhe pozicioni i trupit gjatë gjumit luan rol në përjetimin e ëndrrave. Studime të ndryshme kanë treguar se njerëzit që flenë me bark janë më të prirur të kenë ëndrra me ndjesi bllokimi, paralize trupore ose mungesë frymëmarrjeje. Kjo lidhet me faktin se ky pozicion mund të shkaktojë presion fizik në kraharor dhe vështirësi në frymëmarrje, gjë që truri e përkthen si ndjesi të pakëndshme brenda ëndrrave.

    Gjithashtu, përdorimi i disa ilaçeve ndikon në mënyrën se si krijohen ëndrrat. Barna që përdoren për trajtimin e depresionit, ankthit apo edhe disa medikamente për tensionin e gjakut, ndikojnë në ritmin dhe thellësinë e gjumit, duke e bërë më të mundshëm shfaqjen e ëndrrave të gjalla apo të çuditshme. Kjo ndodh sepse këto barna ndërhyjnë në mënyrën si truri përpunon kimikatet përgjegjëse për humorin dhe emocionet, të cilat janë thelbësore në formimin e përmbajtjes së ëndrrave.

    Për të pasur një gjumë të qetë dhe më pak ëndrra shqetësuese, është e rëndësishme të krijohet një ambient i përshtatshëm për gjumë. Një dhomë e freskët, larg zhurmës dhe ndriçimit të tepërt, ndihmon në një përvojë më të mirë të pushimit. Rutinat e përnatshme si leximi, dëgjimi i muzikës së qetë ose përdorimi i aromave relaksuese si livandoja, e përgatisin trupin dhe mendjen për gjumë cilësor.

    Një tjetër faktor që ndikon në gjumin e natës është aktiviteti fizik. Një person që ushtron rregullisht ka më shumë gjasa të flejë më thellë dhe të ketë më pak shqetësime gjatë natës. Ushtrimet e lehta, të bëra në orët e duhura, ndihmojnë trupin të çlirohet nga tensioni. Por nëse aktiviteti bëhet vonë në mbrëmje, e ngadalëson procesin e fjetjes dhe ndikon negativisht në pushimin e natës.

    Përveç këtyre faktorëve, edhe ushqimi që konsumohet gjatë ditës luan rol në mënyrën si fle njeriu dhe çfarë ëndrrash përjeton. Nëse hahet ushqim i rëndë apo me shumë yndyrë afër orarit të gjumit, tretja vështirësohet dhe mund të shkaktojë ëndrra të çuditshme ose makthe. Prandaj, darka duhet të jetë e lehtë dhe të konsumohet të paktën dy orë para se të shtrihemi. Po ashtu, shmangia e kafeinës dhe pijeve energjike në orët e vona ndihmon në një gjumë më të mirë dhe të qetë.

  • Sot për gjysmë ore mbyllet për qarkullim rruga Dollc – Gjakovë

    Sot për gjysmë ore mbyllet për qarkullim rruga Dollc – Gjakovë

    Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se sot do të mbyllet përkohësisht për qarkullim rruga Dollc-Gjakovë.

    Në njoftim thuhet se arsye është minimi i masave të forta shkëmbore për zgjerimin e rrugës.

    “Ju njoftojme se nesēr mē 15.04.2025( E martë), në trasen e zgjerimit tē Rrugēs Nacionale N9.1, Segmenti Dollc-Gjakovē L=31, do të realizohet minimi Nr.1 i masave të forta shkëmbore për zgjerimin e rrugës. Punimet do tē zhvillohen në pjesën e rrugës kah fshati Volljakē. Me këtë rast do të bëhet ndërprerja e qarkullimit të trafikut. Ndërprerja e trafikut do të bëhet në intervalin kohore: nga ora 15:00 deri në ora 15.30”,

    Ministria ka bërë thirrje që gjatë këtij intervali kohor të shfrytëzohen rrugët alternative.

  • Seanca konstituive – tre skenarët që mund ta përcjellin Kuvendin sot

    Seanca konstituive – tre skenarët që mund ta përcjellin Kuvendin sot

    Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancën konstituive pas më shumë se dy muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.

    Seanca është caktuar të nisë në ora 10:00, ndërsa me këtë shënohet edhe hapi i parë drejt themelimit të legjislaturës së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    Kuvendi i Kosovës tashmë ka bërë të ditur edhe agjendën e seancës.

    Në rendin e ditës janë:

    Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,

    Betimi i deputetëve,

    Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,

    Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

    Si parti fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtën të propozojë kryeparlamentarin, i cili zgjidhet me 61 vota.

    Po 61 vota nevojiten për votimin e Qeverisë së re, nëse del në votim.

    Ndërkohë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se partia e tij është e gatshme të japë kontributin në procesin e krijimit të institucioneve, megjithëse ende nuk ka një marrëveshje me asnjë parti.

    “Ne do të japim kontributin tonë. Presim që qeveria të krijohet sipas afateve kushtetuese. Do ta luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve, për aq sa na takon — dhe këtu përfundon detyra jonë kushtetuese”, u shpreh Limaj.

    Votat e tre deputetëve të Nismës Socialdemokrate mund të jenë vendimtare për përmbushjen e kuorumit dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit, përderisa Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votim.

    Ditë më parë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kishte shprehur ambicien që Kuvendi të konstituohet dhe Qeveria të formohet brenda një dite.

    Por, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, u shpreh skeptik, duke thënë për gazetarët se nuk është optimist që të martën do të ketë votim për Qeverinë e re.

    Ndërkaq, njohësi i proceseve zgjedhore dhe i punës së Kuvendit, Eugen Cakolli ka paraqitur tre skenarë të mundshëm proceduralë dhe politikë që mund ta përcjellin seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të mbahet nesër, apo edhe seancat pasuese.

    Skenari 1: Konstituimi i suksesshëm i Kuvendit

    Sipas këtij skenari, pas hapjes së seancës, verifikimit të mandateve dhe betimit të deputetëve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si subjekti më i madh parlamentar, propozon kandidatin për Kryetar të Kuvendit.

    Nëse kandidatura merr së paku 61 vota – qoftë përmes një marrëveshjeje formale për koalicion apo përkrahjeje joformale nga opozita – atëherë procedohet me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe Kuvendi konstituohet plotësisht.

    Pas kësaj, Presidentja Vjosa Osmani do t’i dërgojë një letër zyrtare LVV-së për të kërkuar propozimin për mandatarin e Qeverisë. Pasi LVV të përgjigjet me emrin e kandidatit (që pritet të jetë Albin Kurti), Presidentja nxjerr dekretin për nominimin e tij. Mandatari do të ketë afat 15 ditë për të propozuar Qeverinë dhe për të siguruar shumicën parlamentare.

    Skenari 2: Pezullimi i seancës për shkak të mungesës së propozimit

    Nëse pas hapave të parë, LVV refuzon të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit ose kërkon “konsultime shtesë”, atëherë kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duhet ta pezullojë seancën.

    Sipas Rregullores së Punës, pezullimi nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë, që do të nënkuptonte mbajtjen e seancave të reja çdo dy ditë. Nëse LVV vazhdon të mos propozojë kandidat, atëherë mund të krijohet një cikël seancash të papërfunduara.

    Ky ngërç mund të shfrytëzohet nga partitë opozitare, të cilat mund të kërkojnë interpretim nga Gjykata Kushtetuese, me arsyetimin se partia fituese po zvarrit procesin e formimit të institucioneve.

    Skenari 3: Bllokim që në hapin e parë

    Në këtë skenar, duke qenë se LVV nuk e ka shumicën parlamentare, situata mund të bllokohet që në fillim të seancës.

    Disa deputetë të LVV-së dhe përfaqësues të pakicave, përfshirë Kryeministrin në detyrë dhe 15 ministra të tjerë, nuk kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive, ndonëse këtë e kërkon neni 26 i Ligjit për Qeverinë.

    Opozita mund të refuzojë të votojë raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, duke kontestuar vlefshmërinë e mandateve të atyre që janë ende në detyrë qeveritare. Pa miratimin e këtij raporti, nuk mund të kryhet betimi i deputetëve dhe Kuvendi nuk mund të kalojë në fazat e tjera.

    Ky skenar paraqet një bllokim procedural me bazë juridike, i cili vendos presion mbi anëtarët e kabinetit që të japin dorëheqje, në mënyrë që të mundësohet konstituimi.

    Megjithatë, edhe ky skenar nuk është në favor të opozitës, pasi nuk nisin afatet ligjore për formimin e institucioneve nga partia fituese.

  • Antonio Costa viziton Ballkanin Perëndimor, vjen edhe në Kosovë

    Antonio Costa viziton Ballkanin Perëndimor, vjen edhe në Kosovë

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa pritet ta vizitojë edhe Kosovën në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, të paraparë për në maj.

    Lajmi është konfirmuar nga Këshilli i Evropës.

    Ndërkaq, nuk janë bërë të ditura temat që pritet të diskutohen pasi siç njofton KE, programi është ende në përgatitje.

    “Po, edhe presidenti Kosta do ta vizitojë Kosovën; detajet e programit janë ende në përgatitje, kështu që nuk mund të konfirmojmë ndonjë specifikë për momentin”, tha KE.

    Ndryshe, në takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, Presidenti i Këshillit Evropian tha se mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është integrimi në Bashkimin Evropian.

    Për këtë arsye ai tha se do të zhvillojë në mes të majit një tur në Ballkanin Perëndimor.