ATV

Author: G.O.

  • Mbjellja e pemëve, zbut ndikimin e ndryshimeve klimatike

    Mbjellja e pemëve, zbut ndikimin e ndryshimeve klimatike

    Mbjellja e pemëve luan një rol shumë të rëndësishëm në zbutjen e ndryshimeve klimatike.

    Ja disa mënyra se si ndihmon:

    Thithja e dioksidit të karbonit (CO₂): Pemët përmes procesit të fotosintezës thithin CO₂ nga atmosfera, i cili është një nga gazrat kryesorë serë që shkaktojnë ngrohjen globale.
    Ulja e temperaturave lokale: Pemët ofrojnë hije dhe avullojnë ujin përmes gjetheve (transpiracion), duke ndihmuar në freskimin e mjedisit përreth.

    Përmirësimi i cilësisë së ajrit: Ato filtrojnë ndotës të ndryshëm nga ajri si pluhurat, ozoni dhe gazrat e dëmshëm, duke ndikuar pozitivisht në shëndetin e njeriut dhe ekosistemit.

    Reduktimi i rrezikut të përmbytjeve: Rrënjët e pemëve ndihmojnë në thithjen e ujërave dhe parandalimin e erozionit të tokës, që mund të ndihmojë në menaxhimin e reshjeve të mëdha dhe përmbytjeve.

    Strehimi i biodiversitetit: Pyjet ofrojnë habitat për shumë specie bimore dhe shtazore, duke ruajtur ekuilibrin natyror.

    Zvogëlimi i efekteve të “ishullit të nxehtësisë urbane” – Në qytete, asfaltet dhe ndërtesat thithin dhe ruajnë nxehtësinë, duke krijuar temperatura më të larta krahasuar me zonat rurale. Pemët ndihmojnë në uljen e këtij efekti përmes hijes dhe avullimit.

    Reduktimi i konsumit të energjisë – Pemët e mbjella pranë ndërtesave mund të ulin nevojën për kondicioner gjatë verës, duke ulur konsumin e energjisë elektrike dhe emetimet që lidhen me të.

    Nxitja e ekonomisë së gjelbër – Fushatat për pyllëzime krijojnë vende pune në sektorin e bujqësisë, mjedisit dhe zhvillimit rural. Për më tepër, turizmi natyror dhe ekoturizmi përfitojnë nga mjedise të gjelbra e të shëndetshme.

    Ruajtja e burimeve ujore – Pyjet ndihmojnë në rregullimin e ciklit të ujit duke ruajtur lagështinë në tokë dhe duke stimuluar reshjet.

    Përmirësimi i shëndetit mendor dhe fizik – Edhe pse jo drejtpërdrejt klimatik, kontaktimi me natyrën dhe pemët ndihmon në reduktimin e stresit, përmirësimin e humorit dhe promovimin e një jetese më të shëndetshëm.

  • Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit

    Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit

    Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot, në orën 12:00.

    Ky vendim është bërë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit.

    Një seancë e tillë ishte mbajtur edhe të martën, rreth orës 11:00, por ajo u ndërpre pas afërsisht dy orësh, për shkak se deputetët nuk e miratuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit – raport ky që do t’i hapte rrugë betimit të deputetëve të rinj.

    Kundër këtij raporti votuan partitë opozitare, përkatësisht Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Sipas tyre, anëtarët e Qeverisë që janë zgjedhur deputetë është dashur të japin dorëheqje zyrtarisht përpara, në mënyrë që të mund të betohen si pjesë e përbërjes së re parlamentare.

    Në anën tjetër, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partisë së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, kanë mbrojtur qëndrimin se dorëheqja e mëtejshme nuk është e nevojshme, duke theksuar se Qeveria ka hyrë në dorëheqje automatike pas përfundimit të mandatit të saj më 23 mars, shkruan Gazeta Sinjali.

    Pas votimit kundër, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu atë, duke paralajmëruar se do t’i drejtohej presidentes Vjosa Osmani me një letër për të kërkuar sqarime mbi hapat e ardhshëm në procesin e verifikimit të mandateve dhe fillimin e legjislaturës së nëntë.

    Gjatë ditës së djeshme, Presidenca e Kosovës konfirmoi se ka pranuar letrën nga Dehari, që lidhet me ndërprerjen e seancës së 15 prillit.

    Në përgjigjen e saj zyrtare, Presidentja Osmani theksoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë një interpretim që e mundëson dhe jo që e pengon funksionimin e institucioneve.

    Ajo ka cituar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K072/20, ku thuhet se strukturat kushtetuese duhet të interpretohen në mënyrë që të “jetësojnë dhe jo të bllokojnë” funksionimin e pushteteve që burojnë nga vota e qytetarëve.

    Si parti fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtën të propozojë kryeparlamentarin, i cili zgjidhet me 61 vota.

    Po 61 vota nevojiten për votimin e Qeverisë së re, nëse del në votim.

    Mbetet të shihet nëse sot do të arrihet një marrëveshje ndërmjet partive politike për të miratuar raportin e Komisionit të përkohshëm dhe për të vazhduar me betimin e deputetëve, në mënyrë që të fillojë zyrtarisht legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës. Të gjitha sytë janë të kthyer kah seanca e orës 12:00, e cila pritet të përcaktojë rrjedhën e mëtejshme të zhvillimeve politike në vend.

  • Seanca për rastin ‘Banjska’: Të akuzuarit pritet të dalin para Gjykatës sot

    Seanca për rastin ‘Banjska’: Të akuzuarit pritet të dalin para Gjykatës sot

    Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj tre të akuzuarve që ndodhen në paraburgim për rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku – tashmë i shpallur hero nga institucionet e Kosovës.

    Seanca pritet të fillojë nga ora 09:30, ku para trupit gjykues pritet të dalin Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët ndodhen në paraburgim dhe janë të akuzuar për pjesëmarrje në këtë sulm.

    Megjithatë, në këtë seancë nuk do të përfshihen edhe 42 të akuzuarit tjerë për rastin, përfshirë edhe kryekriminelin Milan Radoiçiq.

    Në shqyrtimin fillestar, prokurori i çështjes, Naim Abazi, kishte kërkuar që ndaj tyre të zhvillohej gjykim në mungesë.

    Autoritetet e Kosovës ndërkohë kanë kërkuar ekstradimin e Milan Radoiçiqit dhe të akuzuarve tjerë, të cilët dyshohen për organizimin dhe zbatimin e këtij sulmi terrorist – por një veprim i tillë ende nuk ka ndodhur.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, qëllimi i Milan Radoiçiqit, së bashku me 44 të pandehurit e tjerë, ka qenë shkëputja e një pjese të territorit të Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë.

  • Fondi Sovran në Kushtetuese, AKP-ja vazhdon shitjet

    Fondi Sovran në Kushtetuese, AKP-ja vazhdon shitjet

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Agjencia Kosovare e Privatizimit, hodhi në shitje 71 asete.

    Prandaj, të premten, mori edhe ofertat nga blerësit potencial, të patundshmërive të lokalizuara në disa rajone.

    Të interesuar qenë vetëm 36 ofertues për 14 asete.

    Shuma e ofertave shkoi në mbi 4.3 milionë euro.Tani i mbetet Bordit të vendosë si do t’iu përgjigjet ofertave.

    Por, një projektligj që është dërguar për test në Gjykatën Kushtetuese, mund t’ia ndërpres funksionin.

    Sidoqoftë, Kushtetuesja nuk ka marrë ende vendim për Projektligjin për Fondin Sovran as pas 14 muajve.

    Ish-anëtari i grupit punues për koncept-dokumentin e Fondit Sovran, Emanuel Bajra, thotë se Fondi Sovran do t’i mbronte asetet e Republikës.

    Ndërkaq, ndërmarrje publike siç është Trepça, kanë edhe detyrime ndaj kontraktorëve dhe punëtorëve.

    E një ekonomist, propozon që këto ndërmarrje t’i kalojnë Fondit Sovran të pastra.

    Projektligji për Fondin Sovran, u miratua në Kuvend, në dhjetor të vitit 2023.
    Këtë projektligj e çuan në Kushtetuese partitë opozitare, duke thënë se një mori nenesh të ligjit, janë në kundërshtim me aktin më të lartë juridik.

  • MKRS-ja vlerëson se Komuna e Prishtinës qëllimshëm lidhë kontrata të kundërligjshme

    MKRS-ja vlerëson se Komuna e Prishtinës qëllimshëm lidhë kontrata të kundërligjshme

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Një ditë më parë, Komunës së Prishtinës iu ndaluan për herë të dytë punimet në sheshin Xhorxh Bush nga inspektorët e trashëgimisë kulturore.

    Përfshirë edhe tri projekte të tjera, Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, po pretendon se Komuna e Prishtinës qëllimisht po lidh kontrata të kundërligjshme.

    Këtu ka përmendur projektet për rrugën “Rexhep Luci”, “Ishullin Urban” dhe projektin në rrugën “Agim Ramadani”.

    “Të gjitha këto investime realizohen brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore dhe ligji kërkon që para se të shpallen procedurat e të lidhen kontratat, duhet të pajisen me pëlqime përkatëse nga autoritetet e trashëgimis kulturore”, deklaroi ministri në detyrë Hajrulla Çeku.

    Megjithatë sipas Çekut, kjo nuk është shkelja e vetme e Komunës, andaj ka ndërmarr edhe veprime.

    “ne kemi dërguar edhe kallëzim penal por edhe kërkesë për fillimin e hetimeve në prokurori dhe polici, sepse kemi konstatuar përsëritje të veprimeve të komunës”, shtoi tutje Çeku.

    ATV-ja tentoi të marrë një koment edhe nga kryetari i Prishtinës Përparim Rama lidhur me akuzat e Çekut mirëpo i njëjti preferoi të komentonte në profilin e tij në Facebook.

    Punimet për projektin në sheshin Xhorxh Bush që kanë vlerë 18.4 milionë euro filluan më 10 mars por u ndalen vetëm dy ditë më vonë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.

    Për këtë edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka dorëzuar kallëzim penal.

  • Programi i kuponëve të MASHTI-t, vetëm 40 fëmijë përfitues

    Programi i kuponëve të MASHTI-t, vetëm 40 fëmijë përfitues

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    I ulët po vlerësohet të jetë interesimi për të qenë përfitues të kuponëve mbështetës për fëmijët në edukimin e hershëm, program ky i Ministrisë së Arsimit.

    Brenda pesë muajve prej kur është lansuar pilotimi i programit të kuponëve për familjet me asistencë sociale, përfitues janë vetëm 40 fëmijë nga tri komuna, Prishtinë, Lipjan e Gjilan.

    Ndryshe nga numri i aplikimeve, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në këto tri komuna numri i familjeve me asistencë sociale është 2 mijë e 256.

    Megjithatë për numrin e ulët të të interesuarve, në Ministrinë e Arsimit kanë një arsyetim.

    “MAShTI ka identifikuar se familjet në këtë kategori të cenueshme kanë nevojë për më shumë siguri dhe informacion në lidhje me atë se, pjesëmarrja në Program nuk do të ndikoj në statusin e tyre të asistencës sociale dhe se qëllimi i këtij Programi ndërlidhet me rëndësinë e edukimit në fëmijërinë e hershme për fëmijët”, deklaruan nga Ministria e Arsimit.

    Njëjtë vlerëson edhe njohësi i Arsimit, Rinor Qehaja. Sipas tij mungon informacioni tek këto familje.

    Programi prej 1.8 milionë euro financohet nga partneriteti i mësimit të hershëm i Bankës Botërore në bashkëpunimin me institucionet e Kosovës.

    Ndërkaq, sipas ministrisë së Arsimit, nga rreth 5 mijë fëmijë të moshës 0 deri në 3 vjeç të familjeve me asistencë sociale, vetëm 31 prej tyre janë pjesë e institucioneve të edukimit në fëmijëri të hershme.

  • Qeveria në zyrë pa mandat, dilemat ligjore thellojnë krizën

    Qeveria në zyrë pa mandat, dilemat ligjore thellojnë krizën

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    “Është kërkesë dhe insistim i pamatur për ta lënë shtëpinë pa zot shtëpie”.
    Kështu Albin Kurti po e arsyeton mbajtjen e pozitës së kryeministrit, pasi u zgjodh deputet.

    Madje ironizoi edhe me vendimin e partive opozitare që s’e votuan raportin e komisionit të martën, duke ngritur kështu paralele nga e kaluara.
    Megjithatë situata e krijuar mbetet fort e paqartë.

    Mes Kushtetutës e Ligjit për Qeverinë, nene të ndryshme vetëm sa e komplikojnë edhe më shumë situatën.

    Sipas ministrit në detyrë të financave, dorëheqja e tyre si akt formal nuk ishte fare e nevojshme, meqë mandati i plot u përfundoi nga 23 marsi.

    “Kufizimet e përcaktuara në këtë nen vlejnë edhe për qeverinë në situatën siç përcaktohen në nenin deri në zgjedhjen e qeverisë së re”, tha ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

    E edhe betimi si deputet për të e kolegët nga kabineti qeveritar, nuk do të ishte problem deri në formimin e qeverisë.

    “Kushtetua e parasheh që mandati i deputete bëhet i pavlefshëm nëse emërohet anëtar i qeverisë së re. Interpretimet e mëhershme nga gjykata kushtetuese tregojnë që në situatën aktuale ku jemi, përkundër certifikimit të rezultateve në KQZ, aktualisht nuk ka kuvend”, deklaroi tutje Murati.

    Por ndryshe mendojnë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

    Megjithatë në cilin do post, nuk do të mbetet pa pagë, ani pse nuk e ka të sigurt se në çfarë cilësie do e marrë atë, teksa praktikat e kaluara, i sheh si zgjidhje edhe për këtë.

  • Sudani, terren sfidues për të vendosur mision diplomatik

    Sudani, terren sfidues për të vendosur mision diplomatik

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Betejat që zunë vend rrugëve, shkatërruan kryeqytetin sudanez, Khartum.
    Të martën, qe edhe përvjetori i dytë i valës së fundit të luftës civile në shtetin afrikan, nga e cila u vranë dhjetëra mijëra civilë.

    Sidoqoftë, tre ditë më parë, shteti i cili u nda në dy që nga korriku i 2011-s njohu Kosovën, duke u bërë shteti i dytë afrikan pas Kenias, që e bënë këtë brenda jave.

    Por Ministria e Jashtme e Kosovës, nuk tregoi nëse synon të themelojë misione diplomatike në dyja shtetet.

    Ish-konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Kanada, Donat Syla, thotë se trazirat në Sudan, e bëjnë atë të papërshtatshëm për të akomoduar staf diplomatik.

    “Nuk mund të themi tani për tani, se Kosova duhet ta themelojë misionin e saj diplomatikë në Sudan, mirëpo është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, sa më parë të nisin procedurat për themelimin e misionit diplomatik, përkatësisht, ambasadës së Republikës së Kosovës në Kenia”, tha Donat Syla, ish-konsull.

    Ndonëse nuk kufizohen në mes vete Syla thotë se misioni diplomatik i themeluar në Kenia do të mund të mbulonte edhe raportet me Sudanin.

    Për këtë, mundë të përdoret edhe një shtet tjetër fqinj me Sudanin që e njeh Kosovën.

    Kosovën nuk e njohin shumica e shteteve tjera në kontinentin afrikan.

  • 15 prilli – Dita botërore e artit

    15 prilli – Dita botërore e artit

    Dita Botërore e Artit festohet çdo vit më 15 prill. Në mbarë botën, njerëzit kanë përkufizimet e tyre për atë që ata e konsiderojnë si art.

    Kultura të ndryshme kanë shije dhe stile të ndryshme. Kjo festë përdoret si një mundësi për të nxitur zhvillimin e artit.

    Kjo ditë u vendos nga Shoqata Ndërkombëtare e Artit, partner i UNESCO-s, me qëllim që kudo të zhvillohen aktivitete krijuese.

    Nisma për vendosjen e një dite kushtuar artit botëror, nisi në prill të vitit 2012. Në SHBA, Dita Botërore e Artit u mbajt zyrtarisht për herë të parë në qytetin e Los Angeles-it në 2015-n.

    Dita Botërore e Artit festohet më 15 prill, ditë e cila shënon edhe ditëlindjen e Leonardo da Vinçit. Da Vinci është konsideruar një simbol i paqes në botë, lirisë së shprehjes, tolerancës dhe vëllazërisë.

    Leonardo da Vinci është gjithashtu një dëshmi e ndikimit të Arteve të Bukura në fusha të tjera. Kjo ditë u propozua për herë të parë nga Asociacioni Ndërkombëtar i Artit (IAA), një organizatë partnere e UNESCO-s që mbron të drejtat e artistëve dhe promovon artin në nivel global. U kremtua për herë të parë në vitin 2012, pas miratimit të propozimit në

    Asamblenë e Përgjithshme të IAA-së në Meksikë, në vitin 2011. Sepse është dita e lindjes së Leonardo da Vinçit (1452) – një simbol i harmonisë mes artit dhe shkencës, një vizionar që përfaqëson shpirtin krijues dhe kurioz të artistëve të çdo epoke.

    Arti është një mënyrë për individët që të shprehin ndjenjat, historinë personale dhe vizionin e tyre për botën. Veprat artistike janë pasqyra të kohës në të cilën janë krijuar. Ato ruajnë gjurmët kulturore dhe historike të njerëzimit. Artet nxisin mendimin kritik, empatinë, dhe aftësitë e komunikimit, duke u bërë pjesë kyçe e arsimit dhe zhvillimit të shoqërisë. Arti ka fuqinë të tejkalojë barriera gjuhësore e kulturore dhe të bashkojë njerëzit në mënyrë paqësore.

    Çdo vit, më 15 Prill, komuniteti ndërkombëtar feston Ditën Botërore të Artit – një ditë që i kushtohet promovimit të krijimtarisë artistike, lirisë së shprehjes, dhe rëndësisë së artit në jetën e njeriut dhe shoqërisë. Kjo ditë nuk është thjesht një festë për artistët, por një thirrje për të gjithë njerëzit që të njohin dhe vlerësojnë rolin jetik që arti ka në edukim, mirëqenie, zhvillim kulturor dhe bashkëjetesë paqësore.

    Arti kapërcen kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë. Një vepër arti mund të kuptohet, ndjehet dhe interpretohet në mënyra të ndryshme në çdo cep të botës, duke shërbyer si një urë lidhëse mes popujve dhe kulturave të ndryshme.

  • Presidenca: S’kemi pranuar ende asnjë letër nga Kuvendi

    Presidenca: S’kemi pranuar ende asnjë letër nga Kuvendi

    Edhe pse kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, paralajmëroi se Kuvendi do t’i drejtohet me letër Presidentes së Kosovës pas ndërprerjes së seancës, nga Presidenca konfirmohet se një njoftim i tillë nuk ka mbërritur ende.

    Këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, i tha ATV-së se deri në këtë moment, Presidenca nuk ka pranuar asnjë letër zyrtare nga Kuvendi i Kosovës lidhur me situatën e krijuar.

    “Deri më tani nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi. Para përgjigjes duhet të vijë pyetja”, deklaroi Bekim Kupina, këshilltari për Media e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

    Më herët gjatë seancës, Avni Dehari tha se për shkak të mosmiratimit të raportit të komisionit për verifikimin e mandateve, Kuvendi do ta njoftojë Presidenten për hapat e mëtejmë institucionalë. /atvlive.tv