ATV

Author: G.O.

  • Haradinaj përkujton Agim Ramadanin dhe dëshmorët e betejës së Koshares

    Haradinaj përkujton Agim Ramadanin dhe dëshmorët e betejës së Koshares

    Në përvjetorin e rënies së heroit Agim Ramadani, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka nderuar figurën e tij dhe të bashkëluftëtarëve të rënë në betejën e lavdishme të Kosharës.

    “Agim Ramadani i dha vulë betejës së Kosharës, së bashku me Sali Çekaj e Xhemajl Fetahaj, duke e bërë atë unike dhe të pavdekshme”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Ai kujtoi trimërinë e pashembullt të komandant Katanës, duke e cilësuar si strateg dhe ndërtues të unitetit çlirimtar, që mbajti betimin për të mos vdekur pa luftuar, deri në frymën e fundit.

    “I pari ushtar shqiptar që shkuli gurin e kufirit që ndante shqiptarët, ra heroikisht te Rrasa e Zogut, për të mbetur i gjallë në kujtesën e popullit dhe të shtetit të Kosovës,” shkruan Haradinaj.

    Në postimin e tij, ai ka përkujtuar edhe bashkëluftëtarët e rënë në këtë betejë historike: Abush Loku, Bashkim Jasiqi, Ramiz Krasniqi, Rifat Çelaj, Arben Jusufi, Driton Veliu, Emri Curri, Harun Beka, Rifat Salihaj, Rrahman Tafa dhe Sylejman Shala.

    Ndryshe, sot mbushen 26 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

    Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët, transmeton KosovaPress.

    Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit, më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

    Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoi si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish-Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve

  • 26 vjet nga rënia e Agim Ramadanit – hartuesit të planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar

    26 vjet nga rënia e Agim Ramadanit – hartuesit të planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar

    Sot bëhen 26 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

    Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën e bëri bashkë me shokët.

    Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

    Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoi si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish-armatën jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

    Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998 iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.

    Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare.

    Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht.

  • Presidentja Osmani me ftesë të Presidentit Erdogan merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

    Presidentja Osmani me ftesë të Presidentit Erdogan merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë.

    Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t`i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.

    “Presidentja Osmani në Forumin e Antalisë, do ta ketë një bashkëbisedim në temën boshte të edicionit të këtij viti për rikthimin e diplomacisë në një botë të fragmentuar.

    Gjatë punimeve të Forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, njoftoi Zyra e presidentes.

    Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • Deputetët e rinj të PDK-së e LDK-së regjistrohen sot në Kuvend

    Deputetët e rinj të PDK-së e LDK-së regjistrohen sot në Kuvend

    Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, procesi i konstituimit të legjislaturës së re ka nisur zyrtarisht.

    Që nga dje, në ambientet e Kuvendit të Kosovës ka filluar regjistrimi i deputetëve të rinj të zgjedhur, si hap formal që i paraprin seancës konstituive.

    Gjatë ditës së djeshme, regjistrimin e kanë kryer deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa sot pritet të vijojnë deputetët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ndërkohë, të hënën është paraparë që të regjistrohen deputetët e koalicionit AAK-Nisma, si dhe ata nga komunitetet pakicë.

    Ky proces është i domosdoshëm për të mundësuar mbajtjen e seancës së parë të Kuvendit, e cila do të mbahet më 15 prill 2025.

    Në këtë seancë, përveç betimit të deputetëve, pritet të zgjidhet edhe kryetari i Kuvendit dhe të formohen strukturat e para parlamentare.

  • Sot fillon xhiroja e 28-të e Superligës me dy ndeshje interesante

    Sot fillon xhiroja e 28-të e Superligës me dy ndeshje interesante

    Sot (e premte) nis xhiroja e 28-të e Albi Mall Superligës së Kosovës, ku janë paraparë dy ndeshje për t’u zhvilluar gjatë ditës.

    Xhiroja e 28-të fillon me dy përballje të rëndësishme, ndërsa nesër (e shtunë) do të zhvillohet një tjetër ndeshje, dhe të dielën dy takime të tjera që do të përmbyllin xhiron.

    Ndeshja e parë e ditës do të luhet mes Dukagjinit dhe Ballkanit në stadiumin “18 Qershori” të Klinës.

    Në takimin tjetër, Feronikeli ’74 do të përballet me Ferizajn në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të Drenasit.

    Të dy ndeshjet janë paraparë të fillojnë në orën 15:00.

  • 15 për qind më shtrenjtë – ZRrE sot pritet të ‘vulosë’ rritjen e çmimit të rrymës

    15 për qind më shtrenjtë – ZRrE sot pritet të ‘vulosë’ rritjen e çmimit të rrymës

    Propozimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike ka ngjallur reagime të ashpra nga qytetarët, ndërsa vendimi pritet të merret të sot.

    Me fillim nga ora 10:00, më 11 prill, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji do të mbajë seancën e tretë për këtë vit, ku në rend dite është shqyrtimi i propozimit për shtrenjtim të energjisë elektrike për 15 për qind.

    Sipas njoftimit të ZRRE-së, përveç miratimit të procesverbalit nga seanca e kaluar, Bordi do të shqyrtojë edhe të hyrat e lejuara maksimale për operatorët energjetikë.

    E ndërkohë që autoritetet përgatiten për marrjen e këtij vendimi, qytetarët janë mobilizuar për të kundërshtuar rritjen e çmimit.

    Me fillim nga ora 12:00 të së njëjtës ditë, është paralajmëruar protesta e dytë e qytetarëve kundër këtij propozimi, pas një vale të gjerë reagimesh në rrjete sociale, ku janë shënuar qindra komente kundërshtuese.

  • Një ditë para vendimit për çmimin e rrymës, Rizvanolli takon kryetarin e bordit të ZRrE-së

    Një ditë para vendimit për çmimin e rrymës, Rizvanolli takon kryetarin e bordit të ZRrE-së

    Një ditë para vendimit për tarifat e reja të energjisë, për të cilat është paralajmëruar rritje prej 15 për qind, vendim ky i cili pritet të merret më 11 prill, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka takuar kryetarin e bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu.

    Në njoftimin për media thuhet se në këtë takim është diskutuar për procesin e shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025.

    “Të martën prita në një takim konsultues kryetarin e bordit të ZRrE-së, z. Ymer Fejzullahu, për të diskutuar procesin e shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025. Përveç komenteve të dërguara me shkrim, nga ZRrE-ja kërkova trajtim me prioritet dhe mënyrë proaktive të nivelit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, përfshirë auditimin e investimeve të deritanishme, uljen e humbjeve teknike me hapa më të shpejtë dhe eliminimin e humbjeve komerciale. Falënderova ZRrE-në për sqarimet e ofruara në takim dhe kërkova sqarime shtesë rreth disa çështjeve, përfshirë çmimin e kapaciteteve të transmisionit, për të cilat duhet analizë e detajuar dhe theksova se çdo kosto që mund të ishte shmangur nuk duhet të bjerë mbi qytetarët, por të mbahen përgjegjës operatorët”, ka thënë Rizvanolli.

  • Bahtiri i bindur se Vetëvendosje i ka numra për ta bërë qeverinë, por nuk tregon saktë kush voton

    Bahtiri i bindur se Vetëvendosje i ka numra për ta bërë qeverinë, por nuk tregon saktë kush voton

    Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës. Ai komentoi para mediave qëndrimet sa i përket formimit të qeverisë, për çka tha se numrat do të bëhen me deputetët e Republikës së Kosovës.

    Sa i përket formimit të qeverisë së re, Bahtiri tha se “numrat do të bëhen me deputetët e Republikës së Kosovës”.

    “Unë mendoj se po, janë numrat për formimin e qeverisë…Numrat janë të deputetëve të cilët janë 61 e më shumë dhe ata do të bëhen… Është mendim i tyre, ne e dimë se i kemi numrat dhe do i bëjmë me deputetët e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

    Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti edhe sot (e enjte) nuk i është përgjigjur mediave sa i përket formimit të qeverisë apo zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mundshme.

    Kryetari i LVV-së, Albin Kurti nuk është përgjigjur as dje për refuzimin e ftesës për konsultim që i bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë ditës së martë. Përgjigje nuk dha as nëse do t’i ftojë partitë e tjera.

    Ndërsa, nga legjislatura e ardhshme, Bahtiri tha se pret normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

    “Mendoj se qytetarë e Kosovës e kanë dhënë verdiktin e tyre për t’i çuar njerëzit më të mirë që ata kanë menduar dhe ne do t’i çojmë proceset e tyre… mendoj se zhvillimi ekonomik më të mirë për gjithë qytetarët pa dalim nacionaliteti dhe rajoni. Dhe mendoj se kryesorja e kësaj kohe që do të vije është që të bëjmë një herë e përgjithmonë ndërprerjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë”, deklaroi ai.

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 mandate, numër ky i pa mjaftueshëm për të qeverisur e vetme në Kosovë.

  • Specialja i referohet “Kosovo i Metohija”, avokati Bajraktari: Ka fakte që procesi është i manipuluar nga Serbia

    Specialja i referohet “Kosovo i Metohija”, avokati Bajraktari: Ka fakte që procesi është i manipuluar nga Serbia

    Avokati Ardian Bajraktari ka ngritur sërish akuza të rënda ndaj Dhomave të Specializuara, duke deklaruar se posedon fakte që dëshmojnë manipulimin e procesit gjyqësor me “prova” të ofruara nga shteti serb.

    Sipas tij, kjo është një çështje që është theksuar vazhdimisht nga ai dhe të tjerë, por tashmë po del në sipërfaqe me të dhëna të reja që, siç thotë, vërtetojnë pretendimet e bëra më herët.

    “Këto fakte po dalin sheshazi gjithnjë e më shumë, në mesin e të cilave dëshmohet me ‘dokumente’ të kësaj gjykate ku i referohet Kosovës, ashtu siç i referohet vetëm Serbia”.

    “Faktet janë tashmë të qarta, ka shumë të tilla!Fakti se procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara ishte i manipuluar me ‘prova’ nga shteti serb ka qenë diçka që e kemi thënë në vazhdimësi. Manipulimi dhe mungesa e profesionalizmit kanë një emërues të përbashkët, gjejeni”, ka shkruar avokati në një postim publik, të cilit i ka bashkëngjitur edhe disa dokumente që ai i konsideron dëshmi të qarta të këtij manipulimi.

    Prokuroria ka përfunduar prezantimin e provave – rasti nuk është përmbyllur

    Me 3 prill gjatë një konference për media në Prishtinë, zëdhënësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë raportuan mbi zhvillimet e procesit ndaj ish krerëve të UÇK-së.

    Ata informuan se Prokuroria ka përfunduar zyrtarisht prezantimin e provave në gjykatë, por nuk e ka mbyllur ende rastin, pasi seanca e ardhshme është caktuar për 23 prill.

    Zëdhënësja e Gjykatës Speciale Angela Griep ka thënë se në gjykatë kanë dëshmuar 125 dëshmitarë, kurse 117 me shkrim.

    “Nga ajo që dimë është se Prokuroria ka konfirmuar se kanë përfunduar me prezantimin e provave, por nuk e kanë mbyllur rastin zyrtarisht. Seanca e radhës është caktuar më 23 prill. Prokuroria deri atëherë do ta përfundojë rastin…125 dëshmitarë kanë qenë, dhe 117 kanë dëshmuar vetëm me shkrim. 206 ditë të gjykimit, dhe 150 viktima”, deklaroi Griep.

    Ajo shtoi se gjyqtarët e Dhomave të Specializuara sigurojnë një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke nënvizuar se ata janë të angazhuar për të zbatuar një kod etik.

    Ndërsa, zëdhënësi tjetër, Michael Doyle, u shpreh se qytetarët e Kosovës duhet të besojnë se Specialja sjell vendime të drejta, dhe se vendimi i gjyqtarëve bazohet vetëm në prova.

    Ai gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që viktimat dhe dëshmitarët të mund të japin dëshmi në një mjedis të sigurt dhe të dinjitetshëm.

    Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Hagë.

    Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Gjykata Speciale, deri më tani, ka shpallur dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe dy tjera për pengim të administrimit të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit./Telegrafi/

  • BE-ja i ndalon kundërmasat ndaj tarifave të Trump për 90 ditë

    BE-ja i ndalon kundërmasat ndaj tarifave të Trump për 90 ditë

    Bashkimi Evropian ka njoftuar se do të pezullojë për 90 ditë kundërmasat ndaj tarifave të vendosura nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se BE-ja dëshiron t’i japë një mundësi negociatave, pas vendimit të Trump për të vendosur një pauzë 90-ditore për disa vende të prekura nga tarifat më të larta të importit të SHBA-së.

    Kjo pauzë, e shpallur nga Trump dje, përjashton Kinën, për të cilën tarifa është rritur në 125 për qind, duke e lënë këtë vend jashtë këtij periudhe pushimi. Gjithashtu, Trump ka njoftuar një tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

    Presidenti amerikan ka njoftuar gjithashtu se do të rrisë tarifat për dhjetëra shtete që kanë suficit tregtar me SHBA-në, duke shtuar mundësinë e një lufte tregtare dhe ndikim të mundshëm në inflacionin global.