ATV

Author: G.O.

  • Haradinaj kundër rritjes së çmimit të rrymës: Goditje për qytetarët, favor për klikën mafioze energjetike

    Haradinaj kundër rritjes së çmimit të rrymës: Goditje për qytetarët, favor për klikën mafioze energjetike

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të sotëm të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila miratoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike për rreth 16% për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

    Në një deklaratë publike, Haradinaj e ka cilësuar këtë vendim si një tjetër goditje për qytetarët e vendit, duke akuzuar njëkohësisht Qeverinë Kurti dhe strukturat brenda sektorit të energjisë për afera të rënda dhe pasurim të paligjshëm.

    “ZRRE-ja, e cila është kthyer në një instrument në duart e Qeverisë Kurti, sot ka konfirmuar se nuk vepron më në interes të konsumatorit, por është shndërruar në mekanizëm për të justifikuar vjedhjen dhe keqpërdorimin në tregun e energjisë. Aferat me shitblerjen e rrymës nuk janë më vetëm dyshime – për to tashmë ka të dyshuar konkretë, njerëz të afërt me kryeministrin!”, u shpreh Haradinaj.

    Ai shtoi se shumë familje në Kosovë mezi i përballojnë faturat mujore të energjisë elektrike, ndërkohë që “një klikë e lidhur me pushtetin po pasurohet përmes rrugëve të paligjshme dhe të turpshme”.

    “Ky është një favor i hapur për klikën mafioze energjetike të instaluar nga kjo qeveri. Ata që janë zhytur në këto afera do të japin llogari para drejtësisë”, theksoi Haradinaj.

    Vendimi për rritjen e tarifave të energjisë vjen në një periudhë kur inflacioni dhe kostoja e jetesës janë shqetësime të mëdha për shumicën e qytetarëve në Kosovë. Reagimet politike dhe qytetare pritet të vazhdojnë në ditët në vijim./Telegrafi/

  • Të shtëna me armë zjarri në Gjakovë – një person plagoset, i dyshuari në arrati

    Të shtëna me armë zjarri në Gjakovë – një person plagoset, i dyshuari në arrati

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot tek ish objekti i gjykatës në Gjakovë, ku një peson është plagosur me armë zjarri, raporton Gazeta Sinjali.

    Lajmin e ka konfirmuar drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.

    Ai ka thënë se i plagosur po trajtohet në spital, ndërsa i dyshuari është identifikuar, por për momentin është në arrati.

    “Është një plagosje. Rasti ka ndodhë te ish-gjykata. Viktima është jashtë rrezikut për jetë. I dyshuari është në arrati, por është identifikuar. I plagosuri po trajtohet në spital”, tha ai.

  • Rrëzimi tragjik i helikopterit në Nju Jork – detaje të reja nga vdekja e familjes pesë antarëshe

    Rrëzimi tragjik i helikopterit në Nju Jork – detaje të reja nga vdekja e familjes pesë antarëshe

    Një tjetër detaj shton edhe më shumë peshën e tragjedisë që ndodhi në Nju Jork me familjen prej pesë anëtarësh të drejtorit ekzekutiv të Siemens Spanjë, Agustin Escobar, të zhdukur nga rrëzimi i helikopterit me të cilin po udhëtonin, raportojnë mediat spanjolle.

    Siç raportohet nga El Diario, Escobar, gruaja e tij dhe tre fëmijët e tyre, 4, 5 dhe 11 vjeç, udhëtuan për në Nju Jork për të festuar ditëlindjen e njërit prej fëmijëve.

    Familja Escobar kishte mbërritur nga Barcelona në Nju Jork pak orë para fluturimit tragjik, duke zgjedhur të bënte një nga turet ajrore të zgjedhura nga turistët që vizitonin metropolin amerikan, rreth Statujës së Lirisë dhe deri në Urën George Washington.

    Teoria e re për shkakun e aksidentit

    Në të njëjtën kohë, ekspertët po përpiqen të analizojnë shkaqet e aksidentit duke shqyrtuar pamjet e regjistruara nga dëshmitarët okularë.

    Në pamje, helika në bishtin e helikopterit duket se është prerë.

    “Pamjet tregojnë se rotori goditi trupin kryesor të helikopterit, duke i prerë bishtin me këtë rezultat tragjik”, tha për Daily Mail ish-piloti ushtarak Jim Brussell. Sipas tij, kjo mund të jetë shkaktuar ose nga dështimi mekanik ose nga nga një gabim njerëzor.

    Në të njëjtën mënyrë, një ekspert që foli për Fox 5 tha: “Nëse koka rrotulluese shkëputej nga helikopteri, mjeti patjetër që do rrëzohej. Nuk ka asnjë mënyrë që një helikopter të bëjë një ulje normale me një dëmtim të tillë. “E vetmja gjë që do të ndodhë është se do të rrëzohet”.

    Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, helikopteri “ra si gur” në lumin Hudson, me pasojë vdekjen jo vetëm të familjes Escobar, por edhe të pilotit 36-vjeçar.

    “Dëgjova një kërcitje të fortë.” Ngrita sytë dhe pashë një helikopter duke rënë dhe duke u rrëzuar në ujë. “Unë nuk pashë askënd që notonte,” tha një dëshmitar okular për New York Times.

    “E pashë të binte nga qielli”. “Dëgjova pesë ose gjashtë tinguj të fortë që dukeshin si të shtëna armësh në qiell dhe pashë copa të helikopterit të thyheshin dhe më pas të binin në lumë”, përshkroi Danny Horbiak, i cili pa përplasjen nga dritarja e shtëpisë së tij.

    Edhe pse ende nuk ka një njoftim zyrtar për shkakun e aksidentit, videot e momentit të rënies së helikopterit tregojnë se helika në bisht i ishte shkëputur.

  • E konfirmon ZRrE-ja: Rryma shtrenjtohet për 16 për qind

    E konfirmon ZRrE-ja: Rryma shtrenjtohet për 16 për qind

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka bërë një njoftim zyrtar për media pas mbledhjes së mbajtur sot.

    Në këtë njoftim, zyrtarisht kanë treguar se çmimi i energjisë elektrike është rritur për rreth 16 % për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale.

    Njoftimi i plotë:

     KOMUNIKATË

    Seanca III e Bordit të ZRRE-së në 2025

    Më 11.04.2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka mbajtur seancën e tretë për vitin 2025. Në këtë seancë, Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar dhe aprovuar të Hyrat e Lejuara Maksimale për operatorët e licencuar, si në vijim:

    – Kërkesa/propozimi fillestar i KOSTT-it për të Hyrat e Lejuara Maksimale për OST/OT – ka qene 101.878 mil€ ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 88.198 mil€;

    – Kërkesa/propozimi fillestar i KEDS-it për të Hyrat e Lejuara Maksimale për OSSH ka qenë 214.45 mil€ ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 180.653 mil€;

    – Kërkesa/propozimi fillestar i KESCO-s për të Hyrat e Lejuara Maksimale për FSHU ka qene 447.626 mil€ ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 435.626 mil€, ku përfshihen operatorët e licencuar OSSH dhe OST/OT.

    Rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%.

    Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera të lidhura me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen elektronike ëëë.ero-ks.org

  • Osmani takon Erdoganin: Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë

    Osmani takon Erdoganin: Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë qëndrimit të saj në këtë shtet ku po merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë.

    Osmani tha se presidenti turk, është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses.

    Përmes një postimi në ‘rrjete sociale’Facebook’, Osmani shtoi se Turqia është dhe do të mbetet një partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal.

    Postimi i plotë:

    Presidenti Erdoğan është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses.

    Ai është një zë i fuqishëm i miqësisë dhe vizionit të përbashkët.

    Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë.

    Turqia është dhe do të mbetet një partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal. Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi, janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen.

  • Krasniqi: S’kemi ftesë nga Kurti, jemi në bisedime me opozitën

    Krasniqi: S’kemi ftesë nga Kurti, jemi në bisedime me opozitën

    Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë arritur sot në Kuvendin e Kosovës për të kryer procesin e regjistrimit pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi para gazetarëve se deri tani nuk kanë pranuar asnjë ftesë nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për ndonjë takim.

    “Për momentin nuk kemi marrë ftesë për takim nga z. Kurti”, u shpreh Krasniqi.

    Megjithatë, ai theksoi se janë në kontakte të vazhdueshme me partitë tjera opozitare, në rast se Lëvizja Vetëvendosje dështon ta formojë qeverinë e re.

    Tutje, Krasniqi deklaroi se është i hapur për takime.

  • “Stop vjedhjes me tarifa”- Nis protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    “Stop vjedhjes me tarifa”- Nis protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Pak pas mbledhjes së Zyrës së Rregullatorit për Energji, ku u miratua propozimi për shtrenjtimin e çmimit të rrymës, ka nisur protesta e paralajmëruar nga iniciativa “Asnjë cent më shumë” në Prishtinë.

    Disa qytetarë, të cilët mbajnë pankarta në duar, janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

    “Stop vjedhjes me tarifa”, “Fatura jonë, pasuria juaj”, “Nuk paguajmë për dështimet tuaja”, “Qytetarët nuk janë bankomat”, ishin disa nga pankartat që qytetarët po mbajnë në duar.

    Ndërkohë, ZRRE-ja, edhe pse nuk e bëri publike përqindjen e saktë të rritjes, Radio Evropa e Lirë raportoi me burime të brendshme se rritja mund të arrijë deri në 16 për qind.

    ZRRE-ja tha se do të njoftojë për përqindjen e rritjes së çmimit të rrymës në ditët në vijim.

  • Kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës, Dhoma e Tregtisë: Rrezikohen vendet e punës

    Kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës, Dhoma e Tregtisë: Rrezikohen vendet e punës

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë i ka bërë thirrje ZRRE-së që të mos shtrenjtojë energjinë, meqë pasojat do të jenë të mëdha.

    Në ditën kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë mori vendim për shtrenjtim të çmimit të energjisë, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike në këtë kohë rrezikon vendet e punës.

    “Nga fillimi kemi qenë kundër, biznesi dhe qytetarët nuk duhet të paguajnë dështimin. Kemi gati se çdo ditë njoftime nga KESCO se po rritet kërkesa për import të energjisë elektrike. Për katër vjet institucionet kanë dështuar të sjellin investime të jashtme”, deklaroi ai.

    Në konferencë për media, Ahmeti tha se bizneset vendore janë në situatë të vështirë, shkruan KosovaPress.

    Po ashtu, kryetari i kuvendit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Hamdi Malushaj ka shprehur shqetësimin lidhur me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë.

    “Kosova është vendi më i parregulluar për tregun e hapur. Komponentët e liberalizimit të tregut të hapur janë shumë strikte….Unë kërkoj komision parlamentar që ta shqyrtojnë, ta pyesin ZRrE-në se cilët komponentë janë plotësuar”, shtoi ai.

    ZRRE kohë më parë njoftoi se ka propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind.

    I gjithë paralajmërimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe protesta.

    Protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, është paraparë edhe sot nga ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

  • Avni Dehari: Me këdo që bëhet koalicioni për mua është njësoj

    Avni Dehari: Me këdo që bëhet koalicioni për mua është njësoj

    Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje është regjistruar si deputet i Kuvendit të Kosovës.

    Dehari tha se LVV me këdo që e bënë qeverinë e re për të është njësoj.

    “Me këdo që bëhet për mua është njësoj”, tha ai.

    Ndërsa, edhe dje disa anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë regjistruar sot si deputetë në Kuvendin e Kosovës, janë deklaruar të bindur se ky subjekt i ka numrat për formimin e qeverisë.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti të enjten nuk i është përgjigjur mediave sa i përket formimit të qeverisë apo zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mundshme.

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 mandate, numër ky i pa mjaftueshëm për të qeverisur e vetme në Kosovë.

    Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka takuar më 8 prill kryetarët e partive politike në vend, lidhur me përgatitjet për seancën konstituive. Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar 15 prillin si datë për konstituimin e Kuvendit, pasi Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

    Sot në Kuvendin e Kosovës pritet të regjistrohen deputetët e PDK dhe LDK.

  • ‘Po na detyron me ju qitë jashtë’ – përplasje mes gazetarëve dhe ZRRE-së

    ‘Po na detyron me ju qitë jashtë’ – përplasje mes gazetarëve dhe ZRRE-së

    Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka nisur mbledhjen e tij, ku pritet të merret një vendim për propozimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 15%.

    Gjatë diskutimeve mbi çështjet e rendit të ditës, mbledhja është shoqëruar me tensione mes gazetarëve dhe kryesuesit të Bordit, Ymer Fejzullahu.

    Një gazetar ka kërkuar të bëjë një pyetje, por nuk është lejuar ta bëjë.

    “A lejohet një pyetje me bë?”, ka pyetur gazetari, ndërsa Fejzullahu i është përgjigjur: “Mos na detyro me ju qit jashtë.”

    Një gazetar tjetër ka ndërhyrë, duke theksuar: “Me na largu jashtë nuk mundeni po… nuk ju kushton asgjë të jepni një përgjigje që intereson njerëzve.”