ATV

Author: G.O.

  • NjSI përfundon trajnimin SWAT të udhëhequr nga SHBA: Kjo forcon bashkëpunimin mes dy shteteve

    NjSI përfundon trajnimin SWAT të udhëhequr nga SHBA: Kjo forcon bashkëpunimin mes dy shteteve

    Njësia Speciale Intervenuese (NjSI) e Policisë së Kosovës ka përmbyllur me sukses një trajnim pesë-javor intensiv të llojit SWAT, organizuar dhe udhëhequr nga Programi i Mbështetjes kundër-Terrorizmit (ATA) i Departamentit të Sigurisë Diplomatike të Shteteve të Bashkuara.

    Në një njoftimi zyrtar, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka përgëzuar pjesëtarët e NjSI për përfundimin me sukses të këtij kursi të specializuar, duke nënvizuar se përgatitja e tyre është dëshmi e përkushtimit për sigurinë dhe rritjen e kapaciteteve operacionale.

    “Urime Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës për përfundimin e kursit 5-javor SWAT të udhëhequr nga Programi i Mbështetjes kundër Terrorizmit të Sigurisë Diplomatike. Trajnimi juaj forcon bashkëpunimin e sigurisë SHBA-Kosovë dhe mban të sigurta Ambasadën e SHBA-së dhe vendet tona. Faleminderit për shërbimin dhe përkushtimin tuaj”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

  • “Lindi beba në kerr” – Historia e jashtëzakonshme e Igballe Ahmetit si mami në kohë lufte

    “Lindi beba në kerr” – Historia e jashtëzakonshme e Igballe Ahmetit si mami në kohë lufte

    Igballe Ahemti, me një karrierë të gjatë e të palodhur si mami në kohë të vështira, duke asistuar gratë në lindje në kushte shtëpie, madje edhe në disa vende të pazakonta, ajo u bë një heroinë e shumë personave dhe është shembulli i një gruaje që nuk dorëzohet kurrë.

    E ftuar në emisionin “Studio A” në ATV, ajo foli për angazhimet e saj aso kohe, sfidat dhe përgjegjësitë me të cilat u përballë.

    Duke qenë mami për vite të tëra, zonja Igballe nuk e harron asnjëherë lindjen e fundit, pasi siç tha ajo ishte një lindje e pazakontë.

    Për të kuptuar më shumë, klikoni në videon e mëposhtme:

  • Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për Selimin dhe Krasniqin

    Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për Selimin dhe Krasniqin

    Prokuroria në Hagë ka kërkuar që paraburgimi për Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin të zgjatet edhe për dy muaj të tjerë.

    Sipas Prokurorisë, përfundimi i paraqitjes së provave nga ana e mbrojtjes së Selimit dhe Krasniqit rrit rrezikun e pengimit të drejtësisë dhe të kryerjes së veprave të tjera penale.

    Përveç kësaj, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka theksuar se këto rrethana justifikojnë gjithashtu rishqyrtimin e rrezikut të arratisjes në vendimet për vazhdimin e paraburgimit. E njëjta gjë është theksuar edhe në vendimin që ka të bëjë me Rexhep Selimin.

    Sipas Prokurorisë, vazhdojnë të ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Jakup Krasniqi ka kryer një ose më shumë nga krimet që bien në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK). Madje, sipas saj, këto dyshime janë përforcuar nga provat e paraqitura nga ZPS-ja, të cilat tashmë janë përfshirë në dosjen e gjykimit.

    Prokuroria gjithashtu thekson se, për shkak se Krasniqi dhe Selimi tani kanë njohuri të detajuara për rastin dhe provat kundër tyre, ekziston rreziku i shtuar që ata të mund të kryejnë vepra të tjera penale, përfshirë veprime ndaj dëshmitarëve që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje, apo që mund të paraqiten para Panelit në fazat e ardhshme të procedurës, raporton Betimi për Drejtësi.

    “Për më tepër, Selimi tashmë është në dijeni të identitetit të të gjithë dëshmitarëve të ZPS-së dhe të provave të tyre. Përfundimi i çështjes së ZPS-së nuk e zvogëlon rrezikun e pengimit, por e rrit atë, pasi i akuzuari tashmë ka njohuri të plotë për përmbajtjen e çështjes ndaj tij. Siç është theksuar nga Trupi Gjykues, ekziston rreziku që ndërhyrjet me qëllim për të siguruar tërheqje të dëshmive dhe/ose për të dekurajuar dëshmitarët e ardhshëm nga dhënia e dëshmive mund të pengojnë përparimin e procedurës. Më tej, ekziston mundësia që dëshmitarët të thirren sërish, duke i bërë ata të cenueshëm ndaj përpjekjeve për ndërhyrje”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për Selimin.

    Përveç rrezikut të arratisjes dhe pengimit të procedurave, Prokuroria ka thënë se masat e vendosura ne objektet e paraburgimit kanë ofruar garanci kundër vizitave dhe komunikimeve të pamonitotuara si masa për të mimimizuar rreziqet përkatëse.

    Ata thonë se paraburgimi mbetet proporcional dhe i arsyeshëm veçanërisht që procedurat tashmë kanë përparuar.

    Ndryshe, Prokuroria më 15 prill 2025 ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Shkencëtarët rrisin për herë të parë dhëmbë në laborator

    Shkencëtarët rrisin për herë të parë dhëmbë në laborator

    Shkencëtarët nga King’s College London kanë bërë përparim të madh duke rritur një dhëmb njerëzor në kushte laboratorike, duke përdorur qeliza staminale (qeliza burimore) dhe teknika të avancuara të inxhinierisë së indeve.

    Në këtë proces, ata kombinuan qeliza të mishit të dhëmbit nga embrione minjsh me qeliza njerëzore të mishit të dhëmbit, për të nxitur formimin e një strukture që më pas u rrit si një dhëmb i plotë.

    Zëvendësim natyral i dhëmbëve: Në vend të implanteve artificiale, pacientët në të ardhmen mund të kenë dhëmbë të rinj të gjeneruar nga qelizat e tyre, që janë biologjikisht të përshtatshëm me trupin.

    Parandalimi i refuzimit imunitar: Përdorimi i qelizave vetjake do të ulë ndjeshëm rrezikun e refuzimit nga sistemi imunitar.

    Hap përpara në mjekësinë rigjenerative: Kjo teknologji mund të zgjerohet edhe për organe të tjera në të ardhmen.

    Ndërsa shumë specie mund t’i rigjenerojnë dhëmbët e tyre, njerëzit kanë vetëm një shans për të rritur një palë dhëmbë të shëndetshëm të rritur. Kjo, deri më tani.
    Shkencëtarët nga King’s College London kanë arritur të rrisin një dhëmb njerëzor në kushte laboratorike.

    Dhe ndonëse kjo arritje mund të jetë ende larg nga mbushja e boshllëqeve në gojën e dikujt, studiuesit thonë se ajo po plotëson boshllëqet në kërkime.

    “Ideja për të zëvendësuar një dhëmb në mënyrë biologjike, duke e rritur atë sërish, më tërhoqi drejt Londrës dhe në King’s,” shpjegon drejtoresha e stomatologjisë rigjeneruese, Dr. Ana Angelova-Volponi.

    “Duke rritur një dhëmb në një enë laboratorike, ne në të vërtetë po plotësojmë boshllëqet në njohuri.”

    Një buzëqeshje perfekte është shumë e dëshiruar sot, me shumë njerëz që po i drejtohen telave apo implantëve për të arritur pamjen “alla reality TV”.

    “Dhëmbët e rritur në laborator do të rigjenerohen në mënyrë natyrale, duke u integruar në nofull si dhëmbë të vërtetë.

    Ata do të jenë më të fortë, do të zgjasin më shumë, dhe nuk do të kenë rrezik refuzimi nga organizmi duke ofruar një zgjidhje më të qëndrueshme dhe biologjikisht të përputhshme sesa mbushjet apo implantet.”

    Ekipi i King’s, në bashkëpunim me Imperial College London, ka arritur të prezantojë një lloj të veçantë materiali që mundëson komunikimin mes qelizave.

    Kjo do të thotë se një qelizë mund t’i “thotë” një tjetre të fillojë të shndërrohet në qelizë dhëmbi duke imituar ambientin natyral të zhvillimit të dhëmbëve dhe duke u dhënë shkencëtarëve mundësinë të riprodhojnë këtë proces në laborator.

  • Studimi i fundit: Higjiena e dobët orale shkakton dhimbje të trupit dhe migrenë

    Studimi i fundit: Higjiena e dobët orale shkakton dhimbje të trupit dhe migrenë

    Lidhja mes migrenës dhe higjienës orale është një fushë që ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve kohët e fundit. Migrena është një dhimbje koke kronike që mund të shkaktohet nga shumë faktorë, përfshirë stresin dhe gjumin e pamjaftueshëm. Sidoqoftë, një higjienë e dobët orale mund të kontribuojë në përkeqësimin e simptomave të migrenës.

    Studimet kanë treguar se dhimbjet që lidhen me infeksionet orale, si gingiviti, mund të nxisin një rritje të intensitetit të migrenës, sidomos tek gratë.

    Në disa raste, dhimbjet e trupit dhe sindromat e dhimbjes janë më të shprehura te individët që kanë problem me shëndetin e gojës. Një nga shkaktarët e zakonshëm është inflamacioni i mishrave të dhëmbëve, i cili mund të ndikojë në trupin e përgjithshëm dhe të shkaktojë dhimbje të ndryshme. Përdorimi i pamjaftueshëm i pastës për dhëmbë dhe pastrimi jo i duhur mund të shkaktojnë infeksione që, në disa raste, ndikojnë edhe në ndjeshmërinë ndaj migrenës.

    Një lidhje e ngushtë është gjetur mes shëndetit oral dhe dhimbjes kronike, e cila përfshin migrenën dhe dhimbjet e trupit. Shumë gra që përjetojnë migrenë kanë raportuar se simptomat e tyre përkeqësohen pas periudhave të gjatë të higjienës së dobët orale. Një studim ka treguar se nënat dhe gratë që kanë dhimbje kronike kanë më shumë mundësi të zhvillojnë probleme orale dhe kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre mendor dhe fizik.

    Shumë herë, mund të duket se migrena është një problem i izoluar, por ajo mund të jetë një pasojë indirekte e kushteve të tjera shëndetësore. Në këtë rast, higjiena orale e dobët është një faktor tërheqës për përkeqësimin e migrenës, dhe mund të kontribuojë në rritjen e frekuencës së atakëve të dhimbjes së kokës. Trajtimi i dhimbjeve të kokës dhe parandalimi i tyre mund të bëhet më i efektshëm kur trajtohen edhe problemet orale.

    Prandaj, është e rëndësishme që individët, veçanërisht gratë, të mbajnë një higjienë të mirë orale për të parandaluar komplikimet e mundshme, përfshirë migrenën. Trajtimi i hershëm dhe vizitat e rregullta tek dentistët mund të ndihmojnë në minimizimin e rreziqeve që lidhen me këto probleme dhe mund të ofrojnë një mundësi për të menaxhuar më mirë shëndetin mendor dhe fizik.

  • Vendosja e shportave metalike dhe kontejnerëve përmirëson situatën me mbeturina në Prishtinë

    Vendosja e shportave metalike dhe kontejnerëve përmirëson situatën me mbeturina në Prishtinë

    Menaxhimi i situatës me mbeturina në Prishtinë është një çështje që lidhet ngushtë me menaxhimin urban të mbeturinave dhe mirëmbajtjen e pastërtisë publike.

    Kjo përgjegjësi zakonisht bie mbi ndërmarrjen publike “Pastrimi” sh.a. Prishtinë, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

    Viteve të fundit në zonat më të frekuentuara nga këmbësorët si qendra, trotuare e të tjera janë vendosur një sërë shporta përfshirë edhe kontejnerë për të mbajtur ambientin pasur.
    Shportat përdoren për mbeturina të vogla si mbështjellës, letra, shishe të vogla plastike e të tjera.

    Ndërkohë, Arbnora Ademi, zëdhënëse e Ndërmarrjes publike “Pastrimi” në kryeqytet, ka theksuar se tashmë situata në terrenin e Prishtinës është përmirësuar, pasi që ekipet e pastrimit po e kanë më të lehtë pastrimin e ambientit që kur u vendosën e shportat dhe kontejnerët e rinj në Prishtinë.

    Tutje, Ademi ka theksuar se nuk është më telashe numri i punëtorëve të ndërmarrjes në fjalë, pasi që kanë mjaftueshëm edhe kapacitete për të realizuar këtë punë.

    Nga ana tjetër, shefi i sektorit te mbeturinave në komunën e Prishtinës., Dukagjin Gashi përmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, ka konfirmuar se po vazhdojnë të investojnë në këtë fushë.

    “Jemi duke e menaxhuar mirë situatën, pasi që janë investuar mijëra euro në këtë aspekt. Këtë vit janë shpërndarë rreth 975 kontenjerë në Prishtinë dhe nëpër lagje. Përpos tyre kemi shpërndarë edhe shporta metalike dhe plastikës për mbeturina të xhepit”, tha Gashi.

    Mes tjerash, në fund të vitit 2024. Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se janë vënë në dispozicion dy shërbime të rëndësishme për menaxhimin dhe largimin e mbeturinave specifike: mbeturinat nga ndërtimi dhe demolimi, si dhe mbeturinat e vëllimshme.

    Ndryshe, Këto shërbime synojnë të përmirësojnë pastërtinë dhe menaxhimin e mbeturinave në të gjitha lagjet e kryeqytetit.

  • Ndikimi i lojërave virtuale tek fëmijët dhe adoleshentët, pasojat dhe përfitimet

    Ndikimi i lojërave virtuale tek fëmijët dhe adoleshentët, pasojat dhe përfitimet

    Lojërat elektronike kanë një ndikim të ndërlikuar në zhvillimin e fëmijëve dhe adoleshentëve, duke sjellë përfitime ashtu edhe sfida. Nëse menaxhohen me kujdes, ato mund të kontribuojnë në zhvillimin kognitiv, social dhe emocional të të rinjve, por përdorimi i tepruar ose i papërshtatshëm mund të shkaktojë probleme shëndetësore dhe sociale.

    Një nga përfitimet kryesore të lojërave elektronike është ndikimi i tyre në aftësitë kognitive të fëmijëve dhe adoleshentëve. Studimet kanë treguar se lojërat mund të ndihmojnë në përmirësimin e kujtesës, planifikimit dhe zgjidhjes së problemeve. Fëmijët që luajnë lojëra strategjike mund të zhvillojnë aftësi në menaxhimin e informacionit dhe marrjen e vendimeve të shpejta. Po ashtu, disa lojëra mund të ndihmojnë në zhvillimin e aftësive për të punuar në grup dhe për të marrë rolin e udhëheqësit, duke përmirësuar kështu aftësitë sociale.

    Megjithatë, ndikimi negativ i lojërave elektronike është gjithashtu një shqetësim i rëndësishëm. Përdorimi i tepruar i lojërave mund të çojë në probleme shëndetësore fizike dhe mendore. Një prej rreziqeve të dukshme është varësia nga lojërat, që mund të shkaktojë rënie të aktiviteteve fizike dhe të çojë në probleme si dhimbjet e shpinës, lodhje dhe çrregullime të gjumit. Për më tepër, fëmijët dhe adoleshentët që kalojnë shumë kohë para ekraneve mund të kenë vështirësi në përqendrimin në detyrat shkollore dhe aktivitete të tjera jetësore.

    Një tjetër problem që mund të lindë nga lojërat elektronike është ndikimi i mundshëm në shëndetin mendor. Disa studime kanë treguar lidhje mes përdorimit të tepruar të lojërave dhe shfaqjes së simptomave të ankthit, depresionit dhe izolimit social. Në disa raste, adoleshentët mund të përjetojnë një rënie të ndjeshme të aftësisë për të krijuar marrëdhënie reale dhe për të komunikuar me individë jashtë mjedisit virtual.

    Në përfundim, ndikimi i lojërave elektronike te fëmijët dhe adoleshentët është i dyfishtë. Megjithëse ato mund të ofrojnë mundësi për zhvillimin e aftësive kognitive dhe sociale, përdorimi i tepruar dhe i papërshtatshëm mund të shkaktojë probleme shëndetësore dhe mendore. Kjo tregon nevojën për një balancim të kujdesshëm dhe menaxhim të përdorimit të lojërave, që të mundësojë përfitimet më të mëdha dhe të reduktojë rreziqet.

  • ‘Asnjë cent më shumë’ paralajmëron përshkallëzim të protestave nëse nuk ka reflektim

    ‘Asnjë cent më shumë’ paralajmëron përshkallëzim të protestave nëse nuk ka reflektim

    Grupi qytetar “Asnjë cent më shumë” ka paralajmëruar se do të intensifikojë veprimet e tij nëse autoritetet nuk reagojnë ndaj kërkesave për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, shkruan Gazeta Sinjali.

    Gjatë një konference për media të mbajtur pranë Kuvendit të Kosovës, bashkë-iniciatori i kampanjës, Besnik Shabiu, tha se në rast se nuk ka reflektim nga institucionet pas ditës së nesërme, protestat do të masivizohen dhe mund të përshkallëzohen.

    “Njëra nga alternativat është paralizimi i aktiviteteve të institucioneve, bllokimi i rrugëve dhe shesheve,” theksoi ai.

    Shabiu gjithashtu sqaroi se qëllimi nuk është të shkaktohen dëme, por të ushtrohet presion qytetar për të ndalur vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifës me 16.1%.

    “Nuk kemi asnjë synim që të bëjmë dëme, por që ideja është që të paralizohet aktiviteti i institucionit,” u shpreh ai.

  • Pas rrymës, paralajmërohet shtrenjtim i çmimit të miellit në Kosovë

    Pas rrymës, paralajmërohet shtrenjtim i çmimit të miellit në Kosovë

    Pas shtrenjtimit të rrymës, pritet të ketë edhe ngritje të çmimit të miellit.

    Paralajmërimin e ka bërë Kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu, i cili tha se do të ketë “ngritje të lehtë të çmimit”.

    Sipas tij, kjo rritje nuk do të ketë ndikim të madh.

    “Sa i përket shtrenjtimit të miellit, sigurisht do të ketë një ngritje të çmimit, por do të jetë ngritje e lehtë, nuk do të ketë ndikim shumë të madh pasi energjia elektrike në çdo përpunim ka pjesëmarrjen e vet. Sa është pjesëmarrja e energjisë elektrike në përpunimin e grurit dhe në atë pjesë mund të variojmë me çmimin. Por, jo me norma astronomike ku mundohet çdo industri apo dikush ta shfrytëzojë këtë momentum”, ka deklaruar Zejnullahu në KTV.

    Ai u ka bërë thirrje përpunuesve që të mos e shfrytëzojnë situatën e krijuar për të përfituar në kurriz të qytetarëve, por që të operojnë me çmime normale.

  • Kina: Nuk u kemi dhënë armë vdekjeprurëse palëve në luftën në Ukrainë

    Kina: Nuk u kemi dhënë armë vdekjeprurëse palëve në luftën në Ukrainë

    Pekini ka mohuar se i ka dhënë armë vdekjeprurëse ndonjërës palë në luftën në Ukrainë, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pretendoi se ka “informacione” se Kina po e furnizon me armë Rusinë.

    “Pala kineze asnjëherë nuk ka ofruar armë vdekjeprurëse për ndonjërën palë në konflikt dhe në mënyrë të rreptë kontrollon mjetet me përdorim të dyfishtë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian më 18 prill.

    Zelensky nuk dha detaje për akuzat e tij ndaj Kinës, por vetëm tha se Kievi është “i gatshëm” që të bisedojë në detaje për këto pretendime.

    Javën e kaluar, presidenti ukrainas tha se Kievi e di se të paktën 155 shtetas kinezë janë dislokuar për të ndihmuar Moskën në luftën kundër Ukrainës dhe pretendoi se ushtria ukrainase ka kapur dy ushtarë kinezë në rajonin lindor të Donjeckut, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Pekini tha të premten se “qëndrimi ynë ndaj çështjes së Ukrainës është konsistent dhe i qartë”.

    “Ne vazhdimisht kemi bërë përpjekje për ndaljen e armiqësive dhe për bisedime të paqes”, tha Lin.

    Kina e ka paraqitur veten si një palë neutrale lidhur me luftën trevjeçare në Ukrainë, pavarësisht kritikave të qeverive perëndimore se lidhjet e saj të ngushta me Rusinë i kanë dhënë Moskës ndihmë të rëndësishme ekonomike dhe diplomatike.