ATV

Author: G.O.

  • Derbi i nxehtë, Trepça dhe Sigal Prishtina përballen sonte në ‘Play Off’

    Derbi i nxehtë, Trepça dhe Sigal Prishtina përballen sonte në ‘Play Off’

    Basketbolli kosovar ka hyrë në fazën më të nxehtë, pasi sonte, me fillim nga ora 19:00, Trepça dhe Sigal Prishtina do të ndeshen në ndeshjen e parë gjysmëfinale.

    Përballjet mes këtyre dy rivalëve të vjetër kanë dhuruar gjithmonë spektakël dhe rivalitet, dhe pritet që edhe kjo të jetë një ndeshje e nxehtë.

    Në gjysmëfinalen tjetër, Bashkimi do të presë Pejën, me ndeshjen që do të luhet të dielën, gjithashtu në ora 19:00

    Skuadra që arrin të sigurojë tre fitore do të kualifikohet për në finalen e madhe.

  • Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit, çfarë pritet të ndodh?

    Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit, çfarë pritet të ndodh?

    Sot nga ora 12:00 do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të sjellë përpjekje të reja për formimin e legjislaturës së nëntë. Ky proces ka dështuar edhe në seancën e kaluar, kur kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, ishte i detyruar të ndërpresë seancën për shkak të mungesës së konsensusit mes deputetëve mbi hapin e radhës.

    Një nga arsyet kryesore të dështimit ka qenë qëndrimi i partive opozitare të koalicionit të kaluar, të cilat kanë mbajtur pozita të forta kundër asaj që ata e quajnë “qeveri të paligjshme”.

    PDK, LDK dhe AAK vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen formale të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kabinetit të tij qeveritar, si një kusht për vazhdimin e procesit parlamentar.

    Në seancën e kaluar, opozita ngriti akuzat për shkelje të procedurave nga ana e kryesuesit Avni Dehari, të cilin e cilësuan si të pafavorshëm dhe të njëanshëm në drejtimin e procesit.

    Sipas këtyre partive, Dehari kishte kryer shkelje të rënda procedurale, duke krijuar një klima të tensionuar dhe të pamundësishme për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme.

    Në anën tjetër, nga koalicioni fitues, LVV-Guxo dhe Alternativa, shprehen të bindur se kanë numrat e nevojshëm për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

    Haxhi Avdyli, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se kanë një marrëveshje të arritur me Nismën Socialdemokrate për të siguruar mbështetje në Kuvend, ndërkohë që janë duke diskutuar për dy ose tre emra për postin e kryeparlamentarit.

    Emilja Rexhepi, zëvendëskryeministre në detyrë, konfirmoi se po zhvillohen bisedime me Nismën për të finalizuar emrin që do të propozohet për këtë pozitë. Megjithatë, ajo shtoi se ende nuk ka një emër të përfunduar dhe se procesi është ende në fazën e diskutimeve.

    Ndërkohë, kreu i Qeverisë në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur një qëndrim tërësisht të heshtur lidhur me këtë çështje, duke shmangur çdo koment lidhur me mundësinë e një dorëheqjeje ose zhvillimet e tjera politike.

    Kurti është përballur me pyetje të shumta nga gazetarët, por ka preferuar të mos i përgjigjet asnjë prej tyre, duke ruajtur një linjë të qetë dhe pa u angazhuar në ndonjë debat të mëtejshëm.

    Në seancën e parë konstituive, mungesa e kalimit të raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve të Deputetëve çoi në ndërprerjen e punimeve. Ky raport është një nga hapat kyç për të shpallur seanca të tjera të ligjshme dhe për të kaluar në fazën e votimit të funksionarëve të tjerë të Kuvendit.

    Nëse seanca e sotme do të arrijë të kalojë pa pengesa të tjera, mund të fillojë një proces më i shpejtë për krijimin e institucioneve të reja të Kuvendit dhe për avancimin e agjendës parlamentare.

    Megjithatë, mbetet të shihet nëse LVV do të arrijë të sigurojë një shumicë të mjaftueshme për të votuar kryetarin e Kuvendit dhe për të kaluar në fazat e tjera të krijimit të institucioneve të reja.

  • Sot nga ora 12:00 vazhdon protesta kundër shtrenjtimit të rrymës

    Sot nga ora 12:00 vazhdon protesta kundër shtrenjtimit të rrymës

    Në të njëjtën orë me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, sot qytetarët e Prishtinës do të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” për të protestuar kundër vendimit të ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

    Protesta e organizuar nga grupi i njohur “Asnjë cent më shumë”, do të mbahet nga ora 12:00 dhe do të shprehë revoltën e qytetarëve ndaj një tjetër ngritje të çmimeve, që po konsiderohet e papërballueshme për shumicën e familjeve kosovare.

    Ky vendim, i marrë nga ZRRE, parashikon një rritje të tarifave të energjisë elektrike për 16,1%, një vendim që ka shkaktuar pakënaqësi të thellë tek qytetarët, përfshirë ata të grupeve më të prekura sociale.

    Protestuesit kërkojnë anulimin e kësaj rritjeje, duke argumentuar se shtimi i mëtejshëm i shpenzimeve për energjinë elektrike do të rëndojë edhe më shumë situatën e qytetarëve, që tashmë janë duke përballuar një krizë të fortë ekonomike.

  • Neni 66 s’e zgjidhë nyjën për konstituimin e Kuvendit

    Neni 66 s’e zgjidhë nyjën për konstituimin e Kuvendit

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Të shtunën e 19 prillit, deputetët mblidhen për të tretën herë me radhë për seancën konstituive.

    Bazuar në deklarimet e liderëve partiakë, gjasat janë të mëdha që sërish të dështojë miratimi i raportit të komisionit për verifikimin e mandateve e seanca të mbyllet sërish pa ndonjë epilog.

    Por, njohës të Kushtetutës, vlerësojnë se konstituimi nuk mund të zvarritet edhe për kohë të gjatë meqë një interpretim i nenit 66 parasheh konstituimin e kuvendit 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore në këtë rast më së largu më 27 prill. (grafikë neni 66)

    “Pavarësisht që kjo dispozitë është e interpretueshme, të zgjedhurit e popullit bazuar në interpretimet e gjykatës kushtetuese, duhet të marrin veprime për konstituimin e kuvendit, në afat brenda 30 ditësh, në mënyrë që pastaj të kërkohet interpretim nga gjykata kushtetuese, se deri në sa ditë zvarritet nga ana e deputetëve”, tha avokati Ardian Bajraktari.

    Por, sipas një ish-gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese afate për këtë çështje nuk ka

    “Neni 66 nuk parasheh afat se kur duhet të konstituohet kuvendi”, deklaroi Kadri Kryeziu, ish-gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.

    Kadri Kryeziu, zgjidhjen e situatës e she vetëm në një marrëveshje politike.

    “Shtyrja e seancave mund të vazhdojë derisa njëri subjekt politik të lëshojë pe’, në këtë rast më shumë i takon Vetëvendosjes si subjekt me shumicë në kuvend”, shtoi tutje Kryeziu.

    Bazuar ose jo në nenin 66, nga Instituti i Kosovës për drejtësi, vlerësojnë se deputetët sa më shpejtë duhet ta kalojnë këtë situatë.

    Të martën, raporti për verifikimin e mandateve, mori vetëm 52 vota për, ndërkaq të martën, kryesuesi i Kuvendit as nuk e vuri fare në votim, ndonëse në sallë ishin së paku 100 deputetë.

  • Trainkos regjistron humbje prej 488 mijë eurosh në vitin 2024

    Trainkos regjistron humbje prej 488 mijë eurosh në vitin 2024

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Në plan qe transportimi i 500 mijë tonëve mallra por, në vagonët e dedikuar për këtë punë, që posedon ndërmarrja Trainkos u transportuan vetëm afro dy mijë tone, gjatë vitit 2024.

    Departamenti i transportit të mallrave në kuadër të ndërmarrjes, edhe vitin e kaluar performoi me humbje.

    Shitjet e biletave për udhëtarët që përdorën linjën Prishtinë – Pejë, nuk i sollën fitime Trainkos-it, as në 2024-tën. Ky departament, operoi me humbje prej 186 mijë eurosh.

    Në total, Trainkos regjistroi humbje afro 490 mijë eurosh, vitin e kaluar.

    Bllokimi i linjës hekurudhore Fushë Kosovë – Hani Elezit që nga viti 2021 ia ndërpreu krejtësisht transportin e mallrave ndërmarrjes, duke shkaktuar dëm mbi tetë milionë eurosh.

    ATV raportoi edhe më parë për performancën financiare negative të ndërmarrjes, për vitin e kaluar. Ndërkaq Trainkos, edhe vitin 2023 e kishte mbyllur me humbje prej afro 273 mijë eurosh.

  • Mbi 8 milionë euro ndahen për mbrojtjen e të akuzuarëve nga Specialja

    Mbi 8 milionë euro ndahen për mbrojtjen e të akuzuarëve nga Specialja

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Një milion e pesëqind e njëzet e tre mijë euro, janë shpenzuar nga buxheti i shtetit në tre muajt e parë të këtij viti, për avokatët që mbrojnë të akuzuarit e Speciales.

    Buxheti i ndarë për mbrojtjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, dhe të tjerëve që po gjykohen në Hagë, në total për këtë vit është tetë milionë e pesëdhjetë mijë euro.

    Ministria e Drejtësisë, në një përgjigjeje për ATV, thotë se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë nga avokatët për buxhet shtesë.

    Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se buxheti është shumë i rëndësishëm për një mbrojtje efikase.

    Sipas Kolajt, të akuzuarit duhet të mbështeten nga institucionet e Kosovës, në mënyrë që mungesa e buxhetit të mos ndikojë në procesin ndaj tyre.

    Kur u miratua ligji për Gjykatën Speciale nga Kuvendi në vitin 2015, ishte miratuar edhe ligji që ua garanton të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare nga buxheti i Kosovës.

  • “Kurti II” po shkel ligjin edhe si qeveri në detyrë

    “Kurti II” po shkel ligjin edhe si qeveri në detyrë

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Pesë ditë para se t’i përfundojë mandati, kryeministri në detyrë Albin Kurti u përkujdes që edhe Doganën mos ta lë pa zot, duke riemëruar Agron Llugaliun.

    Megjithëse me mandat të kufizuar ky ishte vetëm një prej disa vendimeve që Kurti mori ditëve të fundit përfshirë 13 vetëm gjatë mbledhjes së Qeverisë më 16 prill.

    Por juristët thonë se Kurti nuk ka të drejtë të marrë vendime në këtë periudhë, andaj veprimet e tij shkojnë përtej kompetencave të përcaktuara me ligj.

    “Në këtë situatë Qeveria ka për obligim vetëm administrimin e detyrave të domosdoshme deri në konstituimin e një Qeverie, vendime të tilla që kanë të bëjnë me orientimin e Qeverisë nuk mund të merren”, tha avokati Asdren Bytyqi.

    Jashtë kompetencave qe edhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i cili nuk hezitoi të publikoi fotografi duke nënshkruar një Udhëzimin e ri Administrativ për arkat fiskale.

    Vullnet Bugaqkut nga Instituti Demokratik I Kosovës, thekson se, nga momenti i dorëheqjes, nënshkrimi i çdo vendimi zyrtar duhet të kryhet nga zëvendësministri përkatës, jo nga ministri në detyrë.

    Sipas Bugaqkut vendimet në këtë periudhë mund të merren vetëm nëse ka bazë emergjente.

    Mandati katër vjeçar Qeverisë Kurti 2 përfundoi më 22 mars, por Albin Kurti bashkë më kabinetin e tij dhanë dorëheqje vetëm më 15 prill.

  • 44 veteranë e invalidë të luftës përfituan karroca elektrike

    44 veteranë e invalidë të luftës përfituan karroca elektrike

    PËRGATITI: DIELLËZA KRASNIQI

    Muslim Vojvoda po e analizon funksionimin e karrocës se re, meqë është elektrike lëvizja me të është shumë më e lehtë.

    Këtë pajisje të domosdoshme për të e fitoi falë një projekti të shoqatës humanitare “t’i ndihmojmë Drenicës’’.

    Një prej 44 karrocave të shpërndara për veteranet e invalidët e luftës e përfituan edhe Florije Sahiti e Kamer Ramhaxha.

    Karrocat u dhuruan nga Nadir Shantiri.

    ‘’E falënderoj zotin qe na e ka mundësua për neve është një dite e veçantë ta realizojmë një event te tille ta gëzojmë te buzëqeshin fytyrat e bukura me te vërtet qe kane pas shume nevoje qe te lëvizin vet me karroca elektrike’’, tha ai.

    44 karrocat e shpërndara kushtuan 11 mijë euro.

  • BE: Është thelbësore për Kosovën ta formojë shpejt Qeverinë e re

    BE: Është thelbësore për Kosovën ta formojë shpejt Qeverinë e re

    Bashkimi Evropian ka thënë se është thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, pasi vendi ka ngecur në përpjekje për formimin e institucioneve të reja më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

    “Formimi i shpejtë i Qeverisë është thelbësor për Kosovën për t’i çuar përpara reformat e rëndësishme në të gjithë sektorët, të cilat do ta përmirësojnë cilësinë dhe kushtet e jetës për popullin e Kosovës”, tha Zyra e BE-së në Prishtinë në një përgjigje të shkruar për Radion Evropa e Lirë të premten.

    Ajo tha se BE-ja po i ndjek nga afër zhvillimet lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, dhe shpreson se ky proces do të përfundojë së shpejti.

    Kosova dështoi ta konstituojë Kuvendin e ri dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Nuk është e qartë nëse mosmarrëveshjet mes partive parlamentare do të zgjidhet para mbajtjes së vazhdimit të seancës së ndërprerë të enjten, e caktuar për të shtunën e 19 prillit.

  • Rama: Ndalimi i punimeve në “Xhorxh Bush” për qëllime politike, do të vazhdojmë me procedura ligjore

    Rama: Ndalimi i punimeve në “Xhorxh Bush” për qëllime politike, do të vazhdojmë me procedura ligjore

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ndalimi i punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” është i paligjshëm.

    Në një konferencë për media, Rama ka thënë se “arsyetimet për këtë ndërhyrje janë të pabazuara nga institucionet që duhet të jenë të pavarura e që po përdoren për qëllime politike”.

    Sipas Ramës, ky veprim është ndërhyrje e qëllimshme, e cila cenon të drejtën e Prishtinës për zhvillim të qëndrueshëm urban dhe kulturor.

    “Për herë të dytë, Qeveria Qendrore ka ndërprerë punimet në një projekt që synon transformimin e kësaj hapësire në shërbim të qytetarëve. Arsyetimet për këtë ndërhyrje janë të pabazuara dhe joligjore nga institucionet që duhet të jenë të pavarura e që po përdoren për qëllime politike,” tha Rama.

    Sipas kryetarit, projekti në këtë shesh është konceptuar me qëllimin për të modernizuar hapësirën publike, duke integruar dhe promovuar trashëgiminë kulturore si pjesë të identitetit dhe zhvillimit ekonomik të qytetit dhe jo për të cënuar atë.

    Ai ka thënë se pavarësisht ftesës për debat publik, nuk ka pasur gatishmëri nga Ministri për t’u përballur me të vërtetat para qytetarëve.

    “Kryeqyteti do të vazhdojë të mbrojë të drejtën për zhvillim dhe do të vazhdoj me procedura ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin ligjin”, përfundoi Rama.