ATV

Author: G.O.

  • Mbrojtja thotë se Thaçi dhe Veseli kanë pasur vështirësi që të komunikojnë me familjarët e tyre

    Mbrojtja thotë se Thaçi dhe Veseli kanë pasur vështirësi që të komunikojnë me familjarët e tyre

    Gjatë parashtrimeve në konferencën mbi ecurinë e çështjes, të mërkurën në Hagë, mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon tha se kërkesa e tyre ka të bëjë me problemin e vazhdueshëm të Veselit për të paktën tre muajt e fundit për të pasur mundësi të komunikojë me fëmijët e tij përmes telefonit. Ngjashëm u ankua edhe mbrojtësi i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq.

    “Zoti Veseli e ka të vështirë që të bisedojë me ta përmes telefonit sepse e ka ndërprerje të vazhdueshme”, tha Dixon.

    Dixon tha se kanë gjetur zgjidhje të ndërmjetme me Zyrën Administrative lidhur me këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Veseli mban qëndrimin se situata është e paparanueshme dhe kanë ndërhyrë në të drejtat e tij dhe ka pasur ndikim edhe në përgatitjen e çështjes apo provave të mbrojtjes. Për këtë arsye, thjesht donim t’ua sjellim në vëmendje”, tha ai.

    Ndërsa, sa i takon aspektit tjetër që trajtoi Dixon, ishin vizitat në paraburgim, për çka ai tha se këtë problem e kanë edhe ekipet e tjera të mbrojtjes.

    “Ne duam që të sigurojmë që të jemi në gjendje që të kemi njoftim paraprak mjaftueshmërisht për sa i takon konfirmimit të vizitave në mënyrë të tillë që të mos presim deri në momentin e fundit, sepse këto kanë ndikim mbi aspekte të planifikimit dhe ato logjistike”, tha ai, duke shtuar që do ishte mirë që të jepet udhëzim i qartë që konfirmimi i vizitave të jepet sa më shpejtë që është e mundur.

    Gjithashtu edhe Luka Mishetiq, i cili përfaqëson Hashim Thaçi, tha se edhe i mbrojturi i tij përballet me probleme për të komunikuar me familjarët e tij përmes telefonit.

    “Këtë problem e ka edhe zoti Thaçi sa i takon bisedave telefonike me të shoqen dhe djalin e tij”, tha Mishetiq.

    Ai gjithashtu tha se ka pasur problem edhe për t’u takuar dje me Thaçin, ku Zyra Administrative e kishte zgjedhur problemin.

  • ​Krasniqi në gjysmëfinale të evropianit, lufton për medalje

    ​Krasniqi në gjysmëfinale të evropianit, lufton për medalje

    Distria Krasniqi është në rrugë të mbarë për të fituar medalje në Kampionatin Evropian të xhudos, që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi, raporton KosovaPress.

    Medalistja e dyfishtë olimpike u kualifikua në gjysmëfinale, pas fitoreve ndaj serbes Nikoliq dhe holandezes, Van Krevel, derisa në rrethin e parë ishte e lirë.

    Në gjysmëfinale Krasniqi do të ballafaqohet me spanjollen Ariana Toro Soler.

  • Aktorja Edita Dula me ide të veçantë biznesi, shet rroba të përdorura

    Aktorja Edita Dula me ide të veçantë biznesi, shet rroba të përdorura

    Aktorja Edita Dula vjen me një anë tjetër të saj, duke na prezantuar dyqanin e rrobave ‘second hand’ që ajo tash e një kohë ka hapur.

    Tash e një kohë aktorja ka filluar që shumë rroba të saja dhe jo vetëm, t’i ndaj me të tjerët në lokalin e saj në Fushë Kosovë.

    Në një intervistë për emisionin “Studio A” në ATV, Edita thotë se për menaxhimin e kohës mes aktrimit dhe dyqanit ajo tregoi se nuk e ka fare problem përderisa ajo që po e bënë i sjell pasion dhe dashuri.

    Ndërkohë, aktorja me një karrierë të gjatë në skenë ndau edhe një aspekt më pak të njohur të jetës së saj, duke theksuar se është e vështirë të mbijetosh vetëm me aktrim.

    Sipas saj, për të vazhduar në këtë profesion shpesh duhet të mbash edhe një punë të dytë.

    Mes tjerash, Edita si nënë e dy djemve, thotë se nuk do ua sugjeronte aktrimin si profesion, e fëmijët e saj nuk janë të interesuar as për modën dhe rrobat që ajo po shet./atvlive.tv

    Për më shumë ndiqni kronikën në videon e mëposhtme:

  • Reparti “Djepi i engjëjve” në QKUK ofron përkujdesje për bebet e braktisura

    Reparti “Djepi i engjëjve” në QKUK ofron përkujdesje për bebet e braktisura

    Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës shpeshherë trajtohen fëmijë të cilët përballen me mungesën e përkujdesjes prindërore. Këta fëmijë, të braktisur apo të lënë përkohësisht nga familjet e tyre për arsye të ndryshme sociale apo ekonomike, përfaqësojnë një nga kategoritë më të ndjeshme në sistemin shëndetësor. Mungesa e një figure prindërore gjatë qëndrimit në spital ndikon negativisht në aspektin emocional dhe psikologjik të fëmijës.

    Stafi mjekësor dhe infermierët në QKUK shpesh marrin rolin e kujdestarëve të përkohshëm për këta fëmijë. Megjithatë, për shkak të ngarkesës së madhe dhe mungesës së resurseve të mjaftueshme, ata nuk mund të ofrojnë vëmendjen dhe kujdesin e njëjtë si një prind. Kjo gjendje shpesh thekson nevojën për ndërhyrje të institucioneve sociale dhe për bashkëpunim të ngushtë me organizata që merren me mbrojtjen e fëmijëve.

    Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari, ka potencuar se për këtë kategori të fëmijeve kanë kujdes të veçantë, ani pse spitalet nuk janë vendbanime dhe as nuk janë të dizajnuara për të përmbushur nevojat emocionale të një fëmije pa familje.

    Tutje, Hajdari ka theksuar se ndërhyrja e hershme është kyçe për të parandaluar pasojat afatgjate psikologjike dhe sociale.

    Në përfundim, trajtimi i fëmijëve pa përkujdesje prindërore në QKUK mbetet një çështje që kërkon angazhim të shumëanshëm, duke filluar nga sektori shëndetësor, social, e deri te shoqëria civile. Këta fëmijë nuk kanë vetëm nevojë për trajtim mjekësor, por edhe për dashuri, siguri dhe përkujdesje të vazhdueshme që mund t’u garantohet vetëm përmes një qasjeje të koordinuar dhe humane./atvlive.tv/

  • Sa lexojnë kosovarët dhe cilat janë librat e fundit që kanë lexuar?- Kështu përgjigjen qytetarët në Prishtinë

    Sa lexojnë kosovarët dhe cilat janë librat e fundit që kanë lexuar?- Kështu përgjigjen qytetarët në Prishtinë

    Në emisionin ALARM në ATV, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Librit, ATV-ja zhvilloi një anketë me qytetarë në Prishtinë, të cilëve iu drejtua pyetja: “Sa lexojnë kosovarët dhe cilat janë librat e fundit që kanë lexuar?

    “S’ka më lexim të librave, tash po rrinë veç me telefon e internet” u përgjigj një qytetar.

    “Unë mendoj se zhvillimi I teknologjisë pak njerëzit i ka largu nga libri, lexojnë vetëm ata që janë të apasionuar, nuk po lexohet mjaftueshëm si përpara”, tha një qytetare.

    “Shumë pak po lexohet, këtyre herë kemi lexu më shumë në biblioteka e krejt por tash jo më se po dalin më shumë”, ishte përgjigja e një të moshuari./atvlive.tv

    Për të kuptuar më shumë , klikoni në videon e mëposhtme:

     

  • Bajrami: Nesër besoj që do ta dorëzojmë kallëzimin penal ndaj LVV-së, pasi ata kanë shkelur betimin e deputetit dhe Kushtetutën

    Bajrami: Nesër besoj që do ta dorëzojmë kallëzimin penal ndaj LVV-së, pasi ata kanë shkelur betimin e deputetit dhe Kushtetutën

    Pas ndërprerjes së seancës së pestë konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të qëllimshëm të institucioneve, derisa shtoi se deputeti është i lirë të votojë këdo që të dëshirojë, raporton ATV.

    Tutje, ajo para mediave po ashtu tregoi se nesër do të dorëzojnë kallëzimin penal ndaj Vetëvendosjes, pasi sipas saj kanë shkelur Kushtetutën në betimin e deputetëve.

    “Në fakt janë rrethana që nuk po ndryshojnë, ajo që po kërkohet nga LV-ja është që të ndryshoj. Siç e kemi thënë disa deputeti është i lirë dhe nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues. Nuk jemi të gatshëm që të kemi marrëveshje politike ose për kompromise me Lëvizjen Vetëvendosje. E keni parë se edhe pas betimit si deputetë, atë vazhdojnë të dalin në zyre dhe i kanë marrë peng institucionet e Kosovës, që nënkupton këta e kanë shkelur betimin e deputetit dhe Kushtetutën, pra janë shkelës të vazhdueshëm të kushtetutës, andaj edhe për këtë një grup i juristëve të LDK-së është në finalizim të kallëzimi penal që pritet nesër që ta dorëzojmë”, tha ajo./atvlive.tv/

     

  • Seanca konstituive, Hasani: Përveç Donikës e Albulenës të gjithë të tjerët janë të mirëpritur

    Seanca konstituive, Hasani: Përveç Donikës e Albulenës të gjithë të tjerët janë të mirëpritur

    Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani derisa ka hyrë në ndërtesën e Kuvendit, ka bërë me dije edhe një herë se PDK-ja nuk e voton Albulena Haxhin për kryetare të Kuvendit.

    Tutje, ai shtoi se përveç Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës, të gjithë të tjerët që do të propozohen për kryetar të Kuvendit do të jenë të mirëpritur.

    “Ajo nuk  i ka votat e Kuvendit, nuk i ka votat e partisë së vetë, andaj nuk kemi nevojë me e votu ne, ta votojnë ata të vetit. Çdo kush tjetër përveç Donika Gërvallës dhe Albulena Haxhiut të gjithë të tjerët janë të mirëpritur”, deklaroi ai./atvlive.tv

  • Trump sinjalizon ulje të tarifave për Kinën, por jo heqje totale

    Trump sinjalizon ulje të tarifave për Kinën, por jo heqje totale

    Presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar një ndryshim të mundshëm të kursit në luftën e tij tregtare me Kinën, duke deklaruar se tarifat e larta për mallrat kineze “do të ulen ndjeshëm, por nuk do të jenë zero”.

    Deklarata u bë gjatë një ngjarjeje në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump tregoi një ton më të butë pas javësh tensioni dhe përshkallëzimi të konfliktit tregtar, që kishte çuar tarifat mbi produktet kineze në mbi 145%.

    “145% është shumë. Nuk do të jetë aq e lartë. Do të ulet ndjeshëm, por nuk do të jetë zero”, tha Trump në një seancë pyetje-përgjigje me gazetarët në Zyrën Ovale.

    Komentet e tij erdhën në përgjigje të një deklarate të mëparshme nga Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, i cili në një konferencë për investime të organizuar nga JP Morgan Chase, kishte vlerësuar se lufta tregtare ishte bërë e paqëndrueshme dhe kishte “embarguar efektivisht tregtinë” mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

    Bessent parashikoi një de-përshkallëzim të afërt dhe theksoi se synimi nuk është shkëputja, por një ribalancim i marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve. Këto deklarata sollën një rritje të ndjeshme në bursat amerikane, me të tre indekset kryesore që prekën nivelet më të larta të ditës. Edhe tregjet aziatike reflektuan optimizëm, me Indeksin Hang Seng që u rrit me 2.5%, Nikkei 225 me 2%, dhe Kospi me 1.5%.

    Përshkallëzimi dhe kundërpërgjigjet kineze

    Lufta tregtare ka parë një valë të re tarifash dhe masash hakmarrëse nga të dyja palët. SHBA ka vendosur tarifa rekord ndaj importeve kineze, ndërsa Kina ka rritur tarifat për mallrat amerikane deri në 125%, ka futur më shumë kompani në listën e subjekteve të padëshirueshme dhe ka vendosur kufizime për eksportin e mineraleve kritike.

    Pekini ka goditur gjithashtu sektorë simbolikë amerikanë, si industria e filmit dhe ajo e aviacionit. Janë kufizuar filmat e Hollivudit në kinema kineze dhe janë kthyer në SHBA dy avionë Boeing që ishin destinuar për linjat ajrore kineze.

    Marrëdhënie personale dhe sfondi diplomatik

    Përkundër tensioneve, Trump ka theksuar vazhdimisht marrëdhënien e tij personale me Presidentin kinez Xi Jinping. “Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Xi,” tha ai, duke shtuar se shpreson për një marrëveshje të mundshme.

    Kur u pyet nëse SHBA do të ndiqte një qëndrim të ashpër për të detyruar Kinën të negociojë, apo nëse do të përmendej pandemia e Covid-19 në diskutime, Trump u përgjigj: “Jo, ne do të jemi shumë të mirë. Ata do të jenë shumë të mirë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë.”

    Nga ana tjetër, Kina ka bërë të qartë se është e hapur për negociata, por vetëm nëse ato zhvillohen mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe reciprocitetit. Një burim i afërt me qeverinë kineze konfirmoi se Pekini ka qenë i gatshëm për dialog, por është ndjerë i paqartë për kanalet e duhura të komunikimit nga pala amerikane.

    Në mënyrë të veçantë, reagime të ashpra kanë ardhur pas disa komenteve të zyrtarëve amerikanë, përfshirë nënpresidentin JD Vance, i cili u kritikua nga Kina për deklarata fyese që nxitën zemërim në rrjetet sociale kineze.

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve – sot në Hagë mbahet konferenca për ecurinë e çështjes

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve – sot në Hagë mbahet konferenca për ecurinë e çështjes

    Sot në ora 10:00, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbahet konferenca e parë pas përfundimit të fazës së Prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmbyllur paraqitjen e provave më 15 prill 2025, dhe tashmë mbrojtja ka paralajmëruar mocione për rrëzimin e një ose më shumë pikave të aktakuzës.

    Në konferencën e sotme do të diskutohet për hapat e ardhshëm procedural, ndërsa avokatët e të akuzuarve kanë njoftuar se planifikojnë të paraqesin dëshmitarët e tyre, por kjo do të ndodhë vetëm pasi të merret vendimi për mocionet për rrëzimin e akuzave.

    Kujtojmë se në deklarimet e tyre të para, të bërë në vitin 2020, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që u janë ngritur.

  • Papa Françesku do të varroset më 26 prill, njofton Vatikani

    Papa Françesku do të varroset më 26 prill, njofton Vatikani

    Varrimi i Papa Françeskut do të mbahet të shtunën, më 26 prill, në orën 10:00 në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, njoftoi Vatikani të martën.

    Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, vdiq më 21 prill në moshën 88-vjeçare.

    Ai vdiq nga sulmi në tru dhe si pasojë nga dështimi i pakthyeshëm i zemrës, tha Vatikani.

    Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa komplikime shëndetësore.

    Më 2021, ai i ishte nënshtruar një operimi në zorrën e trashë, ndërsa më 2023 ka pasur një operim tjetër në abdomen për të trajtuar herninë.

    Ai ishte përballur edhe me dhimbje kronike të gjurit dhe shpinës, dhe shpesh kishte përdorur karrige lëvizëse.

    Pavarësisht këtyre komplikimeve, ai pati agjendë të ngarkuar, dhe i kreu detyrat e një pape, si dhe udhëtoi nëpër botë.

    Në fillim të vitit 2025, ai u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në traktin e frymëmarrjes, çka më vonë i rezultoi me pneumoni të dyfishtë. Gjendja e tij ishte e rënduar, duke e detyruar të qëndronte ditë të tëra në spital.

    Si Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane, ai ishte i pari prej kontinentit amerikan, dhe i pari i lindur jashtë Evropës që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar.

    Bergoglio, i biri i imigrantëve italianë, kishte punuar si teknik kimik para se t’iu bashkohej jezuitëve më 1958.

    Ai ishte shuguruar si prift më 1969 dhe ishte bërë udhëheqës superior i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën 1973-1979.

    Më 1988, ai ishte emëruar peshkop i Buenos Airesit. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e kishte ngritur atë në Kolegjin e Kardinalëve.

    I zgjedhur Papë më 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, ai e zgjodhi emrin Françesk, për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin e tij ndaj përulësisë dhe të varfërve.

    Periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin në mëshirë, në drejtësinë sociale dhe kujdesin mjedisor.