ATV

Author: G.O.

  • IKShPK-ja del me rekomandime për mbrojtje nga vapa: Pini ujë shpesh

    IKShPK-ja del me rekomandime për mbrojtje nga vapa: Pini ujë shpesh

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka dalë me rekomandime për mbrojtje nga vapa për kategoritë e ndjeshme, si fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Pirja e ujit, qëndrimi nën hije e veshja e rrobave të lehta janë disa prej këshillave.

    Gjithashtu kërkohet që të mos lihen fëmijët brenda makinave.

    “Temperaturat e ngritura mund të paraqesin rrezik për shëndetin, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ju fton të ndiqni rekomandimet për mbrojtje nga efektet e vapës dhe të kujdeseni për veten dhe të afërmit tuaj”, shkruan IKSHPK.

  • Ministria iraniane e Shëndetësisë: 50 persona janë vrarë nga sulmet ajrore amerikane që nga fundi i qershorit

    Ministria iraniane e Shëndetësisë: 50 persona janë vrarë nga sulmet ajrore amerikane që nga fundi i qershorit

    Të paktën 50 persona janë vrarë nga sulmet amerikane në Iran që nga 27 qershori, ka bërë të ditur një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi.

    Hossein Kermanpour tha se më shumë se 500 persona janë plagosur gjatë së njëjtës periudhë, ndërsa në mesin e të vrarëve ishin pesë gra dhe dy fëmijë.

    Gjatë natës, televizioni shtetëror iranian raportoi se tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën gjatë një sulmi që dëmtoi infrastrukturën në provincën Hormozgan.

    Ndërkohë, ushtria amerikane ka pranuar se disa pjesëtarë të tjerë të saj janë plagosur.

  • Mbi 890 zjarre aktive në Kanada, mbi 200 prej tyre jashtë kontrollit

    Mbi 890 zjarre aktive në Kanada, mbi 200 prej tyre jashtë kontrollit

    Më shumë se 200 zjarre mbetën jashtë kontrollit në Kanada të premten, veçanërisht në provincën e Ontarios, tymi i së cilës po thithet nga miliona banorë të Shteteve të Bashkuara verilindore.

    Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kanadeze Ndëragjenciale e Zjarrit Pyjor (CIFFC), 206 zjarre mbetën jashtë kontrollit nga një total prej 896 zjarresh aktive. Një total prej 70 zjarresh të reja shpërthyen gjatë ditës.

    Sezoni aktual i zjarreve në Kanada po përshkruhet si më pak dramatik se viti 2023 , një vit me rekorde tragjike, por intensiteti i tyre është rritur javën e kaluar.

    Pothuajse 28 milionë hektarë janë djegur në vitin 2026, sipas të dhënave më të fundit nga qeveria federale kanadeze. Vetëm të premten e kaluar, ky numër ishte afër 16 milionë hektarëve.

    Situata konsiderohet veçanërisht kritike në Ontario, ku më shumë se 80 zjarre mbetën jashtë kontrollit. Ontario kërkoi ndihmë federale të enjten. Zjarrfikës nga provinca të tjera, përfshirë Albertën dhe Yukonin, janë dërguar në provincë.

    Më shumë se 80 avionë dhe helikopterë zjarrfikës janë vendosur në Ontario për të ndihmuar në përpjekjet për shuarjen e zjarreve.

    39 avionë të tjerë janë gati të shkojnë në zona të izoluara, të paarritshme nga toka, për të evakuuar urgjentisht banorët e komuniteteve, kryesisht popuj indigjenë, tha Doug Ford.

    Tymi nga këto zjarre, i transportuar nga erërat, po shkakton përkeqësim ekstrem të cilësisë së ajrit në Toronto dhe në verilindje të Shteteve të Bashkuara.

    Sipas të dhënave të përpiluara nga kompania zvicerane IQAir, qytetet në shtetin e Detroitit, si
    Çikago dhe kryeqyteti federal i SHBA-së, Uashingtoni, ishin ndër ato me ndotjen më të keqe të ajrit në planet.

  • Këto janë ndër qytetet më të vjetra të banuara në botë – sekreti i tyre ende mahnit botën

    Këto janë ndër qytetet më të vjetra të banuara në botë – sekreti i tyre ende mahnit botën

    U ngritën pranë ujit, u pasuruan nga tregtia dhe u rindërtuan pas luftërave – sekreti i mbijetesës së tyre vazhdon të mahnitë historianët

    Është e vështirë të përcaktohet me siguri se cili është qyteti më i vjetër në botë ku vazhdon të jetohet edhe sot. Përgjigjja varet nga mënyra se si e përkufizojmë një qytet dhe nga dëshmitë që kemi për vazhdimësinë e banimit.

    Disa vendbanime kanë gjurmë të jetës njerëzore më shumë se 10 mijë vjet të vjetra, por në fazat e tyre të hershme nuk kishin domosdoshmërisht tiparet që sot lidhen me një qytet: popullsi të përhershme, organizim shoqëror, institucione fetare ose politike, fortifikime dhe infrastrukturë.

    Jerikoja, Biblosi dhe Damasku përmenden rregullisht ndër qytetet më të vjetra të banuara në botë. Në lista të ngjashme përfshihen edhe Alepo, Athina, Plovdivi dhe qytete të tjera të lashta, por renditja ndryshon sipas kritereve të përdorura.

    Këto qytete janë një lloj muzeu i hapur i njerëzimit. Në shtresat e tyre arkeologjike mund të ndiqet zhvillimi i banimit të përhershëm, bujqësisë, tregtisë, arkitekturës dhe besimeve fetare gjatë mijëra vjetëve.

    Pse qytetet e para u krijuan pranë ujit?

    Uji ishte kushti kryesor për formimin dhe mbijetesën e vendbanimeve të hershme. Burimet, lumenjtë dhe luginat pjellore u siguronin banorëve ujë të pijshëm dhe mundësi për kultivimin e tokës.

    Me kalimin e kohës u ndërtuan puse, kanale ujitëse dhe cisterna për grumbullimin e ujit të shiut. Prodhimi i qëndrueshëm i ushqimit bëri të mundur rritjen e popullsisë dhe krijimin e bashkësive gjithnjë e më të organizuara.

    Rëndësi të madhe kishin edhe feja dhe tregtia. Në qendrat e qyteteve zakonisht ndërtoheshin tempuj, faltore ose pallate, ndërsa pozita pranë rrugëve tregtare nxiste shkëmbimin e ushqimeve, drurit, tekstileve, veglave dhe metaleve.

    Tregtia ndihmoi në zhvillimin e zejeve, administratës, sistemeve tatimore dhe shkrimit, transmeton Telegrafi.

    Jerikoja – vendbanimi që ndryshoi historinë e qytetërimit

    Jerikoja ndodhet në Bregun Perëndimor, pranë lumit Jordan, në një oazë shumë më poshtë se niveli i detit. Zona arkeologjike Tell es-Sultan, në afërsi të qytetit të sotëm, përmban gjurmë të veprimtarisë njerëzore që shkojnë deri në mijëvjeçarin e nëntë para erës sonë.

    Që në atë periudhë aty ekzistonte një vendbanim i madh dhe i përhershëm, me ndërtime monumentale, mur rrethues dhe një kullë prej guri. Këto struktura dëshmojnë se banorët kishin arritur një nivel të lartë organizimi shoqëror shumë herët në historinë njerëzore.

    Shtëpitë e fazave të hershme ishin të rrumbullakëta dhe ndërtoheshin me tulla balte. Në periudhat e mëvonshme u shfaqën ndërtesat drejtkëndore, dyshemetë e suvatuara, hapësirat publike dhe dëshmitë për bujqësi, endje e tregti.

    Jerikoja është e njohur edhe për të ashtuquajturat “kafka të suvatuara”. Të vdekurit varroseshin shpesh nën dyshemetë e shtëpive, ndërsa kafkat ndaheshin nga trupi dhe modeloheshin me suva. Arkeologët e lidhin këtë praktikë me nderimin e paraardhësve dhe me besimet e komuniteteve neolitike.

    Historia e qytetit përmban periudha zhvillimi, shkatërrimi, braktisjeje dhe rindërtimi. Për këtë arsye, shprehja “qyteti më i vjetër i banuar pa ndërprerje” duhet përdorur me kujdes. Jerikoja është pa dyshim një nga vendbanimet më të hershme urbane, por dëshmitë arkeologjike tregojnë se në historinë e saj ka pasur edhe ndërprerje.

    Rrëfimi biblik për izraelitët që rrëzuan muret e Jerikosë duke marshuar rreth qytetit dhe duke u rënë borive është pjesë e traditës fetare. Arkeologjia nuk e ka vërtetuar përfundimisht këtë ngjarje në formën dhe kohën e përshkruar në Bibël.

    Jerikoja përmendet edhe në Dhiatën e Re, në tregimet për shërimin e të verbrit Bartime dhe takimin e Jezusit me Zakeun.

    Në vitin 2023, Jerikoja e lashtë – Tell es-Sultan u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Sipas UNESCO-s, vendbanimi dëshmon kalimin drejt jetës së përhershme dhe të organizuar në bashkësi.

    Biblosi – qyteti që lidhi tregtinë me shkrimin

    Biblosi ndodhet në bregdetin e Libanit, rreth 40 kilometra në veri të Bejrutit. Dëshmitë arkeologjike tregojnë se zona ishte banuar nga një komunitet peshkatarësh rreth tetë mijë vjet më parë.

    Me kalimin e shekujve, vendbanimi u shndërrua në një nga qytetet më të rëndësishme fenikase. Pozita në bregdet dhe afërsia me rrugët detare e bënë qendër të fuqishme tregtare.

    Biblosi krijoi lidhje të ngushta me Egjiptin e lashtë, të cilit i eksportonte dru cedri dhe produkte të tjera. Nga Egjipti importohej papirus, materiali mbi të cilin shkruheshin dokumentet dhe tekstet.

    Emri grek i qytetit, Byblos, u lidh me fjalën greke për papirusin dhe librin. Nga forma shumës biblia, me kuptimin “libra” ose “libërza”, rrjedh edhe emri “Bibël”.

    Qyteti lidhet gjithashtu me historinë dhe përhapjen e alfabetit fenikas, një nga sistemet e shkrimit që ndikoi fuqishëm në alfabetet e mëvonshme të Mesdheut.

    Në Biblos ruhen mbetje tempujsh të lashtë, rrugë romake, ndërtesa bizantine, kështjella e kryqtarëve dhe lagje nga periudhat mesjetare e osmane. UNESCO e përshkruan qytetin si dëshmi të një historie të gjatë ndërtimi dhe zhvillimi, nga vendbanimi i hershëm deri te qyteti modern.

    Damasku – kryeqyteti i perandorive dhe kulturave

    Damasku, kryeqyteti i sotëm i Sirisë, ndodhet pranë lumit Barada, në rrëzë të vargmalit Antiliban. Qyteti u zhvillua falë ujit, tokës pjellore dhe pozitës së tij në rrugët që lidhnin Mesopotaminë, Mesdheun, Anadollin dhe Gadishullin Arabik.

    Gjurmë vendbanimesh shumë të hershme janë gjetur në rajonin e Damaskut, por UNESCO e daton themelimin e qytetit si qendër urbane në mijëvjeçarin e tretë para erës sonë. Prandaj, pretendimi se Damasku ishte qytet që në vitin 10.000 para erës sonë nuk konsiderohet i vërtetuar.

    Gjatë historisë, Damasku u sundua nga aramejtë, asirianët, babilonasit, persët, maqedonasit, romakët, bizantinët dhe dinastitë islame.

    Qyteti lidhet ngushtë me historinë e krishterimit. Sipas Dhiatës së Re, Sauli i Tarsit përjetoi kthesën e tij shpirtërore gjatë rrugës për në Damask dhe më pas u bë i njohur si apostulli Pal.

    Pas përhapjes së islamit, Damasku u bë kryeqytet i Kalifatit Umajad nga viti 661 deri më 750. Nga kjo periudhë vjen edhe Xhamia e Madhe Umajade, një nga monumentet më të rëndësishme të arkitekturës islame.

    Brenda saj ndodhet një faltore që, sipas traditës, ruan reliket e Shën Gjon Pagëzorit. Ndërtesa u ngrit në një vend që gjatë historisë kishte shërbyer si hapësirë fetare për kultura dhe besime të ndryshme.

    Qyteti i vjetër i Damaskut u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1979. Në të ruhen rreth 125 monumente nga periudha të ndryshme historike.

    Si arritën të mbijetonin për mijëra vjet?

    Nuk ekziston një përgjigje e vetme. Pozita pranë ujit, toka pjellore dhe rrugët tregtare ua siguruan rëndësinë ekonomike. Roli fetar dhe politik i bëri të vlefshme për sundimtarët e njëpasnjëshëm, ndërsa banorët u përshtatën vazhdimisht me pushtete, kultura dhe rrethana të reja.

    Jerikoja, Biblosi dhe Damasku nuk janë vetëm mbetje të së kaluarës. Ato janë qytete ku shtresat e historisë vazhdojnë të jetojnë pranë njerëzve të sotëm.

    Ndoshta pikërisht këtu qëndron sekreti i jetëgjatësisë së tyre: ishin mjaft të rëndësishme për t’u rindërtuar sa herë që luftërat, pushtimet ose fatkeqësitë përpiqeshin t’i zhduknin. /Telegrafi/

  • Aksioni në Gjilan e Viti për shmangie tatimi, Policia me institucione të tjera inspektojnë 35 auto-parkingje

    Aksioni në Gjilan e Viti për shmangie tatimi, Policia me institucione të tjera inspektojnë 35 auto-parkingje

    Policia e Kosovës, ka njoftuar për një aksion të gjerë inspektimi që është realizuar në 35 autoparkingje në Gjilan dhe Viti.

    Në raportin e ditës, Policia bën të ditur se, këtë aksion e ka zhvilluar në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Inspektoratin Qendror të Punës (IQP) dhe Inspektoratin Qendror të Ministrisë së Tregtisë (IQMT), si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, përcjell Gazeta Express.

    ‘‘SHMANGIE NGA TATIMI Viti dhe Gjilan 17.07.2026-09:30. Me datën 17.07.2026 Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia Rajonale në Gjilan, në bashkëpunim me institucionet tjera ligj zbatuese: Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Inspektoratin Qendror të Punës (IQP) dhe Inspektoratin Qendror të Ministrisë së Tregtisë (IQMT), si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka realizuar një aksion inspektimi në tridhjetë e pese (35) auto parkingje në qytetet Gjilan dhe Viti. Gjatë inspektimeve janë evidentuar shkelje me të cilat janë marrë institucionet përkatëse’’, thuhet në raport.

  • Rrahje në Prishtinë, një person përfundon në QKUK

    Rrahje në Prishtinë, një person përfundon në QKUK

    Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një sulmi fizik në rrugën “Hasan Dema” në Prishtinë.

    Sipas Policisë së Kosovës, viktima ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një i dyshuar i cili i ka shkaktuar lëndime trupore.

    Si pasojë e lëndimeve, viktima ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Policia njofton se i dyshuari, me vendim të prokurorit, fillimisht është dërguar për kontroll psikiatrik. Pas përfundimit të kontrollit, ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në praninë e avokatit mbrojtës.

    Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente.

    “Rr. Hasan Dema, Prishtinë 17.07.2026 – 22:00. Viktima mashkull kosovar, ka deklaruar se pas një mosmarrëveshje me të dyshuarin mashkull kosovar, i njëjti e ka sulmuar viktimën duke i shkaktuar lëndime. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKUK. I dyshuari, pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar për kontroll tek psikiatri dhe pas kontrollit është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë

  • Arrestohet një burrë në Prishtinë, dyshohet se sulmoi vajzën e tij

    Arrestohet një burrë në Prishtinë, dyshohet se sulmoi vajzën e tij

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Prishtinë, i dyshuar për dhunë në familje, pasi dyshohet se ka sulmuar vajzën e tij.

    Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 17 korrik 2026, rreth orës 20:14. Viktima është vajza e të dyshuarit, ndërsa detaje të tjera lidhur me rastin nuk janë bërë të ditura.

    I dyshuari është arrestuar dhe intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

    Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.

  • Zhduket një vajzë e mitur nga një strehimore në Prishtinë, Policia nis hetimet

    Zhduket një vajzë e mitur nga një strehimore në Prishtinë, Policia nis hetimet

    Policia e Kosovës është duke hetuar zhdukjen e një vajze të mitur, e cila është larguar nga një strehimore në Prishtinë.

    Sipas raportit policor, rasti është raportuar më 17 korrik 2026, rreth orës 15:50, nga një grua kosovare, përgjegjëse e strehimores.

    Ajo ka bërë të ditur se e mitura ka dalë nga objekti dhe që nga ajo kohë nuk dihet vendndodhja e saj.

    Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit dhe gjetjen e të miturës.

    “Prishtinë 17.07.2026 – 15:50. Ankuesja femër kosovare, përgjegjëse në strehimore, raporton se një vajzë e mitur, ka dalë nga strehimorja dhe nuk dihet asgjë për të. Rasti nën hetime”.

  • “Ma vranë babanë para syve”, 11-vjeçarja rrëfen tmerrin për Masakrën e Hallaqit të Vogël

    “Ma vranë babanë para syve”, 11-vjeçarja rrëfen tmerrin për Masakrën e Hallaqit të Vogël

    Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka publikuar ditë më parë dëshminë autentike të Nazlije Selim Selimit, e cila ishte vetëm 11 vjeçe kur i mbijetoi Masakrës së Hallaqit të Vogël.

    Në rrëfimin e dhënë pak ditë pas kryerjes së krimeve, 11-vjeçarja kujton momentet tragjike kur forcat serbe vranë babanë e saj dhe dhjetëra banorë të tjerë të fshatit.

    Sipas IKKL-së, dëshmia e saj përfaqëson kujtesën e vuajtjeve të mijëra civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë dhe shërben si thirrje që e vërteta të dokumentohet, të ruhet dhe të mos harrohet.

    Instituti thekson se ruajtja e dëshmive të të mbijetuarve ndihmon në dokumentimin e krimeve dhe e afron drejtësinë një hap më pranë për viktimat e luftës.

    Videoja është publikuar me pëlqimin e shprehur të Nazlije Selim Selimit dhe është pjesë e arkivit të Institutit. Materiali i është dhuruar IKKL-së nga gazetari norvegjez Paul Refsdal.

  • Turqia goditet nga një tërmet i fuqishëm

    Turqia goditet nga një tërmet i fuqishëm

    Një tërmet me magnitudë 5.0 goditi provincën lindore të Turqisë, Malatya, në orët e para të së shtunës, sipas Autoritetit për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD).

    Tërmeti ndodhi në orën 06:20 me orën lokale (03:20 GMT), me epiqendër në distriktin Battalgazi dhe në një thellësi prej 15,59 kilometrash (9,69 miljesh), njoftoi AFAD, transmeton klankosova.tv.

    Lëkundjet u ndjenë edhe në provincat fqinje: Elazig, Adiyaman, Tunceli dhe Sanliurfa. AFAD bëri të ditur se nuk pati raportime të menjëhershme për dëme apo viktima pas tërmetit.

    Murat Kurum, ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, gjithashtu deklaroi në platformën turke të rrjeteve sociale “NSosyal”: “Pas tërmetit në Battalgazi, deri më tani nuk janë konstatuar probleme, por ne po i vlerësojmë të gjitha raportimet”.