ATV

Author: G.O.

  • Rama njofton se rruga “Afrim Zhitia” është gati për qarkullim, ndan foto

    Rama njofton se rruga “Afrim Zhitia” është gati për qarkullim, ndan foto

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se tashmë rruga “Afrim Zhitia” është e gatshme për qarkullim.

    Rama ka shpërndarë pamje nga rruga e përfunduar, e cila, për shkak të punimeve, ishte bllokuar për disa ditë.

    “Rruga Afrim Zhitia gati për qarkullim! Mirëmëngjesi Prishtina.”, ka shkruar Rama në Facebook.

  • 51 raste të armëve ilegale në veri për gjashtë muaj, ekspertët: Po çmontohen rrjetet e grupeve të lidhura me Serbinë

    51 raste të armëve ilegale në veri për gjashtë muaj, ekspertët: Po çmontohen rrjetet e grupeve të lidhura me Serbinë

    Policia e Kosovës ka iniciuar 51 raste për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” në katër komunat veriore gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka arrestuar 18 persona të dyshuar dhe ka sekuestruar armë automatike, granata dore, eksploziv, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera ushtarake, raporton Ekonomia Online.

    Sipas Policisë së Kosovës, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Zubin Potok, me rreth 25 raste të iniciuara.

    Në lidhje me këto zhvillime, njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se institucionet e Kosovës kanë intensifikuar operacionet për identifikimin dhe neutralizimin e rrjeteve të armëve ilegale dhe infrastrukturës së grupeve të lidhura me Beogradin zyrtar në veri të vendit.

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se zhvillimet në veri duhet të analizohen në aspektin e sigurisë publike dhe asaj kombëtare, duke kujtuar sulmin terrorist në Banjskë në vitin 2023.

    “Do të duhet të analizojmë në aspektin vertikal zhvillimet që kanë karakterizuar çështjet e sigurisë në pjesën veriore, respektivisht asaj publike dhe asaj nacionale. Pra që nga aktivitetet e sulmit terrorist shtetëror të Serbisë mbi Republikën e Kosovës në Banjskë në 2023-ën, ka patur avancim të mëtejshëm të aspektit të zhvillimeve që e kanë ofruar qytetarin dhe sigurinë për qytetarët në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, tha ai.

    Shala tha se Serbia ka zhvendosur aparaturën e saj shtetërore në funksion të grupeve të lidhura me Beogradin zyrtar.

    “Por çka është kruciale dhe esenciale, mund të themi që qendrat, punktet dhe nënpunktet pra qendrat janë veprimet operative ku shteti i Serbisë në mënyrë permanente dhe konstante ka zhvendos operaturën e saj shtetërore në shërbim të grupeve terroriste apo grupeve të cilat janë të lidhura me Beogradin zyrtar. Më pastaj, punktet dhe pikat pra janë punktet ku më pastaj shpërndahen në punktet të ndryshme brenda territorit të Republikës së Kosovës, ku sipas të gjitha gjasave aty është bërë graviteti i zhvillimeve dhe mbledhja e informacioneve relevante dhe njëkohësisht shpërndarja e mjeteve apo municioneve luftarake”, tha ai.

    Sipas tij, institucionet e sigurisë tashmë janë duke i identifikuar dhe neutralizuar këto pika operative.

    “Dhe pikat janë pikërisht këto që tanimë institucionet tona të sigurisë janë duke i hasur në veprimet e tyre operative duke e minimizuar që nga këto pika, punkte dhe qendra që tanimë qendrat janë larguar nga territori i Republikës së Kosovës dhe punktet që në këto pika fokusi është që të minimizohen, të neutralizohen dhe njëkohësisht gjithë armatimi i cili ishte shpërndarë për vite të tëra është duke u grumbulluar nga ana e mekanizmit të Policisë së Kosovës, në bashkërendim në aspektin operativ me mekanizmat e tjerë të sigurisë siç është AKI-ja, po njëkohësisht edhe bashkëpunimi i sinqertë reciprok me qytetarët e komunitetit serb në pjesën veriore”, tha ai.

    Edhe ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, tha se situata në Mitrovicën Veriore vazhdon të mbetet e brishtë për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të armëve ilegale në objekte të pabanuara.

    “Po, situata e përgjithshme në Mitrovicën Veriore është e brishtë. Kjo paraqet, kjo brishtësi vjen më shumë për shkak se patrullat policore, gjatë patrullimeve në pjesët e Mitrovicës Veriore, hasin në objekte të pabanuara ku aty gjejnë armë ilegale, të cilat në një mënyrë apo tjetër, do të thotë, janë të ardhura ose të mbetura prej kohës në pjesën veriore të Mitrovicës. Dhe për këtë arsye, inteligjenca policore bën të pamundurën që të argumentohet, të ketë argumente, prova dhe t’i paraprijë operacioneve policore, sidomos patrullave”, tha ai.

    Morina theksoi se armët e gjetura duhet t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike për të verifikuar nëse janë përdorur në raste kriminale apo sulme terroriste.

    “Gjithashtu, vlen të ceket se armët të cilat gjenden në këto shtëpi të pabanuara, duhet të shikohet menjëherë aspekti balistik i tyre, për arsye se këto armë mund të jenë ato të cilat janë përdorur për ndonjë vrasje, për ndonjë akt terrorist ose në forma të tjera, në mënyrë që ato të kontrollohen në mënyrën më detajore të mundshme”, tha ai.

    Ai shtoi se bashkëpunimi i qytetarëve serbë me Policinë e Kosovës është përmirësuar në periudhën e fundit.

    “Është me rëndësi të theksohet se tani kemi një bashkëpunim më të mirë të qytetarëve me Policinë e Kosovës në pjesën veriore dhe kjo vjen më shumë për shkak të asaj se këto patrullime të vazhdueshme dhe gjetje të municioneve dhe armëve ilegale në shtëpitë e pabanuara, bën që të ngrihet besimi i qytetarëve te Policia e Kosovës, me punën dhe me aktivitetet e tërësishme”, tha ai.

    Policia e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, bëri të ditur se gjatë periudhës 1 janar – 30 qershor 2026 në rajonin e Mitrovicës Veriore janë sekuestruar armë automatike AK-47, pushkë M-48, pushkë gjuetie, granata dore të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm, uniforma ushtarake, radiolidhje, dylbi, gazmaska dhe sasi eksplozivi.

    “Ju konfirmojmë se në Drejtorinë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, e cila mbulon komunat Mitrovicë Veri, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, gjatë periudhës 01.01.2026 – 30.06.2026 janë iniciuar gjithsej 51 raste për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Numri më i madh i rasteve është iniciuar në komunën e Zubin Potokut, me rreth 25 raste”, thuhet në përgjigjen e Policisë. Gjatë zhvillimit të hetimeve, Policia ka arrestuar 18 persona të dyshuar në lidhje me këto raste, ndërsa janë identifikuar edhe persona të tjerë, të cilët aktualisht janë në kërkim nga Policia. Gjatë këtyre rasteve janë sekuestruar armë të ndryshme, përfshirë armë automatike AK-47, pushkë M-48, pushkë gjuetie, granata dore të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm, uniforma ushtarake, radiolidhje, dylbi, gazmaska, sasi eksplozivi etj.”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Ekonomia Online.

  • Temperaturat e larta – Sot kufizime në autoudhë për kamionët mbi 20 tonë

    Temperaturat e larta – Sot kufizime në autoudhë për kamionët mbi 20 tonë

    Dje, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, bëri të ditur se gjatë ditës së sotme, për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, do të ketë kufizime në autoudhë.

    Nga ministria shtohet se, kufizimi do të zbatohet në intervalin kohor 11:00–17:30, pasi temperaturat e parashikuara arrijnë 32°C ose më shumë.

    ‘’ Në rrugët NACIONALE, RAJONALE dhe LIDHËSE, nuk do të ketë kufizime, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me vendim’’, thuhet në postim.

    Postimi:

    NJOFTIM PËR PUBLIKUN

    NESËR DO TË KETË KUFIZIME NË AUTOUDHË!🚛

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët dhe operatorët ekonomikë se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme, janë plotësuar kushtet për zbatimin e vendimit për kufizimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve për transportin e mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhë.

    Në AUTOUDHË, kufizimi do të zbatohet në intervalin kohor 11:00–17:30, pasi temperaturat e parashikuara arrijnë 32°C ose më shumë.

    Në rrugët NACIONALE, RAJONALE dhe LIDHËSE, nuk do të ketë kufizime, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me vendim.

    Ministria do të vazhdojë monitorimin e përditshëm të temperaturave dhe do të njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo ndryshim lidhur me zbatimin e këtij vendimi.

    Me respekt!

  • Mbyllet segmenti rrugor Brezovicë-Prevallë

    Mbyllet segmenti rrugor Brezovicë-Prevallë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se segmenti rrugor Brezovicë-Prevallë (R115) do të mbyllet përkohësisht sot dhe neserër, për shkak të zhvillimit të Garës Automobilistike Malore “Brezovica 2026”.

    Sipas njoftimit të tyre, kufizimi i qarkullimit do të jetë në fuqi më 18 dhe 19 korrik 2026, nga ora 10:30 deri në 18:00.

    Përndryshe, sot do të zhvillohen stërvitjet zyrtare, ndërsa nesër gara zyrtare, e organizuar nga Federata e Auto Sporteve të Kosovës.

    “Për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe sigurinë e pjesëmarrësve, organizatorët do të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse. Lusim qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik që gjatë këtyre intervaleve kohore të planifikojnë lëvizjet e tyre, të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të angazhuar në terren”, u tha dje në komunikatën për media.

  • Ushqimet më të mira për rritje të flokëve

    Ushqimet më të mira për rritje të flokëve

    Ashtu si lëkura juaj, gjendja e flokëve tuaja reflekton shëndetin tuaj të brendshëm. Kështu, flokëve tuaja i nevojiten një furnizim me ushqyes të shëndetshëm për të i mbajtur ato në gjendje të mirë.

    A e dini se flokët tuaja rriten rreth gjashtë inç për çdo vit? Shkalla e rritjes së flokëve tuaja ndikohet nga faktorë si mosha, shëndeti, gjenetika dhe dieta juaj, raporton Femina.

    Këtu gjeni disa nga ushqimet që duhet t’i shtoni në dietën tuaj, nëse dëshironi flokë më të fortë dhe më gjatë.

    Jogurt Grekë: Kjo proteinë e pasur me super ushqime thuhet se të ketë qenë element kryesor i dietës në Greqinë Antike. Jogurti Grek përmban Vitaminë B5, që ndihmon në qarkullimin e gjakut në kokën tuaj dhe nxit rritjen e flokëve.

    Sipnaq: Mungesa e hekurit në gjak, është e lidhur me humbjen e flokut. Kjo lidhet edhe me anemi. Prandaj, duhet të hani ushqime që përmbajnë sa më shumë hekur dhe një prej tyre është spinaqi i cili është i përbërë nga Vitaminë A dhe C të cilat ndihmojnë në rritjen e flokut.

    Boronicat: Për të pasur flokë të gjatë duhet të keni një diet të përmbushur me vitamina e sidomos me atë C, sepse ndihmon në prodhimin e kolagjenit i cili e forcon rrënjën e flokut.

    Vezë: Floku bëhet nga proteinat. Andaj një diet e pasur me këtë të fundit është tejet e domosdoshme për flokun tuaj. Mungesa e proteinave, bënë që floku juaj të bëhen të thatë dhe të dobëta. Vezët janë burim i proteinave.

    Karrota: Përmban Vitaminë A. Ky ushqim ndihmon në parandalimin që floku juaj të mos bëhet i thatë.

  • Publikohen çmimet tavan të derivateve për sot, nafta shtrenjtohet sërish

    Publikohen çmimet tavan të derivateve për sot, nafta shtrenjtohet sërish

    Nafta dhe benzina janë shtrenjtuar sërish në çmimet tavan të derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një litër naftë mund të shitet deri në 1 euro e 63 centë, apo tre centë më shumë se një ditë më parë.

    Edhe benzina është shtrenjtuar për dy centë dhe çmimi maksimal i saj është caktuar në 1 euro e 45 centë për litër.

    Ndërkaq, gazi mbetet me çmim të pandryshuar, deri në 60 centë për litër.

  • Dy të vrarë nga sulmi me raketa ruse në Kiev pas marrëveshjes për dronë midis Ukrainës dhe BE-së

    Dy të vrarë nga sulmi me raketa ruse në Kiev pas marrëveshjes për dronë midis Ukrainës dhe BE-së

    Zyrtarët ukrainas thonë se kryeqyteti, Kievi, ka përjetuar një sulm të madh rus, ndërsa raketat balistike kanë rënë mbi disa lagje, duke shkaktuar shpërthime.

    Duke shkruar në Telegram, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, raportoi se dy persona u vranë në sulme, ndërsa gjashtë banorë të tjerë u plagosën, përfshirë një djalë 16-vjeçar, Al Jazeera.

    Ai tha se mjekët shtruan në spital tre nga të plagosurit, ndërsa ekipet e emergjencës luftuan me flakët në të gjithë kryeqytetin pasi u goditën një depo në lagjen Sviatoshynskyi dhe një ndërtesë jo-rezidenciale në lagjen Darnytskyi, transmeton Sinjali.

    Ai shtoi se mbeturinat e raketave që binin goditën gjithashtu një zonë zhvillimi jo-rezidenciale në Darnytsia, duke shkaktuar zjarre të tjera.

    Sulmi ndodhi disa orë pasi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi Kievin dhe njoftoi një “marrëveshje të re për dronë” midis Ukrainës dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshja synon të kombinojë ekspertizën e Kievit në fushën e betejës me kapacitetin industrial të BE-së për të krijuar projekte të përbashkëta dhe për të rritur me shpejtësi prodhimin.

    Duke folur në një ceremoni për të shënuar Ditën e Shtetësisë së Ukrainës, von der Leyen theksoi nevojën për të “bashkuar pikat tona të forta”, duke deklaruar se marrëveshja do të “bashkonte zgjuarsinë ukrainase dhe shkallën industriale të Evropës”.

    Ajo shtoi se BE-ja mund t’i ofrojë Kievit avantazhe të rëndësishme, duke përfshirë “kapacitet të madh teknologjik dhe industrial” së bashku me “vende prodhimi të sigurta dhe të mbrojtura” për të mbështetur iniciativën.

    Më shumë se katër vjet pas pushtimit rus të Ukrainës, sulmet e përshkallëzuara nga të dyja palët gjatë disa muajve të fundit kanë rezultuar në një numër në rritje të viktimave civile.

    Të mërkurën, zyrtarët rajonalë ukrainas raportuan se një seri bombardimesh ruse në të gjithë vendin vrau 13 persona dhe la rreth 50 të tjerë të plagosur.

    Sulmet ruse gjatë ditës goditën në mënyrë specifike fabrikat industriale dhe objektet e kujdesit shëndetësor, duke synuar si qytetin portual të Odesës në Detin e Zi, ashtu edhe qytetin verilindor të Sumy-t, i vendosur pranë kufirit rus.

  • Deklaratat e Paunoviqit kundër Kosovës, Marta Kos: E habitshme që vazhdon të jetë ministre

    Deklaratat e Paunoviqit kundër Kosovës, Marta Kos: E habitshme që vazhdon të jetë ministre

    Komisionarja për zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres të Qeverisë serbe, Snezhana Paunoviq, lidhur me “spastrimin etnik” në Kosovë dhe shprehu habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre.

    Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë.

    “Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi komisionarja Kos, gjatë fjalimit të saj në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane të Parlamentit Evropian.

    Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë serbe, Snezhana Paunoviq, duke folur për jetën në Kosovë dhe largimin e saj nga Peja gjatë luftës, ajo deklaroi më 11 korrik se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.

    Kjo deklaratë u dënua edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Sipas Londrës, gjuha e përdorur nga Paunoviq është “e neveritshme” dhe referencat për spastrim etnik s’kanë vend në shoqërinë e sotme.

  • Skandal në Trepçë: Mbi 24.7 milionë euro pasuri pa dokumentacion, qindra parcela jashtë regjistrit

    Skandal në Trepçë: Mbi 24.7 milionë euro pasuri pa dokumentacion, qindra parcela jashtë regjistrit

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një sërë mangësish në menaxhimin e pasurive të Ndërmarrjes Publike “Trepça” Sh.A., duke ngritur shqetësime për administrimin dhe regjistrimin e aseteve të kompanisë.

    Sipas raportit të auditimit, ndërmarrja nuk ka dokumentacion mbështetës për 59 pasuri me vlerë mbi 24.7 milionë euro, ndërsa kjo situatë ka ndikuar që pasuritë të mos paraqiten në mënyrë të plotë dhe të saktë në pasqyrat financiare.

    Auditorët kanë konstatuar gjithashtu se qindra parcela nuk janë regjistruar në regjistrat përkatës të pasurive, pavarësisht se figurojnë në evidencat e komisioneve të inventarizimit ose në dokumentacionin kadastral.

    Raporti vë në pah edhe mungesën e një databaze të plotë për banesat e dhëna në shfrytëzim punonjësve, si dhe paqartësi pronësore për dhjetëra parcela që në regjistrat e Trepçës paraqiten si pronë e ndërmarrjes, ndërsa në evidencat kadastrale figurojnë si bashkëpronësi ose pronë shoqërore.

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që ndërmarrja të ndërmarrë masa për kompletimin e dokumentacionit, regjistrimin e saktë të pasurive dhe harmonizimin e evidencave me të dhënat zyrtare, në mënyrë që të sigurohet raportim financiar i besueshëm dhe administrim më efikas i aseteve publike.

  • LDK mban takim të brendshëm, verifikohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm

    LDK mban takim të brendshëm, verifikohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka zhvilluar një takim të brendshëm në selinë e partisë, në mes të zhvillimeve të fundit që lidhen me nismën për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.

    Në mbledhje janë parë duke hyrë disa prej zyrtarëve të lartë të partisë, përfshirë Xhafer Tahirin dhe Sokol Halitin, ndërsa para mediave është deklaruar edhe Shkëmb Manaj.

    Ai ka bërë të ditur se aktualisht po zhvillohet një takim i brendshëm i strukturave të LDK-së dhe se vendimi për thirrjen e Kuvendit do të merret vetëm pasi të përfundojë procesi i verifikimit të nënshkrimeve të delegatëve.

    Sipas Manajt, procedura do të trajtohet me prioritet, duke pasur parasysh situatën politike në vend dhe procesin e formimit të institucioneve të reja.

    Nisma për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm vjen në një periudhë të ndjeshme për LDK-në, ndërsa pritet që pas përfundimit të verifikimeve partia të dalë me një vendim zyrtar për hapat e mëtejshëm.