ATV

Author: G.O.

  • Arrestohen tre persona në Obiliq, dyshohen për vjedhje nga automjetet në disa rajone të Kosovës

    Arrestohen tre persona në Obiliq, dyshohen për vjedhje nga automjetet në disa rajone të Kosovës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve nga automjetet.

    Sipas njoftimit, arrestimi është realizuar nga hetuesit e Stacionit Policor të Obiliqit pas veprimeve intensive hetimore.

    Të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar, duke përdorur vetura me qira për kryerjen e veprave penale.

    Ata dyshohet se kanë hyrë në parkingje të restoranteve gjatë ahengjeve dhe organizimeve familjare, ku kanë identifikuar automjete të pambyllura dhe më pas kanë vjedhur para dhe sende të tjera me vlerë.

    Nga hetimet e deritanishme, Policia dyshon se të arrestuarit nuk kanë vepruar vetëm në rajonin e Prishtinës, por edhe në zona të tjera të Kosovës.

    Hetuesit e Stacionit Policor të Obiliqit, në koordinim me njësitë hetimore të rajoneve të tjera dhe Prokurorinë, po vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të rasteve.

    Me vendim të prokurorit, tre personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre po vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore.

  • Pas BE-së dhe Gjermanisë, reagon edhe Italia për rrënimin e vilave në Ujman

    Pas BE-së dhe Gjermanisë, reagon edhe Italia për rrënimin e vilave në Ujman

    Gjatë ditës së djeshme, një sërë ekskavatorësh, nën asistimin e Policisë së Kosovës, nisën rrënimin e njëmbëdhjetë shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut.

    Aksioni rihapi debatin për të drejtat pronësore dhe kompetencat e institucioneve.

    Për këto veprime, kanë reaguar BE-ja dhe Gjermania, e tash edhe Italia.

    Përmes ambasadës së saj në Kosovës, Italia është shprehur e shqetësuar për veprimet e institucioneve të Kosovës.

    “Ambasada e Italisë në Prishtinë i bashkohet BE-së në shprehjen e brengës për rrënimin e shtëpive në Liqenin e Ujmanit”, ka thënë Ambasada italiane në Facebook.

    Autoritetet e Kosovës thonë se objektet janë ndërtuar pa leje në tokën që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, ndërsa pronarët pretendojnë se prona është subjekt i një procesi gjyqësor dhe se rrënimi i objekteve nuk është dashur të nisë para përfundimit të procedurave.

  • Gjermania e shqetësuar me rrënimin e shtëpive pranë Ujmanit

    Gjermania e shqetësuar me rrënimin e shtëpive pranë Ujmanit

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shprehur shqetësim për shembjen e shtëpive pranë liqenit të Ujmanit, duke iu bashkuar qëndrimit të Bashkimit Evropian.

    “Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ndan shqetësimet e shprehura nga BE-ja. Jemi thellësisht të shqetësuar për rrënimin e shtëpive pranë liqenit të Ujmanit. Respektimi i procedurave të rregullta ligjore dhe zbatimi i parimeve të sundimit të ligjit, siç janë të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës, janë thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës”, ka thënë kjo ambasadë.

    E njëjta ka bërë thirrje për “ndërprerjen e menjëhershme” të këtyre veprimeve dhe ka kërkuar zgjidhje transparente e të ligjshme.

    Reagim për këtë çështje pati edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë, e cila ka shprehur keqardhje për rrënimin e shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit të martën.

  • Rrënimi i vilave pa leje në Ujman, reagon Bashkimi Evropian

    Rrënimi i vilave pa leje në Ujman, reagon Bashkimi Evropian

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur keqardhje për siç thonë rrënimin e djeshëm të shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit.

    Në reagim thuhet se rrënimi ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc/Ibar-Lepenac për lirimin dhe pastrimin e tokës.

    “BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”.

    Tutje bëhet thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur.

    “Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme.

    Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësishtë brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur. Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrisin shqetësime serioze për sundimin e ligjit.

    Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”, thuhet më tej. /Telegrafi/

  • Haxhiu: Opinioni i GjND-së mbetet një nga gurthemelet e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës

    Haxhiu: Opinioni i GjND-së mbetet një nga gurthemelet e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 16-vjetorin e publikimit të opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), i cili konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

    Haxhiu ka thënë se ky opinion mbetet një nga gurthemelet e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës dhe një referencë e rëndësishme në afirmimin e subjektivitetit të saj në arenën ndërkombëtare.

    Sot shënohen 16 vjet nga publikimi i opinionit këshillëdhënës të GJND-së në Hagë, i cili, sipas Haxhiut, konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

    Më 22 korrik 2010, Gjykata hodhi poshtë pretendimet se shpallja e pavarësisë kishte shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare, duke vlerësuar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk cenonte të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.

    Opinioni këshillëdhënës erdhi pas kërkesës së Serbisë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për një vlerësim këshillëdhënës mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

  • AME me apel urgjent për kujdes dhe gatishmëri të shtuar për shkak të motit

    AME me apel urgjent për kujdes dhe gatishmëri të shtuar për shkak të motit

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), mbështetur në paralajmërimin e hershëm të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), ka njoftuar se sot priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta.

    AME tregon edhe për rreziqet kryesore dhe ndikimet e mundshme nga ky mot që pritet të mbretërojë sot.

    “Përmbytje të shpejta lokale në zonat me reshje intensive; Dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht nga breshëri dhe erërat e forta; Rritje e rrezikut për ndezjen e zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike; Pengesa në sistemet e telekomunikacionit; Dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike; dhe, Rrezik i lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët”, tha AME në njoftimin për media.

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka lëshuar edhe disa udhëzime sigurie për qytetarët.

    “Qëndroni në ambiente të sigurta gjatë stuhisë dhe shmangni lëvizjet e panevojshme; Mos u strehoni nën pemë të larta apo pranë objekteve metalike dhe shtyllave elektrike; Kujdes në komunikacion: Përshtatni shpejtësinë dhe shmangni rrugët apo nënkalimet e mbuluara nga uji; Siguroni pronën: Largoni ose siguroni pajisjet dhe sendet në ballkone e oborre që mund të dëmtohen nga era apo breshëri. Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, së bashku me Qendrat Operative Emergjente, janë në gatishmëri të plotë reaguese në të gjithë territorin e vendit”, shkroi AME.

    Për çdo rast emergjent, AME këshillon që të kontaktoni pa pagesë në Qendrën Operative Emergjente 112, Policinë e Kosovës 192, Zjarrfikësit 193 dhe Ndihmën e Shpejtë 194.

  • Zjarret në Francë djegin mbi dy mijë hektarë tokë

    Zjarret në Francë djegin mbi dy mijë hektarë tokë

    Një zjarr që përfshiu departamentin Var të Francës juglindore gjatë natës dogji mijëra hektarë tokë, thanë sot autoritetet. Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Var tha se zjarri ka djegur 2.550 hektarë dhe tani është nën kontroll, pa përhapje të mëtejshme. Megjithatë, mbeten shumë pika të nxehta, raportoi transmetuesi BFMTV.

    Dy shtëpi u shkatërruan në komunën Ponteves, ku rreth 10 shtëpi, përfshirë ato të shkatërruara më vonë, ishin evakuuar. Rreth 400 persona u evakuuan nga pesë komuna, sipas përditësimit të fundit nga prefektura e Var-it.

    Zjarri la gjithashtu rreth 2.300 familje pa energji elektrike, kryesisht në komunën Cotignac, ku ekuipazhet po punojnë për të rivendosur energjinë

    Shërbimi i motit pyjor i Francës e klasifikoi rrezikun e zjarrit si “shumë të lartë” në departamentet Bouches-du-Rhone, Vaucluse dhe Gard për sot, shkruan Abcnews.al.

    Ndërkohë, 23 departamente të tjera janë nën alarm portokalli, që tregon rrezik të lartë zjarri, përfshirë Var-in.

  • A po pret zhvillimet në LDK për të vazhduar bisedimet? Kurti shmang përgjigjen

    A po pret zhvillimet në LDK për të vazhduar bisedimet? Kurti shmang përgjigjen

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve nëse është duke pritur që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të mbajë Kuvendin e jashtëzakonshëm, para se të nisin diskutimet për formimin e institucioneve të reja, raporton Ekonomia Online.

    Kurti është pyetur nëse zhvillimet e brendshme në LDK, përfshirë thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, janë pjesë e pritjes së tij përpara se të nisë diskutimet politike për formimin e institucioneve, por nuk ka dhënë përgjigje.

    LDK-ja ditëve të fundit është përfshirë në një proces të brendshëm pas kërkesës për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, ndërsa zyrtarë të kësaj partie kanë bërë të ditur se aktualisht janë duke u zhvilluar procedurat për verifikimin e nënshkrimeve dhe delegatëve.

  • Haradinaj: Vendimi i GjND-së një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetndërtimit

    Haradinaj: Vendimi i GjND-së një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetndërtimit

    Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të shtetësisë dhe shtetndërtimit.

    Haradinaj, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 u konfirmua nga GjND më 22 Korrik 2010, e cila vulosi shtetësinë dhe të drejtën tonë të fituar me luftën çlirimtare, një hap ky i rëndësishëm drejt afirmimit të shtetit tonë sovran.

    Postimi i tij i plotë:

    Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të shtetësisë dhe shtetndërtimit.

    Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 u konfirmua nga GjND më 22 Korrik 2010, e cila vulosi shtetësinë dhe të drejtën tonë të fituar me luftën çlirimtare, një hap ky i rëndësishëm drejt afirmimit të shtetit tonë sovran.

    Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë vlerat perëndimore dhe të thellojë partneritetin e saj me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rrugë e vetme për të arritur qëllimet tona si shtet.

    Zoti e bekoftë Kosovën!

  • Të shtëna me armë pas një përleshjeje në Pejë, arrestohen dy persona – lëndohet një kalimtar

    Të shtëna me armë pas një përleshjeje në Pejë, arrestohen dy persona – lëndohet një kalimtar

    Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pas një incidenti me armë zjarri që ndodhi në fshatin Kosuriq të Pejës, ku një kalimtar i rastit mbeti i lënduar.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur të martën, më 21 korrik 2026, pasi Stacioni Policor në Pejë u njoftua për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat.

    “Policia menjёherё kanё dalë në vendngjarje, ku ёshtё takuar viktima i cili deklaron se ka pasur njё pёrleshje fizike me njё person, i cili së bashku me një të dyshuar tjetër pas pёrleshjes në vendngjarje ka shtёnё me armё zjarri, me ç’rast gёrvishtje ka pёsuar njё kalimtar rasti, i cili ёshtё dёrguar nё spitalin rajonal nё Pejё për trajtim mjekësor. Nё vendin e ngjarjes ёshtё gjetur njё gёzhojё, ku me urdhёr tё prokurorit ёshtё bёrё kontroll/bastisje nё shtёpinё e tё dyshuarve”, thuhet në njoftim.

    Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka gjetur një gëzhojë. Me urdhër të prokurorit është kryer kontroll në shtëpitë e të dyshuarve, ku janë sekuestruar një armë zjarri, një karikator dhe një gëzhojë.

    Pas arrestimit dhe intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit, njëri prej të dyshuarve është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

    Policia ka njoftuar se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. /Telegrafi/