ATV

Author: G.O.

  • Krasniqi thotë se ka kërkuar nga Kurti që ta ndërrojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit

    Krasniqi thotë se ka kërkuar nga Kurti që ta ndërrojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit

    Ka përfunduar takimi ndërmjet kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Krasniqi para mediave tha se nuk kanë marrëveshje politike, dhe kanë kërkuar nga Kurti që ta ndërrojnë kandidaten për kryeparlamentare.

    “Kemi shkëmbyer idete për konstituimin e kuvendit, qëndrimin tonë e dini. Ne kemi thënë që për PDK-në është më rendësi që sa më shpejtë të konstituohet kuvendi. I thash Kurtit do të ishte mirë më mendu për kandidatura tjera, ne nuk kemi qëndrim bllokues”, tha ai.

    Krasniqi tha se Kurtit i kanë propozuar dy emra tjerë.

  • Zhbllokimi i Kuvendit, Haziri: Vetëvendosje nuk ka vullnet politik për të zgjidhur këtë situatë

    Zhbllokimi i Kuvendit, Haziri: Vetëvendosje nuk ka vullnet politik për të zgjidhur këtë situatë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka komentuar mungesën e kryetarit të partisë së tij në takimin e thirrur nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, duke theksuar se kjo nuk është një refuzim i dialogut.

    “Nuk ka nevojë për takim për procedura,” ka deklaruar Haziri para gazetarëve, duke theksuar se një takim i tillë nuk është i nevojshëm për çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e fituara.

    Sipas tij, është përgjegjësi e partisë më të madhe për të realizuar marrëveshje politike.

    “Nëse LDK-ja do të ishte në këtë pozitë, para pesë javësh do ta kishim mbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë”, ka shtuar ai.

    Haziri ka theksuar se, sipas tij, LVV-ja nuk ka vullnet politik për të zgjidhur këtë situatë, duke e quajtur këtë lëvizje si një formë takimesh pa qëllim të qartë.

  • Murati shpreson në reflektim të opozitës: Kemi bërë hapa tutje, ftuam dy parti të tjera në takim

    Murati shpreson në reflektim të opozitës: Kemi bërë hapa tutje, ftuam dy parti të tjera në takim

    Në prag të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në ndërtesën e Kuvendit ka arritur ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili ka komentuar situatën politike dhe ka shprehur pritshmëritë e tij për tejkalimin e bllokadës institucionale.

    Murati tha para mediave se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë lëvizjet e veta drejt zhbllokimit të procesit, përfshirë ftesat për takim ndaj krerëve të partive opozitare.

    “Ne kemi bërë propozimin ton, kemi kryer obligimin kushtetues, është rradha që të votohet nga të gjithë deputetët, sepse është obligim i të gjithëve konstituimi i Kuvendit,” deklaroi ai.

    Duke iu referuar ftesës së kryeministrit Kurti drejtuar PDK-së dhe LDK-së, Murati theksoi se qëllimi është ndërtimi i konsensusit për të ecur përpara.

    “Kemi bërë edhe hapa tutje, lëvizje, keni parë besoj me ftesën e kryeministrit Kurti drejtuar dy subjekteve të tjera, sepse siç e dini që tri partive më të mëdha u takon edhe pozita e nënkryetarit, në mënyrë që të kemi konsensus të lëvizim tutje, që mos të kemi bllokadë pas bllokade,” u shpreh ai.

    Murati përmendi edhe përgjigjen pozitive të PDK-së, duke shpresuar se kjo do të ndikojë që procesi të ecë përpara.

    “Uroj që pas përgjigjes pozitive të njërit nga udhëheqësit e partive opozitare, në këtë rast të PDK-së, të ketë pasur reflektim që të lëvizet përpara dhe të themelohet institucionet,” përfundoi ministri në detyrë.

  • Përfundon takimi Kurti- Krasniqi, s’ka marrëveshje

    Përfundon takimi Kurti- Krasniqi, s’ka marrëveshje

    Ka përfunduar takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, pak para vazhdimit të seancës konstituive.

    Pas takimit, Krasniqi konfirmoi se nuk është arritur ndonjë marrëveshje politike mes palëve. Ai theksoi se gjatë diskutimit i ka kërkuar Kurtit që të ndryshojë kandidatin e propozuar për kryetar të Kuvendit, me qëllim të tejkalimit të bllokadës institucionale.

    Sinjali

  • IKD: Dita e punës e gjen Kosovën me probleme të vjetra, vdekje në vendin e punës, ligje të vjetëruara dhe institucione jofunksionale

    IKD: Dita e punës e gjen Kosovën me probleme të vjetra, vdekje në vendin e punës, ligje të vjetëruara dhe institucione jofunksionale

    Instituti i Kosovës për Drejtësi, në vazhdën e monitorimit të zbatimit të legjislacionit në fushën e të drejtave sociale, ka përcjellë veprimet e Qeverisë, Kuvendit dhe agjencive ekzekutive në përmbushjen e obligimeve brenda fushëveprimit të tyre dhe me rastin ne Ditës Ndërkombëtare të Punës, gjen se Qeveria dhe Kuvendi dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura në fushën sociale, përfshirë në miratim e zbatim të ligjeve në këtë fushë.

    IKD gjen Qeveria e Kosovës, e dalë nga legjislatura e tetë, ka dështuar jo vetëm të miratojë pjesën më të madhe të ligjeve në fushën sociale, por edhe të zbatojë ligjet ekzistuese. Po ashtu, ajo nuk ka arritur të sigurojë mbrojtje kolektive për punëtorët.

    Tutje thuhet se në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë një përfaqësues të sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale dhe nuk ka ushtruar në mënyrë efektive funksionin mbikëqyrës ndaj Qeverisë. Vetëm gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, sipas statistikave zyrtare dhe të dhënave nga sindikatat, në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën 263 punëtorë, 12 vetëm në vitin 2024, ndërsa në pesëmujorin e parë të këtij viti kemi 10 raste të vdekjes në vendin e punës.

    Dështimi për t’i miratuar ligjet nga fusha sociale

    Qeveria ka dështuar të miratojë shumicën e projektligjeve nga fusha sociale, duke dëshmuar neglizhencë të vazhdueshme dhe mungesë të vullnetit politik gjatë viteve 2021-2024. Ligjet bazike si Ligji i Punës, Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe Ligji për Inspektoratin e Punës, janë hequr nga agjenda ose kanë mbetur të paadresuara, duke reflektuar mungesë të përparimit dhe angazhimit për çështje urgjente sociale.

    Ligji për Sigurime Shëndetësore të Detyrueshme dhe Ligji për Banimin Social dhe të Përballueshëm janë miratuar përmes një procedure të përshpejtuar më 5 dhjetor 2024, pa përfshirjen e opozitës, gjë që ka çuar në dërgimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë sa i përket procedurës së ndjekur.

    Dështimi për të përditësuar dhe miratuar në kohë legjislacionin social, ka pasoja serioze për qytetarët, zhvillimin ekonomik dhe adresimin e problemeve sistematike të krijuara ndër vite. Vonesat në miratimin e ligjeve dhe përafrimin e tyre me direktivat e Bashkimit Evropian cenojnë mbrojtjen sociale, sigurinë juridike të qytetarëve dhe integrimin evropian të vendit.

    Në këtë drejtim, IKD rekomandon që legjislatura e nëntë dhe qeveria e re të përcaktojë një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes miratimin e ligjeve përkatëse dhe të forcojë mekanizmat e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve të aplikueshme duke i kushtuar rëndësi të posaçme sigurisë në punë dhe të drejtave të punëtorëve. Viti 2024 dhe fillimi i vitit 2025 për shkak të neglizhencës dhe mungesës së mbikëqyrjes adekuate, ka rezultuar me 22 viktima që kanë humbur jetën në vendin e punës. Vdekja e 22 punëtorëve në vendin e punës për më pak se 18 muaj, do të duhej të shërbenin si reflektim për Qeverinë dhe Kuvendin e ardhshëm.

    Dështimi për të ofruar dialog social

    Qeveria e Kosovës, si një nga partnerët socialë dhe sipas legjislacionit në fuqi përgjegjëse për zhvillimin e këtij dialogu, ka shmangur në mënyrë të vazhdueshme përmbushjen e kësaj detyre. Deri më sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punës më 1 maj 2025, ajo ka dështuar sistematikisht të sigurojë një mjedis të strukturuar dhe funksional për dialog social, i cili është njëri ndër tiparet e një demokracie funksionale dhe të një shteti që synon përparimin drejt standardeve të Bashkimit Evropian. Përkundër deklaratave politike që mbështesin të drejtat e punëtorëve dhe promovojnë dialogun me sindikatat, në praktikë janë ndërmarrë shumë pak hapa konkretë, dhe ato kur janë ndërmarrë, më shumë kanë qenë në drejtim të krijimit të imazhit sesa të punës së vërtetë.

    Rritja e pagës minimale në mënyrë arbitrare

    Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur pagën minimale në 350 euro është marrë në mënyrë arbitrare, pa respektuar procedurat e përcaktuara me ligj. Ligji në fuqi kërkon që përcaktimi i pagës minimale të bëhet në fund të çdo viti kalendarik, bazuar në një propozim të Këshillit Ekonomik dhe Social (KES). Në rast të mungesës së një propozimi nga KES-i, Ministri i Financave, pas konsultimeve me këtë Këshill, ka të drejtë të paraqesë një propozim alternativ. Megjithatë, Këshilli Ekonomik dhe Social nuk ka qenë funksional që nga prilli 2023, për shkak të dështimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ta konstituuar atë, duke e bërë kështu të pamundur respektimin e kësaj procedure të domosdoshme.

    Si pasojë, vendimi i qeverisë ka qenë i paligjshëm, pasi ai nuk ka respektuar ligjin që vetë qeveria e kishte propozuar dhe Kuvendi e kishte miratuar. Për më tepër, shuma e propozuar prej 350 eurosh nuk ka kaluar nëpër procesin e konsultimeve publike në Platformën për Konsultime Publike Online, një obligim që qeveria e ka sipas Rregullores së saj të Punës.

    IKD vlerëson se çdo ndryshim në politikën e pagës minimale ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qindra mijëra punëtorëve dhe në stabilitetin ekonomik të vendit. Prandaj, procesi i vendimmarrjes në fund të vitit 2025 duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të bazohet në analiza të detajuara dhe konsultime të gjera me të gjithë aktorët relevantë.

    Mungesa e mbrojtjes së punëtorëve përmes arritjes së Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive dhe marrëveshjeve sektoriale

    Në raport me mbrojtjen kolektive të punëtorëve, IKD gjen se Qeveria e Kosovës ka dështuar të përmbushë obligimin e saj për të nënshkruar marrëveshjen e përgjithshme me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), përkundër kërkesave të përsëritura nga ky bashkim sindikatash. Në anën tjetër, qeveria ka dështuar gjithashtu të arrijë marrëveshje sektoriale me disa sindikata në Kosovë, përkundër vullnetit dhe përpjekjeve të përditshme të tyre.

    Dështimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për të nënshkruar marrëveshje me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK)

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka ndërmarrë një hap të paprecedentë, duke e ndërprerë në mënyrë të njëanshme marrëveshjen kolektive me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK). Në vend që të angazhohej në dialog dhe negociata për të përmirësuar ose përshtatur marrëveshjen, Ministria e ka arsyetuar këtë vendim me pretendime për mosrespektim të ligjit. SBASHK-u ka dorëzuar një draft të Kontratës Kolektive për sektorin e arsimit në MAShTI në tetor të vitit 2024, por pavarësisht këtij hapi, MAShTI dhe Ministria e Financave nuk kanë realizuar takime me përfaqësuesit e SBASHK-ut për të diskutuar mbi këtë draft.

    Dështimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të nënshkruar marrëveshje me Sindikatën e Sektorit të Shëndetësisë

    Pas tërheqjes së njëanshme nga zbatimi i Marrëveshjes Kolektive Sektoriale me Sindikatën e Sektorit të Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë kishte premtuar se do të nënshkruante një marrëveshje kolektive me këtë Federatë, por më pas nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Kjo qasje është shkelje e besimit dhe shembull i mungesës së angazhimit institucional ndaj përfaqësuesve të punëtorëve të sektorit të shëndetësisë. Për më tepër, dështimi për të nënshkruar marrëveshjen ndodh në një kohë kur punëtorët shëndetësorë po përballen me kushte të vështira pune, mungesë të pajisjeve dhe mbështetje të pamjaftueshme financiare dhe Kosova përballet me rrezikun e vazhdueshëm të ikjes së punëtorëve shëndetësorë në vendet e Bashkimit Evropian.

    Mosfunksionalizimi i Këshillit Ekonomik-Social (KES)

    Mosfunksionalizimi i Këshillit Ekonomik-Social (KES), për të cilin përgjegjëse është Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka penguar arritjen e një marrëveshjeje të përgjithshme kolektive në Kosovë. IKD, gjen se përkundër faktit që Ministria ishte në dijeni se mandati i KES-it kishte përfunduar në prill të vitit 2023, nuk janë ndërmarrë asnjëherë hapa për ta bërë atë funksional. Si rezultat, punëtorët në sektorin publik dhe privat kanë mbetur pa një trupë përfaqësuese për të negociuar të drejtat dhe kushtet e tyre të punës.

    Një situatë e tillë përbën jo vetëm dështim institucional, por edhe shkelje të obligimeve ligjore nga ana e Ministrisë përgjegjëse. Pasojat shkojnë përtej mungesës së përfaqësimit — ato ndikojnë edhe në cilësinë e shërbimeve publike për shkak të largimit të shtuar të punëtorëve si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat. Në këtë kontekst, ka munguar edhe roli mbikëqyrës i Kryeministrit dhe i Kuvendit të Kosovës, pasi kjo çështje nuk është trajtuar në asnjë formë parlamentare, duke reflektuar një neglizhencë shqetësuese nga ana e përfaqësuesve të zgjedhur.

    Në një nivel më të gjerë, mungesa e një Këshilli Ekonomik-Social funksional cenon vetë parimet e modelit social evropian, i cili e konsideron dialogun social dhe negociatat kolektive si mekanizma kyç për drejtësinë sociale, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të punës, si dhe rritjen e produktivitetit. Pa këtë lloj të mekanizmit të diskutimit, mungon demokracia në vendin e punës, ndërsa përfshirja e punëtorëve në proceset vendimmarrëse, një nga zotimet themelore të Bashkimit Evropian, po përjashtohet në Kosovë.

    Mosfunksionalizimi i Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë

    Gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, Kosova është përballur me një numër alarmues të vdekjeve në vendin e punës – 263 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës. Vetëm gjatë vitit 2024 humbën jetën 12. Në pesë muajt e parë të këtij viti janë shënuar edhe 10 raste të reja. Këto të dhëna nxjerrin në pah dështimin institucional për të siguruar ambient të sigurt dhe të shëndetshëm për punëtorët në sektorë të ndryshëm.

    Kosova ka në fuqi një ligj për sigurinë dhe shëndetin në punë, i cili përcakton parimet themelore për parandalimin e rreziqeve profesionale, eliminimin e faktorëve të rrezikut, trajnimin dhe informimin e punëtorëve, si dhe përfshirjen e tyre në mënyrë të balancuar në përmirësimin e kushteve të punës. Qëllimi i këtij ligji është i qartë: të garantojë një nivel të lartë të mbrojtjes për të punësuarit. Megjithatë, ligji nuk është përditësuar dhe harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe ato ndërkombëtare, ndërkohë që as zbatimi i tij aktual nuk është i garantuar.

    Një nga komponentët më të rëndësishëm të këtij ligji është themelimi i Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, një trup ndërinstitucional që ka për mandat të hartojë politika, të monitorojë zbatimin e standardeve dhe të ofrojë rekomandime për përmirësimin e kushteve të punës. Përbërja e këtij Këshilli është gjithëpërfshirëse, duke përfshirë përfaqësues të qeverisë, punëdhënësve, punëtorëve dhe ekspertëve të fushës, çka tregon për një model të balancuar dhe profesional të vendimmarrjes.

    Megjithatë, pavarësisht dispozitave ligjore, Këshilli nuk është themeluar dhe rrjedhimisht nuk është funksional. Mosfunksionalizimi i tij reflekton mungesën e vullnetit politik për të trajtuar me serioz jetën dhe mirëqenien e punëtorëve dhe dëmton gjithë përpjekjen për ndërtimin e një kulture pune të sigurt.

  • Vazhdon përpjekja për konstituimin e Kuvendit, nis takimi Kurti-Krasniqi

    Vazhdon përpjekja për konstituimin e Kuvendit, nis takimi Kurti-Krasniqi

    Për të nëntën herë me radhë, deputetët do të mblidhen për të tentuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Zvarritja në konstituimin e legjislaturës së nëntë po ndodh për shkak se partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun si kandidate për kryeparlamentare, por në gjashtë votime radhazi, ajo ka marrë vetëm 57 vota, ndërsa në votimin e fundit, vetëm 54.

    Subjektet politike, LDK, PDK dhe AAK  kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërkohë, Vetëvendosje ka thënë se nuk do të propozojë një kandidat tjetër.

    Për shkak të kësaj situate dhe pamundësisë për konstituimin e Kuvendit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ftuar sot në orën 08:30 në një takim konsultativ kryetarin e PDK-së dhe atë të LDK-së.

    Takimi është planifikuar të mbahet në sallën N-204 të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    PDK ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takim, ndërsa LDK e ka refuzuar ftesën.

  • ShBA-ja dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshjen për burimet natyrore

    ShBA-ja dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshjen për burimet natyrore

    Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje me Ukrainën për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve të saj energjetike dhe minerale, pas muajsh negociatash të tensionuara.

    Të dyja vendet janë pajtuar të krijojnë një fond investimesh për rindërtim, me qëllim të nxitjes së rimëkëmbjes ekonomike të Ukrainës pas luftës me Rusinë, raporton BBC, transmeton Gazeta Sinjali.

    Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se kjo marrëveshje tregon përkushtimin e të dy palëve për paqe dhe mirëqenie të qëndrueshme në Ukrainë. Për Kievin, marrëveshja shihet si thelbësore për të siguruar ndihmën ushtarake amerikane.

    Ukraina besohet të ketë rezerva të mëdha të mineraleve kritike si grafiti, titani dhe litiumi – elemente shumë të kërkuara për shkak të përdorimit të tyre në energjinë e ripërtëritshme, teknologjinë ushtarake dhe infrastrukturën industriale.

  • Nga sot s’ka kontrolle në kufirin Kosovë–Shqipëri

    Nga sot s’ka kontrolle në kufirin Kosovë–Shqipëri

    Sot, rikthehet marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që ka për qëllim përmirësimin e lëvizjes kufitare për automjetet me targa të të dy shteteve. Kjo marrëveshje i mundëson automjeteve kosovare dhe shqiptare të kalojnë kufirin pa u nënshtruar kontrolleve, duke e bërë lëvizjen më të shpejtë dhe pa pengesa.

    Kjo masë është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë, e cila u nënshkrua vitin e kaluar dhe që ka ndihmuar në eliminimin e bllokimeve në pikat kufitare, veçanërisht gjatë periudhave me fluks të madh udhëtarësh.

    Ajo ka mundësuar një lëvizje më të lehtë dhe të shpejtë gjatë sezonit veror, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit të lëvizjes mes dy shteteve.

  • Sot shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës

    Sot shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës

    Dita e parë e muajit maj është njohur ndërkombëtarisht si Dita e Punëtorëve, një ditë e dedikuar për nderimin e sakrificave dhe kërkesave të punëtorëve për kushte më të mira pune.

    Çdo vit, më 1 maj, punëtorët nga të gjitha anët e globit dalin në rrugë për të shprehur solidaritetin e tyre dhe për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, përfshirë orar të arsyeshëm pune, paga të drejta dhe siguri në vendin e punës.

    Kjo ditë ka origjinën nga protestat e vitit 1885 në Australi, ku punëtorët kërkuan një orar pune prej 8 orësh, një kërkesë që do të bëhej simboli i të drejtave të punëtorëve. Motori i këtij protestimi ishte: “8 orë punë, 8 orë pushim, 8 orë gjumë”, një moto që vazhdon të jetë e rëndësishme edhe sot e kësaj dite. Pjesë e historisë së kësaj lëvizjeje është edhe revolta e Haymarket në Chicago në vitin 1886, ku punëtorët kërkuan të drejtat e tyre dhe protestuan për kushte më të mira pune. Protesta u shndërrua në tragjedi kur, në kulmin e saj, humbën jetën 11 persona pas një masakre të përgjakshme.

    Në Evropë, 1 Maji ishte fillimisht i lidhur me festat tradicionale rurale të fermerëve, por më vonë, kjo ditë mori një dimension të ri, duke u bërë simbol i lëvizjes moderne të punës. Vendimi për të shpallur 1 maj si Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve u mor në vitin 1891 në Bruksel, dhe që atëherë, është njohur në të gjithë botën.

    Në shumë shtete, 1 maji është shpallur ditë pushimi zyrtare dhe është një mundësi për punëtorët të bashkohen, të shprehin kërkesat e tyre dhe të festojnë arritjet e lëvizjes sindikale për më shumë të drejta dhe mundësi të barabarta pune. Dita e Punëtorëve është një kujtesë e vazhdueshme e forcës së bashkimit dhe e nevojës për përmirësimin e kushteve të punës në mbarë botën.

  • A e kontrollon ndonjëherë telefonin e Milaim Zekës? Eda habit me përgjigjen

    A e kontrollon ndonjëherë telefonin e Milaim Zekës? Eda habit me përgjigjen

    E ftuar në emisionin “Studio A” në ATV ishte Edlira Qefalija- Zeka, e cila iu përgjigj pa hezitim pyetjeve të rubrikës ‘Engjëll apo Djall’.

    E pyetur edhe për marrëdhënien që ka me bashkëshortin e saj, Milaim Zeka, Eda arriti të befasojë me përgjigjet e saj të sinqerta dhe shpesh të papritura.

    “Asnjëherë, sepse kam një mendim që të kontrolluarit telefonin është një nga veset më të ndyra që ekziston, pra as unë as ai. Ai ka punë me gjithkënd njëjtë sikur edhe unë, s’ka nevojë që të sekletosesh. Kemi liri veprimi të njëri-tjetri të tejskajshme që për fat të mirë nuk e keqpërdorim”, tha ajo.

    Për të ndjekur intervistën e saj të plotë, klikoni në videon e mëposhtme: