ATV

Author: G.O.

  • Hapet Këshillimore për Diabet në QKMF të Prishtinës, Sadiku: Synohet të rritet vetëdijësimi rreth komplikimeve të mundshme të diabetit

    Hapet Këshillimore për Diabet në QKMF të Prishtinës, Sadiku: Synohet të rritet vetëdijësimi rreth komplikimeve të mundshme të diabetit

    Drejtoria e Shëndetësisë në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë ka hapur një këshillimore të re të dedikuar për pacientët me diabet. Kjo iniciativë është ndërmarrë si përgjigje ndaj rritjes së numrit të rasteve me diabet në komunën e Prishtinës dhe synon të ofrojë kujdes më të specializuar dhe më të afërt për këtë kategori pacientësh.

    Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku ka potencuar se këshillimorja për diabet do të funksionojë me orar të rregullt gjatë ditëve të punës dhe do të jetë e përbërë nga profesionistë shëndetësorë të trajnuar në fushën e endokrinologjisë, infermierisë dhe dietologjisë. Pacientët do të kenë mundësi të marrin këshilla për menaxhimin e sëmundjes, kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, ushqimin e duhur, si dhe udhëzime për aktivitetet fizike të rekomanduara.

    Ky shërbim është krijuar për të lehtësuar qasjen e qytetarëve në kujdes parandalues dhe për të reduktuar nevojën për trajtime të ndërlikuara në faza të mëvonshme të sëmundjes. Me anë të këtij këshillimi, synohet gjithashtu të rritet vetëdijësimi rreth komplikimeve të mundshme të diabetit, si dhe rëndësia e monitorimit të rregullt mjekësor. Mes tjerash këto shërbime ofrohen falas për qytetarët.

    Drejtoria e Shëndetësisë ka theksuar se ky projekt është pjesë e një strategjie më të gjerë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në nivel lokal, dhe se hapja e këshillmores është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të shëndetit publik dhe komunitetit mjekësor vendor. Kjo është vetëm një nga iniciativat që parashihen të realizohen gjatë këtij viti./atvlive.tv

  • Zojzi nderon heroin Sinan Thaqi: Kujtimi për dëshmorin u mbajt gjallë nga brezi i ri

    Zojzi nderon heroin Sinan Thaqi: Kujtimi për dëshmorin u mbajt gjallë nga brezi i ri

    Në përvjetorin e 26-të të rënies heroike të dëshmorit Sinan Thaqi, fshati Zojz u mbush me ndjenjë respekti dhe krenarie kolektive. Në një atmosferë të ngrohtë por të mbushur me emocione të thella, nxënësit e shkollës që mban emrin e tij, SHFMU “Sinan Thaqi”, realizuan një program kulturor-artistik në nder të figurës së tij dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.

    Aktiviteti u zhvillua në sheshin “Sinan Thaqi”, pranë lapidarit të tij, ku morën pjesë shumë banorë të fshatit, mësimdhënës, përfaqësues të institucioneve lokale dhe mbi të gjitha, familjarët e dëshmorit, të pranishëm me një krenari të thellë dhe emocione që vështirë përmbaheshin. Prania e tyre e bëri këtë përkujtim edhe më të ndjerë, duke e kthyer në një akt simbolik të lidhjes së brezave me historinë dhe sakrificën për liri.

    Nxënësit recituan poezi, kënduan këngë patriotike dhe sollën fragmente nga historia e luftës, duke dëshmuar se kujtimi për dëshmorët nuk jeton vetëm në libra apo lapidarë, por në zemrat dhe zërat e brezave të rinj që po rriten me krenarinë e trashëgimisë kombëtare.

    Emri i Sinan Thaqit nuk ishte thjesht i gdhendur në gur, por i ngulitur në ndërgjegjen kolektive të këtij komuniteti. Ishte më shumë se një manifestim përkujtimor, ishte një mësim i gjallë për dashurinë ndaj atdheut.

    Ky përvjetor dëshmoi se liria për të cilën luftuan dëshmorët nuk harrohet dhe Zojzi mbetet një shembull i gjallë i asaj se si ruhet e nderohet historia./atvlive.tv/

  • Dashuria e Burim Bunjakut për kafshët që u kthye në profesion

    Dashuria e Burim Bunjakut për kafshët që u kthye në profesion

    Burim Bunjaku është një emër i njohur në komunitetin e dashamirësve të kafshëve, i cili ka arritur të ndërtojë një petshop të suksesshëm duke kombinuar pasionin e tij për kafshët me përkushtimin ndaj shërbimit cilësor.

    Me një përvojë të gjatë në kujdesin ndaj kafshëve shtëpiake, Burimi ka krijuar një ambient mikpritës ku klientët gjejnë gjithçka që u nevojitet për miqtë e tyre me katër këmbë, me krahë apo dhe ujorë, nga ushqimet cilësore, te lodrat, aksesorët dhe shërbimet shtesë për mirëqenien e tyre.

    Në petshop-in e Burimit, klientët gjejnë gjithçka që kanë nevojë për kujdesin e duhur të papagajve, nga ushqimi i balancuar dhe i specializuar, deri te kafazët komodë, lodrat stimuluese dhe aksesorët që ndihmojnë në zhvillimin e tyre.

    Ne botën e Burimit, të mbushur me kafshë nga më të ndryshme, ai ka pasur eksperiencë edhe me kafshë ekzotike si gjarpërinjtë, e cila është një dëshmi e guximit dhe dashurisë së tij të vërtetë për krijesat e natyrës./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • OKB: Mbi 72.000 migrantë të vdekur ose të zhdukur në dekadën e fundit

    OKB: Mbi 72.000 migrantë të vdekur ose të zhdukur në dekadën e fundit

    Më shumë se 72.000 vdekje dhe zhdukje janë dokumentuar përgjatë rrugëve të migrimit në mbarë botën gjatë dekadës së fundit, shumica në vende të prekura nga kriza, tha të martën Organizata e Kombeve të Bashkuara.

    Viti i kaluar shënoi numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë të migrantëve të vdekur, me të paktën 8.938 persona që humbën jetën përgjatë rrugëve të migrimit, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

    “Këto shifra janë një kujtesë tragjike se njerëzit rrezikojnë jetën kur pasiguria, mungesa e mundësive dhe presione të tjera i lënë pa zgjedhje të sigurta apo të qëndrueshme në vendin e tyre”, tha drejtoresha e IOM-it, Amy Pope.

    Raporti i agjencisë së OKB-së zbuloi se gati tri të katërtat e të gjitha vdekjeve dhe zhdukjeve të migrantëve të regjistruara globalisht që nga viti 2014 ndodhën ndërsa njerëzit po iknin nga pasiguria, konfliktet, katastrofat dhe krizat e tjera humanitare.

    Një në katër ishin “nga vende të prekura nga kriza humanitare, me mijëra vdekje të afganëve, rohingjave dhe sirianëve të dokumentuara përgjatë rrugëve të migrimit në mbarë botën”, thuhej në Raportin për Migrantët e Zhdukur të IOM-it.

    Raporti thekson se më shumë se 52.000 persona humbën jetën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga një prej 40 vendeve në botë ku OKB-ja ka një plan reagimi ndaj krizave ose plan humanitar të veprimit.

    Pope bëri thirrje për investime ndërkombëtare “për të krijuar stabilitet dhe mundësi brenda komuniteteve, në mënyrë që migrimi të jetë një zgjedhje, jo një domosdoshmëri”.

    “Dhe kur qëndrimi [në vendlindje] nuk është më i mundur, duhet të punojmë së bashku për të mundësuar rrugë të sigurta, ligjore dhe të rregullta që mbrojnë jetët”, tha ajo.

    Mesdheu Qendror mbetet rruga më vdekjeprurëse e migrimit në botë, me gati 25.000 persona të humbur në det gjatë dekadës së fundit, tha IOM.

    Më shumë se 12.000 prej tyre janë humbur në det pasi janë nisur nga Libia e shkatërruar nga lufta, ndërsa të panumërt të tjerë janë zhdukur gjatë tranzitit nëpër shkretëtirën e Saharasë, sipas raportit.

    Më shumë se 5.000 persona kanë humbur jetën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga Afganistani i shkatërruar nga kriza gjatë dekadës së fundit, shumë prej tyre pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021, raporton REL.

    Dhe më shumë se 3.100 anëtarë të pakicës së përndjekur Rohingja nga Mianmari kanë vdekur gjatë kësaj periudhe, shumë prej tyre në mbytje anijesh apo gjatë kalimit në Bangladesh.

    “Shumë shpesh, migrantët harrohen”, paralajmëroi Julia Black, koordinatore e Projektit për Migrantët e Zhdukur të IOM-it dhe autore e raportit.

    “Dhe për shkak të mungesës së të dhënave – sidomos në zonat e luftës dhe në rajonet e goditura nga katastrofat – numri real i viktimave ka shumë gjasa të jetë shumë më i lartë se sa kemi regjistruar”, tha ajo.

  • Marshim në Shkup për viktimat e tragjedisë së Koçanit, kërkohet përgjegjësi

    Marshim në Shkup për viktimat e tragjedisë së Koçanit, kërkohet përgjegjësi

    Një “Marsh për Engjëjt” është mbajtur sot në Shkup, i organizuar nga familjet e viktimave të tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën shumë persona në një zjarr të rënë më herët.

    Marshimi, i cili është një thirrje për drejtësi dhe përgjegjësi, u mbajt si një simbol i reagimit të vonuar të institucioneve.

    Organizatorët theksojnë se ky marshim është një kërkesë për përgjigje lidhur me trajtimin e çështjes dhe, në mënyrë të veçantë, për çështjet ligjore që janë të paqarta për familjarët e viktimave.

    Ata shprehen se janë të shqetësuar për mënyrën si janë trajtuar hetimet dhe procedurat ligjore në lidhje me incidentin.

    “Meritojmë përgjigje, nuk jemi ekspertë në ligj dhe procedurat ligjore dhe për këtë arsye nuk e kuptojmë se si ekspertët e ligjit i ndalojnë dhe më pas i lirojnë. A janë ata të vetëdijshëm për besimin tashmë tërësisht të tronditur në punën aktuale institucionale me “kap dhe liro”, pa një shpjegim të qartë për atë procedurë ligjore, dhe atë që po krijohet në mendjet tona që janë në prag të vetëshkatërrimit,” thuhet në thirrjen e familjarëve.

    Në thirrjen e tyre, familjarët e viktimave theksojnë se nuk do të ndalen deri sa të marrin përgjigje për vdekjet tragjike të fëmijëve të tyre dhe bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve në këtë marshim paqësor për drejtësi.

  • “LVV të ofrojë tre kandidatë për kryetar Kuvendi” – Rashiti paraqet 10 opsione për tejkalimin e ngërçit politik

    “LVV të ofrojë tre kandidatë për kryetar Kuvendi” – Rashiti paraqet 10 opsione për tejkalimin e ngërçit politik

    Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish për të tetën herë të konstituohet, kjo për shkak se kandidatja e propozuar nga LVV për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu sërish nuk mori votat e mjaftueshme.

    E pas kësaj situate të krijuar që nga 15 prilli, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, ka dalë me 10 opsione sesi të tejkalohet ky ngërç.

    Rashiti në një postim në Facebook, ka shkruar se zgjedhjet e reja duhet jenë zgjidhja e fundit.

    Sipas tij opsioni i parë është që LVV të propozojë tre kandidatë për kryetar/e të Kuvendit dhe t’u jepet mundësia deputetëve që të votojnë njërin prej tyre.

    Opsioni tjetër sipas tij është që një grup i deputetëve me urgjencë duhet të dërgojnë një pyetje specifike në Gjykatën Kushtetuese.

    “3.LVV të bëjë marrëveshje politike me subjektet parlamentare. As bashkëpunimi me Nismen nuk arrihet pa marrëveshje politike për bashkëqeverisje. 4.Në rast të dështimit të LVV-së për të siguruar votat për forminin e qeverisë, opozita do të ketë shansin e vet, por nuk e ka të garantuar”, ka shkruar Rashiti.

    Për të opsioni i pestë përfshinë kohën për lidership të guximshëm e marrëveshje të mëdha politike të guximshme për bashkëqeverisje dhe se marrëveshjet politike duhen tani apo pas përsëritjes së zgjedhjeve të reja.

    “6. Një opsion është që partia fituese LVV të formojë një qeveri minore, me mbështetjen e disa subjekteve apo deputetëve, me kusht që ata marrin kryetarin e Kuvendit. Kjo qeveri duhet të jetë me mandat shumë të kufizuar kohor. 7.Qeveri teknike – Nëse LVV, PDK dhe LDK besojnë se blloqet e tyre nuk mund të formojnë qeverinë, ato duhet të pajtohen për një qeveri teknike (përfshirë programin dhe prioritetet) me mandat deri në shkurt të vitit 2026”, ka shkruar tutje Rashiti.

    Rashiti ka shtuar se nëse të gjitha këto opsione nuk funksionojnë, subjektet politike duhet të pajtohen për shpalljen e zgjedhjeve të reja sa më shpejt, shkruan Telegrafi.

    “9.Dhe për të gjitha opsionet duhet dialog në nivel të lartë politik në mes të liderëve. 10.Mungesa e dialogut do të thellojë krizën dhe do t’i detyrojë subjektet të bëjnë zgjidhje të rrezikshme për të ardhmen dhe funksionimin e institucioneve”, ka shkruar ai.

  • “Pianoteka Shqiptare”, Platforma e re që promovon krijimtarinë pianistike shqiptare

    “Pianoteka Shqiptare”, Platforma e re që promovon krijimtarinë pianistike shqiptare

    Një platformë e re, e quajtur “Pianoteka Shqiptare”, është lansuar me synimin për të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë e krijimtarisë pianistike shqiptare.

    E krijuar nga një pianiste dhe pedagoge e pasionuar, “Pianoteka Shqiptare” fokusohet në paraqitjen e veprave të kompozitorëve nga Kosova dhe Shqipëria, duke i dhënë kështu një hapësirë të re dhe të merituar muzikës sonë kombëtare.

    Në fazën e parë të projektit, vëmendja është përqendruar te kompozitori i njohur Tonin Harapi. Aktualisht, në kanal janë publikuar gjashtë video që ofrojnë informacione mbi jetën dhe krijimtarinë e tij, duke sjellë një qasje edukative dhe inspiruese për studentët, nxënësit dhe të gjithë të interesuarit për pianizmin shqiptar.

    Platforma është realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa një falënderim i veçantë i është adresuar pianistit Avni Krasniqi për bashkëpunimin e tij të çmuar.

    Në të ardhmen, “Pianoteka Shqiptare” do të pasurohet me materiale të reja, duke përfshirë krijimtarinë e shumë kompozitorëve të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria. Synimi është që ky kanal të shndërrohet në një pikë referimi për të gjithë nxënësit, studentët dhe dashamirësit e muzikës shqiptare./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • 29 prilli – Dita Botërore e Vallëzimit

    29 prilli – Dita Botërore e Vallëzimit

    Dita Botërore e Vallëzimit festohet më 29 prill në shumë vende të botës. Kjo ditë u krijua me qëllim që të nxisë dashurinë dhe vlerësimin për vallëzimin si një formë arti që i bashkon njerëzit pa dallim moshe, kombësie apo gjuhe. Vallëzimi është një gjuhë universale që shprehet përmes lëvizjeve të trupit dhe emocioneve të brendshme, duke ndikuar thellë në shpirtrat e atyre që e praktikojnë dhe atyre që e shikojnë. Në këtë ditë, kujtohet rëndësia e vallëzimit në kulturë dhe në jetën shoqërore, duke theksuar fuqinë e tij për të sjellë gëzim dhe bashkim mes njerëzve.

    Vallëzimi nuk ka qenë kurrë thjesht një mënyrë për t’u argëtuar. Ai është një aktivitet që lidhet ngushtë me zhvillimin fizik, mendor dhe emocional të një personi. Përveçse forcon muskujt, përmirëson balancën dhe qëndrimin trupor, ai ndihmon edhe në çlirimin e stresit dhe përmirësimin e humorit të përgjithshëm. Kur njeriu vallëzon, ai shpreh ndjenja që ndoshta nuk mund t’i shprehë me fjalë. Çdo lëvizje ka kuptimin e saj dhe çdo kërcim bart një histori, një emocion, një moment të jetuar që mbetet i paharruar.

    Me rastin e kësaj dite, në shumë qytete në mbarë botën organizohen aktivitete të ndryshme, si performanca në sheshe publike, punëtori profesionale, gara vallesh dhe festa të hapura për të gjithë. Shkollat e vallëzimit ofrojnë demonstrime falas, duke i dhënë mundësi publikut që të njihen me stile të ndryshme vallëzimi, si baleti klasik, hip hopi modern, vallet tradicionale popullore apo stile bashkëkohore. Ky është një moment i veçantë ku njerëzit jo vetëm argëtohen por edhe mësojnë nga njëri-tjetri, duke ndarë kultura dhe eksperienca të ndryshme.

    Dita Botërore e Vallëzimit është gjithashtu një mundësi për të nderuar punën dhe kontributin e koreografëve, kërcimtarëve dhe mësuesve të vallëzimit që kanë dhënë jetën e tyre për zhvillimin dhe promovimin e këtij arti. Ata kanë sjellë risi, pasion dhe frymëzim në skenat botërore dhe lokale, duke ndihmuar që vallëzimi të njihet si një formë e rëndësishme arti dhe edukimi. Me anë të punës së tyre, ata kanë ndikuar në rritjen e vlerës së vallëzimit dhe në nxitjen e brezave të rinj për të ndjekur këtë pasion.

    Duke festuar Ditën Botërore të Vallëzimit, ne nuk festojmë vetëm artin e lëvizjes, por edhe lirinë e shprehjes, fuqinë e krijimtarisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes njerëzve.

    Vallëzimi na mëson se si të shprehemi pa fjalë, se si të lidhemi me të tjerët nëpërmjet emocioneve të pastra dhe se si të gjejmë lumturi në lëvizjet më të thjeshta. Në çdo hap, në çdo rrotullim dhe në çdo ritëm, vallëzimi na fton ta duam më shumë jetën dhe njëri-tjetrin.

  • Dështon për herë të tetë seanca për konstituimin e Kuvendit, Haxhiu s’i merr votat e mjaftueshme për kryeparlamentare

    Dështon për herë të tetë seanca për konstituimin e Kuvendit, Haxhiu s’i merr votat e mjaftueshme për kryeparlamentare

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, as në seancën e së martës nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për kryetare të Kuvendit.

    Me 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenime, Haxhiu nuk mori votat e duhura për pozitën e kryetares, andaj edhe kjo seancë u ndërpre.

    Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, bëri të ditur se seanca do të vazhdojë të enjten.

    “Konstatoj se deputetja e propozuar për deputete nuk i ka marrë votat e mjaftueshme, e ndërprejmë seancën. Shihemi më 1 maj në orën 10:00”, tha Dehari.

  • Kush ja vendosi emrin Paris, deputeti tregon të vërtetën që fshihet pas emrit

    Kush ja vendosi emrin Paris, deputeti tregon të vërtetën që fshihet pas emrit

    Deputeti i zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Paris Guri i ftuar në emisionin “STUDIO A” në ATV foli gjerë e gjatë për jetën e saj private e profesionale dhe jo vetëm.

    Duke u veçuar me emrin e tij, në mes tjerash Parisi tregoi se kush ia vendosi emrin atij dhe të vërtetën që fshihet pas.

    “Gjatë kohës sa mami ka qenë shtatzëne, babi ka qenë duke e lexuar ‘Iliadën Lufta e Trojës’ dhe i ka pëlqyer emri i personazhit ‘Paris’, pra ai princi që lufton për Helenën dhe kjo është arsyeja që babi ka vendosë që unë të quhem Paris”, tha mes tjerash ai.

    Për të ndjekur intervistën e tij të plotë klikoni në videon e mëposhtme: