ATV

Author: G.O.

  • Osmani me vizitë zyrtare në Malajzi: Nder i veçantë, një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën

    Osmani me vizitë zyrtare në Malajzi: Nder i veçantë, një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë zyrtare në Malajzi, me ftesë të Kryeministrit YAB Dato’ Seri Anwar Ibrahim, raporton Gazeta Sinjali.

    Përmes një njoftimi, Osmani ka thënë Malejzia është një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën.

    “Nder i veçantë që, me ftesë të Kryeministrit Anwar Ibrahim, të mirëpritem për vizitë zyrtare në Malejzi, një ndër shtetet e para që ka njohur Republikën tonë’’, ka shkruar Presidentja Osmani në rrjetin social Facebook.

  • Marrëveshja ShBA-Ukrainë, Trump: Një gjë e mirë sepse Rusia është shumë më e fortë

    Marrëveshja ShBA-Ukrainë, Trump: Një gjë e mirë sepse Rusia është shumë më e fortë

    Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje partneriteti ekonomik që i jep Uashingtonit akses në mineralet e rralla të Ukrainës, në këmbim të krijimit të një fondi investimi amerikan.

    Marrëveshja u finalizua pas negociatave të gjata dhe u nxit nga rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    “Është një gjë shumë e mirë, nëse Zelensky e nënshkroi marrëveshjen sepse Rusia është shumë më e madhe dhe shumë më e fortë”, tha Trump.

    “Sot bëmë një marrëveshje ku marrim, e dini, shumë më tepër në teori, sesa 350 miliardë dollarët, por unë doja të isha i mbrojtur. Nuk doja të isha atje dhe të dukesha budalla.”

    Sipas të dhënave zyrtare, SHBA ka kontribuar me afro 123 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën që nga fillimi i agresionit rus në shkurt të vitit 2022.

    “Kjo marrëveshje i sinjalizon qartë Rusisë se Administrata Trump është e përkushtuar ndaj një procesi paqeje të përqendruar në një Ukrainë të lirë, sovrane dhe të begatë në planin afatgjatë”, deklaroi sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

    Ministrja e Ekonomisë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, ishte në Uashington për të nënshkruar në emër të qeverisë ukrainase. Ndër kushtet e marrëveshjes janë “pronësia dhe kontrolli i plotë” që do të mbetet me Ukrainën, shkroi ajo në X të mërkurën.

    Ukraina ka depozita të 22 prej 50 materialeve kritike për SHBA-të, të rëndësishme për industrinë dhe mbrojtjen, ndërsa Kina vijon të dominojë tregun global të këtyre mineraleve.

  • Haki Abazi me aksion simbolik para Qeverisë “Mashtrimi nuk duhet të normalizohet, rritja e çmimit të energjisë e bën jetën e shtrenjtë”

    Haki Abazi me aksion simbolik para Qeverisë “Mashtrimi nuk duhet të normalizohet, rritja e çmimit të energjisë e bën jetën e shtrenjtë”

    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka shprehur sot pakënaqësinë e tij pas shtrenjtimit të energjisë elektrike.

    Abazi ka publikuar një video në profilin e tij në Facebook, e ku shihet se ka realizuar një aksion kundër rritjes prej 16.1 për qind.

    Në video ai shihet duke bërë disa mbishkrime në objektin e Qeverisë.

    Sipër videos, ai ka shkruar “Mashtrimi nuk duhet të normalizohet, rritja e çmimit të energjisë e bën jetën e shtrenjtë”.

    Ndryshe, qytetarët nga data 1 maj, do të përballen me tarifa të reja për energjinë elektrike. Shtrenjtimi ka ndodhur prej 16.1 për qind.

  • ​Abdixhiku për LVV-në: Me të tillët nuk mund të kesh as takim, as mirëkuptim

    ​Abdixhiku për LVV-në: Me të tillët nuk mund të kesh as takim, as mirëkuptim

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale, duke kritikuar qasjen politike të partive me të cilat, sipas tij, nuk mund të ndërtohet dialog e bashkëpunim institucional.

    Ky reagim i Abdixhikut vjen pas takimit të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, njëherësh kandidat për kryeministër i koalicionit LVV-Guxo dhe Alternativa, me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe dështimit për herë të nëntë me radhë të seancës për konsituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Derisa LDK-ja ka refuzuar t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit për takimin e sotëm, Abdixhiku ka shkruar se zhvillimet e fundit tregojnë se me “të tillët” nuk mund të ketë as takim e as mirëkuptimit.

    Sipas tij, “LDK mbetet e konsistente në qëndrimet e saj – para, gjatë dhe pas zgjedhjeve – dhe se përkrahësit e saj kanë arsye të ndihen krenarë”.

    Reagimi i tij vjen në një moment të kritik politik, mes përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit.

    Postimi i tij i plotë:

    A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim?

    Të takojnë, të mashtrojnë!

    Gjersa të thërrasin në takim, jashtë të ofendojnë.

    Në fund veprojnë në arbitraritet të plotë!

    Sepse nuk njohin njerëzoren, as fjalën as kurrizin!
    Kjo politikë duhet të marrë fund! LDK do t’i japë fund!

    Është interes kombëtar refuzimi i qasjes së tillë politike, jo nënshtrimi e dorëzimi para saj. Shpresoj dhe partitë tjera ta kuptojnë këtë gjë sa më parë.LDK e ka të qartë.
    Prandaj është konsistente.

    Para, gjatë e pas zgjedhjeve.

    Prandaj votuesi e mbështetësi i LDK-së sot rri krenar!✌️

  • ​“Me 230 euro nuk mund të jetojmë”, punëtorët e sektorit privat kërkojnë rritjen e pagave

    ​“Me 230 euro nuk mund të jetojmë”, punëtorët e sektorit privat kërkojnë rritjen e pagave

    Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majit, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, ka kërkuar që paga në sektorin privat të rritet në 600 euro, marrëveshje kolektive, sigurime shëndetësore dhe Gjykata e punës.

    Në një protestë të organizuar nga kjo sindikatë, kryetari i saj Jusuf Azemi tha se nëse nuk do të rriten pagat deri me 1 shtator atëherë sektori privat do të bojkotojë punën.

    Azemi tha se institucionet shtetërore në vend, punëtorët e sektorit privat i kanë trajtuar si skllevër.

    “Kemi ardhur në një shkallë që të kërkojmë kërkesat tona. Në Kosovë po marrim pagë 232 euro, e deputetët për pesë minuta punë në seancë po i marrin 200 euro. E më e keqja nuk po e kryejnë funksionin e tyre. Punëtorët e sektorit privat i keni trajtuar si skllevër dhe një trajtim të tillë nuk ka në Evropë. Ne kemi pasur rezultate por të cilët kanë qenë ato të cilat i kemi shty me gjoks përndryshe nuk keni qenë komunikues të mirë. Edhe sot kemi punëtorë ku paguhen me 232 euro dhe pushtetarët tanë kanë shkuar në Gjermani dhe i thirrnin njerëzit me u kthye në Kosovë për pune. Që nga dita e sotme ne japim një afat deri me 1 shtator nëse paga minimale nuk do jetë 600 euro, ne në mënyrë unanime do t’i bojkotojmë dhe të mos kryejmë punën tonë, nuk po kërkojmë lluks”, tha Azemi.

    Ndërsa njëri nga protestuesit, Hakif Sylejmani tha se 1 Maji në Kosovë nuk është ditë pushimi për punëtorët e sektorit privat.

    “Do të protestojmë për të drejtat e punëtorëve, parregullsitë dhe për sakrificat e punëtorëve. 1 maj nuk është një ditë pushimi është një ditë pune që ne e rikujtojmë ditën evropiane ndërkombëtare të punëtorëve”, tha Sylejmani.

    E Hafije Statovci u shpreh se një pagë prej 230 euro nuk po i len as të “vdesin e as të jetojmë”.

    “Për të satën herë në vend, që në ditën e sotme të festojmë, ne duhet që të protestojmë. Për të satën herë njoftuam shtetin dhe personat përgjegjës se ne nuk po mundemi të mbijetojmë me pagat që i kemi. Në Kosovë punëtorët e sektorit privat marrin pagë 230 euro kjo pagë nuk po na len të vdesim por as të jetojmë”, u shpreh Statovci.

    Ndërkaq, sot në orë 12:00 do të protestojnë në sheshin e Prishtinës edhe punëtorët e KEK-ut.

  • Murati: PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan ta zhbllokojnë procesin

    Murati: PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan ta zhbllokojnë procesin

    Bllokada për konstituimin e Kuvendit të Kosovës po vazhdon, teksa edhe përpjekja e fundit për zgjedhjen e kryeparlamentarit ka dështuar. Refuzimi i opozitës për të lejuar votimin e fshehtë ka nxitur reagime nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Deputeti i kësaj partie, Hekuran Murati, duke komentuar zhvillimet e fundit, ka akuzuar partitë opozitare se po pengojnë procesin e konstituimit të Kuvendit.

    “PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan ta zhbllokojnë procesin”, u shpreh Murati para gazetarëve, duke rikujtuar se një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 mundëson votimin e fshehtë në këtë fazë.

    Sipas tij, qëndrimet e këtyre partive, që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, janë “joracionale” dhe tregojnë mungesë vullneti për të ecur përpara në krijimin e institucioneve të reja.

    Pavarësisht refuzimit të votimit të fshehtë nga opozita, Murati tha se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të Kuvendit.

  • LDK: Votimi i fshehtë, hap arbitrar dhe antikushtetues

    LDK: Votimi i fshehtë, hap arbitrar dhe antikushtetues

    Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka folur para mediave pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Ajo ka thënë se sot “u bë edhe një shkelje tjetër kushtetuese, ligjore, me arbitraritet u tentua të ndryshohet mënyra e votimit”.

    “Rregullorja e Kuvendit përcakton mënyrat e votimit… Kjo përcaktohet në fillim të procesit”, është shprehur ajo.

    Bajrami ka thënë se “asnjëherë në histori nuk ka ndodhur të ndryshohet procesi, dhe është shkelje që mënyra e votimit të ndryshohet pasi ka filluar procesi”.

    Deputetja e LDK-së ka thënë se partia e saj sot nuk mori pjesë në takimin e ftuar nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, pasi “nuk dëshiron të ketë një marrëveshje politike me LVV-në”.

  • Krasniqi: Kurti po e konsideron më të rëndësishme Haxhiun sesa Kuvendin

    Krasniqi: Kurti po e konsideron më të rëndësishme Haxhiun sesa Kuvendin

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka komentuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për votim të fshehtë për kryeparlamentar, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe jokushtetues.

    Në fjalimin e tij pas dështimit të fundit të seancës konstituive, Krasniqi e quajti atë që ndodhi sot në Kuvend si të turpshëm dhe fyese.

    “VV-ja bëri shkelje të hapur kushtetuese. Në momentin kur ka filluar votimi dhe ka dështuar disa herë, propozimi për votim të fshehtë është i paligjshëm dhe jokushtetues. Po më vjen keq për situatën në të cilën po e vendosin Avni Deharin, po e keqpërdorin. Më arbitrare është se VV-ja po e konsideron më të rëndësishme Albulena Haxhiun sesa Kuvendin dhe qeverinë. Është e turpshme, fyese. Duke mos pasur numrat për kryeministër, Kurti ka vendosur ta vazhdojë talljen edhe me deputeten Haxhiu. Kur ka dy kandidatë, ka kuptim votimi i fshehtë,” tha ai.

  • Refuzohet votimi i fshehtë për kryeparlamentar, Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e nëntë

    Refuzohet votimi i fshehtë për kryeparlamentar, Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e nëntë

    Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka arritur të konstituohet as në tentimin e nëntë që nga 15 prilli, kjo pasi nuk kaloi propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.

    Ndryshe nga herët e kaluara, nuk u propozua kandidati për kryetar të Kuvendit nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

    Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, bëri të ditur se seanca do të vazhdojë të shtunën, më 3 maj në orën 10:00.

  • Konstituimi i Kuvendit, Limaj: Vështirë të bëhet pa marrëveshje politike

    Konstituimi i Kuvendit, Limaj: Vështirë të bëhet pa marrëveshje politike

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me dështimin e konstituimit të tij, duke theksuar se ky proces nuk mund të përmbyllet pa një marrëveshje politike që garanton shumicën parlamentare.

    “Konstituimi i Kuvendit të Kosovës është i vështirë të bëhet pa marrëveshje politike koalicioni, që përcakton shumicën parlamentare”, ka thënë Limaj para mediave.

    Sipas tij, pa këtë shumicë nuk mund të zgjidhet as kryetari i Kuvendit, as Qeveria. “Ajo shumicë zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë”, theksoi ai.

    Limaj vlerësoi se një marrëveshje e tillë duhet të ndodhë para se deputetët të hyjnë në sallën e Kuvendit. “Marrëveshje politike duhet të ndërtohet para futjes në Kuvend”, u shpreh ai.

    Ai shtoi se është në pritje të zhvillimeve dhe shpreson që shumë shpejt të arrihet një dakordim. “Po pres dhe po besoj që kjo shumë shpejt do të ndodhë”, përfundoi Limaj.