ATV

Author: G.O.

  • Kryetari i AGK-së: Rangimi në indeksin e lirisë së shtypit shokues

    Kryetari i AGK-së: Rangimi në indeksin e lirisë së shtypit shokues

    Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, e ka cilësuar si rangim shokues renditjen e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit, ku ka rënë për 24 vende.

    Rexha tha se AGK e sheh këtë si relfketim i asaj që ka ndodhur vitin e kaluar dhe që ka qenë një fushatë vazhdimisht e njëjtë e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

    “Ky është një alarm i jashtëzakonshëm, është një rangim shokues që e lë Kosovën si vendin e fundit, më së keqi në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Rexha në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”.

    Ai tha se klima e Qeverisë Kurti ka qenë vazhdimisht kundër mediave dhe se kjo është vërtetuar edhe me Ligjin për KPM’në, që pastaj u rrëzua nga Kushtetuesja.

    Edhe në raport përmendet ky ligj, fushatat e vazhdueshme ndaj gazetarëve, ndërhyrja apo mungesa e pavarësisë së RTK’së, siguria e gazetarëve, rritja e padive SLAPP e të tjera.

    Rexha propozoi formimin e një task force për të adresuar gjetjet e këtij raporti, teksa shtoi se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë për këtë.

    Ndryshe, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

    Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

    Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

  • GLPS: Dështimi i formimit të institucioneve të reja cenon miliona euro për Kosovën

    GLPS: Dështimi i formimit të institucioneve të reja cenon miliona euro për Kosovën

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se dështimi për të konstituuar institucionet tash e dy muaj ndikon negativisht në të gjitha fushat e qeverisjes, veçanërisht në procesin e integrimit evropian.

    Kjo organizatë ka thënë se që nga viti i kaluar nuk është ndërmarrë asnjë hap për ratifikimin e Agjendës së Reformave, prej së cilës Kosova mund të përfitojë 883 milionë euro në një periudhë 3-vjeçare.

    GLPS-ja ka bërë thirrje për themelim sa më të shpejtë të institucioneve dhe ratifikim e zbatim të menjëhershëm të Marrëveshjes së Planit të Rritjes.

  • Osmani pritet në takim nga kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim – diskutuan për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve

    Osmani pritet në takim nga kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim – diskutuan për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në në Malajzi, u prit sot me nderime të larta shtetërore nga Kryeministri Anwar bin Ibrahim, në Kompleksin qeveritar “Perdana Putra” në Putrajaya.

    Në këtë takim, Presidentja Osmani falënderoi kryeministrin Anwar për mbështetjen e palëkundur që Malajzia i ka dhënë Republikës së Kosovës, duke theksuar se Malajzia ishte ndër shtetet e para në botë që e njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.

    “Kryeministrin Anwar, Presidentja Osmani e falënderoi edhe për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke theksuar se ky vendim do të hapë mundësi të reja për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve të të dy shteteve, por edhe në bashkëpunimin në sfera të interesit të përbashkët”, bëhet e ditur në njoftim.

    Tutje, theksohet se presidentja Osmani vlerësoi kontributin e Malajzisë në periudhat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga paslufta e deri më sot, ndaj falënderoi kryeministrin Anwar për vazhdimin e mbështetjes për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Në shenjë mirënjohjeje për njohjen dhe kontributin nga shteti i Malajzisë për pavarësinë e Kosovës, procesin e shtetndërtimit dhe përkushtimin e tij për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, Presidentja Osmani e dekoroi Kryeministrin Anwar Ibrahim me Urdhrin e Pavarësisë”, vijon komunikata.

    Presidenca shton tutje se gjatë takimit u diskutuan mundësitë për bashkëpunim në sferën e ekonomisë, tregtisë, inovacionit, turizmit, dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

    “Në këtë kontekst Presidentja Osmani shtroi nevojën e mbajtjes së një forumi ekonomik Kosovë–Malajzi. Presidentja Osmani e ftoi Kryeministrin Anwar për një vizitë zyrtare në Kosovë, si dëshmi e vullnetit të përbashkët për ta avancuar më tej këtë partneritet”.

  • Çitaku: Raporti për lirinë e mediave, alarm për gjendjen e demokracisë dhe të drejtës për informim

    Çitaku: Raporti për lirinë e mediave, alarm për gjendjen e demokracisë dhe të drejtës për informim

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij për indeksin e lirisë së mediave, raport në të cilin Kosova ka shënuar një prej rënieve më të mëdha.

    Ajo tha se kjo tregon për sulmet e vazhdueshme, etiketimet dhe presionet që po e dëmtojnë ambientin mediatik.

    “Rënia dramatike e Kosovës për 24 vende në Indeksin e Lirisë së Medias nga Reporterët pa Kufij përbën një alarm serioz për gjendjen e demokracisë dhe të drejtës për informim në vend. Nga pozita 75 në vitin 2024, në pozitën 99 këtë vit, Kosova po rrëshqet drejt një terreni ku zëri i lirë i gazetarëve dhe transparenca institucionale po cënohen çdo ditë.Kjo rënie nuk është thjesht një statistikë, ajo reflekton kufizime konkrete, presione të vazhdueshme ndaj gazetarëve, si dhe sulme e etiketime të vrazhda që po e dëmtojnë thellësisht ambientin mediatik.Mendësia rrënuese, që shpesh shkon deri në vetëshkatërrim, është bërë konstante e partisë-shtet që e udhëheq vendin tash e pesë vjet”, shkroi Çitaku në Facebook.

  • Grupi “Asnjë cent më shumë” dorëzon padi kundër ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë

    Grupi “Asnjë cent më shumë” dorëzon padi kundër ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë

    Grupi qytetar “Asnjë Cent Më Shumë”, ka dorëzuar sot edhe zyrtarisht padi kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Padia lidhet me vendimin e ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë elektrike prej 16.1 për qind, të cilin vendim grupi e cilëson si të padrejtë dhe në dëm të qytetarëve.

    Pas dorëzimit të padisë, avokati Ardian Bajraktari deklaroi se vendimi për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike është marrë duke u bazuar në shkelje dhe është diskriminues.

    “Ne sapo dorëzuam padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kërkojmë anulimin e vendimit për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike. Vendimi është marrë me shkelje dhe është i natyrës diskriminuese. Jemi përpjekur të dëshmojmë që vendimi duhet të kthehet në piken zero pasi ka pasoja zingjirore dhe të pariparueshme. Ne sot do t’i drejtohemi edhe avokatit të popullit që të involvohet në këtë çështje”, ka deklaruar ai.

    Kurse, Ali Sefaj nga grupi “Asnjë Cent ma shumë” tha se besojnë që gjykata do të vendos konform kërkesave të tyre.

    “Gjykata është institucioni ku do ta atakojmë këtë vendim. Ne besojmë që do të vendos konform kërkesave tona”, theksoi ai.

    Qytetarët e Kosovës do të paguajnë 16.1% më shumë për energjinë elektrike nga data 1 maj, pasi ZRRE vendosi ngritjen më 16 prill, pavarësisht reagimeve dhe protestave të qytetarëve, raporton kp.

    Për këtë vendim ka pasur reagime të shumta nga qytetarët, bizneset dhe subjektet politike, madje pati edhe protesta.

  • Kosova shënon përkeqësim të lirisë së medias, renditet në vendin e 99-të

    Kosova shënon përkeqësim të lirisë së medias, renditet në vendin e 99-të

    Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

    Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

    Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se është i alarmuar me këtë rënie, duke ftuar aktorët institucionalë e të shoqërisë civile të punojnë së bashku që të përmirësohet liria e medias në Kosovë.

    Ky asociacion ka ftuar një konferencë të jashtëzakonshme për media në orën 12.

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë në Prizren

    IPK-ja rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë në Prizren

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të përfshirë në dy raste të ndara në Prizren, ku të dyshuarit ishin jashtë detyrës zyrtare në momentin e incidenteve.

    Lidhur me rastin e parë hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar informacione mbrëmë përmes rrugëve operative për një shkrepje me armë zjarri në Prizren ku dyshohej se ishte përshirë një zyrtar policor.

    Pas daljes në vendin e ngjarjes dhe ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore dyshohet se një zyrtare policore e cila ishte jashtë detyrës zyrtare, derisa ishte në shtëpinë e saj, duke manipuluar në mënyrë të pasigurt me armën zyrtare i shkrep arma dhe e plagosë veten në këmbë.

    Për këtë, Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht emrin e zyrtares policore e cila është Esra Çololar, pjesëtare e Policisë së Kosovës, e cila është e angazhuar në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut.

    Teksa Çololar ndodhej jashtë detyrës zyrtare në shtëpinë e saj në Prizren. Derisa ishte duke manipuluar me armën zyrtare të shërbimit – një pistoletë e tipit Glock – arma është shkrepur aksidentalisht dhe ajo ka përfunduar me plagë në këmbë. Incidenti ka ndodhur në dhomën e gjumit dhe në ato momente ishte në dhomë edhe nëna e saj, thonë burimet e Sinjalit.

    Zyrtares i është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe fatmirësisht gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetë.

    Lidhur me rastin, Prokuroria ka autorizuar nisjen e një procedure penale për veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    Kurse në rastin e dytë, i cili ka ndodhur në Prizren, një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare pas përfshirjes së tij në një incident së bashku edhe me një familjar të tij dyshohet se kanë sulmuar një qytetar duke i shkaktuar lëndime të lehta.

    IPK ka rekomanduar suspendimin e këtij zyrtari përderisa ndaj tij në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prizren është iniciuar rast me dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” .

    Nga hetuesit e IPK-së do të ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtyre dy rasteve.

  • 26 vjet nga masakra e Studimes së Vushtrrisë

    26 vjet nga masakra e Studimes së Vushtrrisë

    Sot mbushen plot 26 vjet nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.

    Teksa kishin marrë rrugën për në Shqipëri, të dhënat nga dëshmitarët tregojnë se viktimat u nxorën me forcë nga një kolonë me qindra qytetarë të zhvendosur dhe u pushkatuan brenda vetëm dy orëve.

    Serbët nuk ishin mjaftuar me këtë. Të nesërmen ata gjetën një familje 13-anëtarëshe që kishte qëndruar në shtëpi duke e ekzekutuar të tërën.

    Në nder të viktimave, sot në Studime do të mbahet një akademi përkujtimore.

  • Bashkimi-Peja përballen sonte për mundësinë e finales së “Play-off”-it

    Bashkimi-Peja përballen sonte për mundësinë e finales së “Play-off”-it

    Skuadra e Trepçës është finalistja e parë e “Play-off”-it në ProCredit Superligën e Kosovës në basketboll.

    Mitrovicasit siguruan biletën për në finale pas një fitoreje dramatike ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 80:84 (18:29, 27:19, 9:10, 26:26), në një ndeshje të zhvilluar mbrëmë në kryeqytet.

    Përballja ishte tejet e luftuar, me ritëm të lartë dhe atmosferë të jashtëzakonshme në palestër. Në fund, ishin lojtarët e Trepçës që menaxhuan më mirë momentet vendimtare, duke e mbyllur serinë gjysmëfinale me rezultat 3:1 në fitore.

    Tashmë, mbetet për t’u përcaktuar finalisti i dytë, ku aktualisht rezultati mes Bashkimit dhe Pejës është 2:1 në favor të prizrenasve.

    Ndeshja e katërt zhvillohet sonte nga ora 19:00, ndërsa skuadra që arrin tri fitore siguron vendin në finale.

  • Po kërkohej nga autoritetet austriake për vrasje, plagosje e vjedhje, ndalohet në Morinë 41-vjeçari nga Deçani

    Po kërkohej nga autoritetet austriake për vrasje, plagosje e vjedhje, ndalohet në Morinë 41-vjeçari nga Deçani

    Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se në pikën kufitare në Morinë është ndaluar një 41-vjeçar nga Deçani, raporton Gazeta Sinjali.

    Ai ishte i kërkuar nga autoritetet në Austri që ishte në kërkim ndërkombëtar për “Vrasje e mbetur në tentative”, “Plagosje e rëndë” dhe “Vjedhje”.

    Policia e Shtetit ka thënë se Interpoli në Tiranë po bashkëpunon me Interpolin në Vjenë për ta ekstraduar të dyshuarin.

    “Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Austrisë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar H. L., 41 vjeç, banues në Deçan, Kosovë.”

    “Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 41- vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vjena, pasi autoritetet austriake  kanë lëshuar ndaj tij urdhër arresti, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Plagosje e rëndë” dhe “Vjedhje”.