ATV

Author: G.O.

  • A do të tentohet të votohet në mënyrë të fshehtë për Albulena Haxhiun?

    A do të tentohet të votohet në mënyrë të fshehtë për Albulena Haxhiun?

    Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka shkruar mbrëmë në orët e vona për seancën e sotme ku pritet të votohet për herën e dhjetë konstituimi i Kuvendit.

    Murati përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka paralajmëruar se do të tentohet përsëri të votohet në mënyrë të fshehtë, ani pse kjo mënyrë e votimit është vlerësuar në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

    “Marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, mendoj që mënyra e votimit të fshehtë, e sugjeruar edhe nga Gjykata Kushtetuese, ofron mundësinë ideale për të dalë nga bllokada dhe deputetët e zgjedhur të mund të çojnë në vend pushtetin e deleguar nga qytetarët, duke konstituuar Kuvendin e duke zgjedhur qeverinë e re”, ka shkruar Murati mes tjerash.

  • Sot përpjekja e dhjetë për konstituimin e Kuvendit

    Sot përpjekja e dhjetë për konstituimin e Kuvendit

    Saktësisht 84 ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit do të mbahet vazhdimi i dhjetë i seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit. Vonesat në funksionalizimin e këtij organi ligjvënës, në vlerësimin e monitoruesve, po vejnë në rrezik qindra miliona euro nga marrëveshjet ndërkombëtare. Ndërsa, pozicionet e partive mbesin të pandryshuara. 

    Mëngjesin e sotëm, të zgjedhurit e popullit në Kuvendin e Kosovës do të mblidhen për të dhjetën herë në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e re.

    Vazhdimi i dhjetë i seancës që nisi më 15 prill vjen pas ndërprerjes, si pasojë e dështimit për të ndërruar formën e votimit – nga i hapur në të fshehtë – për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

    Pozicionet e partive politike mbesin të pandryshuara një ditë para vazhdimit të seancës.

    Partia e dytë dhe ajo e treta për kah numri i deputetëve, akuzojnë të parën për shkelje të rregullave e procedurave në mungesë numrash.

    “Nuk mund që me arbitraritet të theksuar një subjekt politik të provojë të instalojë diktat, e para të imponojë një kandidat që nuk merr besimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, e dyta të shkel procedurat, një proces që ka filluar tash e sa kohë, që është votimi për të zgjedhur kryekuvendarin”, ka thënë Blerta Deliu-Kodra, Deputete e PDK-së.

    Kurse, Armend Zemaj, Deputet i LDK-së ka thënë se Vetevendosje po abuzon pozitën që i ka dhënë rregullorja e punës së kuvendit.

    “Është abuzim me pozitën që i ka dhënë rregullorja e punës së kuvendit. Kjo sjellje është e papranueshme dhe në fund të fundit edhe denigrim edhe i personalitetit të individit. Por, edhe strategji abuzive që po e përdorë Lëvizja Vetëvendosje për të parandaluar ose për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës”,

    Në asnjërën nga përpjekjet e përsëritura, e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk mori më shumë se 57 vota nga së paku 61 vota të kërkuara.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili të premten ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 26-vjetorit të masakrës në Studime të Vushtrrisë, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve përkitazi me veprimet e ndërmarra në funksion të konstituimit të legjislaturës së re.

    Deri tash, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryekuvendare ka dështuar në gjashtë votime.

  • ​Vazhdojnë protestat në Serbi edhe 6 muaj pas shembjes së tendës në Novi Sad

    ​Vazhdojnë protestat në Serbi edhe 6 muaj pas shembjes së tendës në Novi Sad

    Edhe gjashtë muaj nga tragjedia në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, kur u shemb një tendë e stacionit hekurudhor, duke vrarë 16 persona, studentë, sindikata dhe qytetarë zhvilluan tubime dhe marshime proteste në disa qytete, me kërkesat e shprehura për reformën e ligjit të punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punonjësve.

    Protestat u mbajtën në Novi Sad dhe Beograd. Në orën 11:52, saktësisht gjashtë muaj pas aksidentit, studentët dhe qytetarët e Novi Sadit u mblodhën para stacionit hekurudhor për t’i nderuar viktimat me një minutë heshtjeje dhe vendosjen e luleve.

    Është vendosur një pllakë përkujtimore me mbishkrimin “Novi Sadi kujton, 1 nëntor 2024”, me lule të bardha dhe mesazhin “Studentët kujtojnë”.

    Të mbledhurit u nisën në një shëtitje të heshtur proteste përgjatë Bulevardit Çlirimtar, duke mbajtur fotografi të viktimave, qirinj dhe parulla që kërkonin drejtësi.

    Gjatë ecjes është regjistruar një incident kur një drejtues mjeti ka tentuar të kalojë me makinë përmes kolonës, por është ndaluar me shpejtësi dhe është ndaluar.

    Në Beograd, protesta filloi në orën 14:00 përballë ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, ku u bashkuan kolonat e studentëve dhe përfaqësuesit e pesë sindikatave kombëtare.

    Të tubuarit paraqitën kërkesa për ndryshime në Ligjin e Punës dhe Ligjin për Grevat. Tubimi kaloi i qetë, me thirrjet “Studentët me punëtorë”, “Të gjithë në rrugë” dhe “Përmbushni kërkesat”.

    Në fjalimin e saj publik, përfaqësuesja e studentëve në bllokadë theksoi se lufta e tyre buron nga protestat që filluan pas tragjedisë së nëntorit në Novi Sad.

    “Kërkesat tona lidhen drejtpërdrejt me vdekjen e atyre 16 personave dhe represionin e mëvonshëm. Lufta jonë është për një shoqëri të drejtë dhe baza e saj është një punëtor me të drejta.”

    Ndërsa sindikatat dhe studentët protestonin për punë të denjë dhe drejtësi sociale, vetëm disa qindra metra larg, në sheshin Nikola Pashiq dhe rreth Kuvendit Kombëtar, po zhvillohej një festë e organizuar nga mbështetësit e partisë në pushtet.

    Studentët dhe qytetarët që u shfaqën më pas në këtë shesh bënë zhurmë dhe fishkëllimë, në përpjekje për të mbytur muzikën e madhe nga Parku Pionir.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq aktualisht ndodhet për vizitë në SHBA.

    “Tubimet e sotme, tregojnë se koha e tyre ka kaluar dhe po vjen “Koha për përgjegjësi”, tha Vuçiq, duke komentuar protestat në Beograd dhe Novi Sad.

    Ndërkohë, studentët maratonistë me vrap nga Beogradi në Bruksel kanë vazhduar rrugëtimin nga Vjena, ku kanë kaluar natën pas pritjes së djeshme ceremoniale. Etapa e sotme është e gjatë 143 kilometra. Po ashtu, dje në Novi Sad kanë mbërritur edhe këmbësorët nga Pomoravlje, ku u është bërë mirëseardhja, ndërsa sot kanë marrë pjesë në përkujtimin e viktimave të tendës, transmeton KosovaPress.

  • ​Armend Zemaj fajëson LVV-në për bllokimin e Kuvendit

    ​Armend Zemaj fajëson LVV-në për bllokimin e Kuvendit

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj tha se Lëvizja Vetëvendosje po përdorë strategji abuzive për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja.

    Sipas tij, LVV po abuzon me pozitën që i ka dhënë rregullorja e Kuvendit, derisa iu referohet udhëheqjes së seancës nga kryesuesi më i vjetër në moshë, Avni Dehari.

    Zemaj tha se kjo sjellje është e papranueshme dhe se sipas tij është denigrim i personaliteti të individit.

    “Kjo nuk është vetëm keqpërdorim i individit, sepse në fund të fundit është pranueshmëri e tij e sjelljes politike dhe personale. Por, ky është abuzim me të drejtën e moshës ku e përcakton rregullorja e punës së kuvendit që deputeti më i vjetër, i përkrahur nga deputeti më i ri, duhet ta udhëheqë seancën konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Andaj, kjo është abuzim me pozitën që i ka dhënë rregullorja e punës së kuvendit. Kjo sjellje është e papranueshme dhe në fund të fundit edhe denigrim edhe i personalitetit të individit. Por, edhe strategji abuzive që po e përdorë Lëvizja Vetëvendosje për të parandaluar ose për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës”, tha Zemaj në një konferencë për media.

    Kujtojmë, Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë të shtunën për herë të dhjetë të fitojë votat që po i mungojnë për të zgjedhur kryetarin e ri të legjislaturës nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Nëntë përpjekjet e deritanishme kanë përfunduar pa sukses, pasi ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu nuk po arrin t’i merr 61 votat e nevojshme.

    Ajo është propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve gjashtë herë, por jo edhe herën e fundit, pasi Lëvizja Vetëvendosje kërkoi përmes kryesuesit të seancës Avni Dehari që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por kjo nuk gjeti mbështetje pasi dështoi formimi paraprak i komisionit ad-hoc për mbikëqyrjen e kësaj procedure.

    Për këtë propozim, nga 110 deputetët prezentë në sallë, kanë votuar 56, prej tyre 55 pro, një kundër, ndërsa pjesa tjetër nuk ka votuar.

    Seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë ka nisur më 15 prill dhe nuk është mbyllur as më 1 maj, kështu që nesër nga ora 10:00 do të ketë një tjetër vazhdim – për herë të dhjetë, raporton KosovaPress.

  • Anija që transportonte ndihma për Gazën sulmohet me dronë

    Anija që transportonte ndihma për Gazën sulmohet me dronë

    Një anije e ngarkuar me ndihma humanitare për Rripin e Gazës është sulmuar me dronë, në ujëra ndërkombëtare të Detit Mesdhe, afër Maltës.

    Ngjarja ka ndodhur herët në mëngjesin e së enjtes, sipas organizatës ndërkombëtare The Freedom Flotilla Coalition, që ka konfirmuar lajmin përmes një njoftimi.

    “Sulmi me dronë shihet të ketë pasur cak specifik gjeneratorin e anijes, dhe tani anija është në rrezik të fundosjes bashkë me 30 aktivistë ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut në bord”, ka shkruar OJQ-ja në një postim në rrjete sociale, ku bashkangjitur ka publikuar edhe video që shfaqin flakë në njërën nga anijet.

    Ende nuk dihet kush qëndron pas sulmit, dhe nuk ka informacione për persona të lënduar. Menjëherë pas goditjes, është lëshuar sinjali SOS, dhe sipas OJQ-së, Qipro ka reaguar duke dërguar një anije për ndihmë.

    Kjo anije bënte pjesë në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dërguar ndihma banorëve të Gazës, ku situata humanitare është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të bllokadës izraelite.

    Izraeli ka ndaluar hyrjen e ndihmave në territorin e kontrolluar nga Hamas, me qëllim që ta detyrojë këtë grup militant të çmilitarizohet dhe të lirojë pengjet izraelite që mban në kontroll.

    Megjithatë, Hamas nuk ka pranuar kërkesat për çmilitarizim dhe situata në terren mbetet tejet e tensionuar.

  • Mbreti i Jordanisë shkon në Tiranë, pritet nga Presidenti Begaj

    Mbreti i Jordanisë shkon në Tiranë, pritet nga Presidenti Begaj

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në një takim zyrtar në Tiranë, Mbretin e Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, i cili ndodhet për një vizitë shtetërore.

    Vizita e Mbretit Abdullah II vjen me ftesë të Presidentit Begaj.

    Takimi ka nisur me një bisedë kokë më kokë mes dy liderëve, për të vijuar më pas me një takim të zgjeruar ku janë përfshirë edhe delegacionet përkatëse.

  • Manxhuka i LVV-së: Në Kosovë ka liri absolute të të shprehurit, madje deri edhe në mosndëshkim të shpifjes

    Manxhuka i LVV-së: Në Kosovë ka liri absolute të të shprehurit, madje deri edhe në mosndëshkim të shpifjes

    Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

    Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

    E pas këtij raporti, ka reaguar sot zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

    Ai në një postim në Facebook ka shkruar se të thuhet se në Kosovë nuk ka liri të shprehjes është totalisht e pavërtetë.

    Manxhuka tutje thekson se në Kosovë, jo që ka liri të shprehjes, por ka liri absolute të të shprehurit. Madje deri edhe në mosndëshkim absolut të shpifjes.

    Lexoni të plotë postimin e Manxhukës:

    “Me thënë se në Kosovë nuk ka liri të shprehjes është totalisht e pavërtetë. Në Kosovë jo që ka liri të shprehjes, por ka liri absolute të të shprehurit. Madje deri edhe në mosndëshkim absolut të shpifjes.

    Por, si ky raport? E thjeshtë.

    Këta që sot po reagojnë “të çuditur” me raportin janë ata që kanë dhënë përgjigje para përpilimit të këtij raporti. Pra, raporti flet për Kosovën sikur kanë folur këta të Kosovës. Duke dashur ta godasin Qeverinë përmes raporteve, në fakt janë duke dalë edhe më joseriozë.

    Liria, mendimi, liria e mendimit, shprehja, asnjëherë nuk janë ndalur e as s’mund të ndalen. Por, gënjeshtra ka kosto, nëse jo përmes normash, atëherë me humbje kredibiliteti. Dhe për këtë kanë përgjegjësi këta që sot po “çuditen”.

    Për të konstatuar lirinë ose jo të shprehjes nevojitet në cilëndo natë (e hënë- e premte) me i pa “debatet televizive”. Asgjë më shumë.

  • Zëvendëspresidenti amerikan paralajmëron: Lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë së shpejti

    Zëvendëspresidenti amerikan paralajmëron: Lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë së shpejti

    Lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë të paqartë përfundimtare, ndërkohë që përpjekjet për të siguruar një paqe të qëndrueshme vazhdojnë të përballen me pengesa.

    Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, në një intervistë tha se kjo luftë nuk do të përfundojë “së shpejti”, duke theksuar se edhe pas një marrëveshjeje historike SHBA-Ukrainë për mineralet, që i jep Amerikës një rol të rëndësishëm në të ardhmen e Kievit, nuk ka shenja të përfundimit të shpejtë të konfliktit.

    “Nuk do të shkojë askund… nuk do të mbarojë së shpejti”, tha Vance.

    Kremlini ka shprehur gatishmëri për bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën, por hodhi poshtë një propozim paqeje të SHBA-së që nuk e njeh territorin e pushtuar nga trupat ruse.

    Ukraina ka refuzuar gjithmonë njohjen e aneksimit të territoreve të saj nga Rusia, duke insistuar se Vladimir Putin nuk duhet të shpërblehet për agresionin e tij.

    Ndërkohë, sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, theksoi se presidenti amerikan do të tërhiqet nga bisedimet e paqes nëse nuk ka përparim të dukshëm.

    “Lufta në Ukrainë nuk është lufta jonë”, tha Rubio, duke shtuar se “pa një përparim, presidenti do të duhet të marrë një vendim se sa më shumë kohë do t’i kushtojmë kësaj”.

    Sidoqoftë, Donald Trump, presidenti i SHBA-së, tha se të dyja palët janë “shumë afër” një marrëveshjeje, duke e mbështetur këtë pretendim me faktin se i dërguari i tij, Steve Witkoff, u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, për bisedime në Moskë.

  • Shpërthen pa rrezik një predhë në Kaçanik, dyshohet se është e Luftës së Dytë Botërore

    Shpërthen pa rrezik një predhë në Kaçanik, dyshohet se është e Luftës së Dytë Botërore

    Një operacion i kontrolluar për shpërthimin e një predhe të vjetër ka përfunduar me sukses sot në Kaçanik, raporton Gazeta Sinjali.

    Predha, e cila dyshohet të jetë e mbetur nga Lufta e Dytë Botërore, është trajtuar nga njësitet e KFOR-it në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

    Ngjarja ka ndodhur në një zonë të theksuar si e rrezikshme, ku për të garantuar sigurinë e qytetarëve, autoritetet kishin vendosur një perimetër sigurie prej 1000 metrash.

    “Për sigurinë e qytetarëve, ishte vendosur një perimetër sigurie prej 1000 metrash përreth vendit të ngjarjes. Operacioni ka përfunduar dhe deri në këto momente nuk raportohet për ndonjë incident apo rrezik për banorët”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Gjermania e shpall AfD-në grup ekstremist të krahut të djathtë

    Gjermania e shpall AfD-në grup ekstremist të krahut të djathtë

    Agjencia për inteligjencë të brendshme në Gjermani e ka shpallur partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) organizatë ekstremiste të krahut të djathtë.

    Agjencia, e quajtur Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), tha se tani ka konfirmuar këtë cilësim për AfD-në, pasi sipas saj, tashmë ka të dhëna konkrete që partia antimigrante, e themeluar më 2013, ndjek qëllime që kërcënojnë rendin demokratik të Gjermanisë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    “Kuptimi i partisë për popullin, i bazuar në përkatësinë etnike dhe prejardhje, nuk është në përputhje me rendin demokratik dhe të lirë”, tha agjencia.

    Qëndrimet e partisë dhe udhëheqësve të AfD-së shkelin parimet kushtetuese të paprekshmërisë të dinjitetit njerëzor, thanë zëvendëspresidentetët e agjencisë, Sinan Selen dhe Silke Willems.

    AfD-ja, që doli e dyta në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura këtë vit në Gjermani, më herët kishte pasur statusin e grupit “të dyshuar” ekstremist. Kjo parti e sfidoi këtë cilësim të agjencisë në gjykatë, por pa sukses./REL