ATV

Author: G.O.

  • Vdekje e dyshimtë në Gjilan – një grua gjendet pa shenja jeta në oborrin e shtëpisë

    Vdekje e dyshimtë në Gjilan – një grua gjendet pa shenja jeta në oborrin e shtëpisë

    Një rast vdekjeje e dyshimtë është regjistruar në orët e mbrëmjes të së hënës në qytetin e Gjilanit, ku një grua është gjetur pa shenja jete nga familjarët e saj.

    Siç mësohet, familjarët e viktimës 62- vjeçare, kanë njoftuar autoritetet se e kanë gjetur familjaren e tyre të shtrirë në tokë, pa shenja jete.

    Në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë menjëherë ekipi i Emergjencës së Gjilanit, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Policia ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka informuar njësitë relevante. Në vend kanë dalë edhe Njësia e Hetimeve të Krimeve të Rënda dhe Forenzika, të cilët kanë kryer ekzaminimin e detajuar të rrethanave në terren.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që trupi i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe i është referuar hetimeve të mëtejshme nga NJHP.

  • Krimi i rëndë në Prizren: Theri me thikë dy vajzat e tij dhe gruan, njëra vajzë vdiq nga plagët, i dyshuari u arrestua

    Krimi i rëndë në Prizren: Theri me thikë dy vajzat e tij dhe gruan, njëra vajzë vdiq nga plagët, i dyshuari u arrestua

    Një krim i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Prizren. Policia bëri të ditur se i dyshuari theri me thikë dy vajzat e tij dhe gruan.

    Njëra vajzë vdiq nga plagët e marra, ndërsa vajza tjetër dhe gruaja u lënduan nga therjet me thikë.

    “Rreth orës 06:00 kemi pranuar informatë se një person është me thikë në dorë në rrugën “Shotë Galica”. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes. Dyshohet se babai ka lënduar me thikë dy vajzat e tij, një 15 vjeçare, e cila ka ndërruar jetë në vendngjarje dhe një 10 vjeçare, e cila ndodhet në QKUK në gjendje të rëndë. I dyshuari tashmë është arrestuar”, tha zëdhënësi i policisë në rajonin e Prizrenit Shaqir Bytyqi.

    Zëdhënësi i Policisë po ashtu njoftoi se i dyshuari dhe viktimat kanë shtetësi turke.

  • Zelensky: Takimi me Trumpin në funeralin e Papës është më i suksesshmi deri më tani

    Zelensky: Takimi me Trumpin në funeralin e Papës është më i suksesshmi deri më tani

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se biseda e tij me ish-presidentin amerikan Donald Trump, e zhvilluar muajin e kaluar në Vatikan, ishte më e mira deri më tani mes tyre, raporton Gazeta Sinjali.

    Dy liderët u takuan shkurtimisht në margjinat e funeralit të Papa Françeskut, në një moment vendimtar për Ukrainën, mes pasigurive për mbështetjen e mëtejme të SHBA-ve.

    Zelensky u shpreh optimist pas takimit, duke e përshkruar bisedën si më përmbajtjesoren, edhe pse ishte më e shkurtra.

    “Unë besoj se patëm bisedën më të mirë me Presidentin Trump nga të gjitha ato që kanë ndodhur më parë,” u tha Zelensky gazetarëve të premten, në një deklaratë të publikuar të shtunën nga zyra presidenciale e Ukrainës.

    “Mund të ketë qenë më e shkurtra, por ishte më përmbajtjesorja”.

    Në fokus të diskutimit ishin sanksionet e SHBA-së dhe mbështetja ushtarake për Kievin. Zelensky tha se komentet e Trump mbi sanksionet ishin “shumë të forta” dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

    “I tregova për sasinë dhe ai më tha se do të punonin për këtë, se këto gjëra nuk janë falas”, shtoi Zelensky.

    Të dy liderët ranë dakord se një armëpushim 30-ditor do të ishte një hap i duhur përpara në përpjekjet për paqe.

    “Ne do të ecim në këtë drejtim”, përfundoi presidenti ukrainas.

    Të mërkurën, Uashingtoni dhe Kievi nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme për mineralet – një marrëveshje që të dyja palët ishin përpjekur ta arrinin që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar.

  • Albanese e fiton sërish mandatin si kryeministër i Australisë

    Albanese e fiton sërish mandatin si kryeministër i Australisë

    Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka siguruar një tjetër mandat trevjeçar, duke hyrë në histori si lideri i parë në 20 vitet e fundit që fiton dy zgjedhje të njëpasnjëshme. Votimet e përgjithshme që u mbajtën të shtunën u zhvilluan nën hijen e krizës së kostos së jetesës, por rezultuan në një triumf të qartë për të majtët.

    Partia Laburiste, e udhëhequr nga Albanese, pritet të ketë një shumicë të fortë në parlamentin federal, ndërsa rivali i tij konservator, Peter Dutton nga Partia Liberale, ka pranuar humbjen.

    Në fjalimin që mbajti para mbështetësve në Sydney, Albanese u shpreh se Australia do të udhëhiqet me unitet dhe vendosmëri përballë sfidave ndërkombëtare.

    “Australianët kanë zgjedhur të përballen me sfidat globale në mënyrën australiane – duke u kujdesur për njëri-tjetrin ndërsa ndërtojnë për të ardhmen. Ne nuk kemi nevojë të lypim, të marrim hua apo të kopjojmë nga të tjerët. Frymëzimin tonë e gjejmë te vlerat tona dhe te njerëzit tanë”, tha ai me entuziazëm.

    Ai theksoi gjithashtu se rezultati ishte një votë për vlerat thelbësore të shoqërisë australiane, si drejtësia dhe barazia e mundësive.

    “Në këtë kohë pasigurie globale, australianët kanë zgjedhur optimizmin dhe vendosmërinë”, u shpreh Albanese, teksa përfundoi fjalimin nën brohoritjet e përkrahësve.

    Kjo fitore konsiderohet si konfirmim i mbështetjes së qytetarëve për politikat sociale dhe ekonomike të Albaneses, në një periudhë me sfida të shumta brenda dhe jashtë vendit.

  • Shkencëtari nga Kosova publikon me Harvard-in në revistën ndërkombëtare

    Shkencëtari nga Kosova publikon me Harvard-in në revistën ndërkombëtare

    Një arritje e rëndësishme shkencore është shënuar nga autori nga Kosova, Prof.asoc. Kujtim Thaçi, specialist i biokimisë klinike, i cili ka publikuar punimin e tij si autor i parë në bashkëpunim me prestigjiozen Harvard Medical School. Punimi është botuar në revistën shkencore ndërkombëtare Glycoscience & Therapy, të botuar nga Chinese Academy of Sciences, një ndër institucionet më të njohura kërkimore në botë.

    Punimi hedh dritë për herë të parë mbi rolin kritik të glikozilimit të immunglobulinës IgG në zhvillimin e qasjeve të reja diagnostike dhe terapeutike për zbulimin e hershëm dhe menaxhimin pre dhe postnatal të Hemokromatozës neonatale, një sëmundje e rrallë, por serioze tek të sapolindurit.

    Ky kontribut shkencor, me një qasje inovative dhe përmbajtje të thellë akademike, ka tërhequr vëmendjen e komunitetit shkencor ndërkombëtar, duke u përzgjedhur për botim nga një revistë me standarde të larta të vlerësimit shkencor.

    Autori rekomandon që ky punim të lexohet gjerësisht nga profesionistët shëndetësorë dhe studiuesit, në veçanti nga imunologët, pediatrit dhe reumatologët, si një burim i rëndësishëm për avancimin e dijeve dhe praktikës klinike në këto fusha.

    🔗 Linku i punimit të plotë:

     

  • Ushtria amerikane planifikon paradë për ditëlindjen e Trumpit

    Ushtria amerikane planifikon paradë për ditëlindjen e Trumpit

    Planet e detajuara të ushtrisë amerikane për një paradë në ditëlindjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, parashikojnë më shumë se 6,600 ushtarë, të paktën 150 automjete, 50 helikopterë, shtatë grupe muzikore dhe disa mijëra civilë, raporton The Guardian.

    Në të njëjtën kohë, Fox News ka raportuar se data e paradës është miratuar përfundimisht dhe do të mbahet më 14 qershor. Kjo datë simbolizon edhe 250-vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara si dhe ditëlindjen e Trumpit, i cili do të mbushë 79 vjeç.

    Përveç ushtarëve në detyrë, parada do të përfshijë aktorë, pajisje dhe elementë nga një sërë ngjarjesh historike amerikane, që nga lufta për pavarësi deri te lufta civile, dy luftërat botërore dhe konfliktet më të fundit në Vietnam, Irak dhe Afganistan.

    “Presidenti po planifikon një festim historik për 250-vjetorin e ushtrisë që do të nderojë brezat e amerikanëve që kanë rrezikuar gjithçka për lirinë tonë”, ka thënë Vince Haley, drejtor i Këshillit për politikën e brendshme në Shtëpinë e Bardhë.

  • Avdi Hoti zgjidhet kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës

    Avdi Hoti zgjidhet kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës

    Sot, në sallën e konferencave të Stacionit Policor “Qendra”, u mbajt Kuvendi i V-të Zgjedhor i Rregullt i Sindikatës së Policisë së Kosovës, në të cilin u zgjodhën organet e reja drejtuese të këtij mekanizmi të rëndësishëm sindikal.

    Në njoftimin për media bëhet e ditur se Avdi Hoti u zgjodh me shumicë votash si kryetar i ri i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ndërsa Edita Azemi u zgjodh nënkryetare.

    Me këtë rast, të pranishmëve iu drejtua kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, i cili theksoi rolin thelbësor të sindikatës në fuqizimin e pozitës së pjesëtarëve të Policisë, në avancimin e të drejtave të tyre, si dhe në ndërtimin e një ambienti profesional, dinjitoz dhe të sigurt për të gjithë.

    Kryetari i zgjedhur, Avdi Hoti tha kuvendi zgjedhor është dëshmi e demokracisë së brendshme sindikale dhe e përkushtimit për të avancuar të drejtat dhe mirëqenien e punonjësve të Policisë së Kosovës.

    “Përmes këtij forumi ne jo vetëm që reflektojmë mbi arritjet dhe sfidat, por gjithashtu nderojmë rrugën për të ardhmen – një të ardhme të sigurt, më të drejtë dhe më të denjë për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet policia jonë, qoftë në aspektin e punës, ashtu edhe në atë social-ekonomik, por jemi po aq të vendosur që përmes organizimit dhe zërit sindikal t’i realizojmë të gjitha kërkesat e punonjësve të Policisë së Kosovës”, tha ai.

  • Raportohet për 11 të vrarë në Gazë, përfshirë tre fëmijë

    Raportohet për 11 të vrarë në Gazë, përfshirë tre fëmijë

    Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se nga sulmet izraelite gjatë natës në kampin e refugjatëve në Han Junis janë vrarë të pakën 11 persona, përfshirë tre fëmijë deri në 1 vjeç.

    Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, raportoi për 11 viktima “pas bombardimeve në shtëpinë e familjes Al-Bayram në kampin në Han Junis” në jug të Gazës. Sipas tij, sulmi ndodhi në orën 03:00, sipas kohës lokale, shkruan radio Evropa e lirë.

    Bassal tha për agjencinë AFP se tetë nga viktimat janë identifikuar se i përkasin familjes së njëjtë, përfshirë një vajzë dhe një djalë që ishin 1 vjeç, dhe një foshnje njëmuajshe.

    Ushtria izraelite ende nuk është deklaruar për këto sulme.

    Izraeli nisi ofensivën e tij ushtarake në Gazë më 18 mars pas dy muajsh armëpushim në luftën e tij kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që u nxit nga sulmi i grupit radikal në Izrael më 7 tetor 2023.

    Të premten, agjencia për mbrojtje civile në Gazë raportoi për të paktën 42 të vrarë në mbarë territorin palestinez.

    Izraeli ka ndaluar hyrjen e dërgesave humanitare në Gazë që nga 2 marsi. Kjo bllokadë, sipas Izraelit, synon që t’iu bëjë presion militantëve që të lirojnë pengjet që mbahen në Gazë.

    Agjencitë e Kombeve të Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit që të heqë të gjitha kufizimet, duke argumentuar se banorët e Gazës janë duke përjetuar një katastrofë humanitare dhe kanë paralajmëruar për një krizë të urisë.

  • Prishtinë: Babai e raporton të zhdukur djalin e tij të mitur

    Prishtinë: Babai e raporton të zhdukur djalin e tij të mitur

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të zhdukjes së një të mituri në Prishtinë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se një burrë ka raportuar se djali i tij i mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend-ndodhjen e tij

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Nebih Gashi”, derisa nga Policia bën me dije se ky rast po hetohet.

     

  • Arrestohet 47-vjeçarja në Elbasan, e dënuar me mbi 9 vjet burgim si pjesëtare e një organizate kriminale

    Arrestohet 47-vjeçarja në Elbasan, e dënuar me mbi 9 vjet burgim si pjesëtare e një organizate kriminale

    Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar një 47-vjeçare në Elbasan, e dënuar me mbi 9 vjet burgim, si pjesëtare e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

    47-vjeçarja Majlinda Avduli alias Dajana Tafani, banuese në Elbasan ishte në kërkim ndërkombëtar.

    “Si rezultat i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve, me partnerët italianë, nëpërmjet strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit ‘Operacionalja 44’, lokalizuan në Elbasan, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasen: Majlinda Avduli alias Dajana Tafani, 47 vjeçe, banuese ne Elbasan.

    Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Kaliarit, Itali, në vitin 2016, e ka dënuar me 9 vjet, 6 muaj e 22 ditë burgim, për veprën penale ‘Trafikimi i narkotikëve’, kryer në kuadër të organizatës kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

    Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Romë, për të finalizuar ekstradimin e kësaj shtetaseje, në Itali.