ATV

Author: G.O.

  • Rafuna: Ndërprerjet e energjisë po u shkaktojnë dëme të mëdha bizneseve, duhen njoftime 24 orë më herët

    Rafuna: Ndërprerjet e energjisë po u shkaktojnë dëme të mëdha bizneseve, duhen njoftime 24 orë më herët

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka vlerësuar se ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike po shkaktojnë dëme të konsiderueshme për bizneset, duke ndikuar në procesin e prodhimit, furnizimin e klientëve dhe klimën për investime.

    Rafuna nw njw intervistw për Ekonomia Online tha se mungesa e energjisë elektrike gjatë procesit të prodhimit u shkakton humbje të drejtpërdrejta bizneseve.

    “Bizneset pësojnë shumë. E para, për shkak se në momentin që ndërpritet energjia elektrike, e tërë linja e prodhimit ajo lëndë e parë apo gjysmë lloj produkti që ndodh në linjën e prodhimit—shkon shkart. Ose nuk mund më të përpunohet dhe të shkojë si produkt final. Dhe kjo kosto i faturohet biznesit. E dytë, ka më pas vonesa në furnizim të të blerësve, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, se prodhuesi nuk ka mundësi që të prodhojë sasinë që e ka planifikuar sot, për shembull. Dhe padyshim kjo të nesërmen nuk mund të kompensohet, nuk mund t’i dyfishojë kapacitetet, se atë makineri e ka, që atë sasi duhet ta prodhojë brenda një dite ose një afati të caktuar. Dhe padyshim kjo reflektohet te zinxhiri i furnizimit, sidomos te dërgimi te blerësi. Dhe këtu bizneset dëmtohen shumë. Biznesi dëmtohet edhe në kuptimin e kohës, po edhe në kuptimin material”, deklaroi Rafuna.

    Sipas tij, bizneset duhet të njoftohen të paktën 24 orë para ndërprerjeve të planifikuara të energjisë elektrike, në mënyrë që të organizojnë procesin e punës dhe të shmangin humbjet.

    “Po koha e duhur do të ishte 24 orë më herët, që të njoftohet biznesi për ndërprerjen që do të ketë. Mos të befasohet biznesi me u ndërprerë energjia elektrike, siç e thamë, në momentin që është në kulmin e prodhimit, me i’u ndërprerë energjia elektrike dhe gjithë ajo vijë e prodhimit të shkojë shkart, të shkojë në në dëm të prodhuesit. Kjo është një prej pengesave më të mëdha edhe për thithjen e investimeve të huaja në Kosovë. Mosstabiliteti me energjinë elektrike ndikon shumë te ardhja e investitorëve të huaj ose në gjerësinë e kapaciteteve të prodhimeve tona. Dhe kjo është një prej arsyeve pse po kërkojmë që të ketë edhe alternativa të tjera, domethënë mos të jetë vetëm energjia elektrike që importohet apo prodhohet në KEK si alternativë e vetme, por të jetë edhe gazi, por të jetë edhe energjia e ripërtëritshme e kështu me radhë”, u shpreh ai.

    I pyetur nëse ndërprerjet e energjisë mund të kenë ndikuar në mbylljen e një numri të madh biznesesh gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, Rafuna tha se Oda Ekonomike nuk ka të dhëna konkrete, por theksoi se faktorët janë të shumtë.

    “Nuk kemi të dhëna sa i përket kësaj, a mund të jetë energjia elektrike shkaktar, mirëpo kur mbyllet një biznes mblidhen shumë shkaktarë. E kështu që duhet të identifikohen nga ana e institucioneve tona, mirëpo kjo bllokada politike, mosfunksionimi i institucioneve me fuqi të plotë, duke mos qenë të fuqiplota për me marrë vendime, po ndikon edhe në investime, po ndikon edhe në jetën e përditshme. Dhe presim që sa më shpejt t’i kemi institucionet dhe të fillojë punën për përmirësimin e ambientit për të bërit biznes në Republikën e Kosovës”, tha ai.

    Duke komentuar njoftimet e KEDS-it për ndërprerjet e energjisë elektrike për shkak të punimeve në rrjet, Rafuna tha se bizneset nuk duhet të mbesin pa furnizim, pavarësisht nevojës për mirëmbajtje.

    “Po me siguri që duhet ndërhyrja në rrjet, duhet të bëhen punimet, se punimet bëhen edhe në vendet më të zhvilluara, mirëpo nuk ndërpritet energjia elektrike. Sigurohet në mënyrë alternative furnizimi derisa të bëhen punimet në rrjet. Nuk është e drejtë që vetëm të ndalet energjia elektrike dhe kemi punime në rrjet. Biznesit nuk i intereson rrjeti, biznesit i intereson që të ketë furnizim të rregullt dhe paguan që të ketë furnizim të rregullt. Edhe ashtu çmimi i energjisë elektrike tani po e shohim sa ka mbërritur. Kërkesa jonë si Odë Ekonomike është që të sigurohet furnizim i rregullt për biznesin. Në çfarë forme e siguron, si e siguron, kur i përfundon punimet në rrjet, ne nuk na intereson. Ne na intereson që të kemi furnizim të pandërprerë të energjisë elektrike”, shtoi Rafuna.

    Ndërkaq, sot është bërë e ditur se në disa lagje të Prishtinës ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe se sipas njoftimit ndërprerja zgjatë deri në ora 20:00.

  • Gjini mbështet nismën e IKD-së: Keqpërdorimi i parasë publike për fushata duhet të dënohet me ligj

    Gjini mbështet nismën e IKD-së: Keqpërdorimi i parasë publike për fushata duhet të dënohet me ligj

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur mbështetjen e tij për nismën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), e cila synon forcimin e përgjegjësisë ligjore për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorimin e parasë publike gjatë fushatave zgjedhore.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjini ka deklaruar se respektimi i Kushtetutës dhe mosshfrytëzimi i parasë publike duhet të jenë norma të një demokracie funksionale, duke shtuar se abuzimet e viteve të fundit kanë krijuar nevojën për ndërhyrje ligjore.

    “Edhe pse në një demokraci normale respektimi i Kushtetutës dhe mosshfrytëzimi i parasë publike janë norma standarde, abuzimi flagrant në vitet e fundit po na imponon ‘presionin’ për rregullimin e tyre me ligj. Prandaj e mbështes nismën e IKD-së!”, ka shkruar Gjini.

    Ai ka kritikuar praktikën e ndarjes së mjeteve publike pak para zgjedhjeve, duke e cilësuar atë si përpjekje për manipulim të vullnetit të qytetarëve.

    “Ndarja e parave publike disa ditë para zgjedhjeve nuk është politikë sociale, është manipulim i pastër për të blerë vota të qytetarëve me paratë e tyre. Zgjedhjet duhet të jenë garë e barabartë, jo një treg ku pushteti hyn në garë me buxhetin e shtetit në dorë”, ka theksuar ai.

    Gjini ka kërkuar gjithashtu përgjegjësi penale për shkelësit, duke theksuar se ligji duhet të vlejë për të gjithë.

    “Duhet të ketë përgjegjësi penale si për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe për keqpërdorimin e parasë publike për fushata. Ky abuzim duhet të dënohet me ligj për këdo. Unë do ta nënshkruaj!”, ka shtuar Gjini në reagimin e tij.

  • BE-ja arrin marrëveshje për paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    BE-ja arrin marrëveshje për paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë arritur sot marrëveshje për paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa së shpejti pritet të nisë procedura me shkrim për miratimin e saj, kanë bërë të ditur diplomatë evropianë.

    Pika e fundit e diskutueshme, që lidhej me propozimin për ndalimin e furnizimit me gaz rus drejt vendeve të treta, është zgjidhur përmes një periudhe të gjatë kalimtare, deklaruan dy diplomatë evropianë, sipas portalit të Brukselit Politico.

    Vendet anëtare kanë rënë dakord gjithashtu që për një vit të ngrijnë kufirin maksimal të çmimit për naftën e papërpunuar ruse.

    Aktualisht, ky kufi është 44,10 dollarë për fuçi dhe ishte parashikuar të rritej për shkak të zhvillimeve të lidhura me luftën në Iran dhe rillogaritjes automatike që kryhet çdo gjashtë muaj.

    Greqia fillimisht kundërshtoi propozimin për ndalimin e kompanive evropiane që të transportojnë gazin rus drejt blerësve jashtë bllokut, duke argumentuar se kjo masë tejkalonte marrëveshjet e mëparshme të liderëve të BE-së dhe se nuk do të ishte efektive, pasi anijet mund të riregjistroheshin lehtësisht në vende të tjera.

    Një diplomat evropian tha lidhur me këtë çështje se “shtetet anëtare treguan solidaritet me Greqinë dhe pritet që Greqia të bëjë të njëjtën gjë me të tjerët në të ardhmen”, raportoi agjencia Reuters.

    Puna teknike për paketën e sanksioneve është drejt përfundimit, ndërsa gjatë pasdites së sotme pritet të nisë procedura me shkrim për miratimin përfundimtar të saj. /Telegrafi/

  • Dhjetë oficerë të FSK-së diplomojnë në Shqipëri

    Dhjetë oficerë të FSK-së diplomojnë në Shqipëri

    Dhjetë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë diplomuar në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Në një njoftim për media thuhet se kursi përgatitor për oficer, kishte nisur pas marrëveshjes së arritur mes dy ushtrive shqiptare, në tetor të vitit 2025.

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me ftesë të ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi.

    Në mesin e oficerëve të rinj që përfunduan me sukses studimet ishin edhe 10 pjesëtarë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, një zhvillim që, sipas ministrit Maqedonci, paraqet një hap të rëndësishëm në ngritjen profesionale të kuadrove ushtarake.

    “Ky është një moment i rëndësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe një dëshmi e investimit të vazhdueshëm për zhvillimin e kuadrove profesionale ushtarake sipas standardeve të NATO-s”, u shpreh Maqedonci.

    Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes po thellohet vazhdimisht, veçanërisht në aspektin e edukimit dhe trajnimit ushtarak.

    “Bashkëpunimi ynë i ngushtë me Republikën e Shqipërisë vazhdon të forcohet çdo ditë. Kjo dëshmohet edhe nga shumëfishimi i numrit të ushtarakëve nga Kosova që ndjekin studime, shkollime dhe trajnime në institucionet ushtarake të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi ministri Maqedonci.

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes uroi oficerët e sapodiplomuar për sukseset e arritura dhe i inkurajoi që me profesionalizëm e përkushtim të vazhdojnë shërbimin e tyre në interes të vendit dhe qytetarëve.

    “Ju uroj suksese në këtë rrugëtim të ri dhe në detyrën tuaj fisnike të shërbimit ndaj vendit dhe qytetarëve”, tha Maqedonci.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë vitit 2026 qindra pjesëtarë të FSK-së do të ndjekin programe edukimi, shkollimi dhe trajnimi në institucionet ushtarake të Republikës së Shqipërisë, duke reflektuar partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.

  • Ambasada britanike kërkon riintegrim të serbëve në sistemin e drejtësisë

    Ambasada britanike kërkon riintegrim të serbëve në sistemin e drejtësisë

    Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka bërë thirrje për riintegrimin e serbëve në sistemin e drejtësisë, duke shprehur shqetësimin për zhvillimet e kësaj jave.

    Duke iu referuar vendimit të ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, Ambasada theksoi se dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 i kishte konsideruar një hap prapa.

    “Mbretëria e Bashkuar e mirëpriti Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila integroi strukturat e veriut të Kosovës në kuadrin ligjor të Kosovës, duke garantuar njëkohësisht përfaqësim të konsiderueshëm për serbët e Kosovës, dhe i konsideroi dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 si një hap prapa, që dëmtoi interesat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në një postim të ambasadës britanike në Facebook.

    Ambasada e britanike thotë se me riintegrimin e serbëve në sistemin e drejtësisë forcohet besimi i publikur në institucionet e vendit.

    “Ne e kemi mirëpritur reagimin e kahershëm të organeve përkatëse profesionale, të cilat e kanë njohur rëndësinë e ruajtjes së besimit të të gjitha komuniteteve në Kosovë ndaj sistemit të drejtësisë, dhe për këtë arsye jemi të shqetësuar nga zhvillimet e kësaj jave. Ne bëjmë thirrje për integrimin e popullsisë shumetnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të forcohet besimi i publikut në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë”.

  • “Voziti i dehur në shiritin e kundërt”, arrestohet shoferi që shkaktoi aksidentin me fatalitet në Studime

    “Voziti i dehur në shiritin e kundërt”, arrestohet shoferi që shkaktoi aksidentin me fatalitet në Studime

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ndaluar një person të dyshuar për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”, pas aksidentit me fatalitet në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë.

    Sipas Prokurorisë, aksidenti ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Studime, ku i dyshuari, në gjendje të dehur, dyshohet se ka vozitur veturën në shiritin e kundërt të rrugës dhe është përplasur me një veturë tjetër.

    Si pasojë e aksidentit, një grua ka mbetur e vdekur, ndërsa shoferi dhe tre pasagjerë kanë pësuar lëndime serioze dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ndërsa me urdhër të prokurorisë trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

    Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të ndaluar.

  • Sulm i armatosur në jug të Tajlandës: Vriten 5 anëtarë të forcave të sigurisë, plagosen 6 persona

    Sulm i armatosur në jug të Tajlandës: Vriten 5 anëtarë të forcave të sigurisë, plagosen 6 persona

    Pesë anëtarë të forcave të sigurisë tajlandeze u vranë dhe gjashtë civilë, përfshirë dy fëmijë të vegjël, u plagosën në një sulm në jugun e trazuar të Tajlandës.

    Rreth 10 sulmues të veshur me të zeza dhe me kapele mbërritën me një kamionçinë dhe motoçikleta përpara se të nisnin një sulm në një pikë kontrolli buzë rrugës në provincën Narathiwat vonë të mërkurën duke përdorur armë zjarri të nivelit ushtarak dhe bomba.

    Autoritetet thanë se sulmuesit sekuestruan tre pushkë AK-47, tre jelekë antiplumb dhe disa telefona celularë nga pika e kontrollit përpara se të iknin. Forcat e sigurisë më vonë gjetën kamionçinën e përdorur në sulm të braktisur dhe të djegur rreth 21 km nga vendi i ngjarjes.

    Ashtu si me shumicën e sulmeve në jug të Tajlandës, asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë.

    Qeveria e dënoi sulmin si një akt terrorizmi që përbënte “një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare” dhe minonte përpjekjet e vazhdueshme për të ringjallur procesin e paqes.

    Rajoni kufitar jugor i Tajlandës përgjatë kufirit me Malajzinë ka qenë skena e një kryengritjeje të ngadaltë që zgjati për dekada, me forcat e sigurisë që luftojnë grupet që kërkojnë pavarësi për provincat kryesisht myslimane dhe etnikisht malajze të Pattani, Yala, Narathiwat dhe pjesë të Songkhla.

    Rajoni dikur ishte pjesë e sulltanatit të pavarur malajzian të Patanit përpara se të aneksohej nga Siami sipas një traktati të vitit 1909 me Britaninë.

    Faza e fundit e konfliktit shpërtheu në vitin 2004 dhe ka marrë më shumë se 7,800 jetë njerëzish, sipas monitoruesit të konflikteve Deep South Watch, shkruan Euronews.al

    Bisedimet e paqes midis qeverisë tajlandeze dhe disa grupeve kryengritëse filluan në vitin 2013 me ndërmjetësimin e Malajzisë, por kanë ngecur vazhdimisht, duke dhënë pak përparim të prekshëm.

  • Fillon rrënimi i shtëpisë që rrezikonte të shembej te rruga “A”, Policia në vendngjarje

    Fillon rrënimi i shtëpisë që rrezikonte të shembej te rruga “A”, Policia në vendngjarje

    Ka filluar sot rrënimi i shtëpisë te rruga “A”, që rrezikonte të shembej.

    Rrënimi i kësaj shtëpie ishte planifikuar të kryhej të martën, por kjo nuk u arrit pasi pronari i kësaj shtëpie Faruk Maxhuni nuk u largua nga shtëpia e tij.

    Ai dhe bashkëshortja e tij kanë kundërshtuar rrëzimin e shtëpisë pasi që kanë thënë se i kishin njoftuar Policinë dhe Inspektoratin e Komunës së Prishtinës se ndërtimi i ndërtesave të reja në këtë lagje, e rrezikonte shembjen e kësaj shtëpie.

    Në lidhje me këtë shtëpi, dje ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama,

    Ai ka thënë se kjo shtëpi është ndërtuar pa leje dhe ndodhet në pronë komunale.

    “Evakuimi i familjeve që banonin në këto objekte është bërë para 2 vitesh, për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe rrezikut të rrëshqitjes së dheut. Edhe pse këto objektet kanë qenë të ndërtuara pa leje në pronë komunale, Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguaj shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara. Lusim personin në fjalë që të mos rrezikojë jetën e tij dhe të ekipeve tona duke hyrë në këtë zonë, e cila mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve dhe është pronë komunale. Gjithashtu, pajtohem me personat publik që po prononcohen për këtë çështje duke thënë se “Prona është e shenjtë”. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit!”, ka shtuar dje Rama.

  • Plagosi aksidentalisht një person në Skenderaj, arrestohet i dyshuari

    Plagosi aksidentalisht një person në Skenderaj, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar nën dyshimin se aksidentalisht ka plagosur një person.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosoëvs bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 19:50, në Skenderaj.

    Tutje thuhet se viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se aksidentalisht ka plagosur me armë zjarri viktimen mashkull kosovar. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raport.

    Ndërkaq, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

  • Arrestohet një person në Orllan, dyshohet për sulm seksual

    Arrestohet një person në Orllan, dyshohet për sulm seksual

    Një person është arrestuar në fshatin Orllan, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “sulm seksual”.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 20 korrik 2026, rreth orës 19:19.

    Policia njoftoi se “është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare.”

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente. /Telegrafi/