ATV

Author: G.O.

  • Rama pret në Kryeministri Presidentin e Francës, Emmanuel Macron

    Rama pret në Kryeministri Presidentin e Francës, Emmanuel Macron

    Vetëm një ditë pas pjesëmarrjes në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që u zhvillua në Tiranë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, mëngjesin e kësaj të shtune, u prit në ambientet e Kryeministrisë nga kryeministri Edi Rama.

    Kjo shënon vizitën e dytë të Macron në Shqipëri brenda një kohe të shkurtër, por është hera e parë që e shoqëron bashkëshortja e tij, Brigitte Macron.

    Në orën 09:30 është paraparë nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh bilaterale që përfshijnë fushat e mbrojtjes, turizmit dhe energjisë.

    Më pas, rreth orës 10:00-10:15, është planifikuar deklarata e përbashkët për mediat nga dy udhëheqësit.

    Agjenda do të vazhdojë me pjesëmarrjen e Ramës dhe Macron në forumin ndërkombëtar “Iniciativa e Investimeve të së Ardhmes”, ku pritet të marrin pjesë edhe figura të njohura ndërkombëtare si Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, dhe ish-kryeministri italian Matteo Renzi.

  • Finalja e Eurovizionit, “Zjerm” e Shqipërisë pritet të elektrizojë skenën

    Finalja e Eurovizionit, “Zjerm” e Shqipërisë pritet të elektrizojë skenën

    Sonte mbahet finalja e madhe e Eurovizionit në Basel të Zvicrës.

    Atje do të ngjitet sërish në skenë “Shkodra Elektronike” që përfaqëson Shqipërinë me këngën “Zjerm”.

    “Zjerm” mori vëmendje anë e kënd botës, duke u cilësuar si një këngë e ndjerë, por edhe e interpretuar në mënyrë fantastike.

    Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca gjithashtu u ndjen tejet falënderues për mbështetjen që po marrin në këtë rrugëtim.

    E kush do të fitojë, gjithçka kuptohet sonte…

  • ShBA-ja do të nisë diskutimet për të reduktuar trupat amerikanë në Evropë

    ShBA-ja do të nisë diskutimet për të reduktuar trupat amerikanë në Evropë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të fillojnë diskutimet me aleatët evropianë për të reduktuar trupat amerikanë në Evropë më vonë këtë vit, tha të premten ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker.

    I pyetur për të komentuar një raport se administrata Trump po shqyrton tërheqjen e trupave nga Evropa, Whitaker tha se “asgjë nuk është përcaktuar”, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

    “Por, sapo t’i bëjmë, këto biseda do t’i bëjmë në strukturën e NATO-s”, tha Whitaker.

    “Sigurisht që do të jetë pas samitit, diku më vonë gjatë vitit, ne do të fillojmë ato biseda… Të gjithë aleatët tanë janë të gatshëm ta bëjnë këtë”, shtoi ai, duke iu referuar samitit të NATO-s në Hagë që do të mbahet në qershor.

    Duke iu drejtuar një konference sigurie në Estoni, Whitaker tha se SHBA do të bisedojë për çdo ndryshim trupash me aleatët për të shmangur çdo boshllëk sigurie.

    “Është më shumë se 30 vjet dëshirë e SHBA-së (për të reduktuar trupat në Evropë), Presidenti Trump tha, ‘mjaft, kjo do të ndodhë dhe do të ndodhë tani’”, tha Whitaker.

  • I ofroi 10 euro ryshfet zyrtarit policor, arrestohet i dyshuari në pikën kufitare në Vërmicë

    I ofroi 10 euro ryshfet zyrtarit policor, arrestohet i dyshuari në pikën kufitare në Vërmicë

    Një burrë është arrestuar gjatë pasdites të së premtes në pikën kufitare në Vërmicë.

    Sipas policisë, i dyshuari i ofroi një zyrtari policor 10 euro ryshfet, gjë për të cilën edhe u arrestua.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti i ka ofruar 10 euro zyrtarit policor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Policia dhe KFOR-i amerikan zhvillojnë trajnim të përbashkët për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese

    Policia dhe KFOR-i amerikan zhvillojnë trajnim të përbashkët për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese

    Në kuadër të forcimit të kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksploduese (NJTME), në bashkëpunim me njësinë e KFOR-it amerikan (US EOD), kanë realizuar një trajnim të përbashkët në Bazën e Njësive Speciale në “Vrellë”.

    Ky trajnim ka përfshirë temat: “Ndërhyrja në pakot e dyshuara për bombë”, “Hapja e veturës së dyshuar për bombë”.

    Qëllimi i këtij aktiviteti ka qenë rritja e kapaciteteve teknike dhe operacionale për identifikimin dhe çaktivizimin e mjeteve të improvizuara shpërthyese (IED), si dhe përmirësimi i reagimit të koordinuar ndaj situatave emergjente.

    “Ky bashkëpunim operacional ndihmon në forcimin e aftësive të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave praktike dhe ngritjen e gatishmërisë për përballje me sfida të përbashkëta në fushën e sigurisë publike.”, thuhet në njoftim të Policisë.

  • Kuvendi sërish në përpjekje për konstituim, sot tentativa e 17-të

    Kuvendi sërish në përpjekje për konstituim, sot tentativa e 17-të

    Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të 17-ën herë me radhë në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin, proces ky që po vazhdon prej më shumë se një muaji. Vazhdimi i seancës së nisur më 15 prill pritet të zhvillohet nga ora 10:30.

    Kuvendi ka lëshuar njoftim zyrtar për mbajtjen e kësaj seance, që vjen pasi një ditë më parë dështoi miratimi i komisionit për votimin e fshehtë të Albulena Haxhiut nga VV si kandidate për kryeparlamentare, çka bëri që seanca të ndërpritet.

    Po atë ditë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thirri në takim liderët e katër partive më të mëdha parlamentare: PDK, LDK, VV dhe AAK, për të diskutuar rreth bllokadës së krijuar.

    Megjithatë, takimi nuk prodhoi asnjë marrëveshje konkrete mes partive.

    Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kishte kërkuar nga kryetari i VV-së, Albin Kurti, që të tërheqë kandidaturën e Albulena Haxhiut, duke e quajtur këtë si një hap të nevojshëm për të dalë nga kriza: “Në emër të PDK-së, kërkova që kryetari i VV-së, deputeti Kurti, ta ndryshojë kandidaten. Një gjë e tillë nuk pres që do të ndodh. Jemi në situatën e njëjtë ku jemi,” u shpreh Krasniqi.

    Edhe Ramush Haradinaj nga AAK e mbështeti ftesën e Presidentes dhe theksoi rëndësinë e një kandidature unifikuese për drejtimin e Kuvendit: “E kemi mirëpritur këtë mundësi të bisedës me presidenten,” deklaroi ai.

    Ndërkaq, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shprehu zhgënjimin e tij për mungesën e vullnetit nga partia në pushtet për të zhbllokuar procesin: “Nga partia e parë nuk ka brengë, as urgjencë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë,” theksoi ai.

    Pas përfundimit të takimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk dha asnjë deklaratë për mediat.

    Po ashtu, presidentja Osmani ka pritur në takim përfaqësuesit e partive jo shumicë të Kuvendit të Kosovës.

    Tutje, Osmani ka vlerësuar pozitivisht qëndrimin e përfaqësuesve të partive politike që morën pjesë në takimin e thirrur nga ajo për të diskutuar situatën aktuale politike në vend.

    Në një konferencë për media pas takimit, Osmani përgëzoi liderët për qasjen konstruktive që, sipas saj, treguan gjatë diskutimeve, pavarësisht dallimeve në qëndrime.

    “Dua t’i përgëzojë liderët për qasjen konstruktive përgjatë këtij takimi, sado që kishin qëndrime të ndryshme në shumicën dërmuese të temave. Pra, në qoftë se mund ta them, ekziston një disponim minimal që jam e bindur se do të rritet me kalimin e kohës”, u shpreh ajo.

    Ndërkohë, paralajmëroi mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese në rast se zvarritja vazhdon: “Dërgimin në Gjykatë Kushtetuese e kemi diskutuar për herën e parë,” tha ajo, duke shtuar se ka parë vetëm një “disponim minimal” nga liderët për zgjidhje.

  • Punëtorët e “Pastrimit” protestojnë të hënën para Komunës së Prishtinës

    Punëtorët e “Pastrimit” protestojnë të hënën para Komunës së Prishtinës

    Sindikata “Punëtori” e kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” ka paralajmëruar një protestë që do të mbahet të hënën, më 19 maj, nga ora 10:00, përpara objektit të Komunës së Prishtinës. Protesta vjen si reagim ndaj mungesës së përgjigjes institucionale për një sërë shqetësimesh që lidhen me trajtimin e ndërmarrjes publike dhe punëtorëve të saj.

    Në njoftimin zyrtar të sindikatës thuhet se protesta është e pashmangshme, pasi Komuna e Prishtinës nuk ka reaguar ndaj kërkesës së dorëzuar më 15 maj.

    Ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga sindikata përfshihen: diskriminimi në pagesa, pasiguria në punësim, mungesa e transparencës, mosdorëzimi i mjeteve të punës, si dhe dyshimet për favorizim të kompanive private, pavarësisht kapaciteteve dhe përvojës së gjatë të KRM “Pastrimi”.

    “Politikëbërja dhe përplasjet institucionale po i kushtojnë punëtorëve me pasiguri dhe mundësi humbjeje të vendeve të punës”, thekson sindikata në njoftim.

    Përmes protestës paqësore, punëtorët synojnë të kërkojnë trajtim të barabartë për ndërmarrjen publike, siguri dhe dinjitet në vendin e punës, transparencë dhe zbatim të ligjit nga Komuna e Prishtinës.

    Ata gjithashtu kërkojnë publikimin e kontratave dhe vendimeve që ndikojnë në funksionimin e ndërmarrjes, si dhe ndaljen e qasjeve të dëmshme politike dhe institucionale ndaj punëtorëve.

  • Një muaj paraburgim i caktohet Millojko Gjorgjeviqit, i dyshuar për krime lufte në Kosovë

    Një muaj paraburgim i caktohet Millojko Gjorgjeviqit, i dyshuar për krime lufte në Kosovë

    Një muaj paraburgim, ia ka caktuar Gjykata Themelore të Prishtinës Ish-komandantit të Njësisë së Policisë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Millojko Gjorgjeviq.

    Ai është arrestuar dje nën dyshimet për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Zveçanit.

    Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se në cilësinë e komandantit të Njësisë së Policisë në kuadër të MUP-it të Serbisë ka marrë pjesë në vrasje, dëbime me forcë, plaçkitje, tortura dhe rrahje sistematike të civilëve shqiptarë.

    Në veçanti, ai dyshohet për përfshirje në një operacion ushtarako-policor gjatë muajit prill të vitit 1999 në fshatin Zhazhë, ku sipas hetimeve, janë vrarë shtatë civilë shqiptarë. Trupat e tyre janë gjetur më pas në varrezat e fshatit Suhodoll në komunën e Mitrovicës.

  • Eurodeputeti Picula me mesazh të qartë për Serbinë: Të lirohen të burgosurit politikë

    Eurodeputeti Picula me mesazh të qartë për Serbinë: Të lirohen të burgosurit politikë

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka bërë thirrje sot për lirimin urgjent të anëtares së Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Marija Vasic, dhe “të gjithë të burgosurve politikë në Serbi”.

    Në një postim në rrjetin social X, Picula u shpreh se nuk ekziston asnjë arsye që këta persona të mbahen në kushte çnjerëzore dhe kërkoi ndërhyrjen urgjente të autoriteteve për t’i liruar.

    “Profesoresha Marija Vasiq, e cila po bën grevë urie dhe etjeje, ndodhet në rrezik për jetën! Bëj thirrje për lirimin e saj dhe të të gjithë të burgosurve politikë në Serbi! Nuk ka arsye që ata të mbahen në kushte jo njerëzore,” shkroi Picula në një postim në rrjetin social X.

    Ai theksoi se qytetarët e Serbisë kërkojnë një shoqëri ku sundon drejtësia, pa dhunë ligjore apo politike dhe se liderët e Bashkimit Evropian duhet të reagojnë menjëherë.

  • Osmani në takim me Kallasin: Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt BE-së

    Osmani në takim me Kallasin: Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt BE-së

    Gjatë qëndrimit në Tiranë, ku po mbahet Samiti i liderëve të rajonit me zyrtarë të Bashkimit Evropian, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

    Në një njoftim, Osmani e ka përshkruar Kallasin si një përkrahëse të kahmotshme të vizionit për një Evropë të bashkuar dhe të sigurt, duke bërë të ditur se javën e ardhshme Kallas do të vizitojë Kosovën.

    “Duke qenë se gjatë vizitës së saj javën e ardhshme në Kosovë do të jem në një vizitë shtetërore të paracaktuar jashtë vendit, takimin e realizuam në Tiranë”, ka shkruar presidentja Osmani në profilin e saj.

    Ajo shtoi se Kosova është e gatshme të hedhë hapin e radhës drejt integrimit në BE, duke u bërë thirrje institucioneve evropiane që t’i përgjigjen këtij momenti me “guxim, qartësi dhe vendosmëri” – vlera që, sipas saj, i mishëron edhe vetë lidershipi i Kaja Kallas.