ATV

Author: G.O.

  • Vandalizohet posteri i komandant Lleshit në Bujanoc, kryetari i komunës: Sulm i papranueshëm

    Vandalizohet posteri i komandant Lleshit në Bujanoc, kryetari i komunës: Sulm i papranueshëm

    Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar pas vandalizimit të një posteri që promovon koncertin në kuadër të manifestimit “Ditët e Komandant Lleshit”.

    Ridvan Qazimi, i njohur si Komandant Lleshi, ishte një nga figurat më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, i cili ra dëshmor më 24 maj të vitit 2001 në fshatin Tërnoc i Madh.

    Në një video të publikuar, shihet një person duke thyer xhamin dhe duke dëmtuar posterin e vendosur në Bujanoc.

    Pajaziti e ka quajtur këtë veprim një sulm të rëndë ndaj kujtesës kolektive dhe përpjekjeve për të nderuar figurat historike që kanë kontribuar për të drejtat dhe dinjitetin e shqiptarëve në Luginë.

    “Me shqetësim dhe indinjatë kemi mësuar për aktin vandal të kryer ndaj posterit që promovon koncertin në kuadër të manifestimit të Ditëve të Komandant Lleshit. Thyerja e xhamit dhe dëmtimi i këtij posteri nuk është thjesht një veprim kundër një materiali promovues – është një sulm i papranueshëm ndaj kujtesës historike, kulturës sonë dhe përpjekjeve për nderimin e figurave që kanë dhënë gjithçka për lirinë dhe dinjitetin tonë.”

    Reagimi i plotë:

  • Kremlini: Takimi Putin-Zelensky mund të ndodh, por nëse arrihen disa marrëveshje të caktuara

    Kremlini: Takimi Putin-Zelensky mund të ndodh, por nëse arrihen disa marrëveshje të caktuara

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi sot se mundësia për një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ekziston, por vetëm nëse arrijnë dakord për disa marrëveshje të caktuara, raporton Reuters.

    Peskov theksoi se Rusia është e hapur për një takim të tillë, por vetëm nëse arrihen “rezultate të caktuara në disa marrëveshje”, megjithatë ai nuk sqaroi se cilat marrëveshje janë të nevojshme për të realizuar një takim të mundshëm.

    “Njëkohësisht, kur nënshkruhen dokumentet për të cilat delegacionet duhet të bien dakord, gjëja kryesore dhe themelore për ne mbetet se kush saktësisht do t’i nënshkruajë këto dokumente nga pala ukrainase,” shtoi Peskov.

    Zëdhënësi i Kremlinit nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë deklaratë.

    Më herët, presidenti ukrainas sfidoi Putin-in për një takim ballë për ballë në Turqi, por ai vendosi të dërgojë një delegacion të zyrtarëve të lartë për të negociuar me përfaqësuesit ukrainas në Stamboll të premten.

  • Kusari-Lila: S’ka shkelje, ishte vetëm një propozim për marrëveshje, jo vendim i njëanshëm

    Kusari-Lila: S’ka shkelje, ishte vetëm një propozim për marrëveshje, jo vendim i njëanshëm

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj akuzave për shkelje të Rregullores së Kuvendit, pas kërkesës së kryesuesit Avni Dehari që mbledhjet e seancave të mos mbahen çdo 48 orë, siç është e përcaktuar, por një herë në javë.

    “Kjo nuk ishte shkelje, sepse nuk u realizua. Ishte vetëm një propozim për dakordim mes të gjitha partive”, tha Kusari-Lila gjatë deklarimit të saj në Kuvend.

    Sipas saj, propozimi ishte pjesë e konsultimeve në fillim të seancës dhe kishte për qëllim shmangien e mbledhjeve të shpeshta, të cilat – siç tha – nuk po japin rezultat për shkak të qëndrimit bllokues të opozitës.

    “Seanca filloi me konsultim që të ketë shmangie të Rregullores, të takohemi më rrallë, pasi 48-orëshi nuk po jep rezultat. Nga parafolësit u akuzuam për shkelje, por ishte vetëm një propozim për marrëveshje, jo vendim i njëanshëm”, theksoi Kusari-Lila.

    Ajo përsëriti se partitë opozitare po vazhdojnë të mbajnë qëndrim bllokues, duke pamundësuar konstituimin e Kuvendit.

  • Krasniqi: Na u kërkua ta shkelim rregulloren e të mblidhemi vetëm një herë në javë – e papranueshme

    Krasniqi: Na u kërkua ta shkelim rregulloren e të mblidhemi vetëm një herë në javë – e papranueshme

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit, duke kritikuar sjelljen e partisë në pushtet dhe kërkesat që sipas tij bien ndesh me rregulloren.

    Ai tha se në konsultimet e thirrura nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga Vetëvendosje, është propozuar që seancat konstituive të mbahen vetëm një herë në javë – ndryshe nga parashikimet e rregullores së Kuvendit.

    “Sot patëm një zhvillim të papranueshëm. E para, deputetët e partisë që doli e para nuk erdhën as me kohë, ishin 45 minuta vonë dhe kur erdhën patën një kërkesë që në mënyrë të organizuar ta shkelim rregullorën”, deklaroi Krasniqi.

    Ai theksoi se kërkesa për ta reduktuar frekuencën e seancave është në kundërshtim me rregulloren.

    “Kërkesa e tyre ishte që në kundërshtim me rregulloren, që thotë se duhet të mblidhemi çdo dy ditë derisa të konstituohet Kuvendi, ata kërkuan që të mblidhemi një herë në javë”, tha Krasniqi.

    Sipas tij, kjo situatë paraqet dy probleme thelbësore: “E para, është krejtësisht e papranueshme me bë një kërkesë të tillë, për me shkelë rregulloren me vetëdije deputetët. E dyta, kjo tregon se vullneti i tyre nuk është për me bë zgjidhje, por thjesht këto përsëritje mos me u mbajtë çdo dy ditë, por çdo javë”.

  • Bajrami për kërkesën e LVV-së: Indikacion shtesë së kjo parti nuk është e interesuar për konstituimin e Kuvendit

    Bajrami për kërkesën e LVV-së: Indikacion shtesë së kjo parti nuk është e interesuar për konstituimin e Kuvendit

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës së 17-të konstituive të Kuvendit, duke komentuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje që seancat të mbahen vetëm një herë në javë.

    Sipas saj, kjo është një dëshmi shtesë se LVV nuk është e interesuar për konstituimin e Kuvendit.

    “Ne këtë e shohim si indikacion shtesë së VV-ja nuk është absolutisht e interesuar që ta bëj konstituimin e Kuvendit. Domethënë ata mungesën e institucioneve të Kuvendit dhe Qeverisë e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë të despotëve. Vetëm ky është problemi i tyre”, tha ajo.

    Bajrami shprehu keqardhje për dështimin e radhës për të ecur përpara në procesin e konstituimit, duke theksuar se kishte propozuar që VV të nominonte sa më shumë kandidatë për të parë se cili prej tyre do të merrte votat e mjaftueshme.

    “Normalisht se u refuzuar një kërkesë e tillë, unë bile ju thash që ju brenda 24 orëve mund të propozoni edhe 47 kandidat tjerë për të provuar se kush prej tyre po i merr votat në mënyrë që të kalojmë në fazën tjetër. Është fatkeqësi që për herë të 17 u mblodhëm dhe nuk arritën që të lëvizin as edhe një hap përpara”, theksoi deputetja e LDK-së.

  • Dështon edhe tentimi i 17-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështon edhe tentimi i 17-të për konstituimin e Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet, edhe pas përpjekjes së 17-të.

    Në seancën e mbajtur të shtunën, propozimi për formimin e komisionit për votimin e fshehtë mori vetëm 53 vota për dhe një kundër, duke pamundësuar vazhdimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Seanca e radhës është thirrur për ditën e hënë, më 20 maj, në ora 10:30.

    Në fillim të mbledhjes së fundit, deputetët e nderuan me një minutë heshtje veprimtarin Ukshin Hoti, i cili rezulton i zhdukur tash e 26 vjet.

  • Dehari fton përfaqësuesit e subjekteve politike për konsultim

    Dehari fton përfaqësuesit e subjekteve politike për konsultim

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ka ftuar në konsultim përfaqësuesit e partive politike në nisje të seancës së sotme të Kuvendit.

    “E shoh të arsyeshme të ftoj përfaqësuesit e subjekteve politike për një konsultim shumë të shkurtër”, tha Dehari në nisje të seancës, duke mos treguar se për çka ishte fjala.

  • Macron: Shpresoj që javën e ardhshme të rifillojmë dialogu Prishtinë-Beograd

    Macron: Shpresoj që javën e ardhshme të rifillojmë dialogu Prishtinë-Beograd

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij sot në Tiranë, ka komentuar mbi situatën e ngrirë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur shpresën për rifillimin e këtij procesi në një të ardhme të afërt.

    Në deklaratën e tij për media, Macron theksoi se Bashkimi Evropian ka një rol legjitim në nxitjen e progresit dhe se ka ardhur koha që të kapërcehet bllokada aktuale.

    “Udhërrëfyesi është shumë i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. BE është legjitime për të kërkuar që të ketë avancime konkrete në çështjen politike mbi zgjedhjet e komunave që s’kanë qenë të kënaqshme, për sigurinë. Kjo është e njohur s’ka asgjë të re. Mendoj që ekzigjenca nuk është humbje besueshmërie. Duhet të dalë nga kjo ballëpërballje që bllokon situatën. Uroj që javët e ardhshme të rifillojmë dialogun edhe me Prishtinën edhe me Beogradin sepse secili vend është përballur me vështirësi politike sociale”, tha Macron.

    Ai shtoi se ka kaluar shumë kohë që kur palët janë ulur në tavolinë për të biseduar me seriozitet dhe theksoi rëndësinë që ky proces të mos mbetet i ngrirë.

  • Rama: Po shqyrtohet përfshirja e Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës–Prishtinë

    Rama: Po shqyrtohet përfshirja e Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës–Prishtinë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se po shqyrtohet mundësia që Franca të përfshihet në ndërtimin e linjës hekurudhore që do të lidhë Durrësin me Prishtinën. Deklarata u bë gjatë konferencës së përbashkët për media me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

    Rama theksoi gjithashtu se bashkëpunimi me Francën do të zgjerohet edhe në fusha të tjera kyçe, përfshirë administrimin e ujërave dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.

    “Ne duam të fuqizojmë marrëdhënien edhe në drejtim të administrimit të ujërave ku Franca është kampione e inovacionit, e eksperiencës dhe ka kompani që operojnë në të gjithë botën. Kemi folur edhe për mbetjet dhe jemi duke punuar për të pasur një plan të përgjithshëm dhe strategji që bazohet në hapat e punës për procesin e negociatave. Dhe këtu ne kemi shumë për të bërë. Nëse arrijmë të kemi deri në fund bashkëpunimin me ekselencën franceze do të jemi shumë të fituar”, tha ai.

    Ai konfirmoi se një nga temat e diskutimit me presidentin Macron ka qenë edhe hekurudha Durrës–Prishtinë.

    “Kemi folur edhe për përfshirjen e Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës –Prishtinë dhe në fund më vjen mirë që kur presidenti erdhi këtu herën e kaluar, ishim në ish-shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha ku po fillonte puna për ta transformuar në qendër kulturore”.

    Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi gjithashtu mbështetjen që Franca po i jep Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian.

  • Ushqimet që ngadalësojnë plakjen dhe përmirësojnë shëndetin e lëkurës

    Ushqimet që ngadalësojnë plakjen dhe përmirësojnë shëndetin e lëkurës

    Plakja është një proces natyror, por me ushqyerjen e duhur mund t’i ngadalësojmë efektet e tij dhe të ruajmë shëndetin dhe pamjen rinore të lëkurës sonë.

    Ushqimet e pasura me antioksidantë, vitamina dhe yndyrna të shëndetshme mund të ndihmojnë në ruajtjen e vitalitetit.

    Gjashtë ushqime që duhet t’i përfshini më shpesh në dietën tuaj të përditshme, sepse jo vetëm që janë të shijshme, por edhe kontribuojnë në një pamje më të shëndetshme dhe më të re.

    Perime me gjethe jeshile

    Perimet si spinaqi, lakra jeshile dhe panxhari zviceran janë të pasura me vitamina A, C dhe K, si dhe minerale si kalciumi dhe hekuri. Këto lëndë ushqyese ndihmojnë në prodhimin e kolagjenit, mbrojnë lëkurën nga rrezatimi UV dhe kontribuojnë në një shëndet më të mirë të përgjithshëm.

    Domate

    Domatet janë një burim i shkëlqyer i vitaminës C, e cila luan një rol kyç në ruajtjen e elasticitetit dhe qëndrueshmërisë së lëkurës. Konsumi i rregullt i domateve mund të ndihmojë në mbrojtjen e lëkurës nga dëmtimi. Rekomandohet një konsum i përditshëm i një domateje të mesme ose disa domatesh qershi.

    Boronica

    Boronicat janë një thesar i vërtetë i shëndetit. Ato janë të pasura me antocianina, antioksidantë të fuqishëm që mbrojnë trupin nga stresi oksidativ dhe kontribuojnë në shëndetin e trurit. Idealisht, duhet të konsumoni gjysmë deri në një filxhan boronica në ditë.

    Arra dhe fara

    Arrat dhe farat janë të pasura me antioksidantë, yndyrna të shëndetshme dhe vitamina. Bajamet janë një burim i shkëlqyer i vitaminës E, e cila ndihmon në hidratimin dhe elasticitetin e lëkurës. Arrat dhe farat e lirit përmbajnë acide yndyrore omega-3 që ngadalësojnë procesin e plakjes dhe mbrojnë zemrën.

    Çokollatë e zezë

    Çokollata e zezë me përmbajtje të lartë kakaoje përmban flavonoide që përmirësojnë qarkullimin e gjakut, hidratojnë lëkurën dhe zvogëlojnë inflamacionin në trup. Megjithatë, është e rëndësishme ta konsumoni me moderim – një deri në dy kube në ditë janë të mjaftueshme.

    Fara Chia

    Farat e chia-s janë një burim i pasur i acideve yndyrore omega-3, proteinave dhe fibrave. Ato ndihmojnë në ripërtëritjen e qelizave dhe luftojnë radikalet e lira që shkaktojnë rrudha. Një konsum i përditshëm prej një deri në dy lugë gjelle mund të kontribuojë ndjeshëm në shëndetin e lëkurës.

    Duke përfshirë këto ushqime në dietën tuaj të përditshme, jo vetëm që mund të përmirësoni pamjen e lëkurës suaj, por edhe shëndetin tuaj të përgjithshëm. Ndryshimet e vogla në dietë mund të bëjnë një ndryshim të madh në planin afatgjatë.