ATV

Author: G.O.

  • Bisedimet Ukrainë-Rusi mbyllen pa shenja përparimi

    Bisedimet Ukrainë-Rusi mbyllen pa shenja përparimi

    Zyrtarët ukrainas dhe rusë u takuan të premten në Stamboll për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta për herë të parë që nga bisedimet e dështuara të fillimit të shkurtit 2022, kur Rusia e kishte nisur pushtimin e plotë të Ukrainës.

    Nuk pati shenja të menjëhershme përparimi në ngushtimin e dallimeve mes palëve, teksa pala ukrainase i ka refuzuar kategorikisht kushtet e Moskës gjatë bisedimeve që kanë zgjatur më pak se dy orë, raporton Reuters.

    Bisedimet e së premtes përmbyllën një javë të ngarkuar të diplomacisë, e nxitur nga përpjekjet e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ta ndërmjetësuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, e cila ka shkaktuar vrasjen e dhjetëra mijëra ushtarëve nga të dyja palët dhe një numri gjithnjë e më të madh civilësh ukrainas.

    Negociatorët rusë dhe ukrainas e filluan takimin e tyre pas orës 13:00, bashkë me zyrtarë nga vendi mikpritës, Turqia.

  • “Edhe në një lojë futbolli, nëse dështon, duhet të ndërrohet lojtari”, Rohde me shembull për konstituim të Kuvendit

    “Edhe në një lojë futbolli, nëse dështon, duhet të ndërrohet lojtari”, Rohde me shembull për konstituim të Kuvendit

    Derisa nesër në ora 10:30 do të mblidhen deputetet sërish për ta konstituar Kuvendin, sot Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka komentuar çështjen e dështimit të tij për të 16-tën herë me radhë.

    Ai mori një shembull interesant, duke e ndërlidhur situatën politike me një lojë futbolli.

    “Edhe në një lojë futbolli, nëse dështon, duhet të ndërrohet lojtari”, u shpreh shkurt Rohde, duke iu referuar dështimit të Albulena Haxhiut për të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.

  • Kurti kritikon Prokurorinë Speciale për mosveprim ndaj zhdukjes së Ukshin Hotit

    Kurti kritikon Prokurorinë Speciale për mosveprim ndaj zhdukjes së Ukshin Hotit

    Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, ka kritikuar Prokurorinë Speciale për mungesën e veprimit në rastin e zhdukjes së profesorit dhe politikanit Ukshin Hoti, duke theksuar se edhe pas 26 vjetësh nuk është ngritur asnjë aktakuzë, madje as në mungesë, ndaj personave të përfshirë në këtë krim.

    Ai theksoi se kjo zhdukje është pjesë e një krimi shtetëror të Serbisë, dhe se zinxhiri i përgjegjësisë shtrihet deri në nivelet më të larta të qeverisë së atëhershme serbe.

    Ai shtoi se autoritetet serbe jo vetëm që e zhdukën Ukshin Hotin, por disa ditë më vonë kryen edhe masakrën e njohur të Dubravës mbi të burgosurit shqiptarë.

    26 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

  • Costa: Duhet të jemi të bashkuar për të siguruar paqen në Ukrainë

    Costa: Duhet të jemi të bashkuar për të siguruar paqen në Ukrainë

    Në nisje të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa bëri thirrje për unitet, në mënyrë që të arrihet një paqe e qëndrueshme për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme.

    Costa para liderëve të shteteve evropiane tha se nëse nuk arrihet paqja e qëndrueshme, atëherë do të minohet jo vetëm siguria evropiane, por edhe autoriteti i saj.

    “Rendi shumëpalësh vazhdon të sulmohet nga hera e në mënyrë të vazhdueshme dhe Evropa ka detyrë të punoj për këtë çështje, ne duhet të jemi të bashkuar dhe Evropa duhet t’ia dal mbarë për të sjell një paqe të drejtë dhe kohë gjatë për Ukrainën dhe ne e dimë i dashur (presidenti i Ukrainës) Volodomyr (Zelensky) që siguria juaj është edhe siguria jonë. Evropa gjithashtu duhet të investojë më shumë te mbrojtja e saj, sepse ne kemi mësuar se paqja pa mbrojtje është iluzion, Evropa duhet t’ia dalë mbanë për të krijuar kushtet e duhura, për të pasur zgjidhjen e duhur për paqe në Lindjen e Mesme, sepse nëse rast se nuk e bëjmë këtë do të minohet jo vetëm siguria e gjithë Evropës dhe vendeve të tjera fqinje, por edhe autoriteti i saj. Evropa duhet t’ia dalë mbarë për të thelluar dhe zgjeruar rrjetat e saj në tregtisë botërore dhe begatisë”, tha Costa.

    Presidenti i Këshillit Evropian shprehu gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të punuar afër me të gjithë partnerët e saj për të ardhmen.

    “Bashkimi Evropian është i gatshëm të luajë këtë rol të plotë në këtë Evropë të re, në këtë botë të re duke punuar nga afër me të gjithë partnerët tanë evropianë. BE e re do të jetë një partner i besueshëm për integrimin evropian, por edhe për bashkëpunimin për energjinë, sigurinë, mbrojtjen, për të mbrojtur klimën. Pra, duhet përdorur kjo energji, ky motivim për të ardhmen e fëmijëve dhe energjinë e mikut tonë Edi Rama që të punojmë së bashku si evropian”, tha ai.

    Tirana sot është nikoqire e Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, duke shënuar takimin e tij për herë të parë në Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrjen e liderëve, kryetarë shtetesh dhe qeverish nga 47 vende evropiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare

  • Zelensky në Tiranë: Putini ka frikë nga paqja, shmang çdo mundësi për armëpushim

    Zelensky në Tiranë: Putini ka frikë nga paqja, shmang çdo mundësi për armëpushim

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë fjalës së tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Tiranë, ka akuzuar drejtpërdrejt homologun rus, Vladimir Putin, për mungesë vullneti dhe guximi për të dialoguar për paqen, shkruan Gazeta Sinjali.

    Zelensky deklaroi se Moska po shmang me qëllim mundësitë reale për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të konfliktit.

    “Këtë javë do të ndërmerrnim disa hapa të rëndësishëm për të mbyllur luftën, në rast se Putin nuk do të kishte pasur frikë të vinte në Turqi”, u shpreh presidenti ukrainas.

    Ai theksoi se ishte i gatshëm për një takim të drejtpërdrejtë me Putinin në Ankara apo në Stamboll, por pala ruse refuzoi çdo përpjekje për dialog real.

    “Putini shihej qartë që dërgoi një delegacion të nivelit të ulët, që nuk kishte autoritet të merrte vendime. Përparësia jonë është një armëpushim i plotë dhe i pakushtëzuar. Vrasjet duhet të marrin fund. Nëse Rusia nuk bie dakord sot në Stamboll, atëherë është 100% e qartë se Putin vazhdon të minojë diplomacinë”, përfundoi Zelensky.

  • Osmani nga Tirana: Pjesëmarrja e Kosovës në Samit, dëshmi e zërit tonë kontribuues në Evropë

    Osmani nga Tirana: Pjesëmarrja e Kosovës në Samit, dëshmi e zërit tonë kontribuues në Evropë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë përmes një postimi në Facebook momentet kryesore nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Tiranë, shkruan Gazeta Sinjali.

    Ajo theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës për të gjashtën herë në këtë format, duke e konsideruar atë si dëshmi të pranishmërisë dhe kontributit të vendit në diskutimet për sfidat dhe të ardhmen e kontinentit evropian.

    “Pjesëmarrja jonë e gjashtë në këtë samit është dëshmi se zëri i Kosovës është i pranishëm, i domosdoshëm dhe kontribuues në platformat ku diskutohen sfidat e përbashkëta dhe vendoset për të ardhmen e kontinentit tonë,” ka shkruar Osmani.

    Ajo po ashtu ka theksuar se Samiti në Tiranë është një mundësi për të forcuar bashkëpunimin me partnerët evropianë dhe për të riafirmuar orientimin euroatlantik të Kosovës.

  • Takimi trepalësh në Stamboll përfundon, Rubio: Vrasjet duhet të ndalen

    Takimi trepalësh në Stamboll përfundon, Rubio: Vrasjet duhet të ndalen

    Pas përfundimit të takimit trepalësh ndërmjet SHBA-së, Ukrainës dhe Turqisë në Stamboll, Sekretari i Shtetit amerikan Marco Rubio, ka thënë shkurt se “vrasjet duhet të ndalen”.

    Në takimin e mbajtur Rubio është takuar me ministrin e Mbrojtjes së Ukrainës, Andrii Yermak, ministrin e Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha dhe homologun turk, Hakan Fidan.

    Ndërkohë, zëdhënësja e Rubio-s, Tammy Bruce, ka bërë të ditur se diskutimet mes tre delegacioneve janë përqendruar në rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje paqësore për luftën në Ukrainë.

    CNN ka raportuar se është zhvilluar poashtu një takim i veçantë mes zyrtarit amerikan të Departamentit të Shtetit, Michael Anton, dhe përfaqësuesit rus Vladimir Medinsky.

  • Musliu-Shoshi: Rruga evropiane e Kosovës ka stagnuar, humbëm rastin për anëtarësim në Këshillin e Evropës

    Musliu-Shoshi: Rruga evropiane e Kosovës ka stagnuar, humbëm rastin për anëtarësim në Këshillin e Evropës

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se rruga evropiane e Kosovës ka stagnuar, pasi para dy ditësh vendi ynë humbi rastin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, për herë të dytë rresht.

    Musliu-Shoshi, në një konferencë për media, theksoi se ky moment kyç që do t’i hapte rrugë forcimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar u humb për shkak të veprimeve të papërgjegjshme dhe arrogante të Qeverisë Kurti.

    “Rruga evropiane e Kosovës jo vetëm që ka stagnuar, ajo ka marrë tatëpjetën. Vetëm para dy ditësh, me keqardhje të madhe, pamë si Kosova humbi edhe një rast të artë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Ju e dini se për vite me radhë është bërë një punë e madhe për anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare”, shtoi ajo.

    Deputetja e PDK-së shprehu keqardhje që këto ditë, kur të gjithë liderët evropianë janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar për të ardhmen e kontinentit, Kosovës të gjithë pa përjashtim kanë vendosur t’i vënë sanksione politike.

    “Sot, në Tiranë, për herë të dytë me radhë, po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Evropian. E përgëzojmë Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në këto katër vitet e fundit për ta afruar Shqipërinë me Bashkimin Evropian. I urojmë suksese të mëtejshme drejt synimit të përbashkët – Shqipëria në BE deri më 2030”, theksoi Musliu-Shoshi.

    Sipas saj, kjo është një katastrofë politike si shkak i një qeverie të dobët, anemike, pa plan dhe pa vizion.

    “Kosova po humb qindra milionë euro ndihmë e mbështetje nga Bashkimi Evropian. E gjithë kjo, si pasojë e izolimit ndërkombëtar që i është shkaktuar vendit nga një qeveri që nuk kupton dialogun, bashkëpunimin dhe përgjegjësinë. Në planin e njohjeve ndërkombëtare, Kosova ka stagnuar plotësisht. Jo vetëm që nuk ka pasur njohje të reja, por nuk ka pasur as përpjekje serioze për to. Ministria e Punëve të Jashtme është kthyer në një sektor të paralizuar nga diletantizmit”, tha ajo.

    PDK e konsideron të papranueshme, të jashtëligjshme dhe shpërdorim të votës së qytetarëve bllokadën institucionale.

    “Tani jemi dëshmitarë të një situate absurde: më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kjo qeveri ka marrë peng institucionet e vendit. Ka bllokuar formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së re, duke e çuar vendin drejt një krize të thellë kushtetuese dhe institucionale”, theksoi Musliu-Shoshi.

    Musliu-Shoshi tha se është koha që Kosova të ketë një qeveri që punon për qytetarët dhe që është e aftë ta kthejë vendin në binarët e duhur drejt integrimit euroatlantik, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të shtetësisë sonë.

    “Mjaft është mjaft. Bllokada politike po shkakton pasoja të mëdha në jetën e qytetarëve tanë dhe në ecurinë e shtetit tonë. PDK ka kontribuar në zgjidhje – të cilën fatkeqësisht ky pushtet i paligjshëm po refuzon ta dëgjojë. Çdo vonesë po i kushton Kosovës. Sot Këshilli i Evropës, nesër fondet ndërkombëtare, pasnesër diçka tjetër, akoma më e madhe”, ka përfunduar deputetja e PDK-së.

  • Zelensky mbërrin në Samitin Evropian, pritet nga Edi Rama

    Zelensky mbërrin në Samitin Evropian, pritet nga Edi Rama

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur sot në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

    Në aeroport, ai u prit nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, me të cilin zhvilloi një bisedë të shkurtër.

    Samiti po zhvillohet me pjesëmarrjen e liderëve nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor, ku diskutohen çështje kyçe për paqen dhe zhvillimin në rajon.

     

  • Erdogan mbërrin në Tiranë, Rama e pret në Samitin e Komunitetit Politik Evropian

    Erdogan mbërrin në Tiranë, Rama e pret në Samitin e Komunitetit Politik Evropian

    Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka mbërritur sot në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Ai u prit në aeroport nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në një prononcim të shkurtër, Erdogan u shpreh optimist për zhvillimet e pritshme, duke thënë në turqisht se presin shumë gjëra nga bashkëpunimi me “vëllanë tim shqiptar”.

    Ai theksoi se nga Shqipëria do të dëgjohet “zëri i paqes” për gjithë botën.

    Samiti po zhvillohet me pjesëmarrjen e liderëve evropianë dhe të Ballkanit Perëndimor, ku diskutohet për të ardhmen politike dhe ekonomike të rajonit dhe Evropës.