ATV

Author: G.O.

  • Sulmet izraelite vranë të paktën 60 njerëz në Gazë, thonë autoritetet lokale shëndetësore

    Sulmet izraelite vranë të paktën 60 njerëz në Gazë, thonë autoritetet lokale shëndetësore

    Sulmet izraelite gjatë natës ndërmjet të hënës dhe të martës kanë vrarë të paktën 60 persona në Rripin e Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

    Izraeli ka nisur një ofensivë tjetër të madhe në Gazë gjatë ditëve të fundit, duke thënë se synon të kthejë dhjetëra pengje që mbahen nga Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian – dhe të shkatërrojë grupin palestinez.

    Të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nisi të lejojë hyrjen e një numri të vogël të kamionëve me ndihma në Gazë për herë të parë pas 2 muajsh e gjysmë, duke thënë se ishte përballur me trysni për të hequr një bllokadë ndaj 2 milionë palestinezëve të territorit, që kishte nxitur frikë për zi buke.

    Por, agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara thanë se disa kamionë që kanë hyrë nuk janë as afër përmbushjes së nevojës masive për ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera, raporton Associated Press. Rreth 600 kamionë në dytë kishin hyrë gjatë një armëpushimi, më parë këtë vit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Dy sulme në veri të Gazës goditën një shtëpi familjare dhe një shkollë të shndërruar në vendstrehim, duke vrarë të paktën 22 persona, më shumë se gjysma e të cilëve ishin gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

    Një sulm në qytetin qendror Deir al-Balah vrau 13 persona, ndërsa një tjetër në kampin e afërt të refugjatëve Nuseirat i mori jetën 15 personave, sipas Spitalit të Martirëve të Al-Aksës.

    Dy sulme në qytetin jugor të Han Junisit vranë 10 persona, sipas Spitalit Nasser.

    Nuk pati komente të menjëhershme nga ushtria izraelite, e cila thotë se sulmon vetëm militantë, dhe fajëson Hamasin për vdekjen e civilëve, për shkak se grupi operon në zona të populluara.

    Lufta në Gazë nisi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 persona, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng 251 të tjerë. Pjesëtarët e Hamasit janë ende duke i mbajtur 58 pengje që besohet të jenë gjallë, pasi shumica e pjesës tjetër janë liruar në kuadër të marrëveshjeve për armëpushim dhe të tjera.

    Ofensiva hakmarrëse e Izraelit, e cila ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka vrarë mbi 53.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve në llogaritjet e saj.

    Lufta ka zhvendosur rreth 90 për qind të popullatës së Gazës, shumicën prej tyre disa herë./rel

  • Kërcënimi me jetë ndaj Osmanit, Prindon Sadriu: Kërcënimet ndaj presidentes janë pasojë direkte e mosveprimit

    Kërcënimi me jetë ndaj Osmanit, Prindon Sadriu: Kërcënimet ndaj presidentes janë pasojë direkte e mosveprimit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së fundmi është kërcënuar me jetë. Në adresën elektronike të presidencës ka shkuar një mesazh përmes të cilit një person e kërcënon me vrasje të parën e shtetit.

    Lidhur me këtë, ka reaguar zotëriu i parë, Prindon Sadriu i cili përmes një postimi në Facebook thotë se kjo nuk është hera e parë që presidentja kërcënohet, pasi ka me dhjetëra.

    Sipas tij, këto kërcënime janë pasojë direkte e mosveprimit.

    “Kur këto përsëriten, nuk janë më thjesht fjalë. Janë sistem. Janë strategji. Dhe mbi të gjitha: janë pasojë direkte e mosveprimit. Sepse askush nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Asnjë veprim. Asnjë përgjegjësi. Dhe kur institucionet përkatëse heshtin, dhuna natyrshëm që flet. Kur institucionet përgjegjëse nuk mbrojnë, kërcënuesit ndihen të sigurt”, ka shkruar Sadriu.

  • ​Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili

    ​Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili

    Kosova ka ndaluar përkohësisht importin e mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga Brazili, njoftoi të martën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

    “Kjo masë është ndërmarrë si përgjigje ndaj shpërthimit të gripit të shpendëve (H5N1) në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit, i konfirmuar më 16 maj 2025 nga autoritetet braziliane”, thuhet në njoftim.

    Sipas agjencisë, ky vendim synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës.

    “Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit. Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, mirëpo ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve”, thuhet tutje në njoftim.

    Vendimi, sipas agjencisë, është në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe veprimet e ndërmarra nga vende të tjera “përfshirë Bashkimin Evropian, Kinën, dhe vende tjera të cilat kanë pezulluar importet e mishit të pulës nga Brazili pas konfirmimit të shpërthimit”.

    Ndalimi do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV

  • Një grua dhe një vajzë e mitur humbin jetën në një aksident trafiku në Fushë-Kosovë

    Një grua dhe një vajzë e mitur humbin jetën në një aksident trafiku në Fushë-Kosovë

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur mbrëmë në Fushë-Kosovë, ku raportohet se një grua dhe një vajzë e mitur kanë humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra.

    “Fushë Kosovë / 19.05.2025 – 22:11. Raportohet se ka ndodhur një vet-aksident trafiku ku ka qenë e përfshirë një veturë që drejtohej nga një femër kosovare. Drejtuesja e veturës e po ashtu edhe pasagjerja kosovare janë dërguar në QKUK ku nga mjekët është konstatuar se të dyja kanë ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

    Me vendim të prokurorit trupat e viktimave janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti është në procedurë hetimore.

  • Nis edicioni i 9-të i “Prishtina International Theater Festival”

    Nis edicioni i 9-të i “Prishtina International Theater Festival”

    Mbrëmë u hap edicioni i 9-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”, që u mbajt në hapësirat e Teatrit “Faruk Begolli”, në Kolegjin AAB.

    Deri të shtunën, përgjatë këtij festivali do të performohen gjashtë shfaqje, një nga Franca, një nga Greqia, një nga Izraeli, një nga Bosnjë e Hercegovina dhe dy nga Kosova, me gjithsej 42 aktorë profesionistë.

    I pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    “Ky festival nuk është vetëm një ngjarje arti, ai është një urë e gjallë që lidh kultura, e gjuhë dhe zemra nga e gjithë bota. Është dëshmi se arti flet në një gjuhë universale e cila i tejkalon kufijtë, dallimet dhe kohën. Është një vendtakim ku shpirtrat komunikojnë përtej fjalëve, dhe ku përmes skenës hapen rrugët që shpesh politika i ka të mbyllura”, u shpreh kryeministri në fjalën e tij të rastit.

    Ai veçoi praninë e artistëve dhe përfaqësuesve nga Bosnja dhe Hercegovina në festival, të cilët i falënderoj për pjesëmarrjen e tyre dhe për guximin dhe për angazhimin për të ndërtuar ura aty ku historia e politika kanë lënë plagë.

    “Republika e Kosovës e sheh të ardhmen e saj të lidhur me paqe të qëndrueshme, me fqinjësi të mirë dhe me bashkëpunim të ndërsjellë. Me Bosnjën dhe Hercegovinën na ndajnë kufij, por na bashkojnë përvojat, sfidat dhe sidomos nevoja për t’u njohur më mirë përmes artit dhe kulturës”, tha ai ndër të tjera.

    Duke i uruar mirëseardhje të gjithëve në Prishtinë, kryeministri Kurti bëri thirrje që ky festival le të jetë një fillim i ri për bashkëpunime të guximshme dhe për histori të reja që do të ndahen mbi skenë, e do të jetojnë përtej saj.

  • Osmani dhe Plenkoviq me mesazh të përbashkët nga Tirana: Siguria dhe sundimi i ligjit janë kyçe për të ardhmen e Evropës

    Osmani dhe Plenkoviq me mesazh të përbashkët nga Tirana: Siguria dhe sundimi i ligjit janë kyçe për të ardhmen e Evropës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kanë bashkëkryesuar tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”, e mbajtur në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në fokus të këtij diskutimi ishin sfidat e migrimit, lëvizja e lirë dhe fuqizimi i të rinjve në Evropë, me theks të veçantë në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për këto çështje.

    “Kosova dhe Kroacia i kanë prirë dje diskutimit të nivelit më të lartë evropian për sfidat e migrimit, mobilitetin dhe fuqizimin e të rinjve,” tha Osmani në një postim, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit të përbashkët për garantimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

    “Përderisa sfidat dallonin nga shteti në shtet, një gjë ishte e qartë: përkushtimi për garantim të sigurisë dhe sundim të ligjit mbeten kyç për politika të duhura e zgjidhje afatgjata”, shtoi ajo.

    Tryeza vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve evropiane në adresimin e sfidave të përbashkëta, sidomos në një kohë me dinamika të larta migrimi dhe pasiguri globale.

  • KRM “Pastrimi” akuzon Komunën e Prishtinës: Po na injoron dhe po punon me operatorë privatë pas shpinës sonë

    KRM “Pastrimi” akuzon Komunën e Prishtinës: Po na injoron dhe po punon me operatorë privatë pas shpinës sonë

    Kompania Rajonale “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Komunës së Prishtinës, duke e akuzuar publikisht për shpërfillje dhe përpjekje për t’i bartur shërbimet publike të pastrimit te operatorë privatë, përmes negociatave të njëanshme dhe pa asnjë konsultim me ndërmarrjen publike, shkruan Gazeta Sinjali.

    “Kemi kërkuar takime të vazhdueshme me kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama dhe me drejtorin e Shërbimeve Publike, z. Bekim Bestrovci, por kemi marrë vetëm injorim”, thuhet në deklaratën e KRM “Pastrimi”.

    Ndërmarrja thekson se ndërkohë që kërkesat e saj për pagesën e borxhit dhe bashkëpunim janë shpërfillur, Komuna ka zhvilluar bisedime me kompani private për marrjen përsipër të shërbimeve të pastrimit.

    “Ndërkohë që jemi anashkaluar tërësisht, jemi informuar që Komuna e Prishtinës në mënyrë të njëanshme ka negociuar dhe ka bërë marrëveshje me kompani private në vlerë prej 2 milionë euro për pastrimin e qytetit, kur në të njëjtën kohë, mjete dhe makineri të ndërmarrjes ‘Pastrimi’ qëndrojnë në deponi të papërdorura”, thuhet më tej në reagim.

    Sipas ndërmarrjes, këto veprime të Komunës mund të çojnë në pasoja të rënda për qytetarët dhe rrezikim të funksionimit të ndërmarrjes publike.

    “Kjo qasje është jo vetëm dëm për ndërmarrjen dhe qytetarët, por është mungesë serioze e transparencës dhe e përgjegjësisë institucionale”, thekson KRM “Pastrimi”, duke shtuar se “këto veprime të komunës duhet të zgjojnë reagimin e të gjitha institucioneve të drejtësisë”.

    Në fund, ndërmarrja rithekson gatishmërinë për bashkëpunim dhe kërkon që Komuna të reflektojë: “Ne siç kemi qenë gjithmonë, edhe sot, nesër, pasnesër e kurdo jemi në dispozicion për takim. Andaj reflektoni në këtë drejtim!”

  • Fundjavë e zjarrtë në elitën e futbollit kosovar – Superliga në fazën vendimtare

    Fundjavë e zjarrtë në elitën e futbollit kosovar – Superliga në fazën vendimtare

    Elita e futbollit kosovar rikthehet sot me ndeshjet e xhiros së 35-të, teksa sezoni ka hyrë në fazën përmbyllëse dhe emocionet janë më të zjarrta se kurrë.

    Edhe pse Drita tashmë e ka siguruar matematikisht titullin e kampionit të Kosovës, mbetet e hapur gara për pozitat që sigurojnë pjesëmarrjen në garat evropiane, si dhe beteja e ashpër për mbijetesë në elitë.

    Të gjitha pesë ndeshjet e kësaj jave do të zhvillohen sot duke filluar nga ora 16:00, me përballje që pritet të sjellin dramë dhe rivalitet të madh.

    Pa dyshim, vëmendja më e madhe është te derbi gjilanas mes Gjilanit dhe Dritës – një sfidë që gjithmonë sjell pasion të zjarrtë brenda dhe jashtë fushës, pavarësisht renditjes së skuadrave.

    Një tjetër duel i rëndësishëm është përballja mes Ballkanit dhe Llapit – dy ekipe me ambicie për Evropë, që pritet të dhurojnë spektakël në luftën për tri pikët.

    Në takimet e tjera, Dukagjini pret Ferizajn në një sfidë me rëndësi për mbijetesë, Malisheva përballet me Suharekën në një duel rajonal, ndërsa Feronikeli ’74 do të kërkojë pikë të arta kundër Prishtinës për të mbajtur gjallë shpresat e qëndrimit.

    Superliga e Kosovës – Java e 35-të

    E shtunë, ora 16:00

    Dukagjini-Ferizaj

    Malisheva-Suhareka

    Ballkani-Llapi

    Gjilani-Drita

    Feronikeli ’74-Prishtina

  • ​Balje: Kriza institucionale mund të zgjasë me muaj

    ​Balje: Kriza institucionale mund të zgjasë me muaj

    Edhe për të shtatëmbëdhjetën herë deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

    Deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, thotë se në takimin te presidentja, u kërkua marrëveshje mes partive shqiptare për të dalë nga kriza politike.

    Ajo paralajmëron se në mungesë të saj, presidentja do t’i drejtohet Kushtetutës, gjë që mund ta zgjasë krizën.

    Sipas saj, mungojnë votat dhe gjithçka është bllokuar nga inati politik.

    “ Po ne kemi qenë te presidentja, te presidentja ka munguar veç dy parti të komuniteteve, dhe kemi pas një takim shumë konstruktiv dhe në fund kur kemi dal, veç një gjë ka qenë, jemi duke pritë partitë shqiptare për marrëveshje mes veti, dhe zonja presidente ka lënë një kohë të shkurtër, krejt me qëllim ndoshta me dalë me një marrëveshje nëse jo ka me drejtuar në Kushtetutë. Ne e dimë domethënë përgjigjen prej anës së kushtetutës, mundet mu vonu praktikisht dy muaj edhe nëse nuk është formoluar decedivisht qysh mundemi dal prej kësaj krize, mundemi me vazhduar me krizën dhe kjo është shumë keq për shtetin e Kosovës. Fakt është se nuk ka votë me dal prej krizës dhe në fakt jemi veç t’u prit”, theksoi ajo.

  • Sulmet izraelite vrasin 146 palestinezë në Gazë, thonë autoritetet lokale

    Sulmet izraelite vrasin 146 palestinezë në Gazë, thonë autoritetet lokale

    Forcat ajrore izraelite vranë të paktën 146 palestinezë dhe plagosën shumë të tjerë në sulmet e fundit mbi Gazën gjatë 24 orëve të fundit, thanë të shtunën autoritetet lokale shëndetësore, ndërkohë që Izraeli duket i vendosur të vazhdojë me një ofensivë të re tokësore.

    Sulmet izraelite, që nisën të enjten, kanë sjellë një nga fazat më vdekjeprurëse të bombardimeve që prej dështimit të armëpushimit në mars.

    Sulmet e fundit ndodhën ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përfundoi të premten turneun e tij në Lindjen e Mesme pa ndonjë përparim të dukshëm drejt një armëpushimi të ri.

    “Që nga mesnata kemi pranuar 58 dëshmorë, ndërkohë që një numër i madh viktimash mbeten nën rrënoja. Situata brenda spitalit është katastrofike”, tha drejtori i Spitalit Indonezian në veri të Gazës, Marwan Al-Sultan.

    Autoritetet lokale shëndetësore thanë se 459 persona janë plagosur nga sulmet izraelite gjatë 24 orëve të fundit.

    Ushtria izraelite tha të shtunën se po zhvillonte sulme të gjera dhe po mobilizonte trupa si pjesë e përgatitjeve për të zgjeruar operacionet në Rripin e Gazës dhe për të arritur “kontroll operacional” në disa zona të enklavës palestineze.

    Sistemi shëndetësor i Gazës është thuajse jofunksional, me spitalet që janë goditur në mënyrë të përsëritur nga ushtria izraelite gjatë luftës 19-mujore dhe me furnizimet mjekësore që po shterohen, pasi Izraeli e ka shtrënguar bllokadën që nga muaji mars, raporton REL.

    Përshkallëzimi, që përfshin edhe grumbullimin e forcave të blinduara përgjatë kufirit, është pjesë e fazave fillestare të ‘Operacionit Karrocat e Gideonit’, që Izraeli thotë se synon të mposhtë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – dhe të rikthejë pengjet e tij.

    Një zyrtar i mbrojtjes izraelite tha më herët këtë muaj se operacioni nuk do të niste para se Trumpi ta përfundonte vizitën e tij në Lindjen e Mesme.

    “Ne po rrisim gradualisht forcat; Hamasi mbetet sfidues”, tha ushtria të shtunën.

    Ekspertë të Kombeve të Bashkuara paralajmërojnë se uria ekstreme kërcënon Gazën pasi Izraeli bllokoi dërgesat e ndihmave në këtë territor 76 ditë më parë, ndërkohë që shefi i ndihmave të OKB-së, Tom Fletcher, pyeti këtë javë Këshillin e Sigurimit nëse do të vepronte për të “parandaluar gjenocidin”.

    Trump pranoi të premten krizën në rritje të urisë në Gazë dhe nevojën për dërgimin e ndihmave, ndërsa presioni ndërkombëtar mbi Izraelin po rritet për të rifilluar bisedimet për armëpushim dhe për t’i dhënë fund bllokadës së Gazës.

    Një fondacion i mbështetur nga SHBA-ja synon të fillojë shpërndarjen e ndihmave për banorët e Gazës deri në fund të majit, duke përdorur kompani amerikane të sigurisë dhe logjistikës, por OKB-ja ka thënë se nuk do të punojë me këtë fondacion sepse nuk është i paanshëm, neutral apo i pavarur.

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha më 5 maj se Izraeli po planifikon një ofensivë të zgjeruar dhe intensive kundër Hamasit, pasi kabineti i sigurisë miratoi plane që mund të përfshijnë marrjen e kontrollit të të gjithë Rripit të Gazës dhe kontrollin e ndihmave.

    Të premten, ushtria izraelite urdhëroi banorët e Gazës të lëvizin në jug pas sulmeve të rënda në qytetin verior Beit Lahia dhe në kampin e refugjatëve Jabalia. Banorët, megjithatë, thanë se tanket po përparonin drejt qytetit jugor Khan Younis.

    Qëllimi i deklaruar i Izraelit në Gazë është eliminimi i aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, i cili sulmoi komunitete izraelite më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe duke marrë rreth 250 pengje.

    Fushata ushtarake e tij ka shkatërruar enklavën e vogël dhe të mbipopulluar, duke zhvendosur pothuajse të gjithë 2 milionë banorët e saj nga shtëpitë dhe duke vrarë më shumë se 53.000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza.

    NBC News raportoi të premten, duke cituar pesë persona me njohuri për çështjen, se administrata Trump po punon për një plan për të zhvendosur përherë deri në një milion palestinezë nga Rripi i Gazës në Libi.

    Palestinezët, përfshirë Hamasin dhe autoritetin rival të Presidentit Mahmoud Abbas, e kundërshtojnë çdo zhvendosje të njerëzve jashtë tokës së tyre.