ATV

Author: G.O.

  • Osmani thotë se nuk do të ketë takim me Vuçiqin në Samitin e Tiranës

    Osmani thotë se nuk do të ketë takim me Vuçiqin në Samitin e Tiranës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Tiranë, nuk do të zhvillojë ndonjë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan Gazeta Sinjali.

    Deklaratën Osmani e dha para mediave në Tiranë, ku theksoi se nuk e ka ftuar Vuçiqin në tryezën që ajo do të bashkëkryesojë me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”.

    Në këtë samit po marrin pjesë liderë dhe përfaqësues nga rreth 50 shtete evropiane dhe të Ballkanit Perëndimor, me fokus në sigurinë, stabilitetin dhe bashkëpunimin në kontinent.

  • Rutte thotë se dialogu Kosovë-Serbi do të diskutohet në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë

    Rutte thotë se dialogu Kosovë-Serbi do të diskutohet në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar për mediat kosovare se dialogu Kosovë-Serbi dhe situata në Ballkanin Perëndimor do të jenë tema kryesore në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që mbahet sot në Tiranë.

    Ai theksoi se forcat KFOR në Kosovë dhe EUFOR në Bosnjë e Hercegovinë janë prezente për të siguruar stabilitetin në rajon, dhe për këtë çështje ka diskutuar edhe gjatë takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Antalia, Turqi.

    Rutte gjithashtu ritheksoi rëndësinë e bisedës së tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar si shumë të rëndësishme.

    LEXONI EDHE:

    Kallas: Presim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

  • 50 të vrarë gjatë natës nga sulmet izraelite në Gaza

    50 të vrarë gjatë natës nga sulmet izraelite në Gaza

    Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gaza njoftoi të premten se 50 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në enklavën palestineze që nga mesnata, shkruan Gazeta sinjali.

    “Numri i martirëve të vrarë nga bombardimet izraelite që në shënjestër patën shtëpi civile në veri të Rripit të Gazës mes mesnatës dhe mëngjesit të hershëm është rritur në 50… Ekipet tona ende janë duke punuar në ato zona,” tha zyrtari i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Mohammed al-Mughayyir, për AFP, raporton “The Guardian”.

    Në Spitalin Indonezian, një gazetar i “Associated Press” numëroi të paktën 20 trupa të pajetë, ndërsa të mbijetuarit raportuan se shumë persona vazhdojnë të jenë nën rrënoja.

    Sulmet izraelite në Gaza po zhvillohen në kohën kur presidenti amerikan Donald Trump po përmbyll vizitën e tij në vendet e Gjirit Persik, pa kaluar në Izrael. Bllokada izraelite e ndihmave në Gaza ka hyrë tashmë në muajin e tretë. Trump ka shprehur dëshirën që SHBA ta bëjnë Gazën “zonë të lirisë”.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka premtuar vazhdimin e përshkallëzimit të forcës me qëllim shkatërrimin e Hamasit.

    Në një zhvillim tjetër, ushtria izraelite vrau pesë militantë në Bregun e pushtuar Perëndimor, disa orë pasi një grua shtatzënë u vra nga të shtënat me armë zjarri. Grupi Xhihadi Islam deklaroi se pesë anëtarë të tij u vranë gjatë një përleshjeje me forcat izraelite në qytezën Tammun, por nuk u konfirmua lidhja e tyre me ngjarjet e mëparshme.

  • Franca padit Iranin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

    Franca padit Iranin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

    Franca ka ngritur një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke e akuzuar Iranin për shkelje të detyrimeve ndërkombëtare në lidhje me ndalimin dhe trajtimin e dy shtetasve të saj, Cécile Kohler dhe Jacques Paris.

    Sipas ministrit francez Jean-Noël Barrot, të dy po mbahen peng në “kushte të tmerrshme që përbëjnë torturë”, ndërkohë që autoritetet iraniane po “mohojnë të drejtën e tyre për mbrojtje konsullore”.

    Kjo lëvizje diplomatike ndodh pak para një rundi të ri bisedimesh për programin bërthamor të Iranit, që do të zhvillohet të premten në Turqi, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga Irani, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania.

    Cécile Kohler dhe partneri i saj Jacques Paris po mbushin tre vjet në paraburgim në burgun famëkeq “Evin” në Teheran, në një seksion të rezervuar për të burgosur politikë. Ata u arrestuan më shtatë maj dymijë e njëzet e dy në fund të një udhëtimi turistik, nën akuzat për spiunazh, akuza të cilat ata i mohojnë kategorikisht.

    Familjarët e tyre thonë se gjendja fizike dhe psikologjike e dy francezëve është përkeqësuar ndjeshëm. “Cécile dhe Jacques janë në limitet e forcës së tyre. Po bëhen gjithnjë e më të dëshpëruar dhe nuk shohin më shpresë”, tha motra e Kohler për Radion France Internationale (RFI).

    Qeveria franceze i konsideron të dy si “pengje shtetërore” dhe ka intensifikuar përpjekjet diplomatike për lirimin e tyre. Ata janë shtetasit e fundit francezë të njohur që mbahen ende në burg në Iran.

  • Osmani mbërrin në Tiranë, pritet nga Rama pak para nisjes së Samitit

    Osmani mbërrin në Tiranë, pritet nga Rama pak para nisjes së Samitit

    Presidentja Vjosa Osmani ka arritur në samitin e Komunitetit Politik Europian ku e përfaqëson Kosovën. Ajo u prit nga nikoqiri i ngjarjes, kryeministri Edi Rama.

    Komuniteti Politik Europian sivjet mblidhet nën moton “Europa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.

    Udhëheqësit do të takohen fillimisht në një seancë plenare kushtuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Europës.

    Nga ora 11:45 do të flasin disa nga liderët kyçë të samitit, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, që do të pasojë fjalën e Ramës.

    Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin e EPC-së në Tiranë, bashkëkryeson tryezën për sigurinë dhe migrimin

  • Rritja e çmimit të importit të rrymës, Bajrami: Në mandatin e Kurtit qytetarët po paguajnë faturën e “mafisë energjetike”

    Rritja e çmimit të importit të rrymës, Bajrami: Në mandatin e Kurtit qytetarët po paguajnë faturën e “mafisë energjetike”

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës importi i energjisë ka pasur rritje viteve të fundit. E lidhur me këtë ka reaguar deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

    Bajrami ka thënë se në mandatin e Qeverisë Kurti, ka lulëzuar importi i energjisë elektrike dhe si “rezultat” i varësisë nga importi dhe menaxhimit të dobët, të qëllimshëm, sot kemi kompani që merren me tregtim të energjisë që vetëm pas tri viteve operimi në Kosovë, hyjnë në top 10-shën për nga qarkullimit.

    Bajrami kritikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë, që sipas saj ka arritur 128% për ata që shpenzojnë mbi 800 kWh. Ajo paralajmëron edhe pasoja për sektorin privat, pasi rreth 1300 ndërmarrje vendore, që punësojnë gjysmën e punëtorëve të këtij sektori, rrezikojnë të përballen me trefishim të faturave të energjisë nga 1 qershori.

    Duke përmendur rrezikun e një vale të re të inflacionit, Bajrami thekson se kjo situatë do të godasë çdo familje në vend, ndërsa faji bie mbi Qeverinë për, siç thotë ajo, “lidhjet me Martinin dhe të tjerët, tenderët e ndarë në WhatsApp, si dhe dështimin e Ministrisë së Ekonomisë për të mbikëqyrur KEK-un.”

    “Qytetarët dhe bizneset paguajnë faturën, ndërsa përfituesit janë ata që sot me të drejtë quhen ‘mafia energjetike’”, shkruan Bajrami, duke shtuar se Kosova ndodhet në një krizë institucionale dhe jo vetëm. Ajo bën thirrje për formimin e një Qeverie kalimtare që do të fokusohet në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe të bizneseve.

    “Zullumi këputet prej së trashi”, përmbyll reagimin e saj Bajrami.

  • Kallas: Presim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Kallas: Presim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas në një deklaratë për media para nisjes së Samitit të Komunitetit Politik Evropian ka folur për temat që do t’i diskutojnë.

    Ajo nga gazetarët u pyet edhe se çfarë pret nga dialogu Kosovë-Serbi.

    “Pak kohë më parë kemi emëruar përfaqësuesin e ri të Posaçëm për Dialogun, presim normalizimin e marrëdhënieve, sigurisht”, tha ajo.

    Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të BE-së paralajmëroi se së shpejti do të vizitojë Kosovën.

    Kallas foli edhe për sanksionet ndaj Rusisë si dhe për vendosmërinë e Bashkimit Evropian për të qëndruar pranë Ukrainës.

  • 26 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

    26 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

    Më 16 maj 1999, në rrethana ende të paqarta, u zhduk veprimtari i njohur i Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hoti, shkruan Gazeta Sinjali.

    Ukshin Hoti, i lindur më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit, ishte profesor, filozof, shkrimtar dhe atdhetar i shquar, i angazhuar në çështjen kombëtare gjatë viteve 1981-1999. Ai kishte dhënë ligjërata në disa universitete amerikane, ku edhe kishte studiuar dhe diplomuar.

    Për aktivitetet e tij atdhetare, Ukshin Hoti ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb, fillimisht i Titos dhe më pas i Millosheviqit. Arrestimi i fundit ndodhi në vitin 1994, kur u akuzua për veprimtari armiqësore ndaj Jugosllavisë dhe për pjesëmarrje në lëvizjen për Republikën e Kosovës. Ai u dënua me pesë vjet burg.

    Pas lirimit nga burgu i Dubravës më 16 maj 1999, Ukshin Hoti u zhduk nga policia serbe pa lënë asnjë gjurmë. Dëshmitarë, përfshirë shokët e burgut dhe të mbijetuarit e masakrës në Dubravë, treguan se ai ishte liruar pikërisht në një ditë të dielë, kur lirimi i të burgosurve zakonisht nuk praktikohej.

    Që nga ajo ditë e deri sot, Ukshin Hoti mbetet i zhdukur dhe konsiderohet simbol i përkushtimit dhe sakrificës për çështjen kombëtare.

  • Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin e EPC-së në Tiranë, bashkëkryeson tryezën për sigurinë dhe migrimin

    Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin e EPC-së në Tiranë, bashkëkryeson tryezën për sigurinë dhe migrimin

    Presidentja Vjosa Osmani po përfaqëson Republikën e Kosovës në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili po mbahet këtë edicion në Tiranë. Në këtë ngjarje marrin pjesë 45 liderë evropianë, përfshirë përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, shkruan Gazeta Sinjali.

    Sipas njoftimit nga Presidenca, Presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të samitit. Më pas, ajo do të bashkëkryesojë tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”, së bashku me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq.

    “Kjo tryezë e liderëve do të trajtojë sfidat e sigurisë në kontinent dhe mundësitë që lidhen me migrimin dhe lëvizshmërinë, me theks të veçantë në fuqizimin e të rinjve, si dhe në shfrytëzimin e potencialit të mërgatës si motor për zhvillim ekonomik dhe stabilitet. Në këtë tryezë të bashkëkryesuar nga Presidentja Osmani do të marrin pjesë liderë nga mbarë Evropa, përfshirë kryeministrat e Italisë, Austrisë, Hungarisë, Belgjikës, ndër të tjerë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Në kuadër të samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë.

  • Rutte sot në Tiranë, pritet nga Rama

    Rutte sot në Tiranë, pritet nga Rama

    Shqipëria është sot në vëmendjen e Europës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë kryeqytetin shqiptar si pjesë e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, njoftoi organizata më e fuqishme ushtarake me seli në Bruksel.

    Rutte do të zhvillojë takime të shumta dypalëshe, përfshirë edhe një me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

    Ndërkohë, në Tiranë ka mbërritur edhe kryeministri britanik Keir Starmer, i cili u prit sot nga Rama. Në Samit pritet të marrin pjesë edhe liderë të tjerë të rëndësishëm si Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Rishi Sunak.

    Takimi zhvillohet në një kohë kur Ukraina dhe Rusia po përgatiten për bisedimet e para të paqes që nga fillimi i luftës.