ATV

Author: G.O.

  • U merret leja pesë shoferëve në Ferizaj – kaluan nga shiriti emergjent dhe tejkaluan kolonën

    U merret leja pesë shoferëve në Ferizaj – kaluan nga shiriti emergjent dhe tejkaluan kolonën

    Pesë shoferë janë ndëshkuar nga Policia në Ferizaj pasi kanë kryer tejkalim të automjeteve në kolonë duke përdorur shiritin emergjent në dalje të autostradës në fshatin Bibaj.

    Për këtë kundërvajtje të rëndë në trafik, katër shoferëve me patentë shoferi vendore u është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, 3 pikë negative dhe masa mbrojtëse e heqjes së lejes së drejtimit për një vit.

    Ndërsa shoferit me patentë shoferi të huaj i është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh dhe ndalim i drejtimit të automjetit në territorin e Kosovës për një vit.

    Sipas Policisë, të ndëshkuarit janë:

    S.TH., 27 vjeç, me veturë Opel Astra;
    M.M., 22 vjeç, me veturë Mercedes me targa të huaja;
    SH.I., 26 vjeç, me veturë Mercedes;
    G.A., 30 vjeç, me veturë BMW;
    A.SH., 67 vjeç, me veturë Audi Q5.
    Rasti ka ndodhur më të premten, kur zyrtarët policorë të Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj kanë ndaluar shoferët që kishin kaluar kolonën përmes shiritit emergjent në drejtim të rrethrrotullimit.

    Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet dhe aktivitetet e shtuara për zbatimin e rregullave të trafikut dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

  • Zjarri ende aktiv – Mbi 270 mijë njerëz braktisën shtëpitë në Francë dhe Spanjë

    Zjarri ende aktiv – Mbi 270 mijë njerëz braktisën shtëpitë në Francë dhe Spanjë

    Më shumë se 270 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre pasi zjarret e mëdha kanë përfshirë zona të Francës jugperëndimore dhe Spanjës qendrore.

    Në Francë, zjarret në rajonet Gironde dhe Landes kanë bërë që rreth 197 mijë njerëz të evakuohen, sipas ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nunez.

    Ndërkohë, në Spanjë, rreth 73 mijë persona janë evakuuar për shkak të zjarreve, ka bërë të ditur presidentja e komunitetit të Madridit, Isabel Diaz Ayuso.

    Autoritetet në të dyja vendet po vazhdojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa temperaturat e larta dhe kushtet e thata kanë vështirësuar përballjen me zjarret.

  • Musk parashikon fundin e rëndësisë së parasë: Nuk do t’ju duhet në vitin 2036

    Musk parashikon fundin e rëndësisë së parasë: Nuk do t’ju duhet në vitin 2036

    Shefi ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, ka bërë një parashikim të guximshëm për të ardhmen e ekonomisë, duke thënë se paraja mund të humbasë rëndësinë e saj deri në vitin 2036.

    Sipas Musk, zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale dhe robotëve humanoidë mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si funksionon shoqëria dhe ekonomia.

    “Për çfarë ju duhet paraja? Ju nevojitet për mallra dhe shërbime: ushqim, strehim, transport dhe argëtim”, tha Musk, duke argumentuar se nëse robotët dhe sistemet e inteligjencës artificiale arrijnë të prodhojnë më shumë mallra dhe shërbime sesa njerëzit mund të konsumojnë, atëherë nevoja për para mund të zvogëlohet ndjeshëm.

    Musk ka deklaruar vazhdimisht se robotët dhe AI do të luajnë një rol kryesor në të ardhmen. Ai beson se makinat autonome dhe robotët humanoidë mund të kryejnë një pjesë të madhe të punëve fizike dhe industriale, duke rritur ndjeshëm prodhimin global.

    Megjithatë, ekspertë të ekonomisë dhe teknologjisë kanë pikëpamje të ndryshme për këtë skenar. Shumë prej tyre theksojnë se edhe në një botë me automatizim të lartë do të mbeten çështje si shpërndarja e pasurisë, pronësia e teknologjisë dhe mënyra se si njerëzit do të kenë qasje në burime.

    Deklarata e Musk ka rihapur debatin mbi ndikimin afatgjatë të inteligjencës artificiale dhe nëse përparimi teknologjik mund të sjellë një ekonomi ku roli tradicional i parasë ndryshon.

  • Trump pritet ta presë Zelenskyn më 28 korrik në Uashington

    Trump pritet ta presë Zelenskyn më 28 korrik në Uashington

    Presidenti amerikan Donald Trump pritet ta presë në Uashington homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, të martën, më 28 korrik.

    Sipas raportimeve të mediave amerikane dhe ukrainase, takimi vlerësohet si një moment i rëndësishëm diplomatik në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës.

    Burime diplomatike të cituara nga Radio Liberty bëjnë të ditur se Trump dhe Zelensky pritet të diskutojnë për zhvillimet e fundit në luftën në Ukrainë dhe mbështetjen amerikane për Kievin.

    Dy presidentët janë takuar së fundmi edhe në Francë dhe Turqi.

    Gjatë qëndrimit në SHBA, Zelensky pritet të marrë pjesë edhe në ceremoninë mortore të senatorit amerikan Lindsey Graham.

    Sipas raportimeve, presidenti ukrainas synon ta rikthejë çështjen e Ukrainës në qendër të agjendës së administratës Trump, e cila javët e fundit është fokusuar kryesisht te zhvillimet në Lindjen e Mesme.

    Ndërkohë, Senati amerikan mund të votojë gjatë javës së ardhshme një paketë dypartiake me sanksione të reja ndaj Rusisë.

    Në frontin e luftës, mediat ruse kanë raportuar se dy depo të kompanisë së tregtisë elektronike “Wildberries”, në zonën e Shën Petersburgut dhe në rajonin e Leningradit, janë goditur nga dronë ukrainas.

    Si pasojë e sulmeve janë shkaktuar zjarre, ndërsa autoritetet ruse kanë deklaruar se mbrojtja ajrore ka rrëzuar disa dronë. Deri më tani nuk janë raportuar viktima.

  • I kërkuari nga INTERPOL-i, ekstradohet nga Kroacia në Kosovë

    I kërkuari nga INTERPOL-i, ekstradohet nga Kroacia në Kosovë

    Një shtetas kosovar i kërkuar me letër rreshtim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Kroacia në Kosovë.

    “I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet kroate pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë”, tha policia, përcjell Sinjali.

    “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Kroacisë”.

  • Ndalohet nga policia serbe një i ri nga Kosova në Horgosh

    Ndalohet nga policia serbe një i ri nga Kosova në Horgosh

    Një i ri nga Kosova është ndaluar sot nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh, në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, derisa po udhëtonte nga Gjermania drejt Kosovës.

    Lajmin e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci përmes një postimi në facebook, ku ka thënë se informacionin e ka marrë nga një burim, identitetin e të cilit e ka konfirmuar.

    Sipas Kocit, i riu, i lindur në vitin 1997, ende ndodhet në ambientet e policisë në pikën kufitare, ndërsa deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara lidhur me statusin e tij procedural.

    Ai ka bërë të ditur se gjatë kontrollit të automjetit, policia serbe ka gjetur një emblemë të UÇK-së nën ulëse, ndërsa sipas burimit të tij, i riu nuk ka qenë në dijeni se ajo ndodhej aty.

    Në automjet janë gjetur gjithashtu edhe disa monedha të argjendta.

    Koci ka shtuar se, sipas informacioneve që posedon deri më tani, sjellja e policisë serbe ndaj të riut ka qenë korrekte.

  • Rritet edhe për disa centë çmimi i naftës në Kosovë

    Rritet edhe për disa centë çmimi i naftës në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë sot është 1 euro e 72 centë, apo 3 centë më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 51 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.60 euro për litër.

     

  • Të shtëna me armë pranë një zone të pyllëzuar në Suharekë, Policia gjen gëzhoja

    Të shtëna me armë pranë një zone të pyllëzuar në Suharekë, Policia gjen gëzhoja

    Të shtëna me armë zjarri kanë alarmuar mbrëmjen e së premtes banorët në Suharekë, duke bërë që në vendin e ngjarjes të dalin njësitë e Policisë së Kosovës, raporton Sinjali.

    Rasti është raportuar rreth orës 19:30, në rrugën “Milaim Bajrami”, pasi një qytetar njoftoi se kishte dëgjuar të shtëna nga një zonë e mbuluar me lisa, ku nuk ishte e mundur të identifikoheshin personat e përfshirë.

    Pas daljes në terren, patrullat policore nuk kanë hasur në asnjë person të dyshuar.

    Megjithatë, gjatë kontrollit të lokacionit, njësia e Krimteknikës ka gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja të një arme të shkurtër, me kalibër ende të panjohur.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Policia po vazhdon hetimet për identifikimin e personit apo personave që dyshohet se kanë shtënë me armë.

  • Katër persona kapen duke hyrë ilegalisht në Kosovë – dy nga Maqedonia e Veriut, dy nga Serbia

    Katër persona kapen duke hyrë ilegalisht në Kosovë – dy nga Maqedonia e Veriut, dy nga Serbia

    Policia e Kosovës ka njoftuar në raportin 24 orësh se katër persona janë kapur duke hyrë ilegalisht në Kosovë.

    Sipas raportit policor, dy janë nga Maqedonia e Veriut, ndërkaq dy nga Serbia.

    Raporti i plotë:

    Hani i Elezit 24.07.2026 – 16:30. Njësiti policor ka ndaluar të dyshuarën e mitur femër shtetase e Maqedonisë së Veriut e cila në mënyrë ilegale këmbë nga fshati Bllacë i RMV-së ka hyrë në territorin e Kosovës – Hani i Elezit.

    Hani i Elezit 24.07.2026 – 16:45. Njësiti policor ka ndaluar të dyshuarin e mitur mashkull shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili në mënyrë ilegale këmbë nga fshati Bllacë i RMV-së ka hyrë në territorin e Kosovës – Hani i Elezit. Në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Rr. Stublinë, Dobërqan 24.07.2026 – 10:10. Policia ka ndaluar një automjet me targa të Serbisë, gjatë kontrollimit të dokumentacionit është kuptuar që e dyshuara vozitësja e veturës femër shtetase e Serbisë së bashku me pasagjeren femër shtetase e Serbisë me veturë përmes rrugëve dytësore, jashtë vendkalimit kufitar, në mënyrë ilegale nga territori i Serbisë kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në procedurë të shpejtë para gjykatës.

  • Sonte meçi Joshua-Prenga: A do të shkruaj histori boksieri shqiptar?

    Sonte meçi Joshua-Prenga: A do të shkruaj histori boksieri shqiptar?

    Boksieri shqiptar Kristian Prenga do të përballet sonte me një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij, teksa në Jeddah të Arabisë Saudite do të hyjë në ring kundër ish-kampionit të botës në peshat e rënda, Anthony Joshua.

    Meçi mes Joshuas dhe Prengës është pjesë e një mbrëmjeje të madhe boksi, ku do të zhvillohen edhe dy përballje për tituj botërorë. Dueli kryesor mes dy boksierëve të peshave të rënda pritet të nisë rreth orës 00:00 pas mesnate sipas kohës së Kosovës, megjithëse orari mund të ndryshojë në varësi të përfundimit të meçeve paraprake.

    Anthony Joshua, 36-vjeçar, ka një karrierë të jashtëzakonshme në boksin profesionist. Britaniku ka qenë kampion bote në kategorinë e peshave të rënda dhe gjatë karrierës së tij ka zhvilluar duele me emra të mëdhenj të këtij sporti. Ai ka një bilanc prej 28 fitoresh dhe 4 humbjesh, me shumicën e fitoreve të ardhura me nokaut.

    Joshua në ringun e fundit u paraqit në dhjetor, kur mposhti Jake Paulin me nokaut teknik në raundin e gjashtë në Miami.

    Përballë tij do të jetë Kristian Prenga, 35-vjeçari shqiptar i cili njihet për fuqinë e goditjeve dhe stilin agresiv të boksimit. Prenga ka ndërtuar karrierën e tij kryesisht në kategorinë e peshave të rënda dhe synon që përmes kësaj përballjeje të fitojë një vend në mesin e emrave më të njohur të këtij divizioni.

    Megjithatë, përballja me Joshuan do të jetë testi më i madh për boksierin shqiptar, pasi britaniku ka përvojë të madhe në duele të nivelit më të lartë.

    Kjo sfidë shihet edhe si një hap përgatitor për Joshuan para një superdueli të mundshëm me bashkëkombësin e tij, Tyson Fury.

    Nëse Prenga arrin ta mposhtë Joshuan, fitorja do të ishte një nga befasitë më të mëdha në boksin e peshave të rënda dhe një moment historik për boksin shqiptar.

    Në të njëjtën mbrëmje do të zhvillohen edhe meçe të tjera, përfshirë mbrojtjen e titullit WBO në peshat super të mesme nga britaniku Hamzah Sheeraz ndaj gjermanit Simon Zachenhuber, si dhe duelin për titullin IBF në peshat e lehta-mesme mes Josh Kelly dhe Caoimhin Agyarko.