ATV

Author: G.O.

  • Kërkohet paraburgim ndaj një shtetasi serb, dyshohet për trafikim të paautorizuar të armëve

    Kërkohet paraburgim ndaj një shtetasi serb, dyshohet për trafikim të paautorizuar të armëve

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi me inicialet Z.M., shtetas i Republikës së Serbisë, i dyshuar për veprën penale të importit, eksportit, furnizimit, transportimit, prodhimit, ndërmjetësimit dhe shitjes së paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse.

    Sipas Prokurorisë, i dyshuari është arrestuar në flagrancë më 22 korrik 2026, pas zhvillimit të hetimeve dhe sigurimit të provave materiale. Dyshohet se armët e zjarrit janë importuar nga Serbia dhe më pas janë modifikuar në kundërshtim me ligjin.

    Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndërsa më 23 korrik Prokuroria ka dorëzuar kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e paraburgimit.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në luftimin e kriminalitetit dhe në vënien para drejtësisë të personave që dyshohen për shkelje të ligjit.

  • Ambasadorët e BE-së vizitojnë veriun: Sundimi i ligjit të zbatohet njësoj në gjithë Kosovën

    Ambasadorët e BE-së vizitojnë veriun: Sundimi i ligjit të zbatohet njësoj në gjithë Kosovën

    Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, së bashku me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, zhvilluan të mërkurën një vizitë në Zveçan, ku u takuan me kryetarët e katër komunave veriore për të diskutuar mbi sfidat me të cilat po përballen në ushtrimin e mandateve të tyre pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2025.

    Sipas një njoftimi të Zyrës së Bashkimit Evropian, gjatë takimit kryetarët e komunave paraqitën një sërë vështirësish që, sipas tyre, po ndikojnë në funksionimin e administratave lokale dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

    Mes sfidave të përmendura ishin mungesa e arkivave administrative, mungesa e stafit të kualifikuar, kufizimet buxhetore, çështjet që lidhen me pronat, si dhe ajo që ata e cilësuan si kontroll nga niveli qendror mbi aktivitetet komunale.

    Gjatë vizitës, diplomatët evropianë zhvilluan edhe takime të ndara me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe me anëtarë të kuvendeve komunale nga partitë opozitare, për të dëgjuar edhe perspektivat e tyre lidhur me situatën në veri të Kosovës.

    Në reagimin e BE-së thuhet se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare mbeten të përkushtuara ndaj forcimit të vetëqeverisjes lokale dhe procesit të decentralizimit në Kosovë, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

    “Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare mbeten fuqimisht të përkushtuara ndaj një vetëqeverisjeje lokale të fortë në Kosovë dhe decentralizimit të mbështetur në Kushtetutë dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Ata bëjnë thirrje për përmirësimin e koordinimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, mbështetje efektive për komunat nga ministritë përkatëse dhe zbatim të barabartë të parimeve të sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”, thuhet në komunikatë.

    BE-ja thekson se administratat komunale funksionale dhe llogaridhënëse janë kyçe për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët dhe për forcimin e besimit në institucione.

    “Administratat komunale efektive, llogaridhënëse dhe plotësisht funksionale, që ofrojnë shërbime cilësore për të gjithë banorët e Kosovës, përfshirë në veri, janë në interes të publikut dhe thelbësore për ndërtimin e besimit, stabilitetit dhe prosperitetit”, thuhet më tej në reagim.

    Në përfundim, Bashkimi Evropian rithekson se do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në procesin e reformave dhe forcimin e vetëqeverisjes lokale.

    “Si partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe donatori më i madh i asistencës financiare, Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë komunat dhe reformat që forcojnë vetëqeverisjen lokale në mbarë Kosovën”, përfundon njoftimi i Zyrës së BE-së.

  • Aksident me fatalitet në magjistralen Prishtinë-Pejë, humb jetën 19-vjeçari

    Aksident me fatalitet në magjistralen Prishtinë-Pejë, humb jetën 19-vjeçari

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në fshatin Llazicë të Malishevës, ku një 19-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është vetaksidentuar me motoçikletë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Vlera Krasniqi.

    Sipas saj, aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:40 në rrugën magjistrale Prishtinë–Pejë.

    “Sot, rreth orës 15:40, në rrugën magjistrale Prishtinë–Pejë, përkatësisht në fshatin Llazicë të Malishevës, dyshohet se një person është vetaksidentuar me motoçikletë”, ka deklaruar Krasniqi.

    Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor.

    Mjeku ka konstatuar në vendin e ngjarjes se drejtuesi 19-vjeçar i motoçikletës ishte pa shenja jete.

    “Policia është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë Krasniqi për Sinjalin.

  • Tragjedi në Deçan, djali dyshohet se aksidentalisht vrau babanë

    Tragjedi në Deçan, djali dyshohet se aksidentalisht vrau babanë

    Një rast tragjik ka ndodhur pasditen e sotme në Bjeshkën e Strellcit në komunën e Deçanit.

    Djali dyshohet se aksidentalisht ka vrarë babanë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në Pejë, Driton Rugova.

    “Sot rreth orës 13:43 policia ka pranuar informatën se në Bjeshkën e Strellcit në oborrin e një stani një person është vrarë. Deri tani dyshohet për vrasje aksidentale mes familjarëve”, ka thënë Rugova.

    Ai ka shtuar se policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku ka sekuestruar një armë zjarri, ndërkaq personi që dyshohet se ka kryer veprën është arrestuar.

    Ndërkaq zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se prokurori i rastit është duke u marrë me rastin.

    “Prokurori i Shtetit dhe të gjitha njësitë relevante policore ndodhen në vendin e ngjarjes, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”, ka deklaruar Nikçi.

  • Dy kosovarë ndalohen në Gjermani, dyshohet se qëndronin pa leje të rregullt

    Dy kosovarë ndalohen në Gjermani, dyshohet se qëndronin pa leje të rregullt

    Dy shtetas të Kosovës janë ndaluar nga policia kufitare gjermane gjatë një kontrolli pranë Aeroportit të Memmingerbergut, pasi është konstatuar se nuk kishin dokumentacionin e nevojshëm për qëndrim të ligjshëm në Gjermani.

    Sipas autoriteteve gjermane, bëhet fjalë për dy persona të moshës 22 dhe 32 vjeç, të cilët u ndaluan gjatë një kontrolli rutinë në rrugën që çon drejt aeroportit.

    Gjatë verifikimit të dokumenteve, policia ka zbuluar se dy kosovarët nuk posedonin leje apo dokumente që u mundësonin qëndrimin e rregullt në territorin gjerman.

    Ndaj tyre është nisur procedurë penale për shkelje të ligjit për qëndrimin e të huajve, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe masat e mëtejshme administrative, përfshirë mundësinë e largimit të tyre nga Gjermania.

  • Rrëzohet një helikopter ushtarak në Çeki, humb jetën një ushtar

    Rrëzohet një helikopter ushtarak në Çeki, humb jetën një ushtar

    Një helikopter ushtarak u rrëzua sot në një bazë ajrore në Republikën Çeke, ku humbi jetën një ushtar, sipas gazetës TN.cz.

    Helikopteri “UH-1Y Venom” i ushtrisë çeke u rrëzua në bazën e 22-të të forcave ajrore të helikopterëve në qytetin Namest nad Oslavou në rajonin e Vysocinas.

    Pesë ushtarë ishin në bordin e aeroplanit në momentin e rrëzimit.

    “Njësitë e integruara të sistemit të shpëtimit po përgjigjen në vendngjarje. Ne do të japim informacione të mëtejshme sapo të lejojë situata”, tha ushtria.

    “Shërbimet e urgjencës dërguan katër ekuipazhe tokësore dhe një helikopter të ambulancës ajrore nga Jihlava në vendin e rrëzimit”, njoftoi zëdhënësi i shërbimit të shpëtimit Petr Janacek.

    “Një person nuk i mbijetoi përplasjes”, tha Janacek duke shtuar se një tjetër helikopter shpëtimi nga rajoni fqinj Olomouc u dërgua gjithashtu për të ndihmuar. /AA/

  • Rritet fluksi në kufi, deri në një orë pritje në Muçibabë dhe te Dheu i Bardhë

    Rritet fluksi në kufi, deri në një orë pritje në Muçibabë dhe te Dheu i Bardhë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është shtuar fluksi i automjeteve në disa pika kufitare të Kosovës, duke shkaktuar pritje më të gjata për qytetarët.

    Sipas të dhënave të fundit, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikën kufitare të Muçibabës, ku automjetet presin deri në 60 minuta për të hyrë në Kosovë, ndërsa kolona arrin rreth një kilometër.

    Ngarkesë e shtuar është evidentuar edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, ku pritjet në hyrje zgjasin deri në një orë, ndërsa në dalje rreth 25 minuta.

    Në Han të Elezit, pritjet për hyrje janë rreth 15 minuta, ndërsa në dalje qarkullimi zhvillohet më shpejt.

    Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare si Merdarë, Kullë, Jarinjë, Bërnjak, Qafë e Morinës, Vërmicë dhe Stançiq, pritjet mbeten të shkurtra dhe variojnë nga 2 deri në 15 minuta.

    Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që para nisjes të informohen për gjendjen në pikat kufitare, në mënyrë që të shmangin vonesat dhe të zgjedhin itinerarin më të përshtatshëm.

  • Prishtina nis fazën e pestë të dezinsektimit hapësinor më 27 korrik

    Prishtina nis fazën e pestë të dezinsektimit hapësinor më 27 korrik

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se faza e pestë e dezinsektimit hapësinor për vitin 2026 do të fillojë më 27 korrik, nga ora 20:00.

    Sipas njoftimit, aplikimi i larvicideve do të realizohet më 27 dhe 28 korrik, duke filluar nga ora 09:00, sipas planit dinamik të operimit.

    “Faza e pestë e dezinsektimit hapësinor për vitin 2026 fillon më 27 korrik, nga ora 20:00”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

    Po ashtu, komuna ka bërë të ditur se “Aplikimi i larvicideve do të realizohet më 27 dhe 28 korrik, nga ora 09:00, sipas planit dinamik të operimit.”

  • Agim Ademi përkujton Fadil Vokrrin në ditëlindjen e tij: Përjetësisht legjendë

    Agim Ademi përkujton Fadil Vokrrin në ditëlindjen e tij: Përjetësisht legjendë

    Federata e Futbollit e Kosovës dhe presidenti i saj, Agim Ademi, kanë përkujtuar legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, në ditën e lindjes së tij.

    Në postimin e publikuar, FFK e cilëson Vokrrin si një figurë që nuk do të harrohet kurrë, duke theksuar se ai ishte më shumë se një futbollist, pasi mishëroi ëndrrën dhe krenarinë e futbollit të Kosovës.

    “Fadili ishte nga ata njerëz që nuk e shihnin futbollin vetëm si lojë. Për të, futbolli ishte mision, ishte dashuri, ishte një mënyrë për ta ngritur emrin e Kosovës aty ku e meritonte”, thuhet në postim.

    FFK rikujton edhe rolin vendimtar të Vokrrit në krye të federatës, në periudhën kur futbolli i Kosovës u pranua në organizatat ndërkombëtare.

    “Së bashku ndamë sfida, besim dhe një qëllim të përbashkët: ta shihnim futbollin e Kosovës të pranuar në familjen e madhe të futbollit botëror”, thuhet më tej.

    Në fund të mesazhit theksohet se emri dhe vepra e Fadil Vokrrit vazhdojnë të jetojnë përmes stadiumit që mban emrin e tij dhe brezave të rinj që frymëzohen nga rrugëtimi i tij.

    “Fadil Vokrri nuk është vetëm një kujtim. Ai është një frymëzim. Është pjesë e çdo hapi që bën futbolli ynë drejt së ardhmes. Përjetësisht legjendë!”, thuhet në postimin e FFK-së dhe presidentit Agim Ademi.

  • Arrestohet 33-vjeçari nga Ferizaj që dyshohet për vjedhje në Prizren

    Arrestohet 33-vjeçari nga Ferizaj që dyshohet për vjedhje në Prizren

    Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar një person që ka qenë i kërkuar për vjedhje të rëndë.

    Sipas njoftimit, arrestimi i 33-vjeçarit B.A, nga Ferizaj është bërë pasi që ai dyshohet se për së paku dy raste të vjedhjeve në Prizren.

    “Falë bashkëpunimit të zyrtarëve nga të dy stacionet, është arritur të lokalizohet dhe të arrestohet i dyshuari B.A., mashkull rreth 33 vjeç nga Ferizaj”, thuhet në njoftim.

    Sipas policisë, pas intervistimit në prani të avokatit dhe me aktvendim të prokurorit përgjegjës është ndaluar për 48 orë.