ATV

Author: G.O.

  • Erdogan paralajmëron: Konflikti Izrael-Iran mund të sjellë valë migrimi drejt Evropës

    Erdogan paralajmëron: Konflikti Izrael-Iran mund të sjellë valë migrimi drejt Evropës

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar për pasojat e rënda që mund të sjellë konflikti mes Iranit dhe Izraelit, duke theksuar se një përshkallëzim i mëtejmë i situatës mund të shkaktojë një valë të madhe migrimi drejt Evropës.

    Gjatë një bisede me liderin e partisë opozitare gjermane CDU, Friedrich Merz, Erdogan u shpreh se kriza në Lindjen e Mesme nuk është kërcënim vetëm për rajonin, por edhe për kontinentin evropian.

    Sipas Anadolu Agency, Erdogan ka theksuar: “Konflikti mund të shkaktojë një rritje të madhe të migracionit që do të prekte Evropën dhe rajonin.”

    Ai gjithashtu ka paralajmëruar për një tjetër rrezik të mundshëm, duke shtuar: “Spirali i dhunës i nxitur nga sulmet e Izraelit mund të dëmtojë rajonin dhe Evropën, si në aspektin e migrimit, ashtu edhe për mundësinë e rrjedhjes bërthamore.”

    Këto deklarata vijnë në një kohë kur tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë në rritje, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po rrit përpjekjet për të shmangur një konflikt të hapur rajonal me pasoja globale.

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e një nënkoloneli dhe një kapiteni policor

    IPK-ja rekomandon suspendimin e një nënkoloneli dhe një kapiteni policor

    Inspektoratit Policor i Kosovës (IPK) ka filluar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar pas pranimit të informacioneve nga mediat për një rast ku dyshohej se ishin përshirë dy zyrtarë policorë (një nënkolonel dhe një kapiten policor) në Drejtorinë Rajonale të Pejës.

    Sipas njoftimit, hetuesit e IPK menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarre veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë e Shtetit.

    “Pas ndërmarrjes dhe veprime paraprake, dyshohet se dy zyrtarët policorë janë të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftim.

    Sipas IPK-së “Incidenti fillestar raportohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre”.

    Po ashtu sipas IPK-së, nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

    “Hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë (nënkolonelit dhe kapitenit policor) përderisa pritet që në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë të ndërmerren edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim.

  • Policia shpall në kërkim 20-vjeçarin nga Peja, i dyshuar për dhunë në familje dhe përdorim të armës

    Policia shpall në kërkim 20-vjeçarin nga Peja, i dyshuar për dhunë në familje dhe përdorim të armës

    Drejtoria rajonale e policisë në Pejë ka shpallur në kërkim 20-vjeçarin Elton Gjevukaj, nga fshati Bllagajë.

    Konform ligjit, policia ka publikuar fotografinë dhe përshkrimin e të dyshuarit, duke kërkuar nga qytetarët ndihmë për lokalizimin e tij.

    I pandehuri është i kërkuar për veprat penale: “Dhunë nё familje”, “Mbajtje nё pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar tё armëve, “Përdorim i armës apo mjetit tё rrezikshëm”.

    “Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në njoftimin e policisë.

     

  • Gjuha shqipe zyrtarizohet në sistemin arsimor të Nju Jorkut

    Gjuha shqipe zyrtarizohet në sistemin arsimor të Nju Jorkut

    Më 18 qershor 2025, Kancelarja e Arsimit në Nju Jork, Melissa Aviles-Ramos, njoftoi se gjuha shqipe është përfshirë zyrtarisht në listën e gjuhëve të përdorura për komunikimet shkollore nga Departamenti i Arsimit të Qytetit, shkruan Gazeta Sinjali.

    Nga rreth 180 gjuhë që fliten në Nju Jork, deri tani vetëm 10 ishin pjesë e komunikimeve zyrtare në shkollat publike, ndërsa me vendimin e fundit, ky numër është rritur në 13, duke përfshirë edhe shqipen.

    Kjo nismë do të lehtësojë ndjeshëm përfshirjen e familjeve shqiptare në jetën arsimore të fëmijëve të tyre, pasi çdo dokument, njoftim apo informacion i rëndësishëm do të jetë në gjuhën shqipe.

    Prej vitesh, shumë prindër shqiptarë hasën vështirësi për shkak të barrierave gjuhësore, por tani do të mund të marrin pjesë më aktivisht dhe me vetëbesim në procesin arsimor.

    Kjo përfshirje gjithashtu do të ndihmojë nxënësit shqiptarë që të ndihen të përfshirë dhe të përparojnë më mirë akademikisht dhe emocionalisht.

    Përveç këtij vendimi, pak muaj më parë në Nju Jork u hap edhe një klasë e parë dygjuhëshe shqip-anglisht, duke forcuar mundësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe avancimit akademik.

  • Rusia: Nëse ShBA-ja përdor armë bërthamore në Iran do të ishte katastrofike

    Rusia: Nëse ShBA-ja përdor armë bërthamore në Iran do të ishte katastrofike

    Përdorimi i mundshëm i armëve taktike bërthamore nga Shtetet e Bashkuara në Iran do të ishte një zhvillim katastrofik.

    Kështu tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ruse, Tass.

    Peskov komentoi ato që i cilësoi si raportime spekulative mediale lidhur mundësinë e përdorimit të armëve të tilla. Por, zëdhënësi i Kremlinit nuk përmendi se cilat media kanë raportuar për këtë gjë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Gazeta The Guardian ka raportuar se zyrtarët amerikanë të mbrojtjes janë informuar se përdorimi i bombave konvencionale kundër ndërtesës nëntokësore për pasurimin e uraniumit Fordo në Iran, nuk do të mjaftonte për ta shkatërruar plotësisht këtë impiant. Sipas gazetës, për shkatërrimin e këtij centrali do të kërkohej që të kryheshin sulme, fillimisht me bomba konvencionale, e më pas bombarduesit B-2 do të mund të lëshonin armë taktike bërthamore.

    Megjithatë, gazeta britanike tha se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk po e shqyrton përdorimin e një arme taktike bërthamore në Fordo dhe se kjo mundësi nuk është paraqitur nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Dan Caine, gjatë takimeve në Shtëpinë e Bardhë.

    Trump tha të enjten se çdo vendim për përfshirjen e mundshme të SHBA-së në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit do të merret brenda dy javësh.

    Rusia, e cila ka lidhje të ngushta me Iranin, ka paralajmëruar ashpër kundër një ndërhyrjeje ushtarake të SHBA-së në anën e Izraelit./REL

  • Furnizimi energjetik në rrezik – KESCO bën thirrje për kursim

    Furnizimi energjetik në rrezik – KESCO bën thirrje për kursim

    KESCO njofton se është informuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë nesër dhe në ditët në vijim. Në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit.

    Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem.

    Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar.

    Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike.

    Çdo kilovat-orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne.

  • David Lammy arrin në Gjenevë për bisedimet urgjente me Iranin

    David Lammy arrin në Gjenevë për bisedimet urgjente me Iranin

    Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ka mbërritur në Gjenevë për të marrë pjesë në bisedimet e planifikuara sot mes ministrave të jashtëm evropianë dhe homologut iranian, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në një deklaratë paraprake, Lammy theksoi urgjencën e procesit diplomatik: “Një dritare ekziston për dy javët e ardhshme për të arritur një zgjidhje diplomatike”, raporton BBC.

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka caktuar një afat prej dy javësh për të vendosur nëse SHBA do t’i bashkohet sulmeve izraelite kundër Iranit.

    Udhëheqësit evropianë shpresojnë të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit përmes një marrëveshjeje diplomatike brenda kësaj kohe.

  • Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve mban protestë sot në Prishtinë

    Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve mban protestë sot në Prishtinë

    Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve do të organizojë sot një protestë përballë institucioneve komunale të Prishtinës, duke kundërshtuar keqmenaxhimin e parasë publike dhe trajtim të paligjshëm të qenve endacakë.

    Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta do të fillojë në ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë drejt objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës.

  • Shtatë të plagosur nga sulmi me raketa iraniane në Izrael

    Shtatë të plagosur nga sulmi me raketa iraniane në Izrael

    Zyrtarët e shëndetësisë në Izrael njoftuan se shtatë persona u plagosën në sulmin me raketa iraniane gjatë natës në qytetin Beersheba.

    Një zëdhënës i qendrës mjekësore Soroka bëri të ditur se të plagosurit u evakuan dhe po marrin trajtim nga ekipi i shërbimeve të urgjencës mjekësore.

    Ai tha se lëndimet janë shkaktuar kryesisht gjatë tentativës për t’u strehuar në zonat e mbrojtura dhe nga impakti i raketave. Shërbimet mjekësore vazhdojnë të reagojnë ndaj rasteve emergjente në zonë.

  • KRU “Prishtina” nis aksionin për shkyçjen e borxhlinjve

    KRU “Prishtina” nis aksionin për shkyçjen e borxhlinjve

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka nisur aksionin për shkyçjen e konsumatorëve që kanë borxhe të akumuluara mbi shumën prej 3,000 euro.

    Aksioni ka filluar në rrugën “Nikollë Ivanaj” në Prishtinë, ku disa familje janë përballur me ndërprerjen e menjëhershme të furnizimit me ujë.

    Në njoftimin për media, kompania thekson se nuk do të ketë tolerim për borxhet e mëdha.

    KRU “Prishtina” paralajmëron se aksioni do të shtrihet edhe në lagje të tjera në ditët në vazhdim, ndërsa u bën thirrje konsumatorëve të kryejnë obligimet për të shmangur masa të tilla.