Para nisjes së seancës për konstituimin e Kuvendit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për manipulim politik dhe mbajtje peng të vendit.
Ai tha se situata aktuale është pasojë e mashtrimeve dhe mungesës së përgjegjësisë nga Kurti, duke shtuar se “gjithë ne tjerët jemi peng i tij” dhe se takimet politike janë “vetëm hajgare”.
“Për fat të keq jemi duke paguar çmimin se i kemi besuar një mashtruesi. Për mua nuk është befasi, ju e dini vlerësimin tim për të, por edhe kjo situatë duhet të marrë fund diku – mashtruesi s’mundet pa kufi që të tallet me një vend. Gjithë ne tjerët jemi peng i tij,” tha Haradinaj.
Sindikata e Punëtorëve të Kompanisë “Pastrimi” ka njoftuar se kamionët që ishin parkuar pranë objektit të Komunës së Prishtinës do të largohen, ndërsa greva do të vazhdojë.
Ata kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme, sipas të cilit, faturat për shërbimet e mbeturinave duhet të paguhen drejtpërdrejt kompanisë “Pastrimi” dhe jo përmes operatorëve privatë. Sindikata po kërkon që Komuna t’i kthej sa më parë mjetet e inkasuara.
Pas aktgjykimit të Supremes, sindikalistët kanë paraqitur një sërë kërkesash drejtuar Komunës së Prishtinës, që përfshijnë:
“Të kthehen të gjitha mjetet financiare të inkasuara në mënyrë të paligjshme deri më tani nga Komuna e Prishtinës, në afatin sa më të shpejt që ne të fillojmë mbledhjen e mbeturinave.
Të bëhet një dalje publike në media nga autoritetet përkatëse të Komunës, të bëhet thirrje se faturimi dhe pagesat duhet të kryhen ekskluzivisht përmes KRM Pastrimi.
Të largohen plotësisht operatorët privat nga operimi i mbledhjes së mbeturinave dhe të fillojë zbatimi i plotë i rregullores në fuqi.
Të ndalet çdo keqinterpretim nga ana e autoriteteve të komunës, pasi çdo veprim jashtë Aktgjykimit është i jashtëligjshëm dhe cenon të drejtat e 900 punëtorëve, të cilët rrezikojnë të mbesin pa punë.
Të ketë një qasje më konstruktive dhe bashkëpunuese në të ardhmen, duke garantuar që Sindikata të jetë e informuar dhe e përfshirë në të gjitha vendimet që ndikojnë në të drejtat e punëtorëve.”
Në prag të festës së Kurban Bajramit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje qytetarëve që therjen e kurbanëve ta kryejnë vetëm në thertore të licencuara, duke theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit dhe mbrojtjes së shëndetit publik.
“Therjet rituale për festën e Kurban Bajramit, por edhe therjet e rëndomta duhet të realizohen vetëm në thertoret e aprovuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Andaj të nderuar qytetarë të besimit islam, me rastin e festës se ‘’Kurban Bajrami’’ e cila festohet me datë 6 Qershore e Premte. Në frymën e respektimit të ligjit dhe ruajtjes së shëndetit publik, ju kërkojmë që therjen e kurbaneve ta bëni vetëm në objektet e thertoreve. Therja jashtë këtyre objekteve, përveçse se përbën shkelje ligjore, ajo rrezikon shëndetin e përgjithshëm publik. Tani që po mbretërojnë temperatura të larta, rritet rreziku i kontaminimit të produkteve që i ekspozohen të nxehtit”, thuhet në njoftim.
Sipas AUV-it, thertoret e licencuara janë nën mbikëqyrje shtetërore dhe ofrojnë kushte të plota për sigurinë ushqimore.
“Objektet e thertoreve, përveçse janë nën mbikëqyrje të autoritetit shtetëror. Aty secila kafshë i nënshtrohet kontrollit para therjes, gjatë procesit të therjes dhe pas therjes. Objektet posedojnë frigoriferë, kushte teknike sanitare dhe higjienike. Në të gjithë vendin ka thertore për therjen e kafshëve, të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e qytetarëve. Festoni sigurt dhe shëndetshëm.”.
Një rast i murtajës së bagëtive të imta është konfirmuar në një fermë të dhive në fshatin Postribë të Shkodrës.
Autoritetet kanë vendosur në karantinë fermën dhe kanë nisur eliminimin e bagëtive të infektuara.
Drejtori i Shërbimit Veterinar, Sulejman Kullolli, tha se janë vendosur masa të menjëhershme për të ndaluar përhapjen e sëmundjes, përfshirë ndalimin e lëvizjes së kafshëve në Shkodër dhe Malësinë e Madhe.
Zona përreth është izoluar në rreze prej 3 dhe 10 kilometrash.
Ai sqaroi se mishi dhe qumështi i kësaj ferme nuk kanë dalë në treg, ndërsa alarmi për një rast tjetër ka rezultuar i pavërtetë.
Kullolli siguroi se sëmundja nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk përbën rrezik për shëndetin publik.
Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s janë mbledhur sot në Bruksel për të vendosur mbi objektivat e reja të kapaciteteve ushtarake. Takimi u cilësua si vendimtar nga shefi i aleancës, Mark Rutte, i cili theksoi nevojën për “investime të mëdha” në mbrojtje ajrore, raketa me rreze të gjatë dhe struktura komandimi.
Në fjalën e tij, Rutte tha se vendet duhet të përgatiten për çdo skenar, duke sinjalizuar një plan të ri investimesh në mbrojtje që do të prezantohet së shpejti në Hagë. Ai shtoi se vendimet e sotme do të ndihmojnë në mbylljen e boshllëqeve që ka NATO në kapacitete reale ushtarake.
Në të njëjtën linjë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, bëri thirrje që secili shtet të kontribuojë me të paktën 5% për mbrojtjen, duke theksuar se siguria kolektive nuk mund të mbështetet vetëm te SHBA-ja.
Ndërkohë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, paralajmëroi se Gjermanisë do t’i duhen deri në 60 mijë ushtarë shtesë për të përmbushur këto objektiva të reja. Ai theksoi se vendi duhet të shqyrtojë seriozisht rikthimin e shërbimit ushtarak për të garantuar një forcë të mjaftueshme në vitet që vijnë.
Në një zonë malore të bukur të Anamoravës, pikërisht në fshatin Lubishtë të komunës së Vitisë, buron një nga ujërat më të pastër natyrorë në Kosovë, uji i Lubishtës.
Ky ujë del nga thellësitë e tokës në një lartësi mbidetare prej 1200 metrash dhe mbart me vete një histori që lidhet ngushtë me natyrën, pastërtinë dhe potencialin e resurseve të brendshme të vendit.
Përveç aspektit të cilësisë, Uji i Lubishtës është edhe simbol i përkushtimit komunitar. Në vendin ku buron uji, vizitorët mund të mbushin bidonët e tyre pa pagesë, ndërsa për ata që kanë mundësi financiare, çmimi është vetëm 1 cent për litër. Kjo praktikë reflekton frymën e solidaritetit dhe humanizmit që e karakterizon këtë nismë.
Uji i Lubishtës është tashmë i njohur edhe jashtë kufijve vendorë, me ambicie që të pozicionohet si markë premium në tregun ndërkombëtar të ujit. Me cilësinë e tij të dëshmuar dhe historinë e fortë lokale pas vetes, ky burim natyror po kthehet në një prej simboleve më pozitive të Anamoravës.
Komuna e Prishtinës ka filluar vendosjen e semaforëve në rrugët e lagjeve të ndryshme të qytetit, një projekt ky që vjen si rezultat i kërkesave të shumta nga banorët dhe Këshilli Lokal i Qendrës. Kjo iniciativë synon të rrisë sigurinë në komunikacion, sidomos në zonat e frekuentuara nga këmbësorët dhe nxënësit shkollorë. Rrugët e brendshme të lagjeve, që shpeshherë ishin të pambrojtura nga ndonjë sistem kontrolli të trafikut, tashmë do të kenë një qasje më të rregulluar dhe të sigurt.
Sadudin Hasani, përfaqësues nga Këshilli Lokal i Qendrës, ka theksuar rëndësinë që ka pasur ky projekt për komunitetin lokal. Sipas tij, semaforët ishin një kërkesë e kahmotshme e banorëve, veçanërisht në ato pjesë ku ndodhin shpesh aksidente apo ka lëvizje të dendur gjatë orëve të pikut.
Ai gjithashtu ka nënvizuar se bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës ka qenë i frytshëm dhe efektiv, pasi kanë shprehur shqetësimet dhe propozimet e tyre.
Sipas komunës së Prishtinës, vendosja e semaforëve po bëhet në disa pika kyçe të lagjeve, përfshirë afër shkollave, qendrave shëndetësore dhe rrugëve të ngarkuara me trafik. Ky projekt parashihet të përfshijë edhe vendosjen e shenjave sinjalizuese shtesë dhe përmirësimin e infrastrukturës për këmbësorët. Banorët kanë mirëpritur këtë hap dhe shpresojnë se do të ndikojë pozitivisht në uljen e aksidenteve dhe në krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë.
Nëse Antarktida do të mbetej pa akull, do të shfaqej një peizazh dramatik dhe të papritur për syrin e njeriut. Përkundër imazhit të zakonshëm të një kontinenti të ngrirë, do të shihnim një masë të madhe toke me male të larta, luginat e thella dhe kanione të fshehura.
Antarktida pa akull do të ishte një kontinent i mbushur me male të larta, lugina dhe kanione të thella, duke ofruar një pamje të papritur dhe të jashtëzakonshme për syrin e njeriut. Ky skenar është i mundur vetëm nëse të gjithë akulli shkrihet, një proces që do të kishte pasoja të rënda për nivelin e deteve dhe ekosistemet globale.
Antarktida, ndryshe nga Arktiku që përbëhet kryesisht nga akull detar, mbështetet mbi një masë të fortë shkëmbore kontinentale. Por për shkak të një shtrese akulli me një trashësi mesatare prej mbi 2,100 metrash, ajo ka mbetur e fshehur nga syri i njeriut deri tani. Kjo përpjekje kolosale është ndërtuar mbi më shumë se 82 milionë pika të dhënash, të mbledhura gjatë 60 viteve nga satelitë, avionë, anije dhe ekspedita tokësore – madje edhe nga sajat e qenve.
‘Bedmap3’ përmirëson ndjeshëm përpjekjet e mëparshme duke përdorur më shumë se dyfishin e të dhënave sesa versioni i mëparshëm. Për hartimin janë përdorur teknika të avancuara si radarë përmes akullit, matje të gravitetit dhe valë sizmike reflektuese.
Rezultati? Një hartë 3D me një rezolucion mbresëlënës prej 500 metrash, që zbulon me saktësi forma të thella të relievit të kontinentit: male të mprehta, lugina të fshehura dhe struktura që nuk janë parë kurrë më parë.
Antarktida Lindore, një nga rajonet më të panjohura të kontinentit për shkak të kushteve ekstreme dhe izolimit, është veçanërisht e detajuar në këtë hartë.
Sipas studiuesve, Bedmap3 do të jetë thelbësore për të kuptuar se si do të reagojë shtresa e akullit ndaj ndryshimeve klimatike.
“Ky është informacion kyç që mbështet modelet kompjuterike që përdorim për të studiuar rrjedhën e akullit ndërsa temperaturat rriten,”, shpjegon Dr. Hamish Pritchard, glaciolog në BAS dhe autor kryesor i studimit.
Ai e krahasoi sjelljen e akullit me derdhjen e një shurupi mbi një tortë me reliev të pabarabartë, ku forma e sipërfaqes përcakton drejtimin dhe shpejtësinë e rrjedhjes.
Ndërsa planeti vazhdon të ngrohet, rritja e nivelit të deteve dhe shkrirja e akullnajave janë ndër shqetësimet më të mëdha klimatike.
Njohja e strukturës së terrenit nën Antarktidë është thelbësore për të parashikuar se ku dhe sa shpejt do të shkrijë akulli.
‘Bedmap3’ nuk është thjesht një arritje teknologjike, është një mjet jetik për të kuptuar të ardhmen e planetit tonë.
Shqyrtimi gjyqësor në rastin “Banjska”, kundër të pandehurve B.S., V.T. dhe D.M., të akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste dhe veprën penale” dhe “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, është caktuar të mbahet më 9 qershor në orën 09:30.
“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, është caktuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor në çështjen penale të njohur si rasti “Banjska”, kundër të pandehurve B.S., V.T. dhe D.M., të akuzuar sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës PPS.nr.75/2023 të datës 11.09.2024, për shkak të veprës penale Kryerja e veprës terroriste dhe veprën penale Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, me datë 09 qershor 2025 në ora 09.30”, thuhet në njoftim.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.Që të tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Milan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.Muajin e kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka lëshuar letër rreshtime ndërkombëtare për 42 të akuzuarit për rastin “Banjska”, që janë në arrati.Letër rreshtimet janë lëshuar për për sigurimin e prezencës së këtyre të pandehurve në procedurë, “andaj pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre, me qëllim të zhvillimit të procedurës penale ndaj tyre”.“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ndaj dyzet e dy (42) të pandehurve të tjerë, të cilët janë akuzuar me Aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka lëshuar letër rreshtime ndërkombëtar për sigurimin e prezencës së këtyre të pandehurve në procedurë, andaj pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre, me qëllim të zhvillimit të procedurës penale ndaj tyre”, ishte bërë e ditur në njoftim.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka bërë të ditur se bizneset së bashku me punëtorët do të protestojnë të mërkurën, më 11 qershor, nëse Qeveria nuk reflekton ndaj vendimit për daljen në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Në një konferencë për media pas takimit me përfaqësues të bizneseve, Rafuna theksoi se kërkesa kryesore është sigurimi i një faze tranzicioni përpara hyrjes në tregun e lirë.
“Takimin që e kishim me bizneset të cilat janë të prekur nga dalja në treg të lirë të energjisë, një pjesë e tyre ishin prezent, u pajtuam që t’i bëjmë thirrje qeverisë që të reflektojë, të na jepet mundësia e një faze të tranzicionit që kemi kërku më herët, të përgatitet tregu, të përgatitet një paketë që e përcjell gjatë kësaj faze të tranzicionit për të dalë në treg të lirë dhe biznesi të kalojë në tregun e lirë në datën që do të dakordohemi të gjithë bashkë. Në rast se nuk do të ketë reflektim, atëherë bizneset bashkë me punëtorët ditën e mërkurë do të dalim në shesh në orën 12:00 për ta shpreh pakënaqësinë që e kemi lidhur me këtë vendim dhe për mos reflektimin e qeverisë së Kosovës”, tha Rafuna.
Ai kërkoi nga institucionet që të respektojnë kërkesën e komunitetit të biznesit dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës.
“Për këtë arsye, në emër të bizneseve kërkoj nga Qeveria e Kosovës që të respektojë pjesën e tranzicionit për shkak të rrethanave dhe kushteve ku jemi, dhe ta gjejmë një zgjidhje që ta menaxhojmë sa më mirë dhe të mos ketë nevojë që bizneset të dalin në shesh për të protestuar”, shtoi ai.
Përfaqësues të bizneseve kanë alarmuar për pasoja serioze në sektorin prodhues, duke theksuar se shumë fabrika po konsiderojnë mbylljen për shkak të pamundësisë për të përballuar çmimet e larta të energjisë.
Në takim, disa biznese kanë ngritur shqetësimin se po përballen me kërcënime nga KEK për ndërprerje të energjisë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se ndikimi është i gjerë dhe prek mijëra kompani dhe punëtorë.
“Kjo është kërkesë e komunitetit të biznesit, të kompanive 1 mijë e 300 që janë prekur. Mbi 143 mijë punëtorë dhe kjo është kërkesë që ditën e mërkurë me datë 11 qershor në orën 11 të protestojmë në qendër të Prishtinës me pronarët dhe punëtorët e kompanive. Që edhe në këtë formë ne të tregojmë se jemi goditur thellë. Bizneset, prodhuesit, shërbyesit nuk po mund ta përballojnë këtë shtrenjtim të energjisë elektrike”, tha Shahini.
Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, përmendi rastet konkrete të ndikimit negativ nga liberalizimi i tregut të energjisë.
“Të gjithë prej nesh jemi të informuar për rastet e dy fabrikave që janë në pronësi të investitorëve të huaj ose të cilat janë kapital të përzier vendor dhe të huaj. Po flasim për 300 punëtorë në njërën prej komunave më të varfra në Kosovë që kanë mbetur pa punë… Gjatë javës së kaluar kur ne kishim një takim të tillë në Këshillin Kombëtar të Ekonomisë dhe Investimeve ishte sjellur njëra prej kompanive që vite më parë ka kaluar në tregun liberal. Ne kemi kërkuar që aty të jetë Feronikeli. Meqë Feronikeli e ka mbyllur edhe furrën e saj të fundit para rreth një muaji. Shembulli i Feronikelit është shembulli më konkret se cili është ndikimi i liberalizimit të tregut të papërgatitur të energjisë elektrike. Tregu në aspektin e furnizimit nuk ka qenë i përgatitur dhe këtu nuk ka asgjë prej neve që mund të bëjmë. Është ZRrE-ja që është dashur të sigurohet para vendimit se tregu është funksional”, tha Zeka.