ATV

Author: G.O.

  • Arrestohet një burrë në Gjilan për keqpërdorim seksual të fëmijëve

    Arrestohet një burrë në Gjilan për keqpërdorim seksual të fëmijëve

    Një person është arrestuar në Gjilan, nën dyshimin se përmes rrjeteve sociale në mënyrë të vazhdueshme ka shpërndarë materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve.

    Pas intervistimit, policia bëri të ditur se me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar i cili përmes rrjeteve sociale në mënyrë të vazhdueshëm ka shkarkuar dhe shpërndarë materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Limaj: Është koha që qytetarët të shikojnë kujt po ia japin besimin

    Limaj: Është koha që qytetarët të shikojnë kujt po ia japin besimin

    Në prag të seancës së 35-të të Kuvendit të Kosovës, që është thirrur për të njëjtin qëllim – konstituimin e institucioneve – ka reaguar edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

    Përmes një deklarate për media, Limaj ka shprehur shqetësim të thellë për situatën politike në vend, duke kritikuar ngecjet e vazhdueshme për krijimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera pas zgjedhjeve.

    “Kjo është e habitshme çka po ndodh. Me u zgjedh, me kërku me bo vendin më mirë, e me bë tërë atë fushatë, me garu kush është më patriot, e me ta dhënë populli besimin, e mos me qenë në gjendje me u ul grupet politike me ndërtu qeveri, parlament e institucione – në kohën kur bota është trazuar, në krizë ekonomike të madhe,” u shpreh Limaj.

    Ai tha se situata e tanishme nuk mund të vazhdojë pa pasoja dhe kërkoi një reflektim të përgjithshëm.

    “Në krejt këtë situatë, apeli im te qytetarët është: shikoni kujt po ia jepni besimin. Është koha me adresu përgjegjësinë,” shtoi ai

  • Bllokohet qarkullimi në autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova” për shkak të garave çiklistike

    Bllokohet qarkullimi në autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova” për shkak të garave çiklistike

    Edhe këtë të shtunë, qarkullimi në disa segmente rrugore do të jetë i bllokuar përkohësisht për shkak të garave çiklistike të organizuara nga Federata e Çiklizmit e Kosovës, në kuadër të Kampionatit të Kosovës.

    Sipas njoftimit zyrtar, sot nga ora 09:00 deri në 16:00, do të ketë mbyllje të përkohshme të autostradës “Arbën Xhaferi” në relacionin hyrje/dalja Bibaj – Babush – Lipjan – Prishtinë (Uglar) – Bresje – rruga nacionale N9 deri në Gjergjicë. Po ashtu, do të bllokohet edhe një segment i autostradës “Ibrahim Rugova”, konkretisht Malishevë – Duhël dhe anasjelltas.

    Këto segmente rrugore kanë qenë të mbyllura përkohësisht edhe gjatë së premtes, me qëllim të garantimit të sigurisë së garuesve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

    Çiklistët po garojnë në kuadër të aktivitetit më të madh të këtij viti në këtë sport – Kampionatin e Kosovës – që po zhvillohet në disa etapa dhe me pjesëmarrje të garuesve nga gjithë vendi.

  • Bllokada në Kuvend, Gashi: Është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij ta zhbllokojnë situatën

    Bllokada në Kuvend, Gashi: Është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij ta zhbllokojnë situatën

    Para nisjes së seancës së radhës për përpjekjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka hedhur kritika ndaj partisë në pushtet dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për moszgjidhjen e ngërçit institucional që ka bllokuar jetësimin e institucioneve të reja.

    Sipas tij, përgjegjësia për situatën aktuale i takon Vetëvendosjes dhe liderit të saj, të cilët, siç theksoi ai, duhet të ofrojnë një zgjidhje për të dalë nga bllokada politike.

    “Është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij që të konstituohet Kuvendi. Fatkeqësisht është turp ajo që po ndodh, bota po kallet flakë, derisa ne po zihemi mes veti se kush çfarë pozite merr. Duhet t’i vijë fundi kësaj situate të papranueshme”, deklaroi Gashi para gazetarëve në Kuvend.

    I pyetur rreth komenteve të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kishte përmendur se nga LVV janë dërguar persona për të diskutuar rreth një marrëveshjeje për koalicion, Gashi tha se nuk ka dijeni për këto deklarata.

    “Nuk e kam parë dhe nuk e di çfarë ka deklaruar kryetari im”, u shpreh shkurt Gashi.

  • Ndërtimi i dy urave mbi lumin Ibër në Mitrovicë, BE-ja thotë se nuk është në dijeni për këtë projekt

    Ndërtimi i dy urave mbi lumin Ibër në Mitrovicë, BE-ja thotë se nuk është në dijeni për këtë projekt

    Bashkimi Evropian ka reaguar pas publikimit të planit për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke kërkuar përfshirje të të gjitha komuniteteve të prekura në çdo vendimmarrje që lidhet me këtë çështje.

    Reagimi i Bashkimit Evropian erdhi pas prezantimit të projektit nga qeveria e Kosovës dhe komunave të Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut, në kuadër të një memorandumi të nënshkruar për përmirësimin e infrastrukturës urbane në qytet.

    Një zëdhënësi i Bashkimit Evropian i tha Radio Evropës së Lirë, se Bashkimi Evropian nuk është në dijeni të këtij projekti dhe as nuk është e përfshirë në të.

    Në të kaluarën, BE-ja ka theksuar se çështja e urës mbi Ibër është pjesë e dialogut Kosovë–Serbi, prandaj çdo vendim duhet të merret në kuadër të atij procesi me përfshirjen e të dy palëve.

  • KEK: Nuk ka kolaps të prodhimit të rrymës

    KEK: Nuk ka kolaps të prodhimit të rrymës

    Korporata Energjetike e Kosovës ka mohuar raportimet për kolaps të prodhimit të energjisë elektrike.

    KEK-u ka konfirmuar për ATV-në se njësitë A3 dhe B1 kanë prodhuar rreth 390 megavatë për orë rrymë, mirëpo vetëm nuk është bërë nominimi për furnizim, “për shkak të pasigurisë së lartë teknike dhe kushteve që e bënin rikthimin e njësisë A3 pothuajse të pamundur”.

    Furnizuesi KESCO gjatë ditës alarmoi se nesër dhe ditët në vijim, në rastin më ekstrem, e gjithë sasia e energjisë për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit. Ndërsa bëri thirrje për kursim të rrymës.

    Sipas KEK-ut, nesër në mëngjes duhet të ndalet prodhimi në B1, pasi ka rrjedhje të ujit. Rikthimi i saj planifikohet brenda 48 orëve.

    Megjithatë, edhe me këtë sasi të energjisë që e ofron KEK-u, ka nevojë për import për ta mbuluar konsumin.

  • Haradinaj thotë se kolapsi energjetik është i qëllimshëm: Kurti të japë përgjegjësi

    Haradinaj thotë se kolapsi energjetik është i qëllimshëm: Kurti të japë përgjegjësi

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pasi KESCO njoftoi se nga nesër do ta blejë pothuaj të gjithë rrymën që nevojiten për konsumatorët pasi KEK është në kolaps.

    “Kosova sot flen në thëngjill e s’ka energji.

    Sot ranë të gjitha blloqet, aktualisht ka zero prodhim të energjisë elektrike nga KEK. Kjo nuk është rastësi, është rezultat i një kolapsi të qëllimshëm, i diktuar nga direktiva politike dhe i ushqyer nga pazaret e tuxharëve të mafisë energjetike, të cilët sot kontrollojnë tregtinë me rrymë”, ka shkruar Haradinaj.

    “Të njëjtët që sot i lanë qytetarët pa energji, dikur krenoheshin se e kishin ndalur ndërtimin e Termocentralit Kosova C dhe se kishin refuzuar gazsjellësin amerikan. I ndalën projektet strategjike për shtetin, për të hapur rrugën e abuzimit dhe të pasurimit për një grusht njerëzish të lidhur me qeverinë” ka thënë tutje ai.

    Haradinaj ka thënë se pushteti po hetohet, por tashmë ka theksuar se përgjegjësit dihen.

    “Prokuroria dhe do të hetojë dhe gjejë gjithçka, por një dihet; se ky është krim që i është bërë këtij vendi dhe askush nuk duhet të shkojë në përgjegjësi para Kryeministrit në detyrë”, ka thënë ai.

    LEXONI EDHE:

    Hoti: Kriza energjetike po dëmton rëndë ekonominë

  • Hoti: Kriza energjetike po dëmton rëndë ekonominë

    Hoti: Kriza energjetike po dëmton rëndë ekonominë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar mosveprimin institucional përballë krizës energjetike në vend, duke paralajmëruar pasoja të mëdha për prodhuesit kosovarë.

    Ai tha se mungesa e energjisë dhe çmimet e larta po e dëmtojnë ekonominë, ndërsa tenderët për rregullimin e termocentraleve po vonohen me vite.

    Sipas tij, anulimi i projektit për centralin me gaz dhe mungesa e kushteve për tregun e hapur energjetik, rrezikojnë mbylljen e bizneseve dhe humbjen e mijëra vendeve të punës.

    LEXONII EDHE:

    Furnizimi energjetik në rrezik – KESCO bën thirrje për kursim

  • Osmani: Refugjatët nuk janë numra, por janë histori mbijetese, force dhe shprese

    Osmani: Refugjatët nuk janë numra, por janë histori mbijetese, force dhe shprese

    Në Ditën Botërore të Refugjatëve, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar përvojën e saj personale si refugjate, duke thënë se refugjatët nuk janë numra, por histori të mbijetesës dhe forcës.

    Osmani ka shkruar se përvoja e të qenit refugjat është ende e freskët në kujtesën e popullit të Kosovës, që përjetoi dëbimin masiv nga shtëpitë gjatë luftës së fundit.

    “Refugjatët nuk janë numra. Ata janë histori mbijetese, force dhe shprese. Edhe unë isha refugjate, ashtu si shumica dërrmuese e popullit të Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë tona përmes veprimeve gjenocidale të Millosheviqit.”

    Presidentja shtoi se kjo ditë është kujtesë se askush nuk zgjedh të jetë refugjat, por çdokush mund të bëhet i tillë.

    “Në Ditën Botërore të Refugjatëve, duhet t’i kujtojmë vetes se askush nuk dëshiron të jetë refugjat, por kushdo mund të bëhet i tillë.”

    “Ne kujtojmë se çfarë do të thotë të humbasësh shtëpinë, sigurinë, zërin tënd. Ne betohemi të mos harrojmë kurrë”, shkroi Osmani.

  • Provimi i Maturës Shtetërore mbahet nesër – MAShTI del me njoftim për maturantët

    Provimi i Maturës Shtetërore mbahet nesër – MAShTI del me njoftim për maturantët

    Nesër, më 21 qershor 2025, me fillim nga ora 10:00, do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore në të gjitha komunat e vendit. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), duke njoftuar se në këtë provim do të marrin pjesë 18.800 maturantë nga i gjithë vendi.

    MAShTI ka siguruar se janë ndërmarrë të gjitha masat për një proces të qetë dhe korrekt, përfshirë angazhimin e trupave mbikëqyrës, ekspertëve të IT-së dhe ekipeve lëvizëse, që do të monitorojnë vazhdimisht rrjedhën e testimit.

    Në njoftim, MAShTI i ka bërë thirrje maturantëve që të respektojnë rregullat e përcaktuara – veçanërisht ndalimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera elektronike brenda qendrave të testimit. Ata që do të tentojnë të hyjnë me pajisje të tilla nuk do të lejohen të marrin pjesë në provim.

    Gjithashtu, MAShTI ka bërë të ditur se hyrja në qendrat e testimit do të mbyllet në ora 10:00, dhe pas kësaj ore nuk do të lejohet hyrja e asnjë personi të paautorizuar deri në përfundimin e testit.

    “Çdo përpjekje për të dëmtuar apo shkelur rregullat e përcaktuara do të trajtohet me masa të menjëhershme ligjore,” thuhet në njoftim në Facebook.

    Rezultatet e provimit pritet të publikohen më së largu deri më 30 qershor 2025, ndërsa MAShTI ka uruar të gjithë maturantët për sukses në këtë fazë të rëndësishme të arsimit.