ATV

Author: G.O.

  • Të paktën 21 persona vriten në Gaza derisa po prisnin për ndihma

    Të paktën 21 persona vriten në Gaza derisa po prisnin për ndihma

    Agjencia e Mbrojtjes Civile të Gazës raportoi se forcat izraelite kanë vrarë të paktën 21 persona dhe plagosur rreth 150 të tjerë të martën, pas një sulmi ndaj grumbullimeve të qytetarëve që prisnin ndihmë në një pikë shpërndarjeje në qendër të Rripit të Gazës.

    Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmud Basal, i tha AFP-së se sulmi u krye me plumba dhe predha tankesh nga forcat izraelite, duke shënjestruar grupet e qytetarëve.

    Ngjarja ndodhi në orët e para të së martës, kur qytetarët ishin të mbledhur për të pranuar ndihmën humanitare, ndërkohë që situata e sigurisë në Gaza ka qenë gjithnjë e më e tensionuar.

    Pavarësisht presionit ndërkombëtar për ndihmën humanitare, dhuna ka vazhduar në këtë rajon, duke sjellë viktima të pafajshme dhe duke përkeqësuar krizën e rëndë që po kalon populli palestinez.

    Ky sulm ka ngjallur reagime të ashpra nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe nga vendet e tjera që kërkojnë ndalimin e dhunës dhe mbrojtjen e jetës së civilëve.

  • Izraeli konfirmon armëpushimin

    Izraeli konfirmon armëpushimin

    Qeveria e Izraelit ka deklaruar se është pajtuar me propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për armëpushim me Iranin.

    Në një deklaratë thuhet se: “Izraeli do të përgjigjet fuqishëm nëse armëpushimi prishet”.

    Qeveria izraelite ka thënë se është pajtuar me propozimin e armëpushimit pasi ka arritur “objektivat” e sulmeve në Iran.

    Sipas deklaratës, Izraeli ka hequr “kërcënimin e dyfishtë ekzistencial” të Iranit nga armët bërthamore dhe raketat balistike.

    Gjithashtu thuhet se Izraeli “i ka shkaktuar dëme të rënda udhëheqjes ushtarake dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë iraniane”.

    Deklarata vazhdon duke thënë se forcat izraelite, në ditën e fundit, kanë “goditur rëndë objektiva qeveritare në zemër të Teheranit, duke eliminuar qindra operativë të Basij” – një milici që qeveria iraniane shpesh e përdor për të shtypur protestat – dhe duke “eliminuar një tjetër shkencëtar të lartë bërthamor’.

    “Izraeli falënderon Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në mbrojtje dhe pjesëmarrjen e tyre në eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian”, shton deklarata.

    LEXONI EDHE:

    Trump: Izraeli dhe Irani u pajtuan për armëpushim

  • Trump: Izraeli dhe Irani u pajtuan për armëpushim

    Trump: Izraeli dhe Irani u pajtuan për armëpushim

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Izraeli dhe Irani janë pajtuar për një armëpushim “të kompletuar”.

    Përmes një postimi në rrjete sociale, Trump ka thënë se armëpushimi do të nisë “përafërsisht gjashtë orë prej tani”, pasi secili shtet t’i ketë kryer operacionet ushtarake.

    Në njoftimin e Trumpit janë përmendur disa afate kohore për dhënie fund të armiqësive, por që “brenda 24 orësh” lufta zyrtarisht do të ketë përfunduar.

    Postimi i Trumpit është bërë në mesnatë – sipas orës lokale të Kosovës.

    Izraeli dhe Irani nuk e kanë komentuar ende armëpushimin, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Presidenti e ka quajtur konfliktin mes dy vendeve si “Lufta 12-ditore”.

    “Kjo është luftë që do të mund të vazhdonte për vite dhe do të shkatërronte Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë kurrë ashtu”, ka thënë Trump mes tjerash në postimin e tij.

    Më herët, Trump ka thënë se do ta inkurajonte Izraelin që të drejtohej kah paqja, pasi e ka konsideruar sulmin e Iranit në bazën ajrore amerikane në Katar si “shumë të dobët”, dhe e ka falënderuar Teheranin për njoftimin paraprak.

    Presidenti amerikan ka thënë se askush nuk është lënduar në sulm dhe dëmet janë krejt të vogla.

    Katari ka thënë se raketat janë rrëzuar dhe se situata është stabile.

    Ekspertët e kanë përshkruar sulmin si tejet simbolik – të kalibruar për të dërguar mesazh vendosmërie, por edhe për të shmangur një konflikt më të gjerë dhe shkatërrues.

    Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor. Izraeli konsideron se Iraninuk mund të ketë armë bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën, ndonëse Teherani pretendon se programin bërthamor e ka vetëm për qëllime paqësore.

    Irani është hakmarrë me sulme raketore në Izrael dhe në shkëmbim e sipër të raketave janë vrarë dhe plagosur banorë të të dyja shteteve./REL

  • Memli Krasniqi rizgjidhet kryetar i PDK-së

    Memli Krasniqi rizgjidhet kryetar i PDK-së

    Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur Konventën e saj të 11-të në Prishtinë, ku Memli Krasniqi është rizgjedhur kryetar i partisë, si kandidati i vetëm për këtë post.

    Në fjalimin para delegatëve, Krasniqi kërkoi mbështetje për të vazhduar drejtimin e partisë, duke theksuar përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Ai tha se PDK synon të fitojë jo vetëm komunat aktuale, por edhe të tjera shtesë, përmes unitetit, programit zhvillimor dhe besimit qytetar.

    Ai gjithashtu ka reflektuar për rrugëtimin e tij në PDK, duke kujtuar vitin 2004, kur u bashkua me partinë dhe asokohe nuk e kishte menduar asnjëherë që do të arrinte të bëhej kryetar i PDK-së, një parti që ka qenë udhëhequr nga figura të njohura si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

  • Bajrami kritikon qeverinë për krizën energetike – akuzon për heshtje, mungesë transparence dhe import të shtrenjtë

    Bajrami kritikon qeverinë për krizën energetike – akuzon për heshtje, mungesë transparence dhe import të shtrenjtë

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale në sektorin e energjisë, duke akuzuar Qeverinë për mungesë transparence dhe heshtje të plotë përballë krizës që, sipas saj, po rëndon mbi qytetarët.

    Në një postim në Facebook, ajo tha se aktualisht në Korporatën Energjetike të Kosovës, është funksional vetëm blloku A3 me kapacitet 110 megavatë, ndërsa akuzoi KOSTT-in për mospublikim të të dhënave ditore për ngarkesën.

    Sipas saj, importi i energjisë po kushton mbi një milion euro në ditë dhe po realizohet përmes Serbisë.

    Bajrami kërkoi hetim të plotë për të gjitha institucionet e përfshira në sektorin e energjisë dhe shprehu besimin se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj asaj që e cilësoi “mafia energjetike”.

  • Hamza në Konventën e Përgjithshme: PDK nuk është alternativë, është nevojë e domosdoshme

    Hamza në Konventën e Përgjithshme: PDK nuk është alternativë, është nevojë e domosdoshme

    Partia Demokratike e Kosovës ka nisur Konventën e saj të Përgjithshme, ku drejtues të kësaj force politike kanë theksuar rëndësinë e rolit që PDK ka pasur në historinë dhe të ardhmen politike të vendit.

    Bedri Hamza, në një fjalim para delegatëve dhe të pranishmëve, u shpreh se PDK nuk është formuar në zyre, por në rrethana të përballjes dhe rezistencës, duke theksuar rrënjët e saj në luftën për liri.

    “Jemi forca me kontributin më të madh në lirinë dhe demokracinë e këtij vendi. Jemi të gatshëm për ta udhëhequr vendin, ne jemi partia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ata nuk u thyen dhe nuk u përkulen kurrë”, deklaroi Hamza, duke theksuar trashëgiminë e udhëheqësve të saj.

    Ai u ndal edhe te rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke e cilësuar si të suksesshëm dhe tregues për fuqinë e programit të PDK-së.

    “Edhe në rezultatet e 9 shkurtit kemi pasur rezultat të mirë, pasi kemi bashkuar qytetarët me programin tonë për një jetë më të mirë”, tha ai.

    Sipas Hamzës, PDK nuk përfaqëson vetëm një mundësi në skenën politike, por një domosdoshmëri për vendin.

    “PDK nuk është alternativë, është nevojë e domosdoshme”, pohoi ai.

  • Kadrijaj: Vetëvendosje po abuzon me pushtetin, qëllimisht po e pengon konstituimin e Kuvendit

    Kadrijaj: Vetëvendosje po abuzon me pushtetin, qëllimisht po e pengon konstituimin e Kuvendit

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të qëllimshme konstituimin e Kuvendit.

    “Nuk mund të pranojmë abuzimin që po e bën VV-ja në vazhdimësi, që për 35 herë me radhë të mos konstituohet Kuvendi. Po e shohim se qëllimshëm janë duke e bërë”, deklaroi Kadrijaj.

    Ajo tha se konstituimi i Kuvendit do të mundësonte funksionalizimin e komisioneve parlamentare dhe mbikëqyrje më efektive të punës së qeverisë, veçanërisht në çështje jetike për vendin si kriza e energjisë dhe ajo ekonomike.

    “Nëse konstituohet Kuvendi, vazhdojmë me komisione parlamentare dhe do të kishim pasur një mbikëqyrje më të mirë të qeverisjes, dhe të mos kemi abuzime të tilla, siç është duke ndodhur me këtë krizën e energjisë, krizën ekonomike – sepse do të kishim zhvilluar debate të qarta për krejt këto se çka po ndodhin”, shtoi ajo.

  • Çitaku: Për Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti, Kosova buzë kolapsit

    Çitaku: Për Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti, Kosova buzë kolapsit

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka ripërsëritur thirrjen për Lëvizjen Vetëvendosje që t’i japë zgjidhje bllokadës në konstituimin e Kuvendit. 

    Ajo ka theksuar se Kosova është “buzë kolapsit” dhe dëmi nga moskonstituimi i institucioneve është i pariparueshëm.

    “Për LVV, për Albin Kurti, pushteti është më i rëndësishëm se shteti. Egoja është më e madhe se Kosova, ambicia më e madhe se demokracia. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe presim nga VV që të reflektojë. Kosova është buzë kolapsit. Çdo ditë kemi lajme për dëmin e pariparueshëm që kjo situatë po i shkakton ekonomisë. Dje pamë lajme të frikshme për krizën buzë kolapsit në sektorin e energjisë”, ka thënë ajo pas mbylljes së seancës konstituive.

  • Dështon edhe përpjekja e 35-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështon edhe përpjekja e 35-të për konstituimin e Kuvendit

    Përpjekja e 35-të për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish të shtunën, duke zgjatur më tej bllokadën institucionale që ka përfshirë vendin.

    Pika që po shkakton ngërç mbetet formimi i një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Edhe pse ishin të pranishëm 94 deputetë, pro formimit të këtij komisioni votuan vetëm 51, ndërsa një ishte kundër – numër ky i pamjaftueshëm për ta çuar procesin përpara.

    Kjo është hera e 35-të që Kuvendi nuk arrin të konstituohet, duke lënë në vendnumëro të gjitha zhvillimet e mëtejme institucionale, përfshirë formimin e Qeverisë së re.

    Seanca e radhës është caktuar të mbahet të hënën, më 23 qershor, me fillim nga ora 11:00.

  • Vdes në QKUK personi që ishte aksidentuar para disa ditësh në Mitrovicë

    Vdes në QKUK personi që ishte aksidentuar para disa ditësh në Mitrovicë

    Ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës personi që u aksidentua më datë 6 qershor në Lushtë të Mitrovicës.

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh njofton që përveç viktimës, në aksident kishin pësuar lëndime trupore edhe dy femra.

    Ndërkaq, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML.

    “Fsh. Lushtë, Mitrovicë Jugu 06.06.2025 – 05:04. Më 20.06.2025 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar i cili kishte qenë duke u trajtuar si pasojë e plagëve të pësuara në një aksident trafiku që kishte ndodhur më datë 06.06.2025. Përveç viktimës në aksident kishin pësuar lëndime trupore edhe dy femra kosovare. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML”, njofton PK.