ATV

Author: G.O.

  • Ministria e Industrisë merr vendim për rregullimin e çmimeve të naftës – caktohet marzha tregtare maksimale

    Ministria e Industrisë merr vendim për rregullimin e çmimeve të naftës – caktohet marzha tregtare maksimale

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka miratuar një vendim që synon të rregullojë çmimet e produkteve të naftës të përdorshme në transport, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar konkurrencë të ndershme në tregun vendor.

    Ky vendim vjen si rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut nga MINT, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Gjatë analizave të kryera, është vërejtur se ndryshimet e çmimeve të furnizimit nga importi shpesh pasqyrohen menjëherë në rritje të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh e njëjta kur çmimet bien.

    Në këtë kontekst, MINT ka vendosur kufizimin e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitjen e produkteve të naftës, si vijon:

    Shitja me shumicë: deri në 2 euro-cent për litër
    Shitja me pakicë: deri në 12 euro-cent për litër

    Vendimi do të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe do të shoqërohet me mbikëqyrje të shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore.

    Ministria thekson se ky hap është ndërmarrë për të siguruar një treg më të drejtë dhe më të qëndrueshëm, duke garantuar mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe duke frenuar praktikat e padrejta në formimin e çmimeve.

  • Hysni Gucati viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë

    Hysni Gucati viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka takuar sot ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Hagës.

    Sipas njoftimit, përmes kësaj vizite, Gucati ka shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e vazhdueshëm të OVL-UÇK-së për luftëtarët e lirisë që po përballen me një proces të padrejtë dhe politik.

    Ai ka theksuar se beteja e tyre nuk është vetëm personale, por një sfidë për dinjitetin dhe drejtësinë e gjithë luftës çlirimtare.

  • Ekipi i Bashkimit Evropian po kryen testime të urës së Ibrit

    Ekipi i Bashkimit Evropian po kryen testime të urës së Ibrit

    Një ekip i ekspertëve të Bashkimit Evropian, po kryejnë testime dhe inspektime  të urës së Ibrit në Mitrovicë.

    Këtë ata po e bëjnë për të parë nëse ura është mjaftueshëm stabile, në çdo aspekt, përfshirë përballjen me ujëra të shtuara e të rrëmbyera.

    Megjithatë, ky inspektim jo domosdoshmërisht nënkupton që ura mund të hapet edhe për kalim të automjeteve.

    Matje e inspektime këtu janë bërë edhe vitin e kaluar, nga autoritetet e qeverisë shtetërore në Kosovë.

    Ato u kryen në kohën kur ishin shtuar pretendimet për një hapje të mundshme të urës, edhe për automjete. Pavarësisht kësaj, ajo nuk u hap.

  • Pezullohet vendimi i ZRrE-së për treg të hapur deri në vendim të Gjykatës

    Pezullohet vendimi i ZRrE-së për treg të hapur deri në vendim të Gjykatës

    Oda Ekonomike e Kosovës njoftoi se Gjykata Komerciale ka marrë vendim për pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

    Në njoftim thuhet se OEK-ja ka kërkuar nga ZRRE-ja që të ndalë veprimet “që mund të ndikojë negativisht në funksionimin e bizneseve”.

    “OEK fton ZRrE-për bashkëpunim të ngushtë për të hartuar së bashku një fazë tranzitore të drejtë dhe të zbatueshme, duke theksuar se OEK nuk është kundër daljes në tregun e lirë, por ka kërkuar vazhdimisht që ky proces të realizohet me një plan të qartë tranzicioni, që siguron stabilitet për bizneset dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Nuk iu vazhduan kontratat, punëtorët e sigurimit hyjnë në administratën e QKUK-së

    Nuk iu vazhduan kontratat, punëtorët e sigurimit hyjnë në administratën e QKUK-së

    Punëtorët e sigurimit në Qendrën Klinike Universitare kanë hyrë brenda ambienteve të Administratës, dhe tashmë janë duke mbajtur takim me udhëheqësit e Shërbimit Spitalor.

    Ata u mblodhën për ta kundërshtuar gjendjen e tyre pasi u ka skaduar kontrata.

    Në mbështetje të tyre ka dalë edhe Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat. Ndërkohë, kryetari i sindikatës në QKUK, Hakif Sylejmani, shprehu shqetësimin për punëtorët që kanë qenë të pambrojtur dhe pa uniforma.

    “Të gjithë punëtorët i kam pasur të rrezikuar nëpër pika. Ne pa kontratë nuk mund të jemi në punë, të na ofrojnë një garanci që me këta punëtorë të vazhdojë të punoj. QKUK është institucion i lartë, kurse punëtorët janë pa uniformë. Kjo është e çuditshme,” theksoi Sylejmani.

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se punëtorët do të qëndrojnë në shtëpi derisa të nënshkruhet kontrata e re, duke e cilësuar situatën si pasojë e interesave të kompanive.

    “Sot është moment më ndryshe që institucionet tona, kur i ka skaduar kontrata, punëtorët kanë punuar pa kontratë. Të gjithë ata punëtorë do të qëndrojnë në shtëpi deri të bëhet kontrata. Ne tanimë nuk duam të shërbejmë askujt, kjo është interes individual, kompanitë po shtyhen mes vete. Ne kemi marrë vendim që të gjithë punëtorët nuk do të qëndrojnë deri të nënshkruhet kontrata e re me punëtorët.”, shtoi Azemi.

  • ​Përmbyllet afati për deklarimin e koalicioneve në zgjedhjet lokale

    ​Përmbyllet afati për deklarimin e koalicioneve në zgjedhjet lokale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të hënën në mesnatë është përmbyllur afati për partitë politike për të njoftuar se do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje përmes koalicionit në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor.

    Sipas KQZ-së, gjatë periudhës 15 ditore,9 qershor – 23 qershor, në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike janë paraqitur dy koalicione.

    Ato janë Koalicioni Vakat, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, si dhe Koaliconi “SDU-NASHA, i përbërë nga partitë politike Socijaldemokratska Unija dhe Nasha Inicijativa, i formuar vetëm për komunën e Prizrenit.

  • Lushaku-Sadriu kritikon Ministrinë e Arsimit për menaxhimin e Testit të Maturës: Proces i turpshëm

    Lushaku-Sadriu kritikon Ministrinë e Arsimit për menaxhimin e Testit të Maturës: Proces i turpshëm

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka kundërshtuar formën aktuale të mbajtjes së Testit të Maturës.

    Ajo ka thënë se ky test ka humbur kuptimin tash e disa vite për shkak të menaxhimit të dobët nga Ministria e Arsimit, Teknologjisë e Inovacionit.

    Sipas saj, Manipulimi dhe kopjimi po e bëjnë të pavlefshëm rezultatin e këtij Testi! “Ministrja e Arsimit në detyrë duhet të jep përgjegjësi! Nën udhëheqjen e saj ky Test është kthyer në një proces të turpshëm, ku mbizotëron kaosi dhe mashtrimi. Ajo dhe stafi i saj duhet të tregojnë se pse nuk janë marrë masa për menaxhim të sigurt teknik?”, ka shkruar Lushaku në Facebook.

    Rreth 20 mijë maturantë iu nënshtruan këtij testi, të shtunën.

  • Bardhi rrëfen emocionet në “The Elite Way”: Si e përjetoi lajmin për sëmundjen e nënës

    Bardhi rrëfen emocionet në “The Elite Way”: Si e përjetoi lajmin për sëmundjen e nënës

    Këngëtari i njohur Bardhi ka qenë i ftuar në emisionin “The Elite Way”, ku ka ndarë me publikun disa nga momentet më të ndjeshme të eksperiencës së tij në “Big Brother VIP Albania”.

    Në një rrëfim emocional, ai është kthyer pas në kohë duke kujtuar momentin kur mori lajmin se nëna e tij ishte e sëmurë, teksa ai ndodhej ende brenda shtëpisë së famshme.

    Bardhi tregoi se fillimisht kishte menduar se ajo kishte ardhur si surprizë për ta takuar, por situata mori një kthesë të papritur kur u njoftua për gjendjen e saj shëndetësore.

    Ai gjithashtu zbuloi se nëna e tij e kishte përjetuar keq largimin e tij nga reality show, pasi ndjente se ai mund të vazhdonte më tej.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Vdes punëtori i cili dyshohet se u rrëzua në vendin e punës në Suharekë

    Vdes punëtori i cili dyshohet se u rrëzua në vendin e punës në Suharekë

    Një burrë nga Suhareka ka vdekur të hënën në QKUK, pasi më 18 qershor dyshohet se ishte rrëzuar në vendin e tij të punës.

    Policia bën të ditur se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Me datën e lartcekur viktima mashkull kosovar dyshohet se ishte rrëzuar në vendin e tij të punës me ç’rast është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa me datën 23.06.2025 është raportuar se I njëjti ka ndërruar jetë në QKUK. Me urdhër te prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML”, thuhet në raportin e policisë.

  • Nafta bie me rreth 5% pasi Izraeli pranon propozimin e Trumpit për armëpushim

    Nafta bie me rreth 5% pasi Izraeli pranon propozimin e Trumpit për armëpushim

    Çmimet e naftës arritën nivelin më të ulët në dy javët e fundit të martën, pasi Izraeli pranoi propozimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për armëpushim me Iranin.

    Çmimet e naftës së papërpunuar ranë me 3.82 dollarë, ose 5.3%, në 67.66 dollarë për fuçi në orën 08:45 me kohën tonë lokale.

    Nafta e papërpunuar e SHBA-së, West Texas Intermediate, ra me 3.75 dollarë, ose 5.5%, në 64.76 dollarë për fuçi.

    Izraeli ka rënë dakord me propozimin e Trump për një armëpushim me Iranin, tha kryeministri Benjamin Netanyahu në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij të martën.

    Trump tha të hënën se Izraeli dhe Irani kanë rënë dakord plotësisht për një armëpushim, duke shtuar se Irani do të fillojë armëpushimin menjëherë, i ndjekur nga Izraeli pas 12 orësh.

    Nëse të dyja palët ruajnë paqen, lufta do të përfundojë zyrtarisht pas 24 orësh, duke i dhënë fund një konflikti 12-ditor.

    Irani është prodhuesi i tretë më i madh i naftës bruto në OPEC, dhe armëpushimi do t’i mundësonte atij të eksportonte më shumë naftë dhe të parandalonte ndërprerjet e furnizimit, një faktor i rëndësishëm në rritjen e çmimeve të naftës në ditët e fundit.