ATV

Author: G.O.

  • Vdes një motoçiklist në Lipjan, u aksidentua me një veturë

    Vdes një motoçiklist në Lipjan, u aksidentua me një veturë

    Një person ka vdekur për shkak të një aksidenti që ka ndodhur dje në fshatin Sllovi të Lipjanit, rreth orës 18:00.

    Viktima ishte duke ngasur motoçikletën, kur ishte përplasur me një veturë.

    Sipas njoftimit të policisë, motoçiklisti ka humbur jetën në vend të ngjarjes, gjë që është konstatuar nga ekipi mjekësor.

    Me rastin po merret njësiti rajonal i trafikut, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes për hetimin e rrethanave të aksidentit.

  • Kërcënimi rus, Rutte: Duhet të rrisim shpenzimet për mbrojtjen

    Kërcënimi rus, Rutte: Duhet të rrisim shpenzimet për mbrojtjen

    Nuk ka alternativë tjetër përveç shpenzimeve më të larta për mbrojtjen ndaj kërcënimit të vazhdueshëm nga Rusia, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

    “Duke pasur parasysh kërcënimin afatgjatë nga Rusia, por edhe shtimin masiv të ushtrisë në Kinë dhe faktin që Koreja e Veriut, Kina dhe Irani po mbështesin përpjekjet e luftës në Ukrainë, është me të vërtetë e rëndësishme të shpenzojmë më shumë. Pra, kjo do të jetë pika numër një në rendin e ditës sot”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, transmeton TCh.

    Presidenti amerikan Donald Trump u përfshi shumë në pyetjet me të cilat u përball Rutte ndërsa mbërriti në Samitin e sotëm të NATO-s.

    Samiti pritet të miratojë një objektiv më të lartë shpenzimesh për mbrojtjen dhe sigurinë prej 5% të PBB-së, në përgjigje të një kërkese nga presidenti i SHBA-së.

  • Takimi i liderëve të NATO-s, Edi Rama publikon foton e darkës nga mikpritja e Familjes Mbretërore

    Takimi i liderëve të NATO-s, Edi Rama publikon foton e darkës nga mikpritja e Familjes Mbretërore

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë me publikun një foto familjare nga darka e mikpritjes që u organizua nga Familja Mbretërore në nder të liderëve të NATO-s,

    “FOTO FAMILJARE e darkës së mikpritjes së Familjes Mbretërore për liderët e NATO-s”, shkruan Rama në Facebook.

  • Punësimi, sfidë për personat e rikthyer nga zonat e konfliktit

    Punësimi, sfidë për personat e rikthyer nga zonat e konfliktit

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Nga viti 2012 deri në vitin 2024, në burgjet e Kosovës janë dënuar për pjesëmarrje në grupe terroriste të paktën 168 persona, ndërsa 28 të tjerë (të gjitha gra) janë dënuar me kusht. Të dhënat e mbledhura gjatë një hulumtimi tregojnë se nga kjo kategori qytetarësh, vetëm 57 janë të punësuar, ndërsa të tjerët nuk kanë arritur të gjejnë punë dhe të integrohen në tregun e punës.

    Nga viti 2012 deri në vitin 2025, në Kosovë janë burgosur mbi 150 persona të akuzuar për pjesëmarrje në grupe terroriste. Për rehabilitimin e këtyre të dënuarve pas vuajtjes së dënimit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë ndërtuar programe specifike.

    “Nga viti 2019 e deri më tani, Divizioni për Parandalim dhe Riintegrim të Personave të Radikalizuar, përmes programit R&R, ka zhvilluar programe individuale për fëmijë, gra dhe burra për parandalim dhe riintegrim. Numri i përgjithshëm i personave që janë pjesë e programit është mbi 500, nga të cilët 163 individë janë subjekt i drejtpërdrejtë i programit,” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Në këto programe jo gjithmonë përfshihen edhe familjet e të rikthyerve, ka konfirmuar MPB-ja.

    “Jo gjithmonë, kjo varet edhe nga faktorë të tjerë (bëhet një vlerësim paraprak për çdo individ në familje), duke u bazuar në cenueshmëri, rrezikshmëri dhe vullnet për të qenë pjesë e programit.”

    Megjithatë, pavarësisht se mbi 500 persona janë pjesë e programeve, integrimi në tregun e punës vazhdon të jetë një sfidë. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i të punësuarve, përfshirë edhe të vetëpunësuarit, është vetëm 57.

    Ndërkaq, nga Shërbimi Sprovues i Kosovës thonë se rreth 15 persona të dënuar për pjesëmarrje në konflikte në zona të huaja janë punësuar më pas.

    “Prej të dënuarve për pjesëmarrje në konflikte në zona të huaja, të cilët kanë qenë në mbikëqyrje në të kaluarën, një pjesë e tyre janë punësuar ose kanë vazhduar punën. Në bazë të informatave të mbledhura gjatë procesit të mbikëqyrjes, rreth 15 individë janë angazhuar në punë të ndryshme.”

    Këta persona janë punësuar kryesisht në biznese private ose familjare.

    “Kryesisht, ata janë angazhuar në biznese private, shumica prej të cilave janë biznese familjare ose të lidhura me familjarët e tyre. Këto biznese përfshijnë autolarje, ndërtim, pastrim dhe aktivitete të ngjashme,” sqarohet më tej në përgjigjen e Shërbimit Sprovues të Kosovës.

    Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë lavdëron punën e institucioneve, megjithëse thotë se mungojnë të dhëna të mjaftueshme lidhur me riintegrimin ekonomik të personave që kanë marrë pjesë në konflikte në zona të huaja.

    “Ky grup personash është mbajtur jashtëzakonisht sekret nga ana e institucioneve, për të mos i ekspozuar në publik dhe për të shmangur perceptimin e tyre si të rrezikshëm. Kjo do të përbënte një problem shtesë për riintegrimin. Shpeshherë, qytetarët do të ishin të shqetësuar dhe askush nuk do të donte të punësonte një person me një prapavijë të tillë.

    Kështu që, jo domosdo këto informacione janë të qasshme për publikun. Megjithatë, mendoj se institucionet kanë bërë përpjekje dhe një punë të mirë, sidomos në aspektin e sigurisë,” thekson Vrajolli.

    Ndërsa, sipas Rebeka Qenës nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF), ndonëse të rikthyerve u ofrohen disa forma mbështetjeje si ndihmë sociale apo strehim i përkohshëm, mungesa e përfshirjes në tregun e punës e vështirëson dukshëm integrimin në komunitet.

    “Të rikthyerit përballen me sfida të shumta në procesin e integrimit, përkundër ndihmës që ofron shteti në formë të asistencës sociale, strehimit të përkohshëm dhe qasjes në shërbime shëndetësore dhe arsimore. Mungesa e punësimit i pengon ata të ndërtojnë një jetë të qëndrueshme dhe aktive, duke ndikuar në vetëbesim, autonomi dhe aftësinë për të qenë pjesë funksionale e komunitetit,” thotë ajo.

    Qena thekson se papunësia ndikon edhe në përfshirjen shoqërore të të rikthyerve dhe i shtyn ata drejt izolimit. Kjo është veçanërisht evidente te gratë e rikthyera, të cilat përballen me barriera të shumëfishta për shkak të rolit gjinor dhe përgjegjësive familjare.

    “Mungesa e punësimit nuk ndikon vetëm në aspektin ekonomik, por e zbeh ndjeshëm edhe përfshirjen qytetare dhe sociale të të rikthyerve. Për gratë e rikthyera, kjo është veçanërisht e theksuar – përballen me pengesa praktike dhe sociale. Për nënat, veçanërisht, është shumë e vështirë të punësohen kur mungon mbështetja për kujdesin ndaj fëmijëve,” shton ajo.

    Sipas Qenës, një pjesë e punëdhënësve ende i shohin me dyshim personat e rikthyer, edhe pse këto paragjykime nuk mbështeten në fakte.

    “Një pjesë e punëdhënësve vazhdojnë të jenë të rezervuar ndaj punësimit të personave të rikthyer nga zonat e konfliktit, për shkak të paragjykimeve lidhur me të kaluarën e tyre, edhe kur nuk ka arsye reale për këtë hezitim.”

    Sfidat që përjetojnë të rikthyerit në përpjekjet për t’u reintegruar në jetën ekonomike janë të ndërlikuara, të shumta dhe shpesh të padukshme në statistikat zyrtare.

    Sipas Afërdita Sylës, drejtoreshë ekzekutive e Community Building Mitrovica (CBM), procesi i riintegrimit nuk është vetëm çështje strehimi apo ndihme financiare – ai kërkon një qasje gjithëpërfshirëse që merr parasysh edhe traumën, përjashtimin dhe stigmën sociale.

    “Riintegrimi ekonomik i të rikthyerve, veçanërisht i grave, është një proces shumë i ndërlikuar që kërkon përkushtim dhe ndjeshmëri ndaj historive të tyre personale. Gratë e rikthyera përballen me stigmatizim të vazhdueshëm dhe mungesë të qasjes në mundësi të qëndrueshme punësimi.”

    Syla shton se sfidat për gratë fillojnë që në momentin kur përpiqen të jenë aktive në shoqëri. Pengesat nuk janë vetëm strukturore, por shpesh burojnë edhe nga qëndrimet e komunitetit.

    “Ato përballen me mungesë përkrahjeje institucionale dhe mirëkuptimi në nivel komuniteti. Stigma, mungesa e përkrahjes sociale dhe e të ardhurave i shtyn të qëndrojnë të mbyllura, pa akses në informata dhe pa ndjesinë se janë të mirëseardhura.”
    Sipas saj, pjesëmarrja e grave në trajnime dhe kurse zhvillimi nuk përbën domosdoshmërisht tregues suksesi.

    “Edhe kur arrijnë të ndjekin trajnime profesionale, rrallëherë kjo përkthehet në punësim konkret. Puna e përhershme, me kushte të pranueshme dhe trajtim dinjitoz, mbetet ende jashtë mundësive për shumicën e tyre. Kjo i demotivon dhe i largon nga besimi se integrimi është i mundur.”

    Syla përfundon se pa angazhim të vazhdueshëm institucional dhe trajtim të barabartë në tregun e punës, riintegrimi i të rikthyerve, veçanërisht grave, rrezikon të mbetet vetëm në letër.

    Sidoqoftë, për trajtimin e kësaj kategorie, Kosova ka përpiluar dy dokumente: Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë Kosovës dhe Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit.

    “Këshillimi psikologjik dhe fetar për të burgosurit në lidhje me aktivitetet e paligjshme të lidhura me ekstremizmin,” “mbështetja sociale për familjet e tyre” dhe “zhvillimi i programeve të reja të punësimit ose metodave të tjera të riintegrimit të individëve të deradikalizuar në shoqëri” janë tri nga masat që theksohen në Strategji.

  • Kuvendi sërish në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit – sot tentativa e 37-të

    Kuvendi sërish në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit – sot tentativa e 37-të

    Ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës po vazhdon tash e më shumë se disa muaj, ndërsa deputetët do të mblidhen sot për herë të 37-të, në një tjetër tentativë për ta konstituuar Kuvendin dhe për të zgjedhur kryetarin e tij.

    Seanca është thirrur të fillojë në ora 11:00, por mbetet të shihet nëse do të ketë zhvillime konkrete apo një tjetër dështim.

    Në seancën e kaluar, deputetët nuk arritën ta formojnë Komisionin për organizimin e votimit të fshehtë, i cili është i domosdoshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Ky bllokim po ndodh për shkak të refuzimit të partive opozitare për të propozuar anëtarë në komision, duke pamundësuar krijimin e tij.

    Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje po insiston vazhdimisht në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht faktit se ajo nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme në asnjë nga seancat e deritashme.

    Që nga 15 prilli, kur u mbajt seanca e parë konstituive pas zgjedhjeve të parakohshme, Kuvendi ka dështuar plot 36 herë në tentativat për zgjedhjen e kryetarit dhe për konstituimin e tij të plotë.

  • Pse ndiheni pa energji gjatë ditëve të nxehta të verës?

    Pse ndiheni pa energji gjatë ditëve të nxehta të verës?

    Nëse ndihesh pa energji gjatë ditëve të nxehta të verës, nuk je i vetëm. Shumë njerëz përballen me të njëjtat ndjenja, dhe ka disa arsye që mund të shpjegojnë këtë gjendje. Ky artikull do të shqyrtojë disa nga faktorët që mund të ndikojnë në energjinë tuaj gjatë verës dhe do të ofrojë disa këshilla për t’u ndjerë më mirë dhe për të përballuar këto ndjenja me lehtësi.

    Dehidratimi – Me rritjen e temperaturave, është thelbësore të qëndrojmë të hidratuar. Gjatë verës, trupi humbet më shumë lëngje për shkak të djersitjes nga nxehtësia, duke e rritur kështu rrezikun për dehidrim. Edhe një dehidrim i lehtë mund të shkaktojë lodhje, marrje mendsh dhe dobësi të përgjithshme.

    Për të parandaluar këtë, mos harroni të pini ujë gjatë gjithë ditës dhe përfshini në dietën tuaj fruta dhe perime që janë të pasura me ujë, për të rikthyer elektrolitet e humbura.

    Lodhja nga nxehtësia (Heat Exhaustion) – Ekspozimi i tepërt ndaj temperaturave të larta mund të ndikojë drejtpërdrejt në nivelet e energjisë dhe të shkaktojë ndjesi dobësie dhe lodhjeje. Lodhja nga nxehtësia ndodh kur trupi nuk arrin të rregullojë temperaturën e tij për shkak të qëndrimit të gjatë në diell dhe mungesës së lëngjeve.

    Për të shmangur këtë, kërkoni hije, vishni rroba të lehta dhe ajrosëse, dhe evitoni aktivitetet e rënda gjatë orëve më të nxehta të ditës.

    Mungesa e gjumi të kualitetit – Ditët e gjata të verës dhe aktiviteteve shoqërore të shumta mund të ndikojnë në cilësinë e gjumit. Gjumi i pamjaftueshëm apo i paqëndrueshëm mund të lërë trupin të lodhur dhe pa energji.

    Për të përmirësuar cilësinë e gjumit, krijoni një ambient të freskët dhe të rehatshëm për fjetje, vendosni një rutinë të rregullt për të fjetur dhe praktikoni teknika relaksimi para gjumit. Një gjumë cilësor është kyç për rifreskimin e trupit dhe ruajtjen e niveleve të energjisë.

    Alergjitë sezonale – Për ata që vuajnë nga alergjitë, vera mund të jetë një periudhë sfiduese. Poleni dhe alergjenët tjerë janë më të përhapur gjatë kësaj periudhe, duke shkaktuar simptoma si lodhje, bllokim i hundëve dhe dobësi të përgjithshme.

    Nëse mendoni se po vuani nga alergjitë, konsultohuni me një mjek për të marrë këshilla dhe trajtim të përshtatshëm.

    Ushqyerja e Papërshtatshme- Gjatë verës, është e lehtë të humbasim ekuilibrin ushqimor për shkak të ushqimeve të shijshme si skarë dhe ëmbëlsira, të cilat janë të shpeshta gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, një dietë e pasur me ushqime të përpunuara, pije me sheqer dhe alkool mund të çojë në mungesë të vitaminave dhe rënie të energjisë.

    Për të siguruar një nivel të qëndrueshëm energjie, përpiquni të konsumoni ushqime të pasura me vlera ushqyese si fruta të freskëta, perime, drithëra të plota dhe proteina të dobëta.

    Mungesa e vitaminës D – Vitamina D, e njohur edhe si “vitamina e diellit”, sintetizohet kur trupi ekspozohet ndaj rrezeve të diellit. Megjithatë, ekspozimi i tepërt ndaj diellit mund të sjellë edhe rrezik të djegies nga dielli, dhe përdorimi i kremrave mbrojtës mund të ndihmojë në zvogëlimin e ndihmës që trupi merr nga rrezet e diellit. Kjo mund të çojë në mungesë të vitaminës D, e cila lidhet me lodhje dhe dobësi muskulore.

    Konsultohuni me mjekun tuaj për mundësinë e marrjes së suplementëve të vitaminës D dhe provoni të qëndroni në diell për pak kohë në mënyrë të sigurt.

    Stresi mendor dhe emocional – Edhe pse vera është një periudhë pushimesh për shumicën, ajo mund të sjellë edhe stres për disa individë – qoftë për shkak të pritshmërive për pushime perfekte, angazhimeve sociale ose afateve të punës. Stresi mendor dhe emocional mund të ndikojë drejtpërdrejt në nivelet e energjisë, duke lënë individët të ndihen të lodhur dhe të pafuqishëm.

  • Microsoft bllokon Google Chrome në Windows

    Microsoft bllokon Google Chrome në Windows

    Përdoruesit e Microsoft-it kanë raportuar një problem të vazhdueshëm me funksionin “Siguria Familjare”, i cili ka shkaktuar mbyllje të papritura të shfletuesit Google Chrome në Windows.

    Ky problem filloi të shfaqej në fillim të muajit qershor, kur shumë përdorues vunë re se Chrome nuk hapej fare ose mbyllej pas disa sekondash.

    Microsoft ka konfirmuar se shkaku i problemit është i lidhur me Sigurinë Familjare, e cila pengon hapjen e Chrome në disa raste. Shfletues të tjerë, si Firefox dhe Opera, nuk janë prekur nga ky gabim.

    Disa përdorues kanë zbuluar se riemërtimi i skedarit Chrome.exe mund të jetë një mënyrë për të zgjidhur përkohësisht problemin.

    Për prindërit dhe shkollat që përdorin Sigurinë Familjare në Microsoft 365, mund të çaktivizohet opsioni i filtrimit të faqeve të internetit për të lejuar Chrome të funksionojë sërish, por kjo mund të rrisë rrezikun që fëmijët të kenë qasje në faqe të papërshtatshme.

    Microsoft nuk ka dhënë ende një afat për kur do të rregullojë këtë problem, dhe përdoruesit janë të udhëzuar që të rihapin Chrome, por kjo nuk ka ndihmuar shumë.

  • Osmani uron ditën e komunitetit egjiptian në Kosovë

    Osmani uron ditën e komunitetit egjiptian në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët e komunitetit egjiptian me rastin e ditës së tyre, duke vlerësuar kontributin e vazhdueshëm të këtij komuniteti në jetën institucionale dhe shoqërore të vendit.

    Në kuadër të kësaj dite simbolike, Presidentja Osmani priti në takim kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, si dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit egjiptian në Kosovë.

    “Uroi të gjithë qytetarët e komunitetit egjiptian për këtë ditë të veçantë dhe theksoi rëndësinë e vazhdueshme të kontributit të tyre në ndërtimin e një shoqërie demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të barabartë,” thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Osmani vlerësoi lart përkushtimin e komunitetit egjiptian për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe për angazhimin e tyre në jetën publike dhe institucionale të Kosovës.

    “Ajo vlerësoi rolin aktiv të komunitetit egjiptian në jetën institucionale të vendit, si dhe përkushtimin e tyre për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Në këtë ditë simbolike, Presidentja riafirmoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar të drejta të barabarta dhe përfshirje të plotë për të gjitha komunitetet pa dallim, si pasuri e përbashkët e shtetit tonë.”, thuhet tutje në njoftim.

  • Merz e cilëson historik samitin e NATO-s

    Merz e cilëson historik samitin e NATO-s

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë të martën se “nuk është ekzagjerim që samiti i NATO (i sotshëm në Hagë) të quhet historik”, duke marrë parasysh rëndësinë e rritjes së shpenzimeve në fushën e mbrojtjes mes vendeve anëtare.

    Sipas tij, aleatët “nuk janë duke e bërë këtë, siç kanë pretenduar disa, që t’i nderojnë Shtetet e Bashkuara dhe presidentin e tyre”, por më shumë nga rreziku i mirëfilltë me të cilin ballafaqohen, kryesisht nga Rusia.

    Merzi gjithashtu ka nënvizuar planin e Gjermanisë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes me qëllimin për ta kthyer Bundeswehr (forcat ushtarake gjermane) në “ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë, e cila është e gatshme për të mbrojtur shtetin dhe t’u dalë në ndihmë aleatëve.

    “Për një kohë shumë të gjatë ne në Gjermani kemi injoruar paralajmërimet e fqinjëve tanë baltikë për Rusinë. E kemi kuptuar gabimin. Nuk ka kthim prapa nga kjo”, ka thënë ai.

    Lidhur me çështjen e dislokimit të trupave gjermane në Lituani, Merzi ka shtuar se “siguria e Lituanisë është gjithashtu siguria e Gjermanisë”.

    Muajin e kaluar, kancelari gjerman e kishte vizituar Lituaninë, për të shënuar dërgimin e parë të trupave gjermane në një vend të huaj që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

    Njësiti i ri ushtarak, përbëhet nga 4,800 trupa gjermane dhe 200 anëtarë të stafit civil. Qëllimi i themelimit të tij, është parandalimi i çdo agresioni të mundshëm të Rusisë ndaj vendeve baltike.

  • Një i vdekur dhe dy të lënduar nga aksidenti në rrugën Prishtinë-Gjilan

    Një i vdekur dhe dy të lënduar nga aksidenti në rrugën Prishtinë-Gjilan

    Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti mes dy veturave dhe një kamioni në rrugën Prishtinë-Gjilan.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Ajo tha se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërkohë të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor.

    “Sot rreth orës 12:00 në rrugën Prishtinë- Gjilan, ka ndodhur një aksident trafiku në mes të tri automjeteve ( dy vetura dhe një kamion). Si pasojë e aksidentit në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një person dhe janë lënduar dy të tjerë të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, tha Ahmeti.