ATV

Author: G.O.

  • Tre persona gjenden pa shenja jete në Shtime, Kamenicë dhe Prizren

    Tre persona gjenden pa shenja jete në Shtime, Kamenicë dhe Prizren

    Tre raste të vdekjeve janë raportuar më 6 tetor në Shtime, Kamenicë dhe Prizren.

    Në Shtime, rreth orës 09:00, është raportuar se një burrë kosovar është gjetur pa shenja jete. Viktima është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Në Kamenicë, rreth orës 20:36, njësitë përkatëse policore dhe mjeku kompetent kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e një gruaje kosovare. Me vendim të prokurorit, edhe trupi i saj është dërguar në IML për obduksion.

    Ndërkaq, në Prizren është raportuar se një grua kosovare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj. Vdekjen e saj e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa rasti është nën hetime.

  • Veteranët falënderojnë popullin e Kosovës: Së bashku arritëm ta mbrojmë UÇK-në

    Veteranët falënderojnë popullin e Kosovës: Së bashku arritëm ta mbrojmë UÇK-në

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka falënderuar kategoritë e dala nga lufta dhe qytetarët për pjesëmarrjen dhe qëndresën e tyre në protestat në mbështetje të UÇK-së.

    Në reagimin e saj, OVL-UÇK ka vlerësuar kontributin e qytetarëve dhe të kategorive të dala nga lufta, duke theksuar se përmes protestës së përbashkët është synuar mbrojtja e vlerave dhe e figurës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Të nderuara kategori të dala nga lufta e UÇK-së, të nderuar qytetarë. Me qëndresën tuaj, duke protestuar, arritëm së bashku ta mbrojmë UÇK-në. FALEMINDERIT PËR SHËRBIMIN NDAJ ATDHEUT!”, thuhet në reagim.

  • Policia: Protesta përfundoi qetë e pa incidente serioze

    Policia: Protesta përfundoi qetë e pa incidente serioze

    Policia e Kosovës ka dalë me njoftimin e fundit në lidhje me protestën e filluar që nga mëngjesi në sheshin e Prishtinës nën thirrjet për t’u votuar edhe në leximin e dytë ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale.

    Policia në njoftim ka thënë se protesta ka përfunduar qetë e pa incidente, përjashtuar hedhjen e mjeteve piroteknike dhe fishekzjarreve nga disa protestues.

    “Protesta ka përfunduar kryesisht e qetë pa incidente serioze, përjashtuar hedhjen e mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve nga disa protestues. Policia e Kosovës, falënderon qytetarët për bashkëpunim e protestim të qetë dhe respektim të udhëzimeve policore, të cilat kontribuuan në mbarëvajtjen e protestës dhe qetësisë publike”, thuhet në njoftimin e fundit të Policisë së Kosovës.

  • Begaj uron Shiroka-Pulën: Në çdo sfidë, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë

    Begaj uron Shiroka-Pulën: Në çdo sfidë, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen si Presidente e Kosovës.

    Përmes një mesazhi urimi, Begaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të rrugëtimit të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë drejt së ardhmes evropiane.

    “Urime të përzemërta znj. Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës! Në çdo sfidë dhe në çdo hap drejt së ardhmes evropiane, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë. Urime Presidente! Zoti e bekoftë Kosovën dhe shqiptarët kudo ku janë!”, thuhet në urimin e Begaj.

  • Hoxhaj uron presidenten me foton krahas Thaçit e Veselit

    Hoxhaj uron presidenten me foton krahas Thaçit e Veselit

    Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka uruar Justina Shiroka-Pulën pas zgjedhjes së saj Presidente, duke publikuar një fotografi të përbashkët nga koha kur ishin bashkë në PDK, përkrah Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

    Hoxhaj ka thënë se fotografia ruan një histori të përbashkët, ndërsa ka shprehur besimin se në detyrën e re, zëri i Presidentes do të jetë i fuqishëm edhe në kërkimin e drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

    “Kjo fotografi ruan një histori të përbashkët. Sot, Justina merr përgjegjësinë më të lartë shtetërore. Urime Presidente! Besoj se zëri yt do të jetë i fuqishëm për drejtësinë dhe për kthimin në liri të atyre që sot mbahen padrejtësisht në Hagë”, ka shkruar Hoxhaj.

  • Kurti uron Shiroka-Pulën: Do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel

    Kurti uron Shiroka-Pulën: Do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel

    Kryeministri Albin Kurti e ka përshëndetur zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës, si presidente e re e Republikës së Kosovës.

    Në një postim, Kurti tha se tani Kosova ka institucione stabile, transmeton IndeksOnline.

    “Kemi edhe ligjin me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel” shkroi Kurti.

    Ky është postimi i plotë i tij:

    Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile.

    Kemi edhe ligjin me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel.

    Falënderoj deputetët pjesëmarrës në votim, sikurse edhe kryetarin Hamza që pranoi propozimin. Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës!

    Urime presidentes së re dhe të gjithë qytetarëve!

  • Reuters: Kosova zgjodhi presidenten e re, shmangu zgjedhjet e parakohshme

    Reuters: Kosova zgjodhi presidenten e re, shmangu zgjedhjet e parakohshme

    Reuters ka raportuar për zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

    Në artikullin e Reuters thuhet se Shiroka Pula mori 81 vota nga 120 deputetë, vetëm një votë më shumë se numri i nevojshëm për zgjedhjen e saj. Dështimi për të zgjedhur presidentin brenda afatit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ashtu siç kishte ndodhur edhe në qershor.

    Pas zgjedhjes, presidentja e re tha se mandati i saj nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve të Kosovës.

    “Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai u përket qytetarëve tanë. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve”, tha Shiroka Pula.

    Zgjedhja e saj erdhi pas një marrëveshjeje politike mes partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, të kryeministrit Albin Kurti, dhe Partisë Demokratike të Kosovës, lidhur me ndryshimet në kompetencat e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Tutje, Reuters raporti se të hënën, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit që kërkonin miratimin e ndryshimeve ligjore që do të kufizonin kompetencat e gjykatës në Hagë. Protestat pasuan dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Më 16 shtator, Thaçi u dënua me 25 vjet burgim për krime lufte, Jakup Krasniqi po ashtu 25 vjet, Kadri Veseli 18 vjet, dhe Rexhep Selimi 13 vjet, duke e çuar në 81 vjet dënimin e kombinuar për katër të akuzuarit. Të gjithë kanë mohuar akuzat dhe kanë të drejtë ankese.

  • Rama uron Shiroka Pulën për zgjedhjen presidente: Kosova ka nevojë për unitet dhe guxim

    Rama uron Shiroka Pulën për zgjedhjen presidente: Kosova ka nevojë për unitet dhe guxim

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Rama e ka cilësuar Shiroka Pulën si “mike të çmuar” dhe personalitet me dije e përvojë.

    “Urime znj. Justina Shiroka Pula për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës!

  • Tensioni i lartë dhe i ulët i gjakut – Rastet kur duhet përdorur hudhra

    Tensioni i lartë dhe i ulët i gjakut – Rastet kur duhet përdorur hudhra

    Hudhra është padyshim fuqiplotë përsa i përket vlerave shëndetësore.

    Por për personat që vuajnë nga tensioni i gjakut përdorimi i saj bëhet pak specifik dhe kërkon kujdes në përdorim.

    Problemet me presionin e gjakut që shkaktojnë tensionin ndahen në dy lloje, në atë të hipertensionit që ka të bëjë me presionin e lartë në gjak dhe tensionin e ulët që ka të bëjë me nivelin e ulët të presionit në gjak.

    Në këtë artikull do të mësoni më shumë në lidhje me ndikimin e hudhrës në të dyja këto raste, kur është efektive dhe rastet kur nuk është.

    Hudhra për tensionin e lartë të gjakut

    Përdorimi i hudhrës për trajtimin e tensionit të lartë të gjakut është një nga kurat më të lashta popullore.

    Kur trupi rrit prodhimin e një enzime të quajtur angiotensin, e cila ndikon menjëherë në rritjen e presionit të gjakut, zemra pompon gjakun më fortë nëpër arteriet e trupit.

    Çka jo vetëm mund të dëmtojë arteriet e trupit por mund të krijojë gjithashtu depozita të rrezikshme të kolesterolit të dëmshëm.

    Lënia pas dore e këtij problemi mund të sjellë sulme në zemër, goditje por edhe probleme të tjera akrdiovaskulare.

    Por cila është sasia e duhur që duhet të përdorni?

    Pavarësisht se hudhra është jashtëzakonisht shumë efektive për uljen e tensionit të lartë, sasia e konsumit të saj nuk duhet tepëruar sepse mund të çojë në uljen e tensionit duke krijuar sërish problem shëndetësor.

    Sasia e rekomanduar është nga 1-1.5 gr hudhra në ditë (apo çerekun e një thelpi hudhre. Sipas rekomandimeve hudhrat duhen përtypur të freskëta dhe nuk duhet të jenë të gatuara.

    Përtypja e hudhrës së freskët do të çlirojë në maksimum alicilinën, e cila ndikon në uljen e presionit të gjakut.

    Efektet e plota të saj në organizëm do të ndihen pas një ore kur niveli i gjakut do të stabilizohet.

    Nëse konsumimi i hudhrës shkakton siklet për shkak të aromës, për të eliminuar erën e keqe të gojës nga hudhra klikoni këtu.

    Hudhra për tensionin e ulët të gjakut

    Kur bëhet fjalë për personat që vuajnë nga presioni i ulët në gjak, pra tensioni i ulët, hudhra mund të shndërrohet në armikun kryesor të shëndetit në vetëm pak minuta.

    Siç bëhet e ditur edhe nga informacioni i mësipërm, konsumimi i hudhrës është kategorikisht i ndaluar për personat që vuajnë nga presioni i ulët i gjakut.

  • Sulm me thikë në një shkollë në Stamboll, një nxënës vdes dhe shtatë të tjerë lëndohen

    Sulm me thikë në një shkollë në Stamboll, një nxënës vdes dhe shtatë të tjerë lëndohen

    Një nxënës që ishte plagosur rëndë në një sulm me thikë në një shkollë të mesme në lagjen Başakşehir të Stambollit ka vdekur, ka njoftuar ministri turk i Arsimit, Yusuf Tekin.

    Në sulmin në shkollën Kayaşehir Sheikh Shamil Imam Hatip u plagosën gjithsej tetë nxënës. Autoritetet fillimisht raportuan se njëri prej tyre ishte në gjendje kritike, ndërsa dy të tjerë ishin në gjendje të rëndë.

    Sipas autoriteteve, një vajzë e lindur në vitin 2011, nxënëse e një shkolle të mesme në Küçükçekmece, hyri në oborrin e shkollës në Kayabaşı dhe sulmoi me thikë nxënësit në mënyrë të rastësishme.

    Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, tha se e dyshuara jetonte në të njëjtën lagje dhe kishte hyrë në shkollë e veshur me uniformë. Ajo u ndalua nga personeli i sigurisë dhe më pas iu dorëzua policisë.

    Të plagosurit u dërguan në spital, ndërsa autoritetet thanë se pesë nxënës kishin pësuar plagë të lehta dhe pritej të përfundonin trajtimin gjatë ditës. Dy nxënës të tjerë po vazhdonin trajtimin dhe gjendja e tyre po përmirësohej.