ATV

Author: G.O.

  • Haziri para nisjes së protestës kundër Speciales: Duam drejtësi të bazuar në prova e fakte

    Haziri para nisjes së protestës kundër Speciales: Duam drejtësi të bazuar në prova e fakte

    Organizatori i iniciativës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka thënë se sot iu është bashkuar protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas thirrjes së tyre për protestë.

    Haziri ka bërë të ditur se iniciativa “Jo në emrin tim” ka thirrur protestë gjithëpopullore për orën 12:00, duke theksuar se këto dy protesta nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

    “Unë sot u bashkova bashkë me veteranët, pasi ishte një thirrje e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për protestë dhe tani u bashkuam. Ndërsa ‘Jo në emrin tim’ kemi thirrur protestë gjithëpopullore për orën 12:00. Kjo nuk i përjashton protestat njëra-tjetrën. Jemi të gjithë bashkë këtu në sheshin ‘Skënderbeu’, tash e 21 ditë”, ka deklaruar Haziri.

    Ai ka thënë se protesta po mbahet para institucioneve të Republikës së Kosovës, me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    “Para institucioneve të Republikës së Kosovës, me një kërkesë të thjeshtë: ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Përmes kësaj kërkese dhe këtij ndryshimi, ne nuk mendojmë dhe as besojmë të ikim nga drejtësia, por përmes këtij ligji kërkojmë drejtësi të drejtë, të bazuar në prova dhe fakte”, ka thënë Haziri.

  • Tahiri u bën thirrje deputetëve: Kthehuni në Kuvend dhe votojeni Ligjin për Dhomat e Specializuara

    Tahiri u bën thirrje deputetëve: Kthehuni në Kuvend dhe votojeni Ligjin për Dhomat e Specializuara

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, u ka bërë thirrje deputetëve që të kthehen në Kuvend dhe ta votojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se kanë mbetur edhe 13 orë deri në përfundimin e afatit, raporton Ekonomia Online.

    Tahiri tha se votimi i këtij ligji është i rëndësishëm edhe për konstituimin e plotë të institucioneve, ndërsa u bëri thirrje deputetëve që, siç tha ai, të bashkohen në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Është ora 11:00 dhe jemi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kur kanë mbetur vetëm edhe 13 orë deri në votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe konstituimin e plotë të institucioneve. Ju bëjmë thirrje kolegëve deputetë: ejani në Kuvend ta votojmë Ligjin për Dhomat e Specializuara, të bashkohemi sot, gjithmonë në anën e drejtë të historisë, rreth UÇK-së, vlerës më të lartë të kombit. Kosova na thërret”, tha ai.

  • PK: 20 policë të lënduar, 12 protestues dhe një gazetar kërkuan ndihmë mjekësore

    PK: 20 policë të lënduar, 12 protestues dhe një gazetar kërkuan ndihmë mjekësore

    Policia e Kosovës ka njoftuar për masat që ka marrë për protestën e paralajmëruar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa ka dhënë detaje edhe për zhvillimet e mbrëmshme.

    Sipas Policisë, gjatë protestës së kaluar disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë.

    Policia ka thënë se, për ta kontrolluar situatën, ka përdorur sprej, gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

    Tre persona janë arrestuar, sipas njoftimit. Dy prej tyre janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

    Sipas Policisë, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë/protestues dhe një gazetar.

    Policia ka bërë të ditur se pas vlerësimit të veprimeve policore gjatë protestës, për dyshimet e mundshme për tejkalim të autorizimeve është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

    Për protestën e sotme, Policia ka paralajmëruar angazhim të njësive policore dhe ka bërë të ditur se mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në rrugët përreth sheshit “Skënderbeu”, varësisht nga situata në terren.

    Ndërkohë, Policia u ka bërë thirrje protestuesve që të shprehin pakënaqësitë në mënyrë të qetë dhe demokratike, duke respektuar ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë.

    Protesta e sotme lidhet me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkesat për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

  • Musliu-Shoshi: Edhe pak orë kemi mundësi për unitet

    Musliu-Shoshi: Edhe pak orë kemi mundësi për unitet

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka bërë thirrje për unitet politik, duke thënë se ende kanë mbetur pak orë për një qëndrim të përbashkët.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se çelësi për zgjidhjen e çështjes është në duart e kryeministrit Albin Kurti.

    “Edhe pak orë kemi mundësi për unitet. Mos t’i kënaqim armiqtë tanë! Çelësin e ka vetëm Albin Kurti në dorë: të VOTOHEN ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kaq e thjeshtë. Uniteti kërkon veprim, jo fjalë!”, ka shkruar Musliu-Shoshi.

  • Kurti: Aktgjykimi i Speciales ka pasaktësi faktike, historike dhe ligjore që duhet të korrigjohen në apel

    Kurti: Aktgjykimi i Speciales ka pasaktësi faktike, historike dhe ligjore që duhet të korrigjohen në apel

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë përmban, sipas tij, pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, të cilat duhet të korrigjohen në procedurën e apelit.

    Kurti i bëri këto deklarata gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë.

    Ai tha se pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë” dhe trafikimin e organeve nuk ishin pjesë e aktakuzës, ndërsa sipas tij, janë rrëzuar edhe akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile.

    “Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike e juridike. Dhe presim që këto të korrigjohen në Apel”, ka deklaruar Kurti.

    Ai e ka cilësuar gjithashtu shqetësuese mungesën e transparencës së gjykatës dhe e ka përshkruar atë si “monoetnike”.

    Kurti ka folur edhe për vizitën e von der Leyen dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke thënë se vendi i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

  • Mungesa e masave të sigurisë, ndalen punimet në një objekt ndërtimi në Istog

    Mungesa e masave të sigurisë, ndalen punimet në një objekt ndërtimi në Istog

    Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në Istog, pasi gjatë inspektimit janë konstatuar parregullsi në zbatimin e masave për siguri dhe shëndet në punë.

    Sipas njoftimit të Inspektoratit Qendror të Punës, vendimi për ndalimin e punimeve do të jetë në fuqi deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.

    Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës.

    Po ashtu, institucioni ka apeluar te të gjithë punëdhënësit që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës.

  • Ngritet aktakuzë ndaj Naser Hafizit, dyshohet se i shkaktoi mbi 15.7 milionë euro dëm buxhetit

    Ngritet aktakuzë ndaj Naser Hafizit, dyshohet se i shkaktoi mbi 15.7 milionë euro dëm buxhetit

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Izedin Bytyqit, i cili akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Aktakuza ndaj Bytyqit është ngritur në të njëjtin njoftim të Prokurorisë Speciale ku bëhet e ditur edhe aktakuza ndaj Naser Hafizit për tri vepra penale.

    Sipas Prokurorisë, Izedin Bytyqi akuzohet se ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim armë pa autorizimin përkatës.

    Ndërkohë, ndaj Naser Hafizit është ngritur aktakuzë për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarja e parave” dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

    Sipas aktakuzës ndaj Hafizit, veprat dyshohet se janë kryer gjatë viteve 2021-2023, në kohën kur ai ishte person zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, ndërsa Prokuroria pretendon se veprimet e tij i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 15.752.486,07 euro.

    Të dyshuarit në këtë fazë të procedurës konsiderohen të pafajshëm, derisa fajësia e tyre të vërtetohet me një vendim gjyqësor të formës së prerë.

  • Von der Leyen: Asgjë nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, aktgjykimi në Hagë ka të bëjë me përgjegjësinë individuale

    Von der Leyen: Asgjë nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, aktgjykimi në Hagë ka të bëjë me përgjegjësinë individuale

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se asgjë nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, ndërsa ka theksuar se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Ajo ka vlerësuar reagimin e matur të institucioneve dhe liderëve politikë të Kosovës, duke bërë thirrje për respektimin e mandatit të institucioneve gjyqësore, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë deklarimit të saj, Von der Leyen ka rikujtuar represionin dhe krizën humanitare të vitit 1999, ndërsa ka theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën.

    “Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Viti 1999 është i ngulitur në kujtesën kolektive të Evropës: represioni i dhunshëm, kriza humanitare dhe vuajtjet që ka përjetuar populli juaj”, tha ajo.

    Ajo ka përmendur ndihmën financiare dhe mbështetjen e BE-së për rindërtimin, zhvillimin ekonomik dhe reformat në Kosovë.

    “Bashkimi Evropian ka qëndruar pranë jush që nga ajo kohë. Ne kemi qenë partneri juaj më i fuqishëm dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare. Kemi mbështetur rindërtimin, zhvillimin ekonomik, reformat dhe ndërtimin e një Kosove moderne e demokratike, një Kosovë, e ardhmja e së cilës është në Bashkimin tonë Evropian”, tha ajo.

    Duke folur për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, von der Leyen ka theksuar se të akuzuarit kanë të drejtë ankese, ndërsa ka kërkuar respektimin e vendimeve të institucioneve të pavarura gjyqësore.

    “Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të forta. E vlerësoj reagimin tuaj të matur, si dhe atë të liderëve të tjerë politikë, të cilët kanë bërë thirrje për qetësi. Ky aktgjykim është nxjerrë nga institucione të pavarura gjyqësore dhe mandati i tyre duhet të respektohet plotësisht. Të akuzuarit tani kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë”, tha ajo.

    Ajo ka theksuar se aktgjykimi nuk e vë në gjykim rezistencën e Kosovës, por ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Po ashtu, ka bërë thirrje që kujtimi i viktimave nga të gjitha komunitetet të jetë pjesë e rrugëtimit drejt pajtimit.

    “Por, një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim dhe ne duhet ta nderojmë kujtimin e të gjitha viktimave, nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Kujtimi i tyre duhet të mbetet pjesë e rrugëtimit të Kosovës drejt pajtimit dhe një të ardhmeje të përbashkët.

    Kjo më çon te pika ime e dytë: rëndësia thelbësore e stabilitetit institucional. Është formuar një Kuvend dhe një Qeveri e re. Kjo është pozitive”, tha ajo.

    Në vijim, presidentja e Komisionit Evropian ka theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe zgjedhjes së presidentit, duke vlerësuar se dialogu ndërmjet partive politike është i mundur.

    “Hapi i radhës është zgjedhja e presidentit dhe, gjatë javëve dhe ditëve të fundit, kemi parë se dialogu ndërmjet partive politike është i mundur. Ju duhet ta shfrytëzoni këtë mundësi dhe të vazhdoni në këtë drejtim, sepse stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje tjetër: i reformave, rritjes ekonomike dhe përparimit në rrugën tuaj evropiane. Kjo më çon te pika ime e tretë: e ardhmja evropiane e Kosovës. E kam thënë edhe më parë dhe po e përsëris: besoj fuqishëm në të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha ajo.

  • Kurti pas takimit me von der Leyen: Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm

    Kurti pas takimit me von der Leyen: Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur për zhvillimet në Kosovë, duke vlerësuar përparimin në demokraci, sundimin e ligjit, siguri dhe ekonomi, raporton Ekonomia Online.

    Kurti ka thënë se Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm dhe se kjo, sipas tij, është konfirmuar edhe nga vlerësues të pavarur.

    “Që nga takimi ynë i parë, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm, dhe këtë e konfirmojnë vlerësuesit e pavarur. Kosova ka pasur njëra prej rritjeve më të shpejta të treguesve demokratikë në rajon në këtë dekadë, vlerësuesit e pavarur tregojnë se kemi pasur sukses në luftën kundër korrupsionit, në forcimin e sundimit të ligjit sikurse të institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe në avancimin e demokracisë. Përderisa në rajonin tonë të Evropës Juglindore ka autokraci elektorale, Kosova është demokraci elektorale”, tha ai.

    Kryeministri Kurti ka deklaruar gjithashtu se zgjedhjet në Kosovë janë të lira, të drejta dhe konkurruese, duke theksuar nevojën që ato të zhvillohen sipas afateve të rregullta.

    “Zgjedhjet tona janë të lira, të drejta dhe konkurruese. Dhe po, ato duhet të mbahen një herë në 4 vjet, e jo dy herë në vit. Ky përparim e ka bërë Kosovën edhe njëra prej vendeve më të sigurta në Evropë, 9 nga 10 qytetarët tanë ndihen të sigurt të ecin vetëm natën. Dhe përmirësimi më i madh në siguri dhe në sundimin e ligjit ka ndodhur në veri të vendit tonë. Ekonomia vazhdon të rritet 4% në vit, rritja më e lartë në rajon, ndërsa borxhi ynë publik mbetet më i ulët në Evropë. Vitin e kaluar Kosova u bë donatore e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim të Bankës Botërore, dhe sy kur banka botërore ashtu edhe fondi monetar ndërkombëtar na hoqën nga listat e tyre të shteteve të brishta dhe të prekura nga konflikti. Këtë rritje e kemi ndarë me qytetarët tanë përmes shtesave për fëmijë dhe për nëna, pensioneve më të larta dhe pagës minimale më të lartë, masat që për herë të parë janë vendosur ose janë rritur në këtë dekadë”, tha ai.

  • Akuzohet për spiunazh dhe shantazh, Fatmir Sheholli deklarohet sërish i pafajshëm – vazhdohet në fjalën hyrëse

    Akuzohet për spiunazh dhe shantazh, Fatmir Sheholli deklarohet sërish i pafajshëm – vazhdohet në fjalën hyrëse

    Fatmir Sheholli është deklaruar sërish i pafajshëm në shqyrtimin gjyqësor që po mbahet ndaj tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku përballet me akuzat për spiunazh dhe shantazh.

    Në seancën e sotme po paraqiten fjalët hyrëse të palëve.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Sheholli dyshohet se, deri më 9 tetor 2025, ka vepruar si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si BIA, duke zbatuar urdhrat dhe detyrat e zyrtarëve të tij.

    Prokuroria pretendon se ai ka mbledhur dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike informacione e dokumente për aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

    Akuza për shantazh lidhet me periudhën nga viti 2022 deri në dhjetor 2025. Sipas Prokurorisë, Sheholli dyshohet se e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke i shkaktuar dëm pasuror që tejkalon 13 mijë euro.

    Në aktakuzë pretendohet se paratë i kërkoheshin në emër të huazimit, nën kërcënimin se, nëse nuk i jepte, do t’i publikoheshin në media video-incizime dhe informacione që do t’ia dëmtonin reputacionin.

    Sheholli i ka mohuar akuzat, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij po vazhdon.