ATV

Author: G.O.

  • Cakolli: Vetëm deputetët mund ta kontestojnë zgjedhjen e presidentes

    Cakolli: Vetëm deputetët mund ta kontestojnë zgjedhjen e presidentes

    Vetëm një grup prej së paku dhjetë deputetësh mund ta kontestojë drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e Presidentes, ka sqaruar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

    Sipas tij, kërkesa duhet të parashtrohet brenda tetë ditësh nga miratimi i vendimit në Kuvend, në të kundërtën kjo mundësi mbyllet.

    Cakolli thekson se dërgimi i një njoftimi të thjeshtë, si ai i avokatit Arianit Koci, nuk prodhon efekt pezullues ndaj zgjedhjes.

    Sipas Cakollit, afati për një kontestim të tillë do të ishte deri më 14 tetor.

    “Kjo nënkupton, bazuar në parimin e llogaritjes se çdo vendim është kushtetues derisa të vërtetohet e kundërta, pra ky prezumimi i kushtetutshmërisë, zgjedhja e zonjës Justina Pula si presidente është plotësisht kushtetuese, përveç nëse dikush do ta kontestojë në gjykatë brenda afatit tetë ditor, që i bie më së voni deri më 14 tetor, dhe eventualisht gjykata do ta anulojë të njëjtën”, tha ai.

    Cakolli ka folur edhe për njoftimin për moszbatim në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se ai nuk e pezullon procedurën.

    “Në anën tjetër, edhe dërgimi në Gjykatë Kushtetuese i njoftimit për moszbatim, nuk ka asnjë efekt të drejtpërdrejtë në pezullimin e procedurës si të tillë. Për shkak se gjykata ka mekanizma të brendshëm për ta bërë kontrollin e zbatimit të vendimeve të saj, përmes formimit të disa komisioneve të brendshme. Sidoqoftë nuk ka kuptim që të them gjykata ta bëjë vlerësimin e zbatimit ose moszbatimit, sepse nuk ka pikë të aktgjykimit që nuk është zbatuar”, tha ai për Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se pretendimi për moszbatim të aktgjykimit, sipas tij, nuk prodhon efekt mbi procedurën e zgjedhjes së presidentes.

    “Pra gjykata ka përcaktuar pasojën që nënkupton se e vetmja mënyrë për ta kontestuar këtë procedurë është nëse ndiqet procedura sipas nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjit për Gjykatën. Andaj, ndonëse e drejta e çdokujt që të pretendojë se po arrin që ta dërgojë një rast, kjo absolutisht nuk qëndron dhe në fakt më shumë duket si përpjekje për vëmendje por që përmbajtësisht nuk ka asnjë efekt mbi procedurën e zgjedhjes së presidentit”, tha ai.

    Cakolli ka thënë se mënyra e përfundimit të votimit për presidenten mbetet e diskutueshme, pasi votimi kishte nisur në minutat e fundit të 6 tetorit dhe kishte vazhduar edhe pas mesnatës.

    “Zgjedhja e presidentit, përkatësisht presidentes mbrëmë, normalisht mbetet e diskutueshme për mbylljen e procedurës, por që në anën tjetër, ka praktika sidomos ndërkombëtare por edhe mënyra se si janë interpretuar normat në Kosovë, bazuar edhe në vetë jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, është që normat të interpretohen në funksion të mundësimit të formimit të institucioneve, e jo që dispozitat të interpretohen mekanikisht për një gjë të tillë”, tha ai.

    Sipas tij, fakti që votat kanë qenë në kuti para përfundimit të 6 tetorit mund të jetë relevant në interpretimin e përfundimit të procedurës.

    “Unë besoj që meqenëse procedura ka nisur dhe ka qenë në përmbyllje, pra votat kanë qenë në kuti, do të jetë problematike që të konstatohet se ka dështuar zgjedhja e presidentit brenda afatit sepse, në anën tjetër nuk ka interpretim taksativ se çfarë nënkupton zgjedhja e presidentit. Pra, a zgjidhet presidenti vetëm kur ta konstatojë këtë kryetarja, kur të numërohen votat, apo kur të njëjtat janë në kuti?”, tha ai.

    Cakolli ka bërë analogji me procesin zgjedhor, duke thënë se data e zgjedhjeve mbetet ajo në të cilën është zhvilluar procesi, edhe nëse rezultatet certifikohen më vonë.

    “Sepse të gjitha kanë relevancën e tyre dhe ta zëmë në analogji me procesin zgjedhor, zgjedhjet bëhen në një datë të caktuar, ta zëmë në rastin e fundit më 7 qershor, dhe edhe nëse rezultatet certifikohen një ditë pas, dy ditë pas, dy javë pas, data e zgjedhjeve mbetet 6 apo 7 qershori. Dhe seanca e djeshme, pra presidenti i vendit në kuptimin e gjerë të fjalës është zgjedhur në seancën e mbajtur më 6 tetor, jo më 7 tetor, sepse nuk ka pasur seancë të thirrur për datën 7 tetor. Andaj, besoj që ka mundësi që kjo çështje të tejkalohet, nëse vetëm se do të ketë kërkesë për interpretim, por që unë besoj që nuk është e dobishme që të ketë interpretim kaq të ngushtë të normës kushtetuese deri në sekonda në këtë kuptim”, tha ai.

    Ndërkohë, avokati Arianit Koci ka njoftuar se të mërkurën ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26.

    Koci ka thënë se Gjykata kishte përcaktuar që procedura për zgjedhjen e presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026 dhe se votimi kishte vazhduar edhe pas mesnatës.

    “Sot kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26. Gjykata kishte përcaktuar qartë se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026. Sipas të dhënave publike, votimi ka vazhduar edhe pas mesnatës. Gjykata në nenin 226 të aktgjykimit, e ka theksuar edhe pasojën juridike në rast se afati nuk respektohet: shpërndarja e Kuvendit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme. Pa zbatimin e tyre, nuk ka shtet e shoqëri”, ka shtuar Cakolli, në një intervistë për Ekonomia Online.

  • Mustafa: Kosova dëshmoi pjekuri institucionale me Ligjin për Specialen dhe presidenten

    Mustafa: Kosova dëshmoi pjekuri institucionale me Ligjin për Specialen dhe presidenten

    Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, e ka vlerësuar si një dëshmi të pjekurisë së lartë institucionale miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, si dhe zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës në postin e presidentes së Kosovës.

    Mustafa ka thënë se vendimet e marra në Kuvend, përfshirë miratimin e ndryshimeve në ligj me më shumë se dy të tretat e votave dhe zgjedhjen e presidentes, përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm institucional.

    “Miratimi nga Parlamenti me votë prej mbi dy të tretave i ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale me seli në Hagë dhe zgjedhja e Presidentes së Kosovës , akademike Justina Shiroka Pula, është një pjekuri e lartë institucionale.”, ka thënë ai për IndeksOnline.

    Mustafa ka vënë në pah edhe numrin e votave me të cilat është zgjedhur presidentja, duke e cilësuar këtë si një tregues të mbështetjes së gjerë në Kuvend.

    “Presidentja ka marrë 81 vota të Kuvendit, aq sa parashihen edhe për ndryshimet dhe miratimin e Kushtetutës. Është një personalitet me vlera të larta profesionale, intekektuale dhe njerëzore; ajo që në këto momente dhe jo vetëm në këto i nevojitet vendit tonë.”, ka theksuar ai.

    Vlerësimi i Mustafës vjen në një moment të rëndësishëm institucional për Kosovën, teksa miratimi i ndryshimeve ligjore dhe zgjedhja e presidentes së re shihen prej tij si hapa që dëshmojnë funksionimin dhe pjekurinë e institucioneve të vendit.

  • Musliu pas votimit të Ligjit për Specialen dhe zgjedhjes së Presidentes: Pas këtyre vendimeve qëndron një rezistencë e gjatë

    Musliu pas votimit të Ligjit për Specialen dhe zgjedhjes së Presidentes: Pas këtyre vendimeve qëndron një rezistencë e gjatë

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Kuvend, ku u votuan ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe u zgjodh Presidentja e Kosovës.

    Musliu ka thënë se pas këtyre dy vendimeve qëndrojnë ditë dhe net të tëra pune, përballjeje dhe qëndrese.

    Ajo u ka shprehur mirënjohje qytetarëve që, sipas saj, për tri javë rresht qëndruan në shesh.

    Deputetja e PDK-së e ka lidhur këtë angazhim qytetar me zhvillimet që kulmuan me votimet e mbrëmshme në Kuvend.

  • Në orën 15:00 mbahet ceremonia e inaugurimit të Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula

    Në orën 15:00 mbahet ceremonia e inaugurimit të Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula

    Në orën 15:00, do të mbahet ceremonia e inaugurimit të Presidentes së Republikës së Kosovë, Justina Shiroka-Pula.

    Sipas agjendës mediale të Presidencës, në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit, mysafirë dhe akterë të tjerë të ftuar.

    Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente me 81 vota në një votim mesnatën mes të martës dhe të mërkurës. Ajo pati mbështetjen e Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

  • Përshkallëzohen protestat e nxënësve në Francë, Policia përdor gaz lotësjellës

    Përshkallëzohen protestat e nxënësve në Francë, Policia përdor gaz lotësjellës

    Dhjetëra mijëra nxënës, mësues dhe prindër kanë dalë në rrugët e Francës në protestë për më shumë fonde dhe kushte më të mira në arsim.

    Lëvizja që nisi më 17 shtator në një shkollë të mesme në Paris, është shtrirë tashmë në mbarë vendin, duke çuar në mbylljen e mbi 900 shkollave.

    Vetëm të hënën pritet të mbyllen plotësisht apo pjesërisht deri në 500 shkolla, për arsye sigurie, njoftoi ministri i Arsimit, Edouard Geffray.

    Përplasjet me policinë kanë shtuar tensionet, me forcat e rendit që kanë përdorur gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe plumba gome kundër protestuesve.

    Sipas autoriteteve, mbi 700 efektivë janë lënduar, ndërsa mijëra të mitur janë arrestuar.

    Nxënësit ankohen për klasa të mbipopulluara, mungesë mësuesish, objekte të vjetruara dhe kushte higjienike të papranueshme.

  • Gjendet pa shenja jete një 72-vjeçare në Zym të Prizrenit, dyshohet se ra nga ballkoni i shtëpisë

    Gjendet pa shenja jete një 72-vjeçare në Zym të Prizrenit, dyshohet se ra nga ballkoni i shtëpisë

    Një grua 72-vjeçare është gjetur pa shenja jete të martën në shtëpinë e saj në fshatin Zym të Prizrenit. Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    Sipas policisë, rasti është raportuar rreth orës 12 e 40, pasi Qendra Emergjente njoftoi për një person të gjinisë femërore pa shenja jete.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia policore, hetuesi kujdestar dhe njësia e kriminalistikës.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa nga hetimet e para dyshohet për vdekje aksidentale si pasojë e rënies nga ballkoni i shtëpisë.

  • Ura e re në Mitrovicë drejt përfundimit

    Ura e re në Mitrovicë drejt përfundimit

    Punimet në urën e re në Mitrovicë po zhvillohen me dinamikë të lartë, ndërsa projekti tashmë ka hyrë në fazat e fundit të realizimit.

    Kështu ka bërë të ditur Ministria e Infrastrukturës, në një postim, duke thënë se me ritmin aktual të punimeve, përfundimi i urës pritet të bëhet brenda afatit të paraparë.

    Sipas ministrisë, ky investim do të rrisë sigurinë dhe efikasitetin në qarkullim, do të përmirësojë lidhjen ndërmjet zonave të qytetit dhe do të krijojë kushte më të mira për lëvizjen e qytetarëve, zhvillimin e bizneseve dhe aktivitetin ekonomik.

  • Avokati Koci dërgon në Kushtetuese zgjedhjen e presidentes

    Avokati Koci dërgon në Kushtetuese zgjedhjen e presidentes

    Avokati Arianit Koci ka njoftuar se ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26, lidhur me procedurën për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Koci ka thënë se Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar që procedura për zgjedhjen e presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026, ndërsa sipas tij votimi ka vazhduar edhe pas mesnatës.

    “Sot kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26. Gjykata kishte përcaktuar qartë se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026. Sipas të dhënave publike, votimi ka vazhduar edhe pas mesnatës. Gjykata në nenin 226 të aktgjykimit, e ka theksuar edhe pasojën juridike në rast se afati nuk respektohet: shpërndarja e Kuvendit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme.
    Pa zbatimin e tyre, nuk ka shtet e shoqëri”, tha ai.

  • Haxhiu i uron mbarësi Shiroka-Pulës në detyrën e re si presidente e Kosovës

    Haxhiu i uron mbarësi Shiroka-Pulës në detyrën e re si presidente e Kosovës

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka uruar akademiken Justina Shiroka-Pula me rastin e marrjes së detyrës së Presidentes së re të Republikës së Kosovës.

    Përmes një postimi, Haxhiu i ka dëshiruar presidentes së re mbarësi në ushtrimin e detyrës, në shërbim të vendit dhe qytetarëve.

    “Uroj Presidenten e re të Republikës së Kosovës, akademiken Justina Shiroka Pula, dhe i dëshiroj shumë mbarësi në ushtrimin e detyrës së saj, në shërbim të vendit dhe të të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.

    Ajo ka vlerësuar se Kuvendi ka përmbyllur një proces të gjatë dhe të vështirë politik, duke arritur marrëveshje dhe duke gjetur zgjidhje institucionale.

    Haxhiu është shprehur gjithashtu për periudhën gjatë së cilës ka ushtruar detyrën e Presidentes, duke e cilësuar atë si një përgjegjësi të veçantë institucionale.

    “Për mua ka qenë një nder i veçantë të ushtroj detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës në një periudhë me përgjegjësi të mëdha institucionale. Këtë detyrë e kam ushtruar me respekt të plotë për institucionin dhe me përkushtim, duke u angazhuar që të ruhet vazhdimësia e funksionimit të shtetit deri në zgjedhjen e Presidentes së re”, ka deklaruar Haxhiu.

  • Rama uron presidenten Shiroka-Pula: Zgjedhja e saj erdhi në një fazë sfiduese për Kosovën dhe Rajonin

    Rama uron presidenten Shiroka-Pula: Zgjedhja e saj erdhi në një fazë sfiduese për Kosovën dhe Rajonin

    Kryeministri Edi Rama ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare, tha se zgjedhja e saj vjen në një sfidues për Kosovën, rajonin dhe Evropën.

    “Urime të përzemërta akademikes së nderuar, znj. Justina Shiroka – Pula, për zgjedhjen e saj si Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për të gjithë rajonin tonë dhe për vetë Evropën. Ju uroj suksese juve dhe Kosovës, Zonja Presidente”, shkruan Rama.