ATV

Author: G.O.

  • “Femicidi është urgjencë kombëtare” – nesër protestë në Prishtinë, kërkohet ndryshimi i Kodit Penal dhe përgjegjësi institucionale

    “Femicidi është urgjencë kombëtare” – nesër protestë në Prishtinë, kërkohet ndryshimi i Kodit Penal dhe përgjegjësi institucionale

    Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste kundër vrasjes së grave, e cila do të zhvillohet nesër, më 25 nëntor, në Prishtinë.

    Protesta, me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare!”, do të nisë në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

    Përmes kësaj proteste, organizatorët kërkojnë drejtësi, llogaridhënie institucionale dhe ndërmarrjen e masave konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave.

    Rrjeti i Grave të Kosovës ka paraqitur katër kërkesa kryesore:

    • Ndryshimin e Kodit Penal dhe përcaktimin e femicidit si vepër penale të veçantë, duke njohur motivin gjinor dhe kontekstin e dhunës që mund t’i paraprijë vrasjes.
    • Krijimin e mekanizmit “Femicide Watch”, për evidentimin dhe analizimin e rasteve të vrasjeve të grave, identifikimin e mundësive të humbura për ndërhyrje dhe adresimin e përgjegjësive institucionale.
    • Sigurimin e buxhetit të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për mbrojtjen e grave, përfshirë financimin e strehimoreve dhe shërbimeve të specializuara.
    • Miratimin dhe zbatimin e plotë të legjislacionit, forcimin e koordinimit ndërinstitucional, vlerësimin e rrezikut dhe llogaridhënien e institucioneve përgjegjëse.

    RrGK ka theksuar se barra e parandalimit të dhunës nuk duhet t’u mbetet grave që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje, por institucioneve që kanë detyrimin për t’i mbrojtur ato.

    “Institucionet duhet të marrin përgjegjësi dhe të veprojnë para se të jetë tepër vonë”,thuhet në njoftimin e organizatorëve.

  • Lemza tek foshnjat nuk është e rastësishme: Shkenca zbulon se iu ndihmon të kontrollojnë frymëmarrjen

    Lemza tek foshnjat nuk është e rastësishme: Shkenca zbulon se iu ndihmon të kontrollojnë frymëmarrjen

    Për prindërit e rinj me ankth, një foshnje me lemzë mund të jetë një tjetër burim shqetësimi.

    Por është normale që të sapolindurit të kenë lemzën për tetë minuta në të njëjtën kohë, dhe shkencëtarët tani dyshojnë se e bëjnë atë për të mësuar se si të kontrollojnë frymëmarrjen e tyre.

    Kur foshnjat kanë lemzën, studiuesit kanë zbuluar se ata kanë dy valë të trurit të lidhura me ndjenjën në gjoks, dhe një e treta mendohet të jetë një reagim ndaj tingullit ‘hic’ që ndodh së bashku me tkurrjen.

    Lemzat shkaktojnë një lëvizje të papritur të diafragmës, kështu që valët e trurit mund të trajnojnë foshnjat se si të kontrollojnë këtë muskul.

    Është e rëndësishme të mësoni se si të merrni frymë me vetëdije, nëse të shëroheni nga stërvitja ose të merrni frymë thellë në situata stresuese.

    Studiuesit nga Universiteti College London rekrutuan 217 foshnje për studimin e tyre, duke arritur të gjejnë 13 me lemzë të vazhdueshme. Duke përdorur elektroda në kokën e tyre, ata identifikuan valët e rëndësishme të trurit të shkaktuar nga secila gjendje e lemzës.

    Dr Lorenzo Fabrizi, autor i studimit nga UCL, tha se nga përvoja personale gruaja e tij dikur shqetësohej vërtet kur vajza e tyre foshnje kishte lemzën.

    ”Si i rritur, shqetësohemi se është e bezdisshme dhe e panevojshme për ta, por këto gjetje sugjerojnë se mund të ketë një qëllim të caktuar”, shprehet ai.

    ”Aktiviteti që vjen nga ky refleks i mistershëm, mund të ndihmojë trurin e foshnjës të mësojë se si të monitorojë muskujt e frymëmarrjes në mënyrë që përfundimisht frymëmarrja të kontrollohet vullnetarisht duke lëvizur diafragmën lart e poshtë”.

    Foshnjat në mitër fillojnë të kenë lemzën që në nëntë javë në shtatzëni, dhe foshnjat e parakohshme mund të kalojnë 15 minuta në ditë duke e bërë atë.

    Studiuesit shikuan foshnjat që ishin nga 30 deri në 42 javë, nga të cilët 10 bënë lemzën ndërsa ishin zgjuar dhe tre gjatë gjumit aktiv.

  • Takohen komandanti i FSK-së dhe ai i Akademisë së Forcave të Shqipërisë, flasin për bashkëpunimin ndërmjet dy ushtrive

    Takohen komandanti i FSK-së dhe ai i Akademisë së Forcave të Shqipërisë, flasin për bashkëpunimin ndërmjet dy ushtrive

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në takim Komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneralmajor Ferdinant Dimo.

    Në njoftim thuhet se gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me theks të veçantë në fushën e arsimimit dhe edukimit ushtarak, shkëmbimin e përvojave profesionale, si dhe mundësitë për zgjerimin dhe avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.

    “Gjenerallejtënant Jashari vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy forcave, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak, si dhe të shkëmbimit të përvojave, në funksion të zhvillimit të mëtejmë të njohurive dhe aftësive profesionale të personelit ushtarak.

    Në përfundim, të dy gjeneralët riafirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve ushtarake, duke vlerësuar se bashkëpunimi në fushën e arsimimit dhe edukimit ushtarak përbën një dimension të rëndësishëm në zhvillimin profesional dhe institucional të të dy forcave”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

  • “Janë vra sepse ishin UDB-ashë”, Abdixhiku reagon për vrasjet politike: Ofenduesit nuk i edukojmë dot, por ky shtet ka institucione – le të veprojnë

    “Janë vra sepse ishin UDB-ashë”, Abdixhiku reagon për vrasjet politike: Ofenduesit nuk i edukojmë dot, por ky shtet ka institucione – le të veprojnë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka theksuar sot se ofendimet ndaj vrasjeve politike lëndojnë kujtesën historike dhe cenojnë themelet e Republikës.

    Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se pret reagim të fortë nga Komisioni i Pavarur i Mediave, gjersa thekson se ofenduesit nuk i edukojnë dot, por ky shtet ka institucione dhe duhet të veprojnë. 

    Lexoni të plotë postimin e Abdixhikut:

    Ju kam thënë, mos i dëgjoni.

    Në fillim flasin për fotografi. Pse e kërkojnë aty. Le ta largojmë. Më pas trillojnë për gurë të mbështjellë në celofan e të nisur për në Beograd. Dikur i shpallin viktimat kufoma politike – sepse s’kanë asnjë ndjesi njeriu. Fundja, njihen veç për zhurmë, shpifje, sharje e grushte mes vete – analizë u thonë këtyre. Në fund thonë “boll më”. Janë vra sepse ishin UDB-ashë.

    Ju kam thënë me kohë. Që nga fillimi, këta kanë agjendë luftën kundër Lidhjes Demokratike. Se durojnë si ide, se pranojnë si histori, frikësohen nga e ardhmja. Prandaj me aq zell tregojnë çfarë duhet të ndodhë në këtë shtëpi. Shikovca u themi ne. I bajmë në qafë. Tash e gjashtë vjet, ditë e natë.

    Pres reagim të fortë nga Komisioni i Pavarur i Mediave. Ofendimet ndaj vrasjeve politike lëndojnë kujtesën historike dhe cenojnë themelet e Republikës. Familjet që tash e sa vjet presin të mësojnë kush ua vrau më të dashurit, sot dëgjojnë se përse ata e paskan merituar vrasjen. Ofenduesit nuk i edukojmë dot, por ky shtet ka institucione. Le të veprojnë!

  • Raportohet për katër të arrestuar për vrasjen e Arlinda Zekajt, mes tyre edhe ish-vjehrra e ish-kunati

    Raportohet për katër të arrestuar për vrasjen e Arlinda Zekajt, mes tyre edhe ish-vjehrra e ish-kunati

    Zhvillime të reja raportohet se kanë ndodhur në hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

    Sipas raportimit në disa media së fundmi janë arrestuar edhe katër persona të tjerë nën dyshimin për përfshirje në rastin e vrasjes së 49-vjeçares.

    Në mesin e të arrestuarve thuher se janë ish-vjehrra Nurije Sylaj dhe ish-kunati Driton Sylaj, të cilët dyshohen për shtytje në vrasje.

    Arrestimet janë realizuar në kuadër të zgjerimit të hetimeve, ndërsa gjatë veprimeve hetimore janë kryer edhe bastisje dhe janë sekuestruar prova.

    Telegrafi ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe Policinë e Kosovës për të konfirmuar informacionet lidhur me arrestimet dhe dyshimet ndaj personave të përmendur, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje nga institucionet.

    Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet ish-kunati, Albert Sylaj, ndërsa rasti kishte nxitur reagime të shumta edhe për shkak të rrethanave që i paraprinë ngjarjes.

    Personat e përmendur në këtë raportim konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës. 

  • Arrestohet një person në Shtime, dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij

    Arrestohet një person në Shtime, dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij

    Një rast i dhunës në familje është raportuar në fshatin Belincë të Shtimes, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.

    Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 20 nëntor, rreth orës 11:10, ndërsa i dyshuari është arrestuar më 23 nëntor 2026.

    I dyshuari, shtetas kosovar, i cili sipas policisë ka probleme psikike, dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”.

  • Polici harron armën zyrtare në pompën e derivateve në Shkabaj, një person e merr atë

    Polici harron armën zyrtare në pompën e derivateve në Shkabaj, një person e merr atë

    Një zyrtar policor ka raportuar se e kishte harruar armën e tij zyrtare në një pompë të derivateve në Shkabaj, ndërsa më pas atë e kishte marrë një person tjetër.

    Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 23 nëntor, rreth orës 16:30.

    “Ankuesi mashkull kosovar zyrtar policor, ka raportuar se e kishte harruar armën e tij zyrtare në Hib Petrol dhe se dikush ia kishte marrë atë. Njësitë policore e kanë trajtuar rastin, ku pas shikimit të kamerave të sigurisë së objektit është identifikuar i dyshuari mashkull kosovar i cili e kishte marrë armën. I njëjti është ftuar nga Policia dhe e ka pranuar se e kishte marrë armën me qëllim që ta raportonte më pas”, thotë policia.

    Arma është sekuestruar, ndërsa me udhëzimin e prokurorit rasti është iniciuar si “vjedhje e rëndë” dhe do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

  • E sulmon fizikisht partneren, më pas shtie me armë zjarri – arrestohet i dyshuari në Vushtrri

    E sulmon fizikisht partneren, më pas shtie me armë zjarri – arrestohet i dyshuari në Vushtrri

    Një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga partneri i saj në Vushtrri.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima ka deklaruar se fillimisht ishte sulmuar me një mjet të fortë nga i dyshuar, më pas, i dyshuari kishte shtënë dy herë me armë zjarri, një herë në ajër dhe një herë në drejtim të këmbëve të saj.

    Viktima fillimisht është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Vushtrrisë, e më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë.

    Me urdhër të prokurorit, policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur tre fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dy karikatorë të zbrazët të armës së gjatë.

    I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Operacion kundër drogës në Mitrovicë, Sveçla publikon pamjet e aksionit

    Operacion kundër drogës në Mitrovicë, Sveçla publikon pamjet e aksionit

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga një operacion i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut, ku janë sekuestruar 117.9 gramë marihuanë dhe është arrestuar një person.

    Sipas Sveçlës, substanca narkotike ishte ndarë në paketime të vogla dhe dyshohej se ishte e destinuar për shitje në rrugë.

    Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe para të gatshme, për të cilat dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve.

    “Vazhdon pa kompromis lufta e përbashkët institucionale kundër narkotikëve dhe shpërndarjes së tyre në rrugë. Në një operacion të realizuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Jugut, janë sekuestruar 117.9 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë, e ndarë në paketime të vogla dhe e gatshme për shitje në tregun rrugor dhe para të gatshme, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve”, ka shkruar Sveçla.

    Ai ka theksuar se luftimi i narkotikëve është i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve.

    Sveçla ka shtuar se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për parandalimin e shpërndarjes së narkotikëve.

  • GLPS: Rreth 60 për qind e qytetarëve vlerësojnë se institucionet e drejtësisë ndikohen nga politika

    GLPS: Rreth 60 për qind e qytetarëve vlerësojnë se institucionet e drejtësisë ndikohen nga politika

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar tryezë diskutimi me temën “Performanca institucionale dhe perceptimi qytetar për sistemin e drejtësisë”, ku është prezantuar edicioni i dhjetë i raportit RoLPIK, i cili pasqyron perceptimin e qytetarëve për funksionimin, pavarësinë dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, gjatë fjalës së saj tha se perceptimi i qytetarëve për pavarësinë e sistemit të drejtësisë vazhdon të mbetet jo i kënaqshëm, duke theksuar se ndikimi politik, politikat e ulëta ndëshkimore dhe mitmarrja janë ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve.

    “Sikurse në edicionin e kaluar, edhe sivjet perceptimi i qytetarëve në raport me pavarësinë e sistemit të drejtësisë vazhdon të mos jetë i kënaqshëm. Politikat e ulëta ndëshkimore, ndikimi politik janë disa nga elementet të cilët qytetarët konsiderojnë që janë duke cenuar ose vazhdojnë ta cenojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Prandaj, do ta shihni më vonë se gjysma e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar që nuk kanë parë përmirësim të dukshëm në funksionimin e sistemit në pesë vitet e fundit. Kurse, kur janë pyetur për reformat në drejtësi, ata kanë preferuar që fokusi më i madh të jetë në forcimin e institucioneve ekzistuese sesa në krijimin e institucioneve të reja”, tha Arifi.

    Ndërkaq, prezantimin e edicionit të dhjetë të raportit RoLPIK e bëri menaxheri i projekteve në GLPS, Liridon Salihi, i cili prezantoi të gjeturat kryesore të hulumtimit dhe perceptimin e qytetarëve për institucionet e drejtësisë.

    Salihi bëri të ditur se një prej çështjeve kryesore të trajtuara në raport është ndikimi i politikës në institucionet e drejtësisë, duke theksuar se rreth 60 për qind e qytetarëve të anketuar vlerësojnë se këto institucione ndikohen nga politika.

    “Çështja kryesore që trajton raporti është se sa e shohin qytetarët ndikimin e politikës në institucionet e drejtësisë. Pra, si e perceptojnë këtë qytetarët dhe çfarë tregojnë të dhënat që kemi publikuar dhe i kemi nxjerrë nga anketa me qytetarët. Rezulton se rreth 60 për qind e qytetarëve të Republikës së Kosovës vlerësojnë që institucionet e drejtësisë ndikohen nga politika. Sa u përket institucioneve që kanë më së shumti ndikim nga politika, gjykatat vazhdojnë të prijnë me 35.1 për qind, pastaj prokuroritë me 34 për qind dhe policia në vendin e tretë me 17.7 për qind”, deklaroi Salihi.

    Ai foli edhe për perceptimin e qytetarëve lidhur me praninë e korrupsionit dhe ryshfetit në institucionet e drejtësisë, duke thënë se pothuajse gjysma e të anketuarve e konsiderojnë këtë dukuri të pranishme.

    “Sa i përket çështjes së ryshfetit ose korrupsionit në institucionet e drejtësisë, rreth 48 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se kjo dukuri është prezente në institucionet e drejtësisë, duke i renditur gjykatat dhe prokuroritë si institucionet ku është më së shumti e pranishme një dukuri e tillë. Ndërsa, në raport me efektivitetin në luftimin e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, policia vazhdon të renditet si institucioni që ka vlerësimin më pozitiv në raport me institucionet e tjera të drejtësisë. Njëkohësisht, paraqet institucionin me të cilin qytetarët janë më të kënaqur në raport me prokurorinë dhe gjykatat”, tha ai.

    Sipas Salihit, raporti evidenton gjithashtu gatishmërinë e qytetarëve për të bashkëpunuar me institucionet e drejtësisë dhe për të raportuar rastet e korrupsionit apo veprat e tjera penale.

    “Sa i përket raportimit, meqenëse është edhe obligim ligjor raportimi i veprave penale, këtë vit kemi rreth 70 për qind të qytetarëve që deklarojnë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të raportojnë raste të korrupsionit ose vepra të tjera penale në këto institucione. Si institucionin e parë ku do të raportonin, ata kanë zgjedhur Policinë e Kosovës, me 87.4 për qind”, u shpreh Salihi.

    Duke folur për përvojat e qytetarëve me sistemin gjyqësor, ai bëri të ditur se vetëm një pjesë e vogël e të anketuarve janë të përfshirë në procedura gjyqësore, ndërsa më pak se një e katërta kanë pranuar shërbime nga gjykatat gjatë pesë viteve të fundit.

    “Duke qenë se kemi një numër të madh të rasteve në gjykata, ne kemi pyetur edhe qytetarët se sa prej tyre janë palë në këto procedura dhe rezulton se vetëm diku rreth 5 për qind e qytetarëve të anketuar janë palë në një procedurë. Pjesa më e madhe e tyre janë palë e dëmtuar ose në cilësinë e paditësit. Ata që kanë pranuar shërbime nga gjykata në pesë vitet e fundit janë vetëm 23.3 për qind, ndërsa mesatarja e vlerësimit të këtyre shërbimeve që u ofruan nga institucionet e drejtësisë është 3.5. Pra, në një varg prej 1 deri në 5, mesatarja ka qenë 3.5, bazuar në përgjigjet që kanë dhënë qytetarët sa i përket kënaqshmërisë me shërbimet që i morën nga gjyqësori”, theksoi ai.

    Një tjetër gjetje e rëndësishme e raportit lidhet me mungesën e përmirësimit të dukshëm të sistemit të drejtësisë gjatë pesë viteve të fundit. Sipas Salihit, rreth gjysma e qytetarëve nuk vërejnë ndryshime pozitive, ndërsa ata që kanë perceptim më pozitiv e lidhin përmirësimin kryesisht me transparencën dhe llogaridhënien.

    “Sa i përket pyetjes që e elaboroi pak edhe Njomza në pjesën e parë, shumica e qytetarëve, diku rreth 50 për qind e tyre, vlerësojnë se nuk ka pasur përmirësim në sistemin e drejtësisë gjatë pesë viteve të fundit. Ky është opinioni publik, ndërsa pjesa tjetër, rreth 36 për qind, vlerësojnë se ka pasur përmirësim në sistemin e drejtësisë dhe këtë përmirësim më së shumti e kanë parë te llogaridhënia dhe transparenca e sistemit”, deklaroi Salihi.

    Në raport me pavarësinë institucionale dhe mënyrën e marrjes së vendimeve gjyqësore, Salihi tha se qytetarët kanë më shumë besim në pavarësinë e Policisë së Kosovës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre vazhdojnë të kenë dyshime për ndikimet në vendimet e gjykatave.

    “Sa i përket pavarësisë së institucioneve, qytetarët vlerësojnë se policia është institucioni që mund t’i kryejë detyrat e veta në mënyrë më të pavarur. Kurse, sa i përket pyetjes se në çka bazohen gjyqtarët kur i nxjerrin vendimet e tyre për çështjet që i gjykojnë, rezulton se vetëm 43.9 për qind vlerësojnë se vendimet e gjykatave nxirren në bazë të provave dhe kornizës ligjore. Ndërsa, pjesa tjetër, pra rreth 50 për qind e qytetarëve, ende vlerësojnë se vendimet gjyqësore varen nga ndikimet, qoftë brenda apo edhe jashtë sistemit të drejtësisë”, u shpreh ai.

    Raporti ka trajtuar edhe perceptimin e qytetarëve për nivelin e sigurisë në vend, në një periudhë kur janë shënuar raste të shumta të dhunës dhe vrasjeve, përfshirë edhe vrasjet e grave. Salihi bëri të ditur se, në shkallën nga aspak të sigurt deri te plotësisht të sigurt, mesatarja e përgjigjeve të qytetarëve ishte 3.38.

    “Sa i përket nivelit të sigurisë në vend, duke qenë se zhvillimet e fundit, vrasjet, sidomos vrasjet e grave, në këtë periudhë kemi pasur diku tetë vrasje të grave, qytetarët janë pyetur se si ndihen sa i përket kësaj çështjeje. Në mes të vlerave aspak të sigurt dhe plotësisht të sigurt, mesatarja e përgjigjeve të tyre ka qenë 3.38”, tha Salihi.

    Ai shtoi se perceptimi qytetar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore tregon se politikat ndëshkimore në këto raste kanë nevojë të rishikohen.

    “Rastet e dhunës në familje vazhdojnë të shihen nga qytetarët me perceptimin se dënimet për këto raste janë në nivel mesatar. Pra, sërish ka nevojë për rishikimin e politikës ndëshkimore sa u përket rasteve të dhunës në familje dhe atyre të dhunës me bazë gjinore, sipas perceptimit qytetar”, theksoi ai.

    Salihi u ndal edhe te perceptimi i qytetarëve për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, duke vënë në pah se besimi në këtë mekanizëm vazhdon të mbetet sfidë.

    “Përveç rënies së besimit, apo thënë ndryshe, perceptimit se ka ndikim politik dhe korrupsion brenda institucioneve të drejtësisë, përmes amendamentit kushtetues ne kemi krijuar edhe Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë. Ndonëse ky ishte një mekanizëm nga i cili pritej të ishte më profesional dhe më transparent, në vlerësimin e qytetarëve vazhdon të bjerë besimi në raport me këtë mekanizëm. Pra, nëse e marrim edhe mesataren nga viti i kaluar, nuk do të thotë që kemi rënie të besimit të qytetarëve sa i përket Dhomave të Specializuara në Hagë, se ky institucion mund të ofrojë vendime të drejta dhe të pavarura”, përfundoi Salihi.

    Pas prezantimit të të gjeturave të raportit, aktiviteti do të vazhdojë me një panel diskutimi, ku pritet të trajtohen më tej sfidat e sistemit të drejtësisë, performanca institucionale dhe perceptimi i qytetarëve për pavarësinë dhe besueshmërinë e tij.