ATV

Author: G.O.

  • Tre persona dyshohen për dhunim dhe grabitje të një shtetaseje të huaj në Prishtinë

    Tre persona dyshohen për dhunim dhe grabitje të një shtetaseje të huaj në Prishtinë

    Policia po heton një rast të dhunimit dhe grabitjes së një shtetaseje të huaj në Prishtinë.

    Sipas raportit policor, në rast dyshohet se janë përfshirë tre persona ende të paidentifikuar. Ata dyshohet se, nën kanosje, i kanë marrë viktimës gjësende dhe dokumente personale.

    Rasti ka ndodhur më 6 tetor, ndërsa për të janë njoftuar prokurori dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

    Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe hetimet janë në vazhdim.

  • Arrestohet një person për vrasje në tentativë në Vushtrri

    Arrestohet një person për vrasje në tentativë në Vushtrri

    Një person është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “vrasje në tentativë në bashkëkryerje”.

    Sipas Policisë, rasti kishte ndodhur më 30 shtator në Vushtrri, kur i dyshuari, së bashku me persona të tjerë, dyshohet se kishte sulmuar viktimën me mjete të forta.

    Si pasojë e lëndimeve, viktima kishte kërkuar trajtim mjekësor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

  • 63 minatorët e bllokuar në Stan Tërg dalin nga miniera, të gjithë janë mirë me shëndet

    63 minatorët e bllokuar në Stan Tërg dalin nga miniera, të gjithë janë mirë me shëndet

    Të 63 minatorët që kishin mbetur të bllokuar mbrëmë në minierën e Stan Tërgut kanë dalë nga miniera rreth orës 02:45 të mëngjesit. Drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku, ka konfirmuar se të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

    Minatorët e ndërrimit të dytë kishin mbetur nëntokë pas ndërprerjes së energjisë elektrike, e cila kishte pamundësuar daljen e tyre në mënyrën e zakonshme.

    Për këtë arsye, një pjesë e tyre kishte nisur të dilte përmes shkallëve emergjente, ndërsa në vendngjarje ishin angazhuar edhe ekipe mjekësore.

    Defekti ishte paraqitur mbrëmë rreth orës 19:30.

  • Gjenden armë, municion dhe veshje ushtarake në një shtëpi në Leposaviq

    Gjenden armë, municion dhe veshje ushtarake në një shtëpi në Leposaviq

    Policia ka gjetur një kallashnikov, municion dhe veshje ushtarake në një shtëpi të pabanuar në fshatin Dren të Leposaviqit.

    Pas një informacioni të pranuar, njësitë policore kanë kontrolluar objektin, ku kanë konfiskuar një AK-47, dy karikatorë të zbrazët dhe 119 fishekë të kalibrit 7.62 milimetra.

    Në shtëpi janë gjetur edhe pantallona ushtarake, një kapelë dhe një termos ushtarak.

    Për rastin është njoftuar edhe prokurori.

  • Hamza: Kuvendi e ka aprovuar ligjin në mënyrë të rregullt procedurale

    Hamza: Kuvendi e ka aprovuar ligjin në mënyrë të rregullt procedurale

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se Presidentja e Republikës së Kosovës duhet ta ushtrojë rolin e saj brenda përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, ndërsa partitë politike duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre.

    Hamza ka theksuar se Presidentja ka rol unifikues, ndërsa partitë në pushtet dhe ato në opozitë kanë detyra të ndryshme politike.

    “Jo, mendoj që presidentja lun rolin e vet brenda përgjegjësive kushtetuese edhe ligjore, rolin e vet unifikues, ndërsa partitë politike i kanë punët e veta. Ata që janë në pozitë, qeveria duhet me kry punë, ne që jemi në opozitë duhet me dhanë alternativa, po edhe me i kritiku normalisht dhe me i thënë që ky vend s’po shkon mbarë. Po do të thotë që kemi edhe kritika”, tha ai.

    I pyetur nëse PDK-ja kishte biseduar me presidenten Justina Shiroka-Pula para se ajo ta pranonte postin, Hamza tha se nuk kishte pasur komunikime me të, ndërsa emri i saj nuk ishte diskutuar zyrtarisht brenda partisë.

    “Nuk kemi pas shumë kohë me bisedu. Po do të thotë e kanë thirr, jo unë, në telefon edhe i kanë thënë zonja Pula, profesoresha e kam pas, do të thotë jemi në mundësi me të propozu edhe me qenë presidente, normalisht që pas atyre bisedave e ka pranu dhe ne jemi pajtu. Asnjëherë në Partinë Demokratike të Kosovës zyrtarisht nuk është diskutu emri i profesoreshës Justina Pula Shiroka për me qenë presidente”, tha ai.

    Hamza është deklaruar edhe për miratimin e ligjit, duke thënë se Kuvendi e ka përmbushur përgjegjësinë e tij dhe se ligjet e miratuara duhet të zbatohen nga institucionet përkatëse.

    “Shiko, Kuvendi ka kry punën e vet. Deputetët kanë kry punën e vet. Një prej detyrave edhe përgjegjësive kryesore të Kuvendit është me aprovu ligje. Kuvendi i aprovon ligjet, ndërsa ata të cilët janë të detyruar me i zbatu, duhet me i zbatu ligjet. Ne konsiderojmë që Kuvendi e ka aprovu ligjin në mënyrë të rregullt procedurale dhe e kemi thënë që ligjet është i zbatueshëm për të gjithë. Kundrejt kësaj, Kuvendi ka të drejtë edhe me ndërru kushtetutën, ka të drejtë edhe me shfuqizu marrëveshjet ndërkombëtare, edhe me bë marrëveshje ndërkombëtare, Kuvendi i ka detyrat e veta”, tha ai.

  • Vance thotë se Irani duhet të ulë ndjeshëm pasurimin bërthamor për t’i dhënë fund luftës

    Vance thotë se Irani duhet të ulë ndjeshëm pasurimin bërthamor për t’i dhënë fund luftës

    Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se Irani duhet të reduktojë ndjeshëm kapacitetin e pasurimit të uraniumit, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës shtatë-mujore mes dy vendeve.

    Vance tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për një marrëveshje me Teheranin, por kërkojnë lëshime konkrete në çështjen bërthamore.

    “Nëse nuk do një armë bërthamore, atëherë pse të duhet 60% karburant i pasuruar? Dhe nëse dëshiron të tregosh angazhim për të mos ndërtuar një armë bërthamore, mos ndërto karburant shumë të pasuruar. Kjo është një çështje shumë bazike,” tha Vance, duke shtuar se Irani duhet të tregojë angazhimin e tij përmes veprimeve konkrete dhe jo vetëm përmes deklaratave.

    Sipas tij, çdo marrëveshje duhet të përfshijë një reduktim të konsiderueshëm të kapacitetit iranian për pasurimin bërthamor.

    SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer propozime gjatë javëve të fundit, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të rihapur ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin global të energjisë.

    Presidenti Donald Trump ka refuzuar propozimin e fundit të Teheranit dhe ka paralajmëruar mundësinë e intensifikimit të operacioneve ushtarake.

  • Gruda për reagimin e Speciales: Kuvendi nuk ka pse ta pyesë Gjykatën për nismat e veta ligjore

    Gruda për reagimin e Speciales: Kuvendi nuk ka pse ta pyesë Gjykatën për nismat e veta ligjore

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka komentuar reagimin e Bashkimit Evropian lidhur me votimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se duhet të vlejë ajo që presidentja e Komisionit Evropian deklaroi gjatë vizitës së saj në Kosovë.

    Gruda ka theksuar se Kosova ka të drejtë të miratojë ligje, ndërsa sa i përket reagimit të Gjykatës Speciale se nuk është konsultuar për ndryshimet e ligjit, ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk ka pse ta pyesë Gjykatën Speciale për nismat e veta ligjore.

    “Deklarimet e sotme nga një siç citohet – zëdhënës i BE-së nuk i kam parë më faqen zyrtare të Bashkimit Evropian. Por mund të them që presidentja e Komisionit Evropian ka deklaruar në Prishtinë që nuk është problem që Kosova miraton një ligj, pra është e drejtë e Kosovës. Reagimin e Gjykatës Speciale nuk e kam parë ende por Kuvendi i Kosovës nuk ka pse ta pyes Gjykatën Speciale për nismat e veta ligjore. Nëse dikush ka dilema për kushtetushmërinë e këtij ligji e ka një adresë: Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ku mund ta dërgojë”, ka deklaruar Gruda.

    Ai tutje ka thënë se amendamenti e përforcon atë që Dhoma Kushtetuese në Hagë nuk mund të kontrollojë vendimet e Kuvendit të Kosovës.

    Gruda ka shtuar se ka ekzistuar një draft për këtë çështje dhe se amendamenti e saktëson nenin 23, në mënyrë që ligji në fjalë të mos mund të dërgohet në Dhomën Kushtetuese në Hagë.

    “Amandameti e saktëson që Dhoma Kushtetuese në Hagë mund të kontrollojë vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet që dalin nga vendimet nga puna e Dhomave Paraprake dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuara por jo vendimet e Kuvendit të Kosovës. Vendimet si ky ligj mund të kontrollohen vetëm nga Gjykata Kushtetuse në Prishtinë sepse Kosova nuk i ka dy Gjykata Kushtetuese. Në amendament ne vetëm e kemi përforcuar nenin 23 dhe e kemi saktësuar që nuk mund të shkojë ky ligj në Dhomën Kushtetuese në Hagë. Nuk është ndryshim është vetëm përforcim. Ka qenë draft por vetëm e kemi bërë më të qartë”, është shprehur Gruda.

    Në konferencën për media, Gruda e ka cilësuar miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen si triumf të përpjekjes për drejtësi.

    Ai ka falënderuar deputetët që e votuan projektligjin, ndërsa ka shprehur mirënjohje edhe për qytetarët që protestuan për tri javë.

  • Presidentja sllovene uron Shiroka-Pulën: Pres bashkëpunim të mirë dhe konstruktiv

    Presidentja sllovene uron Shiroka-Pulën: Pres bashkëpunim të mirë dhe konstruktiv

    Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, e ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e presidentes së Republikës së Kosovës.

    Përmes një postimi në platformën X, Pirc Musar ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mirë dhe konstruktiv ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës, si në nivelin bilateral, ashtu edhe në kuadër të Procesit Brdo-Brioni.

    “Urimet e mia të sinqerta për Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen e saj presidente e Republikës së Kosovës. Pres me padurim bashkëpunim të mirë dhe konstruktiv ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës, si në nivelin bilateral, ashtu edhe në kuadër të Procesit Brdo-Brioni. Ju uroj çdo sukses në mandatin tuaj të rëndësishëm”, ka shkruar ajo.

    Kryeakademikja Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës me 81 vota për, në raundin e parë të votimit, në seancën e Kuvendit të nisur më 6 tetor.

  • Hungaria zhbllokon negociatat e Ukrainës për anëtarësim në BE

    Hungaria zhbllokon negociatat e Ukrainës për anëtarësim në BE

    Hungaria ka hequr të mërkurën veton ndaj hapjes së dy kapitujve të tjerë të negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke i hapur rrugë një përparimi të ri në procesin e integrimit të Kievit.

    Megjithatë, hapi i radhës varet nga miratimi nga parlamenti ukrainas i një ligji për forcimin e të drejtave të pakicave kombëtare, veçanërisht të komunitetit hungarez në Transkarpati.

    Pas një marrëveshjeje të arritur në nivel ekspertësh, parlamenti ukrainas, Verkhovna Rada, pritet ta miratojë ligjin të hënën. Nëse kjo ndodh, Hungaria pritet të japë miratimin për hapjen e kapitujve të dytë dhe të tretë në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme në Luksemburg të martën.

    Kjo do të largonte një prej pengesave kryesore përpara samitit të ardhshëm të Këshillit Evropian dhe do t’i lejonte edhe Moldavisë të avanconte në procesin e anëtarësimit, pasi dy proceset janë ndjekur paralelisht.

    Të mërkurën, Budapesti lejoi gjithashtu nisjen e përgatitjeve teknike për letrat që Këshilli duhet t’ia dërgojë Ukrainës, për t’i kërkuar paraqitjen e qëndrimeve të saj negociuese. Ky është një hap formal drejt hapjes së kapitujve.

    Më parë, Hungaria kishte bllokuar edhe këtë fazë përgatitore, ndaj vendimi i së mërkurës shihet si një sinjal i fortë se Budapesti është gati ta heqë plotësisht veton, nëse Kievi miraton ligjin për të drejtat e pakicave.

    Kapitujt mund të hapen zyrtarisht gjatë një konference ndërqeveritare të martën e ardhshme.

    Hungaria kishte kërkuar prej kohësh garanci më të forta për të drejtat arsimore, kulturore dhe gjuhësore të rreth 100 mijë hungarezëve etnikë në Ukrainë.

    Në fillim të tetorit, në parlamentin ukrainas u regjistrua një projektligj që synon të forcojë të drejtën për arsimim në gjuhët e pakicave kombëtare dhe të zhbllokojë hapjen e kapitujve të rinj të negociatave me BE-në.

    Procesi, megjithatë, mund të pengohet sërish, pasi ligji ende nuk është miratuar dhe qeveria e Kievit duhet të sigurojë një shumicë të qëndrueshme në Rada.

    Nëse marrëveshja realizohet, ajo mund t’i hapë rrugë edhe takimit të parë dypalësh mes kryeministrit hungarez Péter Magyar dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Të dy kishin planifikuar të takoheshin më herët, por Magyar e kishte kushtëzuar takimin me përparimin në çështjen e të drejtave të pakicave.

    Dy kapitujt e rinj lidhen me tregun e brendshëm dhe konkurrueshmërinë.

  • Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes së Kosovës

    Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes së Kosovës

    Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re, duke shënuar zyrtarisht fillimin e mandatit të saj.

    Shiroka-Pula u zgjodh presidente me 81 vota të deputetëve, në votimin e zhvilluar në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

    Ajo e siguroi postin e presidentes pas marrëveshjes politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.