ATV

Author: G.O.

  • Zgjedhjet Lokale, hapet afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

    Zgjedhjet Lokale, hapet afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur afatin 38-ditor për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të votuar me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

    Kjo platformë elektronike e KQZ-së pritet të lëshohet në përdorim gjatë ditës.

    Valmir Elezi zëdhënës KQZ-së ka thënë se në platformën elektronike të KQZ-së çdo aplikuesi do t’i jepet mundësia që të përzgjedhë për t’u regjistruar për votim vetëm, njërën nga dy mënyrat për votim përmes postës: të dërgojë pakon me fletëvotime në adresë të kutisë postare të KQZ-së në Kosovë apo të dërgojë pakon me fletëvotime, në adresë të kutisë postare të KQZ-së jashtë Kosovës.

    Platforma nuk ka paraparë mundësinë e votimit në përfaqësi diplomatike, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se ky lloj votimi nuk aplikohet në Zgjedhjet Lokale.

    Sipas Elezit, ky proces regjistrimi do të vlejë edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

    “Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm shtetasit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit. Pra, nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë vendit, sepse do të vlejë lista e njëjtë e votuesve”, tha Elezi.

    Sipas KQZ-së, vetëm shtetasit që regjistrohen si votues jashtë Kosovës do të mund të votojnë nga jashtë Kosovës, përmes postës, nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.

  • Ambasadori britanik: Ngërçi politik rrezikon të ardhmen e Kosovës, partitë politike ta kenë vendin mbi interesat partiake

    Ambasadori britanik: Ngërçi politik rrezikon të ardhmen e Kosovës, partitë politike ta kenë vendin mbi interesat partiake

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë është takuar dje me Presidenten Vjosa Osmani, ku diskutuan për situatën politike në vend.

    Ai u shpreh mirënjohës për takimin dhe theksoi se një ngërç i vazhdueshëm politik do të kishte pasoja serioze për Kosovën dhe qytetarët e saj.

    Ambasadori përgëzoi Presidenten Osmani për përpjekjet e saj për zgjidhjen e situatës në përputhje me Kushtetutën dhe nënvizoi se të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi të vënë interesin e vendit mbi atë partiak, për të gjetur një zgjidhje.

  • Fushë-Kosovë: Një person goditet me thikë, policia në kërkim të të dyshuarit

    Fushë-Kosovë: Një person goditet me thikë, policia në kërkim të të dyshuarit

    Një person ka pësuar lëndime të rënda pasi është goditur me thikë nga një i dyshuar, i cili është në kërkim nga policia.

    Rasti ka ndodhur mbrëmë në Fushë-Kosovë, ndërsa në raportin 24-orësh policor thuhet se viktima ka pranuar trajtim mjekësor në QKUK dhe ndodhet nën sigurimin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se rasti mbetet në hetime.

    “Rr. Nëna Terezë, Fushë Kosovë 22.07.2025 – 21:00. Një mashkull kosovar, ka pësuar lëndime të rënda pasi është goditur me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima është transportuar në QKUK dhe vazhdon trajtimin mjekësor në sigurim nga policia ndërsa i dyshuari pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes dhe i njëjti është në kërkim të policisë. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • Pas një mosmarrëveshjeje pronësore me vëllezërit, i dyshuari dëmton derën dhe shtie me armë – arrestohet nga policia në Mitrovicë

    Pas një mosmarrëveshjeje pronësore me vëllezërit, i dyshuari dëmton derën dhe shtie me armë – arrestohet nga policia në Mitrovicë

    Një person është arrestuar dje në Mitrovicë pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri pas një mosmarrëveshje pronësore që kishte me vëllezërit e tij.

    Sipas raportit të Policisë i dyshuari madje ka dëmtuar edhe dyert e hyrjes.

    Tutje, Policia njoftoi se arma me një karikator të zbrazët është konfiskuar.

    “Rr. Ilaz Dibrani, Mitrovicë Jugu 22.07.2025 – 10:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje pronësore me vëllezërit e tij, ka dëmtuar dyert e hyrjes dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të panjohur. Njësiti policor ka konfiskuar armën me një karikator të zbrazët. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

  • Sot përpjekja e 51-të për konstituimin e Kuvendit

    Sot përpjekja e 51-të për konstituimin e Kuvendit

    Sot do të mblidhen sërish deputetët e Kuvendit të Kosovës për të 51-në herë në tentativë për konstituimin e legjislativit.

    Po ashtu, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ka vënë në votim formimin e një Komisioni zgjedhor që do të mundësonte votim të fshehtë për kreun e Kuvendit, proces ky që po ashtu nuk po merr mbështetje nga partitë tjera.

    Ngërçi politik vazhdon tash e disa muaj, gjersa qytetarët për zgjedhjet parlamentare iu drejtuan kutive të votimit më 9 shkurt 2025. Që nga atëherë ende nuk ka institucione të reja të formuara nga ato zgjedhje.

    lg.php.gif

  • Frutat që mbrojnë trurin dhe zemrën gjatë ditëve të nxehta

    Frutat që mbrojnë trurin dhe zemrën gjatë ditëve të nxehta

    Ndërkohë që nxehtësia e verës shkakton dehidrim, ka disa fruta sezonale që përmbajnë shumë ujë e elektrolite, veti këto që mbrojnë zemrën dhe trurin.

    Sipas ekspertëve, shalqiri e pjepri janë frutat që përmbajnë më së shumti ujë, elektrolite, vitamina e antioksidantë, raporton The New York Post.

    Pjeshkat, po ashtu përmbajnë 89 për qind ujë, dhe bashkë me nektarinat e kumbullat janë shumë të mira sa i përket hidratimit në ditë të nxehta, sipas U.S. Department of Agriculture (USDA). Ato gjithashtu kanë antioksidantë të ngjashëm me shalqirin e pjeprin, të cilët janë të mbushur më përfitime shëndetësore ndërkohë që kanë shumë pak kalori.

    Frutat që hidratojnë trupin ndërkohë që përmbajnë edhe elektrolite mund të ndihmojnë trupin që t’i rifitojë lëngjet e humbura nga djersa që shkaktohet nga i nxehti veror.

    “Pjeshkat përmbajnë shumë fibra, vitaminë c dhe kalium. Këto vlera ushqyese ndihmojnë tretjen, shëndetin e zemrës dhe imunitetin”, ka thënë dietologia Vandana Seth.

    Një pjeshkë e mesme përmban rreth 285 miligramë kalium, mineral esencial që luan rol të rëndësishëm në funksionin e nervave te gratë, sipas National Institute of Health.

    Amerikanët konsumojnë pak kalium, gjë që rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, sipas Centers of Disease Control and Preventation (CDC).

    Për shkak të sasisë së madhe të antioksidantëve që përmbajnë, pjeshkat konsiderohen të jenë fruta shumë të mira kundër sëmundjeve të zemrës.

    Ato përmbajnë edhe flavonide, që ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare dhe ndihmojnë aftësitë njohëse dhe kujtesën. Këto fruta përmbajnë edhe karoten, që ndihmon kundër inflamacionit dhe shëndetit të lëkurës.

    Seth ka cekur se antiokisidantët kanë fuqi të mbrojnë organizmin kundër qelizave kancerogjene.

    “Pjeshkat kanë dy grupe pigmentesh që nuk mund të shihen nëpër të tjera fruta apo perime”, ka thënë për New York Times, Mary Ann Lila, profesoreshë në Universitetin e Carolines.

    Pjeshkat që konsumohen me lëkurë sigurojnë 4 për qind të vlerës së rekomanduar ditore për vitaminë A dhe 13 për qind të vlerës së rekomanduar ditore për vitaminë C, si dhe fibra që përmirësojnë tretjen dhe rregullojnë shëndetin e zorrëve.

    Pjeshka përmban 13 gramë sheqer natyral, i cili kur kombinohet me proteinë dhe yndyrë të shëndetshme, është mjaft i mirë për persona që duan t’u ikin gjërave të ëmbla.

    “Ky kombinim po ashtu ndihmon organizmin që të ngadalësojë absorbimin e sheqerit dhe të stabilizojë nivelin e sheqerit në gjak”, ka thënë Seth.

  • Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së ankohen se kanë pak kohë për përgatitjen e mbrojtjes

    Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së ankohen se kanë pak kohë për përgatitjen e mbrojtjes

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot po mbahet konferenca statusore për rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

    Përveç Krasniqit, që po ndjek seancën përmes video-lidhjes, ish-krerët e tjerë të UÇK-së janë të pranishëm në gjykatë.

    Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, u ankua se trupi gjykues ka refuzuar kërkesën prej 10 javësh që mbrojtja të përgatisë çështjen e saj, duke thënë se më 25 gusht mbrojtja duhet të nisë rastin.

    “Gjykata ka ulur kohën për përgatitjen e mbrojtjes nga 10 javë në 2 javë”, tha ai duke shtuar se ky afat është barrë e madhe për ekipin e tij.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se kjo është kohë e mjaftueshme për mbrojtjen. Ndërkaq, trupi gjykues tha se mbrojtja në tetor të vitit të kaluar ishte pyetur se sa kohë i duhet për rastin, dhe ajo kishte deklaruar se i duhen 4-6 javë.

    Mbrojtja e Thaçit tha se problemi i paraqitjes së dëshmitarëve më 25 gusht ka të bëjë me autorizimet që kërkohen për dëshmitarë, sipas rregullit 107. Ky rregull ka të bëjë me zbulimin e identitetit të dëshmitarit apo informacionit të ndjeshëm.

    Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit, sipas trupit gjykues, një ditë më parë kanë dorëzuar një listë dëshmitarësh dhe materialesh që synojnë të përdorin gjatë çështjes.

    Megjithatë, ZPS-ja tha se nga lista e dëshmitarëve, vetëm tre prej tyre janë të identifikuar.

    Trupi gjykues pyeti disa herë mbrojtjen pse tani po deklaron se nuk është gati t’i paraqesë këta dëshmitarë, pasi në të kaluarën ka publikuar edhe një listë dëshmitarësh. Mishetiq e cilësoi si praktikë të gabuar nxjerrjen e një liste dëshmitarësh, teksa shtoi se tani duhet të ndiqen hapat dhe të merren autorizimet e duhura.

    Gjykata pyeti avokatin e Krasniqit, Aidan Ellis, nëse ekipi i tij është gati të nisë paraqitjen e dëshmitarëve më 25 gusht në mënyrë që ekipi i Thaçit të përgatitet, por ai tha që nuk është gati.

    Trupi gjykues pyeti se sa dëshmitarë planifikon mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit të thërrasë. Mbrojtja e Thaçit tha se 12 dëshmitarë planifikon t’i ftojë, 11 prej të cilëve synojnë të japin dëshminë në gjykatë dhe një përmes dëshmisë me shkrim. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit tha se synon të thërrasë pesë dëshmitarë, njofton REL.;

    Mbrojtja e Thaçit u shpreh se vetëm për një dëshmitar ka nevojë për masa mbrojtëse.

    “Duam mbrojtjen e identitetit të tyre deri në dhënien e dëshmisë së tyre”, tha Mishetiq sa i përket dëshmitarëve.

    ZPS-ja u ankua se mbrojtja nuk po jep renditjen e dëshmitarëve që do të paraqiten në Hagë, në mënyrë që të përgatitet për ta, por Mishetiq tha se renditja do të jepet tre javë – ashtu siç edhe lejohet në bazë të rregullave të gjykatës.

    Mbrojtja e Thaçit tha se janë afër 30 dokumente që planifikon t’i paraqesë e për të cilat kërkohet autorizimi, që ka të bëjë me informacione të marra në mënyrë konfidenciale dhe burimi i të cilave mbrohet. Materiale të tilla mbrojtja e Krasniqit tha se ka pesë sosh.

    Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

    ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Pas prokurorisë, radhën do ta kenë ekipet mbrojtëse për të paraqitur çështjen e tyre.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

    Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

    Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

    Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

    Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

    Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

  • Osmani kërkon nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e afatit për konstituimin e Kuvendit

    Osmani kërkon nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e afatit për konstituimin e Kuvendit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka paraqitur një kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese, për pezullimin e afatit prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Në një konferencë për media të martën, Osmani tha se qëllimi i kësaj mase është të parandalohet bllokada institucionale dhe funksionimi jashtë kornizës kushtetuese.

    “Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë të pafund dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të krijoheshin në mënyrë kundërkushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme,” deklaroi ajo.

    Sipas saj, kjo kërkesë ka për qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe parandalimin e një “dëmi të pariparueshëm”.

    Përveç kësaj, Osmani bëri të ditur se ka dorëzuar edhe një kërkesë tjetër në Kushtetuese, për shqyrtimin e konfliktit të kompetencave kushtetuese, të cilat kanë lindur si pasojë e mungesës së konstituimit të Kuvendit.

    “Rastin e kemi dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues. Kërkesa është paraqitur për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës,” ka deklaruar Osmani.

  • Nga nesër ndalohet qarkullimi i automjeteve prej mbi 15 tonësh, shkak temperaturat e larta

    Nga nesër ndalohet qarkullimi i automjeteve prej mbi 15 tonësh, shkak temperaturat e larta

    Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar vendimin e marrë nga kjo ministri për shkak të motit me temperatura të larta.

    Durmishi ka bërë të ditur se është ndaluar qarkullimi i automjeteve me peshë prej mbi 15 tonësh prej të mërkurës nga ora 11:00 deri në 17:00.

    Ky vendim do të mbetet në fuqi deri më 28 korrik.

    “Për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë këto ditë kemi marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 15 T, në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale. Ndalesa vlen nga ora 11:00 e deri në 17:00, duke filluar nga nesër me 23 korrik e deri me 28 korrik”, thuhet në njoftimin e zëvendësministrit në detyrë, Durmishi.

  • BE-ja i ofron ndihmë Shqipërisë në luftën kundër zjarreve

    BE-ja i ofron ndihmë Shqipërisë në luftën kundër zjarreve

    Bashkimi Evropian ka aktivizuar flotën e tij të specializuar për menaxhimin e emergjencave, për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë qarqet e Vlorës dhe Dibrës në Shqipëri.

    Sipas një njoftimi zyrtar nga Mbrojtja Civile dhe Ndihma Humanitare e BE-së, në kuadër të këtij operacioni, tre aeroplanë zjarrfikës nga Greqia dhe Italia janë angazhuar në terren dhe po operojnë intensivisht në zonat e prekura.

    “Jemi të gatshëm të ofrojmë më shumë mbështetje nëse është e nevojshme”, theksohet në deklaratën e BE-së.

    Në javët e fundit në Shqipëri kanë vazhduar zjarret në disa zona, ndërkohë në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, automjete zjarrfikëse, forca bashkiake, vullnetarë dhe forca të tjera operacionale.