ATV

Author: G.O.

  • Të paktën 21 palestinezë të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës

    Të paktën 21 palestinezë të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës

    Të paktën 21 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës gjatë orëve të vona të së martës dhe në orët e hershme të së mërkurës, ka raportuar The Associated Press.

    Më shumë se gjysma e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore të enklavës.

    Sulmet izraelite goditën një shtëpi të martën në pjesën veriperëndimore të qytetit të Gazës, duke lënë të vrarë të paktën 12 persona, sipas raportit të Spitalit Shifa, i cili i kishte pranuar trupat e viktimave.

    Në mesin e të vdekurve ishin gjashtë fëmijë dhe dy gra, sipas listës së Ministrisë së Shëndetësisë.

    Një tjetër sulm ka goditur një ndërtesë banimi në zonën Tal al-Hawa, në veri të Gazës, duke vrarë të paktën gjashtë persona. Mes të vdekurve ishin tre fëmijë dhe dy gra, njëra prej të cilave ishte shtatzënë. Ndërkaq, tetë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

    Sulmi i tretë ka goditur një tendë në lagjen Naser të qytetit të Gazës në orët e vona të së martës, ku mbetën të vrarë tre fëmijë, ka njoftuar Spitali Shifa.

    Nëpërmjet një deklarate të lëshuar të mërkurën, Ushtria izraelite ka bërë të ditur se forcat e saj po veprojnë në qytetin e Gazës, si dhe në veri të Rripit të Gazës.

    Pa dhënë detaje të mëtejshme, Ushtria ka deklaruar se në Jabaliya – një zonë që ka pësuar goditje të rënda në disa runde luftimesh – një sulm ajror ka vrarë “disa” militantë të Hamasit.

    Sipas ushtrisë, forcat e saj kanë goditur rreth 120 objektiva në të gjithë Gazën gjatë 24 orëve të fundit, duke përfshirë celula militante, tunele dhe ndërtesa të minuara.

  • Arsyeja pse burrave u bien flokët më herët sesa gratë

    Arsyeja pse burrave u bien flokët më herët sesa gratë

    Burrat kanë të ngjarë t’i humbasin flokët më shumë sesa gratë kur plaken.

    Kjo ndodh sepse testosteroni i burrave ka një ndikim më të madh tek flokët e tyre.

    Testosteroni shndërrohet në dihidrotestosteron, i cili është një hormon që ndihmon flokët të bëhen më të shkurtër dhe më të hollë.

    Rënia e flokëve tek burrat fillon pas të 20-tave. Mos harroni se disa sëmundje kanë simptoma të ndryshme, për burrat dhe për gratë!

    Dhe kur vjen puna këtu, mund të përmendim edhe aknet, nga të cilat gratë “vuajnë” më shumë.

    Gratë kanë më shumë probleme me aknet sesa burrat. Dalin zakonisht gjatë ciklit, menopauzës, pasi kanë disnivel të hormoneve. Edhe të rinjtë apo burrat preken nga aknet, megjithëse më rrallë.

  • “S’ka kushte për mbajtjen e saj” – Përplasja Musliu-Dehari ndërpret seancën e 51-të për konstituimin e Kuvendit

    “S’ka kushte për mbajtjen e saj” – Përplasja Musliu-Dehari ndërpret seancën e 51-të për konstituimin e Kuvendit

    Kriza politike në Kosovë po thellohet, pasi edhe për herën e 51-të deputetët nuk arritën të konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Kësaj radhe nuk pati as votim, ndërsa tensionet mes pozitës dhe opozitës u shfaqën hapur gjatë seancës.

    Një situatë e pazakontë ndodhi kur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, iu drejtua kryesuesit Avni Dehari duke kërkuar të marrë fjalën. Pasi iu ndërpre mikrofoni, Musliu iu afrua foltores dhe e pengoi Deharin të vazhdonte seancën. Në këtë rrethanë, kryesuesi deklaroi se “nuk ka kushte për vazhdimin e seancës” dhe e ndërpreu atë.

    Asnjëra palë nuk po lëshon pe nga qëndrimet e saj. Përfaqësuesit e opozitës kërkojnë votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke u mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Por Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kundërshtojë këtë procedurë, pavarësisht edhe aktgjykimit të Gjykatës Supreme, që ka konfirmuar se deputetët që ushtrojnë funksione ekzekutive nuk mund të kryejnë dy funksione njëkohësisht.

    Pas ndërprerjes së seancës, Avni Dehari njoftoi se përpjekja e radhës do të bëhet të premten në orën 11:00 – vetëm tri ditë para skadimit të afatit 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

  • Si ta kuptoni nëse mjalti që e keni blerë është organik

    Si ta kuptoni nëse mjalti që e keni blerë është organik

    Nëse dëshironi të merrni  përfitimet të cilat vijnë nga mjalti atëherë pastërtia e mjaltit është ajo që duhet marrë parasysh para se ta blini atë.

    Ka disa teste dhe eksperimente të thjeshta që mund të kryhen në shtëpi për të verifikuar se mjalti që keni blerë është me të vërtetë natyral.

    Një mënyrë e thjeshtë për ta kuptuar këtë është eksperimenti me ujë. Shtoni një lugë mjaltë në një gotë me ujë.

    Nëse është mjalti i falsifikuar apo artificial, ai do të shkrihet në ujë dhe do ta shihni përreth gotës.

    Ndërsa nëse është mjalti i pastër dhe organik, ai do të qëndrojë në fund të gotës.

    Pra, keni parasysh këtë mënyrë kur blini mjaltë dhe mos hezitoni ta provoni këtë eksperiment për ta testuar pastërtinë e këtij produkti të shëndetshëm!

  • Vuani nga pagjumësia? Ja disa këshilla si ta zgjidhni problemin

    Vuani nga pagjumësia? Ja disa këshilla si ta zgjidhni problemin

    Ka disa arsye pse nuk mund të keni gjumë gjatë natës dhe stresi është një nga më të rëndësishmet. Ndjenja e stresit mund t’ju mbajë zgjuar deri në mëngjes duke ju shkaktuar lodhje, gjendje plogështie apo nervozizëm.

    Megjithatë stresi nuk është arsyeja e vetme që shkakton pagjumësi, mund të jeni të qetë dhe të lumtur e përsëri nuk mund të flini, një tjetër arsye janë oraret e parregullta të gjumit, që mund të çojnë në pagjumjësi kronike.

    Është e rëndësishme -të flini dhe të zgjoheni në të njëjtën orë çdo ditë.

    Kur nuk keni gjumë merruni me një aktivitet- që mund t’ju ndihmojë të bini në gjumë për disa minuta.

    Shkruani një ditar – filloni të shkruani të gjitha shqetësimet apo problemet tuaja, kjo është një mënyrë e mirë që ndalon të menduarit rreth tyre. Më pas shkruani 10 gjëra për të cilat ndjeni mirënjohje që i keni ne jetë. Të menduarit dhe të shkruarit për gjëra që ju bëjnë të lumtur ju ndihmojnë të flini më shpejt dhe të zgjoheni më të lumtur.

    Meditoni – kjo është një nga mënyrat më të mira për të përballuar stresin, ankthin dhe depresionin. Meditimi është i njohur edhe për të parandaluar çregullime të gjumit.

    Lexoni një libër – leximi në shtrat është një mënyrë popullore efektive për të rënë në gjumë shpejt. Brenda 20 minutave do të ndjeheni të lodhur dhe të përgjumur. Zgjidhni një libër frymëzues, pse jo edhe poezi pasi ju ndihmojnë të luftoni pagjumsinë.

    Luani me kafshën shtëpiake nëse keni – ky proces ju ndihmon të relaksoheni dhe të shpëtoni nga mendimet negative.

    Këto jënë disa nga gjërat më të mira që mund të bëni kur keni probleme me gjumin. Kujdesuni të mos flini gjatë ditës, fikni telefonin në mbrëmje para se të flini dhe shmangni konfliktet në orë të vona.

  • OBSh-ja paralajmëron për përhapjen e virusit nga mushkonjat

    OBSh-ja paralajmëron për përhapjen e virusit nga mushkonjat

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje urgjente për të parandaluar përsëritjen e një epidemie të virusit ‘chikungunya’, i cili përhapet nga mushkonjat dhe ka përfshirë botën para dy dekadash.

    Shkak për shqetësimin janë shpërthimet e reja në rajonin e Oqeanit Indian, që tashmë po përhapen edhe në Evropë dhe kontinente të tjera.

    Sipas zyrtares së OBSH-së, Diana Rojas Alvarez, rreth 5.6 miliardë njerëz në 119 vende jetojnë në zona ku ekziston rreziku nga ky virus, i cili shkakton ethe, dhimbje të forta në nyje dhe mund të çojë në paaftësi afatgjate.

    “Po shohim përsëritjen e historisë”, tha ajo, duke e krahasuar situatën aktuale me epideminë e viteve 2004-2005, e cila preku afro gjysmë milioni njerëz – kryesisht në territore të vogla ishullore – përpara se të përhapej në gjithë botën. Vala e fundit e përhapjes nisi në fillim të vitit 2025, me shpërthime të mëdha në të njëjtat ishuj të Oqeanit Indian që ishin prekur edhe më parë, përfshirë La Reunionin dhe Mauritiusin.

    Alvarez tha se virusi ka prekur tashmë rreth një të tretën e banorëve në La Reunion.

    Përhapja po vazhdon edhe në vende të tjera, si Madagaskari, Somalia dhe Kenia, ndërsa raste të shumta janë shënuar edhe në Indi dhe në pjesë të Azisë Juglindore, sipas saj.

    Një shqetësim i veçantë është edhe rritja e numrit të rasteve të importuara brenda Evropës.

    Që nga 1 maji, në Francë janë regjistruar rreth 800 raste të importuara të virusit ‘chikungunya’, tha Alvarez.

    ‘Chikungunya’, për të cilën nuk ekziston trajtim specifik, mund të shkaktojë shpërthime të shpejta dhe të mëdha.

    Për shkak se mushkonjat pickojnë gjatë ditës, parandalimi është thelbësor, duke përdorur insekticidë dhe veshje me mëngë të gjata, rekomandon OBSh-ja.

  • FIFA dënon FShF-në për ndeshjen Shqipëri-Serbi

    FIFA dënon FShF-në për ndeshjen Shqipëri-Serbi

    Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se është njoftuar zyrtarisht nga FIFA për një vendim disiplinor në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Serbi që u zhvillua më 7 qershor 2025 në stadiumin “Air Albania”.

    Sipas vendimit të FIFA-s, FSHF dënohet me një gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe me detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të zhvillohet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun.

    “Ky penalizim vjen si pasojë e sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë, përfshirë: këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimin e gjesteve dhe mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare”, njofton FSHF.

    Federata e konsideron këtë vendim një penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik, që dëmton jo vetëm institucionin, por mbi të gjitha Kombëtaren shqiptare.

    Në reagimin e saj, FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve kuqezi të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë.

    “Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjshëm mund ta mbështesim Kombëtaren siç ajo e meriton,.”, thekson Federata në komunikatën e saj.

  • Nura: Limaj e meriton votën e PDK-së për kryekuvendar

    Nura: Limaj e meriton votën e PDK-së për kryekuvendar

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, ka thënë se mendon që partia të cilës i takon e voton Fatmir Limajn për kryekuvendar.

    Sipas Nurës, Limaj e meriton votën e PDK-së, teksa e ka cilësuar atë si më të dinjitetshëm se gjysma e deputetëve të Vetëvendosjes.

    “Unë thashë se mendoj që Partia Demokratike e voton Fatmir Limajn duke e ditur që ai është më i devotshëm dhe më i dinjitetshëm se gjysma e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Kështu që ne e kemi një qëndrim që vetëm ministrat nuk do t’i votojmë. Famir Limaj do ta meritonte votën e PDK-së”, ka thënë ai.

    Nura ka shtuar se është krijuar një dramë e pakëndshme në Kuvend.

    “Çdo gjëje i ka humbur kuptimi, jemi bërë një dramë e pakëndshme dhe për ne deputetët që hyjmë dhe dalim e nuk bëjmë asgjë këtu”, ka thënë ai.

  • Vapa përvëluese – këto janë masat që MSh-ja rekomandon për mbrojtjen e punëtorëve

    Vapa përvëluese – këto janë masat që MSh-ja rekomandon për mbrojtjen e punëtorëve

    Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar të martën që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta.

    Rekomandimet nga kjo ministri janë dhënë për periudhën 22 deri më 25 korrik.

    “Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”.

    “Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”.

    Thirrja erdhi pas rastit të vdekjes së dy punëtorëve në Gjakovë.

    Më poshtë gjeni rekomandimet:

    Ministria e Shëndetësisë rekomandon institucionet publike dhe private të marrin masa mbrojtëse të përgjithshme dhe specifike ndaj ekspozimeve në temperatura të larta, si në vijim:

    1.1 Të shmanget puna në ambient të jashtëm prej orës 11:00-16:00;

    1.2 Gratë shtatzëna të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00, nëse në vendin e
    punës nuk plotësohen kushtet sipas pikave 1.4, 1.5, dhe 1.6;1.3 Personat me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë
    në ditë;

    1.4 Të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë,
    përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia;

    1.5 Të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura;

    1.6 Të vendosen pika freskimi (përdorimi i çadrave të lëvizshme dhe materialeve tjera
    për të krijuar hije apo zona freskimi) në vend punishtet e hapura për freskim të
    punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë te ftoftë për punëtorët;

    1.7 Të shpërndahen informacione për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia;

    Ministria e Shëndetësisë rekomandon masat mbrojtëse të përgjithshme për qytetarët ndaj ekspozimeve në temperatura të larta, si në vijim:

    2.1 Të shmanget qëndrimi në ambientin e jashtëm në kulmin e nxehtësisë;

    2.2 Të konsumohet ujë për tu mbrojtur nga dehidrimi dhe të shmangen pijet e gazuara;

    2.3 Të përdoren kapelë dhe syze mbrojtëse nga dielli kur qëndrohet jashtë;

    2.4 Mos të lihen fëmijët vetëm në veturë derisa prindërit/kujdestarët kryejnë ndonjë
    punë;

    2.5 Të kontaktohen rregullisht të afërmit e moshuar ose me sëmundje kronike për të
    vlerësuar nevojat shëndetësore të tyre;

    2.6 Sipas nevojës të kërkohet ndihmë në shërbimet e urgjencës mjekësore, telefoni 194.

  • Bajrami reagon pas vdekjes së katër punëtorëve: Institucionet dhe Prokuroria të veprojnë menjëherë

    Bajrami reagon pas vdekjes së katër punëtorëve: Institucionet dhe Prokuroria të veprojnë menjëherë

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas humbjes tragjike të jetës së katër punëtorëve gjatë javës së fundit në vendin e punës.

    Përmes një postimi në Facebook ajo ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe ka kërkuar përgjegjësi institucionale.

    “Shpreh ngushëllime të sinqerta për familjet e katër punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës gjatë javës së fundit,” deklaroi Bajrami, duke theksuar se kjo situatë është alarmante dhe kërkon veprim të menjëhershëm.

    Ajo shtoi se pa dëshirën për ta politizuar këtë çështje, është detyrim moral dhe qytetar që të ngritët zëri për sigurinë e punëtorëve në Kosovë.

    “Secili prej nesh duhet të ndjejë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhen punëtorët në Kosovë, për pasigurinë dhe rrezikun që i shoqëron çdo ditë kur nisen për në punë,” u shpreh ajo.

    Bajrami u bëri thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të marrin masa konkrete dhe të mos lejojnë që tragjeditë të përsëriten.

    “U bëj thirrje të gjitha institucioneve të Republikës, përfshirë inspektoratet shtetërore dhe komunale, si dhe Prokurorinë, që të veprojnë menjëherë. Duhet të mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kanë dështuar të ndërmarrin masa për të parandaluar këto tragjedi”, ka deklaruar deputetja.

    Bajrami theksoi rëndësinë e drejtësisë dhe nevojën për masa parandaluese.

    “Jeta nuk kthehet, por institucionet kanë për detyrë ligjore dhe morale të parandalojnë raste të tilla dhe të sigurojnë që kushdo që nuk vepron sipas ligjit të përballet me drejtësinë”, ka thënë Bajrami.